+ QEVERIA RAMA DHE SISTEMI I PLANIFIKIMIT TE TERRITORIT
ABSTRAKT
Një vizion pa një plan është vetëm një ëndër. Një plan pa vizion është vetëm një punë angari. Por një vizion me një plan mund të ndryshojë botën.- proverb amerikan
Planifikimi dhe planifikuesi asnjëherë nuk janë respektuar, vecanërisht, në Shqipëri. Kjo sepse ajo kaloi një perriudhë të gajtë të planifikimit të centralizuar, deri në detajë, dhe shumë rigjit. Kjo solli një periudhë të re 25b vjecare të paplanifikimit total e cila për vendet e rajonit prodhoi:
-45 % e popullsisë së Tiranës jeton në njësi ilegale të banimit në zonat periferike të qytetit;
-146 mijë ndërtime ilegale të ndërtuara në Beograd apo
-27 qëndra të banuara ilegale në Shkup (UNECE, 2008).
E thënë drejtpërdrejt, shkurt dhe që në fillim, planifikimi është një profesion fisnik por i nënvlerësuar. Planifikimi ndodh në shumë nivele, nga vendimet e përditshme të individëve ose familjeve, te vendimet komplekse bërë nga bisnesi ose qeverisja. Ai i referohet procesit të vendimarrjes, se, cfarë të bëhet dhe si të bëhet, prandaj është shumë i rëndësishëm dhe gjerësisht i nevojshëm.
Planifikuesit janë profesionistë që lehtësojnë vendimmarrjen. Ata nuk marrin vendime vet, por mbështesin vendimarrësit (menaxherët, zyrtarët, qytetarët), duke koordinuar informimin me veprime. Roli i tyre është të krijojnë një proces logjik dhe sistematik të vendimmarrjes i cili të rezultoj në veprime të mira.
Sipas Profesorit të Universitetit të Hauardit, Daniel Gilbert (2006), aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht, ky është, plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive dhe planifikuesit nuk janë gjë tjetër vecse, trainerët.
Ndërsa Gaston Bardet do të thoshte se urbanistët janë konstruktorët e së ardhmes. Nëse diskutimet politike nuk prodhojnë gjë tjetër veçse shkatërrim, nga aktet e urbanistëve krijohen vatra ku zhvillohet njeriu dhe komuniteti. Planifikimi dhe projektimi i qyteteve nuk është thjeshtë shkencë apo art, por një ripërtëritje e mendimeve që përbëjnë civilizimin tonë.
Shumica e njerëzve preferojnë të injorojnë problemet derisa ato bëhen të pashmangshme. Planifikuesit janë meraklinj profesionis, të cilët kërkojnë të gjejnë probleme potenciale që ti lehtësojnë apo zgjidhin ato. Shumica e njerëzve i shohin problemet nga një prespektivë e vetme. Planifikuesit janë përgjegjës për konsiderimin nga perspektiva të shumfishta; ata shqetësohen për “cfarë është mirë për secilin, por, sëbashku?”.
Shumica e njerëzve preferojnë probleme, dhe zgjidhje të thjeshta për to. Planifikuesit mësojnë të vlerësojnë kompleksitetin, dhe kërkojnë për kuptime të thella dhe kauza themelore. Shumica e njerëzve e konsiderojnë kompromisin si një shenjë dobësie dhe dështimi. Planifikuesit janë pasionant për kompromisin sepse ai (kompromisi) zgjidh konflikte dhe shpesh drejton në zgjidhje të mira. Shumica e njerëzve preferon ti zgjidhë cështjet njëra pas tjetrës. Planifikuesit aplikojnë analiza të integruara, kështu që vendimet individuale dhe në terma afatshkurtër janë konsistente me synimet e shumëfishta dhe afatgjata.
Edhe pse të bazuar në të zakonshmen, planifikuesit ushqejnë aspiratat më të thella të komunitetit, të tilla si dashuria, shpresa dhe e bukura. Ata përkthejnë synime teorike në veprime specifike. Planifikimi është një art po aq sa është shkencë dhe kërkon gjykim, ndjeshmëri dhe krijimtari.
Roli i tyre, si lehtësuesit e paanshëm, shpesh është keq interpretuar si burokratë të pashpirt. Palët e interesuara shpesh i mbajnë planifikuesit si personalisht përgjegjës kur nuk kënaqen nga produktet. Planifikuesit kanë nevojë për aftësi diplomatike dhe një lëkurë të trashë, sepse, edhe nëse e bëjnë punën e tyre mirë ata do të kritikohen përafërsisht njësoj nga të gjithë palët.
Një mjek i familjes konsiderohet gërnjar i besdisshëm ndërsa një kirurg konsiderohet hero. Njëjtësisht, një planifikim i mirë tenton të nënvlerësohet sepse ai preventivon problemet, kështu që njerëzit që përfitojnë janë të pavetëdishëm për cfarë kanë përfituar nga puna e tyre.
Nuk duhet të biem viktimë e diskursit të majtë, sipas të cilit e djathtë do të thotë derregullim edhe në cështjet e planifikimit territorial e urban.
Sigurisht që e djathta (liberalizmi) nuk mund të mbështesi planifikimin e centralizuar, rigjid dhe deri në detaje, porse në asnjë rast nuk mund të pranohet që zhvillimi të jetë jashtë një kompromisi komunitar/të përbashkët.
Prandaj, planifikimi orientues e gjithëpërfshirës, duhet të mbështetet në dy kollona të rëndësishme:
-orientimi i bisnesit- nuk ka ndihmë më të madhe që një administratë ti japi bisnesit nëse ajo ndan me bisnesin informacione për troje të reja, lëndë të para dhe krah pune, për shtrirje të reja apo ide për bisnese të reja, dhe;
-gjithëpërfshirja në proceset planifikuese (përfitimet nga planifikimi gjithëpërfshirës).
Shqipërisë i duhet një kulturë e re e planifikimit territorial dhe urban, me këto parime dhe karaklteristika:
- që e vlerëson planifikimin si instrumentin më të rëndësishëm të qeverisjes së mirë urbane;
-që e konsideron planifikimin jo vetëm në dimensionin projektues e planifikues tekniko-shkencor, por për së pari si një proces demokratik;
-që e vlerëson jo si një punë qeverie por si një kompromis gjithëarritur;
-që e sheh urbanistin jo si “kapua” i gjësë, por si një mediator/lehtësues kuvendimesh publike që sjell në kuvend dijet e mbledhura shkencore dhe mbron interesat e të papërfaqësuarve në këtë kuvend (grupet e papërfshira dhe të ardhmen).
Shqipëria ka domosdoshmëri një bazë të re ligjore (ligj dhe akte nënligjore) për planifikimin territorial dhe urban. Kjo bazë duhet të mbështetet në parimet e Qeverisë së Mirë Urbane, si qasje Europiane.
Partitë shqiptare janë të gjitha, së paku në pretendimet e diskursit politik, të orientuara ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, atherë baza e re ligjore për planifikimin territorial e urban duhet të jetë një kuadër elegant që mund të pranohet nga të gjitha palët dhe me synimin që të mos ndryshojë cdo rotacion. Qëndrueshmëria në kohë e një baze ligjore është thelbësore për qëndrueshmërinë e saj. Kjo edhe për të lënë më shumë hapsirë për aktivitetin planifikues dhe projektues. Kolonat kryesore të këtij sistemi:
-një fjalor termash teknik të përkufizuara një herë e përgjithmon. Problem shumë i madh i kulturës shqiptare të planifikimit për shkak të ndryshimeve të shpeshta të ligjit, por edhe një problem i kulturave të ndryshme europiane të planifikimit.
-përcaktimi i qartë i autoriteteve të planifikimit dhe detyrave të secilit autoritet. Vecanërisht midis niveleve të ndryshme të qeverisjes (vendore, rajonale, kombëtare). Parimi kryesor në këtë ndarje përgjegjësisë duhet të jetë decentralizimi.
-përcaktimi i qartë i llojit të instrumenteve të planifikimit. Parimi i shumllojshmërisë së instrumentave duhet të jetë parimi bazik i kësaj kolone. Përcaktimi i formës dhe strukturës (cfarë përmbajnë) është i rëndësisë së vecantë, por kjo mund të bëhet edhe me VKM.
-përcaktimi i proceseve nëpërmjet këto instrumenta hartohen dhe miratohen nga këto autoritete. Parimi i gjithëpërfshirjes së palëve të interesuara duhet të jetë parimi bazik (përfitimet nga planifikimi gjithëpërfshirës janë të katërfisha). Gjithashtu parimet e koordinimit dhe bashkpunimit midis autoriteteve janë të rëndësisë së vecantë.
-transparenca dhe llogaridhënia e autoriteteve janë bazike për një sistem të tillë ligjor, prandaj duhet menduar për mënyra bashkohore për njoftimin dhe informimin e qytetarëve, palëve të interesuara dhe agjentëve të shoqërisë civile.
-kontrolli i zhvillimit (instrumenta të vecantë për kontrollin dhe lejet e ndërtimit) është shumë i rëndësishëm për një sistem të tillë. Në fund të fundit është nevoja për zhvillimit që kërkon planifikimin dhe projektimin. Në referencë të nevojave të Shqipërisë lejet e ndërtimit duhet të jenë sa më të shumllojshme, për të lehtësuar burokracinë e tepërt pa rrezikuar dëmtimin territorial. Instrumentat e vecantë (kushtëzimet e zhvillimit dhe barat mbi pronësinë) duhet të synojnë krijimin e kushteve për një zhvillim të qëndrushëm në mbrojtje të interesave publikë por në asnjë rast duke dëmtuar interesin privat.
-kontrolli i territorit, është gjithashtu një kolonë e vecantë e këtij sistemi, porse për arsye të llojit të sistemit humbet vlerën sepse bien arsyet pse qytetarët ndërtojnë paleje dhe rritet kontributi i qytetarëve në mbrojtje të lagjeve të tyre nga ndërtimet paleje.
-Së fundi duhet bërë përcaktime të sakta dhe afatgjata për një fazë tranzitore midis dy sisteme (i vjetër - i ri). Si dhe reflektimi i kuptimeve të reja në ligjet e tjera që ndikohen nga planifikimi i territorit.
Ligji ‘Për Planifikimin e Territorit”është miratuar në prill të vitit 2009-të dhe është, në planin politik, ligji më gjithëpërfshirës i miratuar ndonjëherë në dy legjislaturat e fundit. Kjo, sepse ligji u miratua me votën e të dyja palëve politike.
Ai u draftua, sikurse rrallë herë, si pjesë e një reforme të thellë dhe mbështetur në një ‘Dokument Politikash’, qw u hartua përgjatë një procesi me përfshirjen e një grupi të madh aktorësh e palësh të interesuara, në diskutime që zgjatën muaj.
Më tej, reforma vazhdoi për hartimin e nivelit të dytë të legjislacionit dhe tranzitimin nga sistemi i mëparshëm në sistemin e ri, deri në tetor të vitit 2011 ku ligji i vjetër u shfuqizua dhe ligji i ri hyri në fuqi të plotë veprimi. Ky proces, pwr shumw arsye, dwshtoi plotwsisht.
Në mungesë të artikulimit të qartë nuk është e kuptueshme se cfarë kërkohet të ndryshohet apo të përmirësohet. Nëse besojmë në ato që u paraqitën nëpërmjet medias, se ‘ligji aktual ka termiologji të vështirë që duhet të lehtësohet’, kjo nuk i prish ndonjë punë sistemit. Në fund të fundit, emërtim është. Dikush i quan ‘plane vendore’, dikush ‘plane rregulluese’ dhe dikush tjetër ‘plane urbane’. Sigurisht, do humbim nja katër vjetë të tjerë, por ka edhe më keq.
Dhe e keqja më e madhe do të ishte “thjeshtëzimi” i anës përmbajtësore të ligjit. Deformimi i dispozitave ligjore që sigurojnë aplikimin real të parimeve të Qeverisjes së Mirë. Kjo do ishte e keqja më e madhe. Largimi i ligjit nga parime që mundësojnë transparencën dhe gjithëpërfshirjen, decentralizimin dhe lehtësimin në vendimmarje, koordinimin dhe integrimin e planifikimeve, planifikimin e detyrueshëm dhe propocional.
Kjo, do të ishte një anti-reformë për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Do të ishte anti-reforma një.
Në dhjetor 1976, Shqipëria staliniste, miratoi Kushtetutën e Republikës. E cila, në dimensionin politik e shpallte atë (Shqipërinë),
- Republikë Popullore Socialiste dhe një shtet të diktaturës së ploretariatit me ideologji sunduese marksizëm- leninizmin.
- Republika duhet të zhvillonte një ekonomi socialiste që mbështetej në pronësinë socialiste të mjeteve të prodhimit. Lista e pronave ‘vetëm të shtetit’, fillonte me tokën dhe vazhdonte gjatë.
Frymëzuar nga këto dy shtylla bazike të Kushtetutës, në vitet në vazhdim, u hartuan një sërë ligjesh dhe akte të tjera rregullatore për cdo element të jetës individuale, familjare apo komunitare të shqiptarëve të atyre viteve. Një ndër to ishte Dekreti i qershorit të 1978 i Presidiumit të Kuvendit Popullor për miratimin e ligjit “Për hartimin, miratimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të qyteteve dhe fshatrave”.
Në prag big shoë-n e treqind ditëve të qeverisjes, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit shfaqi për publikun draft ligjin e ri “Për Planifikimin e Territorit”. Nëse e lexon, materiali (drafti) shfaq dukshëm kuptime shumë minimaliste dhe të cuditshme mbi:
-shkencën e planifikimit të territorit;
-problematikat bashkëkohore të zhvillimeve të territorit në Shqipëri dhe sesi këto kanë evoluar prej 20 vjetësh;
-qëndimet politike të BE apo praktika të mira për të ndërtuar një sistem të tillë ligjor, në vendet në tranzicion apo të ngjashëm me Shqipërinë;
-ligjin në fuqi “për planifikimin e territorit” dhe problematikat që ky ligj kërkonte të zgjidhte.
Kuptime aq të cuditshme, saqë të drejtojnë në pyetjen e ligjshme, a e dinë draftuesit se Shqipëria nuk është më Republikë Popullore Socialiste dhe se ka një Kushtetutë tjetër? Shumë të ndryshme në dimensionit politik dhe ekonomik.
Pyetja legjitimohet nga një spektër i gjerë shqetësimesh që të krijon drafti, por, unë do fokusohem vetëm te disa.
-Së pari, autorët e draftit mendojnë se qeverisja qëndrore është “shefi” i qeverisjes vendore dhe kështu e para ka të drejtën legjitime t’i përcaktojë të dytës ndër shumëcka, edhe stafin. C’ka do të ishte normale në regjimin e vjetër, porse është e papranueshme për shoqërinë shqiptare të sotme. Biles, për të qënë të moralshëm, duhet të themi se edhe regjimi stalinist nuk e kishte të sanksionuar në ligj, këtë kufizim të drejtash të komuniteteve dhe administrative vendore.
- Drafti i ri anashkalon përgjegjësitë e të gjitha ministrive dhe krijon një superministri, me super përgjegjësi në fushën e planifikimit territorial.
- Centralizimi i përgjegjësive vazhdon më tej me Këshillin Kombëtar të Territorit. I cili, ka të njëjtat dhe ndoshta më shumë kompetenca se Kryesia e Këshillit të Ministrave në vitin 1978. Miratimin e disa planeve rregulluese, legjislacioni i kohës, ja njihte si të drejtë edhe komitetit ekzekutiv të rrethit, apo edhe ndonjë ministrie.
-Një ngjashmëri tjetër është edhe llojshmëria e ulët e instrumentave të planifikimit territorial. Sikurse 36 vjet më parë, drafti i ri propozon të ketë vetëm tre. Mund të gjenden disa emertime në draft, mirëpo të grupuara vetëm në tre. Dhe jo pa qëllim, nëse do ishin më shumë rrezikohej seriozisht niveli i lartë i centralizimit të autoritetit. C’ka, dukshëm është frymëzimi bazik i këtij drafti. Autoritet që centralizohet deri në atë pike, sa Këshilli Kombëtar i Territorit mund të japi edhe leje zhvillimi.
- Standartet demokratike të përfshirjes së palëve të interesuara dhe të transparencës ndaj publikut janë një ngjashmëri e frikshme midis dy akteve. Ato i japin nga një muaj kohë ‘masave të gjykojnë’ mbi planet, para se ato të miratohen. Njësoj si në 1978 dhe në 2014. Njësoj, si atyre që shikonin si zhvillohej prona e shtetit edhe atyre që shohin si do i shkojë halli pronës së tyre.
- Drafti i ri sjell risi të dimensionit jashtëtokësor. Shpik një mënyrë të re sesi mund të pasurohesh me të drejta zhvillimi të pronave të patundshme, pa bërë asgjë. Pa ju drejtuar tregut. Biles as duke i trashëguar ato nga të parët. Thjeshtë duke pritur që fqinji/kufitari të mos e zhvilloj pronën për një kohë të caktuar, sepse në këtë skenar shteti do t’I kalojë ty të drejtat e zhvillimit të pronësisë kufitare.
- Drafti shfaq edhe shumë konfuzion në dimensionit shkencor të planifikimit territorial. Rrëmuja e koncepteve shkencore dhe procedurave administrative është e tillë që siguron vetëm vendimarrje preferenciale. Siguron se cdo njëri që njeh dikë me pushtet mund të ndërtojë cfarë dëshiron. Në të kundërt, mund të të zëri poshtë shtëpia e vjetër që ke trashëguar, sepse leje nuk merr dot.
Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër, vecse, të shpresojmë se përfaqësuesit e popullit në Kuvend nuk do e lejojnë një gjë të tillë duke bllokuar me të drejtën që ju kemi deleguar, konvertimin e vendimit të qeverisë në ligj.PLANIFIKIMI NJË PROFESION FISNIK POR I NËNVLERËSUAR. Koha Jone, 10.12.2012
Një vizion pa një plan është vetëm një ëndër. Një plan pa vizion është vetëm një punë angari. Por një vizion me një plan mund të ndryshojë botën.- proverb amerikano-verior
Komunitetet tradicionale mbështeten në hoxhallarë dhe priftërinj për të mbajtur balancën midis botës humane dhe botës natyrore. Në komunitetet moderne këto përgjegjësi përballohen nga planifikuesit. Por, planifikuesit shpesh i kthehet një nivel i ulët respekti. Sukseset e tyre merren për grant, ndërsa shpesh fajësohen për dështime të gjërave që kanë qenë përtej kontrollit të tyre. Si koordinator të vendimeve publike planifikuesit janë tabela e qitjes për kriticizmin. Roli i tyre, si lehtësuesit e paanshëm, shpesh është keq interpretuar si burokratë të pashpirt. Palët e interesuara shpesh i mbajnë planifikuesit si personalisht përgjegjës kur nuk kënaqen nga produktet. Planifikuesit kanë nevojë për aftësi diplomatike dhe një lëkurë të trashë, sepse, edhe nëse e bëjnë punën e tyre mirë ata do të kritikohen përafërsisht njësoj nga të gjithë palët. Një mjek i familjes i cili propogandon rolin e strategjive të shëndetit (reduktimin e konsumimit të duhanit, dieta të balancuara të ushqimit, ushtrime fizike të rregullta etj) shpesh siguron për një familje përfitime totale shumë të mëdha me kosto të ulta në krahasim me një kirurg që ndërhyn gjatë një sëmundje, në caste kritike të saj. Por, mjeku i familjes konsiderohet gërnjar i besdisshëm ndërsa një kirurg konsiderohet hero. Njëjtësisht, një planifikim i mirë tenton të nënvlerësohet sepse ai preventivon problemet, kështu që njerëzit që përfitojnë janë të pavetëdishëm për cfarë kanë përfituar nga puna e tyre.
Planifikuesit lehtësojnë ndryshimin duke kapërcyer praktikat dhe interesat e ngulitura në mendjet njerëzore. Ata shpesh ndeshin rezistencën e njerëzve të cilët supozojnë se cfarë ata kosiderojnë normale duhet të jetë e mira, njerëz që shikojnë nga e kaluara në vend që të shohin nga e ardhmja. Në rolin e tyre si negociator objektiv, planifikuesit janë shpesh në mes të konflikteve. Ata kanë njohuri të zgjeruara rreth një projekti dhe impaktet e tij në një vendim specific, dhe kështu që, janë përgjegjës për parashikimin e konseguencave të padëshiruara dhe përfaqësimin e interesave të njerëzve të cilët janë të nënpërfaqësuar në procesin e vendimarrjes, të tillë si fëmijët, të varfërit, dhe brezat e ardhshëm. Në këtë kuptim, në vitet 1970-të lindi koncepti “anësia në planifikim”, sipas të cilit planifikimi duhet të mbrojë të drejtat e njeriut dhe duhet të jetë në anën e të paprivilegjuarve. Sigurisht, planifikuesit nuk janë të pagabueshëm. Ata mund të bëjmë parashikime të pasakta dhe rekomandime të gabuara. Por dështimet e planifikimit janë shumë të pazakonshme, së paku në krahasim me dështimet e shumicës së njerëzve. Prandaj na duhet ti vlerësojmë dhe respektojmë planifikuesit dhe ti përfshijmë sa më gjerësisht në vendimarrjet tona individuale, familjare, komunitare dhe qeverisëse. Dhe në këtë rast, më e pakta e sigurtë është përfitimi nga aftësitë dhe njohuritë e tyre, drejt vendimarrjeve me përfitime të mëdha.
NEO-LIBERALIZMI DHE PLANIFIKIMI HAPSINOR ORIENTUES. Mapo, 24.04.2013
Termi “neoliberalizëm” është sjellë, për herë të parë, në vitin 1938 nga shkencëtari gjerman Aleksandër Rustow, në seminarin Walter Lippmann. Seminari u mbajt në Paris në gusht të 1938ës si kundërpërgjigje për forcimin e antiliberalizmit në botën e para Luftës së Dytë. Disa (25) liberalë nga vende të ndryshme morën pjesë në këtë takim dhe u dakordësuan se liberalizmi i ‘mos-ndërhyrjes’ kishte probleme implementimi dhe dilte nevoja e një forme të re të tij. Një pjesë e tyre nuk ishin shumë dakord mbi dështimin e liberalizmit klasik, për shkak të të metave konceptuale, por sidoqoftë pajtoheshin mbi nevojën e formësimit të një fryme të re liberale si përgjigje ndaj antikapitalizmit të kohës. Për neoliberalizmin kishte kuptime të ndryshme, përgjatë lindjes, diferenca që me kalimin e kohës u thelluan si pasojë e implementimit. Aplikime konkrete të neoliberalizmit kemi në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku neoliberalë si Erhard dhe të tjerë të Shkollës ordoliberale të Freiburgut aplikuan dijet e tyre për rindërtimin e Gjermanisë. Neoliberalët gjermanë mbështesnin parimin e liberalizmit klasik që konkurrenca e drejton ekonominë në prosperitet, por nuk pranonin frymën e ‘mosndërhyrjes’ së shtetit. Sipas tyre, mosndërhyrja ndrydh konkurrencën dhe monopolet e kartelet e shkatërrojnë atë. Ndërsa kundërshtonin politikat kejnesiane të punësimit në shkallë të gjerë, apo politikat socialiste të kudoshtrirjes së ndihmës sociale nga shteti, teoria e neoliberalëve gjermanë u shënua nga vullneti i tyre për të vendosur si të barabartë efektivitetin ekonomik dhe vlerat humane dhe sociale. Kështu lindi fraza “ekonomi sociale e tregut”, që rezultoi në Mrekullinë Ekonomike Gjermane të viteve ‘50-‘60. Një variant tjetër praktik ishte neoliberalizmi kilian. Më 1955 një grup i përzgjedhur i studentëve kilianë (Djemtë e Çikagos) u ftuan në Universitetin e Çikagos për studime pasuniversitare në ekonomi. Ata punuan direkt nën kujdestarinë e Friedman dhe dishepullit të tij Harberger, ndërsa gjithashtu ishin të ekspozuar ndaj Hayek. Kur ata u kthyen në Kili më 1960 implementuan reforma ekonomike; si rezultat, në fund të gjysmës së dytë të viteve 1970 u dëshmua një privatizim i shpejtë dhe i gjerë, derregullim dhe reduktim i barrierave të tregut. Liri ekonomike të cilat do të ndiqeshin nga liri politike. Në Australi, gjithashtu, u ndërmorën politika neoliberale ekonomike që në vitet 1980. Veçantia e tyre ishte se u ndoqën nga të dy polet e politikës.
Sidoqoftë, ndjekësit e shumtë bien dakord (përfshirë institucionet ndërkombëtare të “Konsensusit të Washingtonit”), se neoliberalizmi tenton të transferojë kontrollin e ekonomisë nga sektori publik drejt sektorit privat, nën besimin se kjo do të prodhojë një qeverisje më eficente dhe të përmirësojë shëndetin ekonomik të vendit. Përtej interpretimeve të gabuara, fryma derregulluese (përfshirë mosndërhyrjen) e liberalizmit, nuk ka lidhje me konceptin e zhvillimit të paplanifikuar të territorit dhe burimeve natyrore. Sigurisht, neoliberalizmi nuk mund të mbështesë planifikimin e centralizuar dhe të ngurtë, të njohur gjerësisht në vendet e kampit socialist, pasojë e të cilit ishte varfëria e tejskajshme e popullsisë së këtyre vendeve. Në fakt, një nga arsyet e lindjes së neolioberalizmit ishte kundërshtia ndaj teorive socialiste, shtetëzimeve masive, tejshtrirjes së shtetit, rregullimit të çdo komponenti ekonomik e planifikues dhe praktikave kolektivizuese. Nën frymën e mendimit liberal, planifikimit mund t’i jepet një dimension i ri, planifikimi orientues, ku orientimi ndihmon konkurrencën dhe informimin e kompanive. Një nga parimet më kryesore të planifikimit modern është gjithëpërfshirja apo bashkëplanifikimi. Përfshirja e biznesit në planifikim do të thotë njohje të vendimmarrësve me nevojat e tij për ekspansion, për shembull. Kështu që vendimmarrësit, nëpërmjet planifikimit, mund të identifikojnë truall në vendndodhjen e duhur për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe të sigurojnë që trualli, për shtrirje të zhvillimit, të jetë i vendosur mirë në lidhje me rrjetet e transportit dhe vendbanimet e forcës punëtore. Jetike këto për biznesin. Në të njëjtën mënyrë ndikon edhe njohja e qeverisjes me nevojat e biznesit prodhues për lëndë të para, fuqi punëtore, troje për shtrirje të aktivitetit ekonomik dhe infrastrukturë. Në një njohje të tillë qeverisja mund të bëjë vendimmarrje më të qëndrueshme dhe më efektive. Nëpërmjet planifikimit modern mund të promovohet rigjenerimi dhe rivitalizimi i zonave dhe territoreve, që për sektorin privat do të thotë mundësi të reja për biznes dhe vendimmarrje më efikase dhe të qëndrueshme. Qeverisjet neoliberale janë shumë të interesuara të njohin nevojat e komuniteteve lokale dhe t’i adresojnë ato në politikat e zhvillimit. Nevojat e komunitetit të biznesit gjithashtu, sepse në një qeverisje neoliberale aksi i punëve publike anon nga sektori privat, i cili do të implementojë ato projekte dhe programe që vijnë si zbërthim konkret i këtyre politikave të zhvillimit.
Planifikim i zhvillimit, së pari, do të thotë njohje. Njohje të burimeve, mundësive, nevojave dhe synimeve dhe informimi i sektorit privat me to është një ndihmë e madhe për biznesin. Të imagjinojmë për një moment një sipërmarrës të cilit i sigurohen orientime mbi troje për ndërtimin e objekteve ekonomike, fuqi punëtore e kualifikuar, lënda e parë për prodhim dhe të gjitha këto me një akses të mirë ndaj flukseve të transportit. Marrim një shembull aktual shqiptar. Njohja e kapaciteteve ujore, në zona të ndryshme të vendit dhe ekzistenca e një fryme liberale në dhënien e koncesioneve, rezultoi në ndërtimin e treqind veprave energjetike. Këto vepra kanë filluar dhe do vazhdojnë të prodhojnë energji miqësore me mjedisin dhe vende të reja pune aq shumë të dëshiruara për një vend në zhvillim si Shqipëria. Energjia e lirë, veçanërisht e ardhur nga burime të fjetura, është një nga parakushtet që rezulton në kosto të ulët të prodhimit dhe mallra më të lira në treg. Përveç të tjerash, kjo do të thotë konkurrueshmëri më e mirë e mallrave shqiptare në një treg global. Për komponentin e punësimit nuk ka nevojë të thuhen shumë gjëra. Për të gjithë është e kuptueshme se rritja e tij rezulton në të ardhura për familjet shqiptare, të ardhura për shtetin/publikun dhe gjithashtu për ndërmarrjet që do shesin më shumë. Të njëjtën gjë mund të themi për parqet energjetike të erës apo të biomasës. Një qasje më e integruar me fusha të tjera të ekonomisë dhe mjedisin, sigurisht do ishte më e pëlqyer dhe më produktive, por në tërësi zhvillimet janë shumë pozitive. Marrim një shembull tjetër, prodhimet bujqësore apo blegtorale të cilat në formën e tyre të parë nuk e arrijnë dot tregun në volum të plotë.
Biznesi i gjendur në një mjedis liberal dhe në një ekspansion të logjikshëm dhe të qëndrueshëm si rezultat i kësaj, ka mundësi konkrete të akumulojë kapitale financiare. Riinvestimi i kapitaleve të grumbulluara, përveç të tjerave, edhe si rezultat i një barre të lehtë dhe të thjeshtë fiskale (politikë liberale) sjell vende të reja pune dhe burime të reja financiare. Kështu krijohet një sistem ciklik, i integruar dhe i vetëpërsëritshëm, i cili kërkon territore të reja për shtrirje, lëndë të para për prodhim në formën e burimeve natyrore apo produkteve përfundimtare të ekonomive të tjera, si dhe punësim në shkallë të gjerë. Planifikimi orientues shërben për transferimin e kapitaleve të fjetura apo të lira, veçanërisht nga vende ku burimet kombëtare janë në përdorim drejt vendeve ku këto burime janë të lira. E thënë akoma më thjeshtë, thithje të kapitaleve të huaja.
PËR NJË KULTURË TË RE PLANIFIKIMI TERRITORIAL! Mapo, 19. 03. 2015
Megjithëse mandati i qeverisjes së majtë po i afrohet kërthizës së saj, vështirë të thuhet se problematikat dhe cështjet e zhvillimit urban, apo më gjërë të territorit, kanë marrë ndonjë përgjigje. Në fakt, pakkush që i njeh këto cështje kishte besim që do gjenin zgjidhje, apo të paktën do të hynin në rrugëtimin drejt zgjidhjeve në këtë mandat katër vjecar socvialist. Arsyet e këtij mosbesimi të përligjur qëndrojnë, sikurse gjithmon në qeverisje e administrim, te eksperiencat e mëparshme dhe premtimet për të ardhmen. Eksperiencat e mëparshme e kësaj qeverie në cështjet urbane dhe të territorit merr formë fizike nga mënyra sesi kanë administruar Tiranën urbane për 11 vjet, por edhe shumë qytete të tjera që vazhdojnë ti administrojnë edhe sot. Cilido që është vlerësimi juaj për qytetet shqiptare, është edhe vlerësimi për eksperiencën e qeverisjes së sotme. Ndërsa, për premtimet për të ardhmen ka shumë pak për të thënë. Gjithcka e ka thënë programi qeverisës me 406 fjalë, i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ditën e mandatimit të kësaj qeverisjeje.
Përtej qasjes tonë parashikuese, qeverisja e kishte mundësinë të zhgënjente pritshmëritë tona negative në këto muaj, nëpërmjet aksioneve të shumta që ndërmorri. Por nuk arriti dot. Mos pranimi i faktit që ka dështuar me sukses të plotë në eksperiencat e mëparshme dhe pamundësia për të ndërtuar një strategji të ndryshme për të ardhmen, nuk e lejuan. Nuk e lejuan atë, dhe nuk do lejojnë askënd që do të synojë qeverisjen kombëtare apo lokale, pa një strategji të qartë sesi do të administrojnë dimensionin territorial të juridiksionit politik. Të flasësh për të djeshmen nuk bën asnjë kuptim nëse konkluzionet e nxjera nuk i përdor për të projektuar një të nesërme ndryshe. Po kështu opinioni i shprehur në këto rreshta të parë nuk do ndihmonte askënd nëse nuk do të rrezikonim me propozime mbi temën ‘cfarë i nevojitet, për së pari, Shqipërisë në dimensionin urban dhe territorial të saj’. Në këtë pjesë të mbetur të këtij shkrimi të opinionit, në kufijtë shumë modest të tij dhe me më pak fjalë se programi qeverisës, do tentojmë të japim një shije alternative.
Ne na duhet një kulturë e re planifikimi territorial. Një kulturë që e sheh këtë aktivitet shoqëror si një instrument kyc për qeverisje të mirë. Mendohuni sa të doni, vështirë të gjeni ndonjë aktivitet qeverisës që nuk ka dimensionin e vet territorial. Ndërkohë, kultura jonë e planifikimit ka ngelur ajo e projektimit urban të viteve ’60-të të shekullit të kaluar. Kohë kur Shqipëria socialiste fshiu cdo qasje nga interesi dhe specifika private dhe u mbyll në guackën e parimit të saj “socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma”. Me këtë që sapo thashë nuk jam duke vlerësuar punën e pedagogëve dhe departamenteve të universiteteve shqiptare. Nuk do të guxoja kurrë. Nuk do ja lejoja kurrë vetes një lajthitje të tillë, por edhe se nuk është ky vizioni im. Në kulturën e re që na nevojitet realitetet urbane nuk formohen nga dija e urbanistëve. Realitetet urbane dhe territoriale janë produkt i ndërveprimit njerëzor në një konteks kulturor të caktuar. Dhe gjëja e parë që duhet të pranojmë është se planifikimi i zhvillimit duhet të jetë kompromis qytetar interesash.
Detyra e urbanistëve dhe burokratëve nuk është të përcaktojnë si duhet të jetë dimensioni urban dhe territorial i mënyrës tonë të jetesës, por të organizojnë dhe moderojnë diskutime të lira dhe publike. Diskutime që konkludojnë me vendimmarrje të kompromisit të gjerë, implementimin e të cilave vështirë ta devijojë njeri. Nuk do të bënte kuptim, përderisa do të kishin dakortësuar më parë me kompromisin. Roli i ekspertizës profesionale është gjithashtu i nevojshëm, por, i kufizuar në informim teknik për debatuesit. Nëse këtë kulturë do e bënim tonën dhe do e shtrinim nga cështjet e vogla të administrimit të bashkëpronësisë në godinat e banimit deri te cështjet e rëndësisë kombëtare të territorit, shumë ndryshe do i kishte punët Shqipëria territoriale. Ndoshta nuk do ti gjenim plerat e komshiut në ashensor. Ndoshta fëmijët tanë do kishin ku të luanin. Ndoshta do trembeshim më shumë nga vdekja sesa nga mungesa e varrezave. Shumë ndoshta, e po kaq pasiguri! Por një gjë është e sigurt, sot nuk do na duhej të prishim ato që sapo kemi ndërtuar.
PARIMET E QEVERISJES SË MIRË DHE NJË LIGJ PËR PLANIFIKIMIN E TERRITORIT. Mapo, 21.02.2014
Duket se jemi ripërfshirë nga një debat teorik mbi si duhet të jetë një bazë ligjore e rregulluese për planifikimin e territorit. Them jemi ripërfshirë sepse në të njëjtën situatë ndodheshim edhe tetë vite më parë. Atherë ekspertët u ftuan nga autoriteti kombëtar për të kontribuar në hartimin e një ligji për planifikimin e territorit. C’ka po përsëritet këto ditë nga i njëjti autoritet por i drejtuar nga një mazhorancë e majtë. Përsëritja e historisë të lë një shije të keqe. Të krijon bindjen se je në të njëjtin vend, por, tetë vite më vonë. Sepse duhet thënë që në fillim, vërtet një ligj formulohet mbi një qëndrim politik, por, në një vend në demokratizim si Shqipëria dhe për një multisektor si planifikimi territorial, nuk mund të këtë vecse një qëndrim politik. Pavarësisht kujt i përket maxhoranca. Qëndrim që duhet të jetë i mbështetur në parimet e qeverisje së mirë urbane. Një qasje e plotë Europiane për Shqipërinë, vendin ku spektri politik mund të debatojë edhe “për mustaqet e Celos” por në asnjë rast nuk mund të vëri në diskutim rrugëtimin me një kah. Atë, drejt Europës së Bashkuar. Dhe kjo është arsye e vlefshme që baza ligjore për planifikimin e territorit të mos shtrohet për diskutim pas cdo rotacioni politik që ndodh në vend. Ajo duhet të jetë një kornizë elegante që drejton në procese planifikuese, orientuese dhe të hapura për të gjithë të interesuarit. Në një vend si Shqipëria kur investimet private janë shumë të kërkuara, por edhe cështjet mjedisore dhe sociale janë të një rëndësie të vecantë, formulimi i një baze ligjore merr vlerat e një themeli mbi të cilin mund të ngrihesh vetëm nëse e ke ndërtuar mbi disa plinta parimesh Europiane. Por kush janë këto shtylla?
Për së pari, kjo bazë ligjore duhet të përkufizojë qartë e thjeshtë të gjitha termat dhe konceptet që do të përdori gjatë shtjellimit të dispozitave të saj. Pra ligjit i duhet një fjalor. Duket si një punë e lehtë apo e parëndësishme, por nuk është e tillë. Vecanërisht në rastin Shqiptar, ku në 20 vite janë hartuar disa ligje dhe këto ligje janë ndryshuar me dhjetëra herë. Këto kanë krijuar terminologji të rrëmujshme në vetvete që më pas reflektohet e shumëfishuar në procest planifikuese apo administruese të territorit. Është e kuptueshme që qeverisja në dy nivele kërkon një ndarje të qartë përgjegjësive edhe në planifikim. Kështu që, sistemit ligjor i duhet të përcaktojë kush janë autoritetet e planifikimit dhe detyrat e përgjejësitë e secilit nivel. Gjë shumë e rëndësishme kjo për një vend ish socialist me praktika të planifikimit të centralizuar por me aspirata të forta Europiane për të ardhmen. Parimi i subsiaritetit apo proceset decentralizuese janë thelbësore në një rrugëtim drejt përmbushjes së kësaj aspirate. Së treti, sistemi duhet të përcaktojë kush janë instrumentat e planifikimit dhe kush është forma e tyre. Shumë e rëndësishme kjo që të sigurohet një trajshmëri e formës dhe përmbajtjes së instrumentave. Kështu sistemi siguron se, përtej specifikës së sektorëve apo territoreve për të cilat hartohen këto instrumenta, një sërë cështjesh janë të detyrim për tu trajtuar nga një instrument. Shumllojshmëria e instrumentave dhe specifika në planifikim janë dy parime shumë të rëndësishme. Së katërti, proceset nëpërmjet të cilave këto autoritete hartojnë dhe miratojnë këto instrumente. Duhet kuptuar se planifikimi territorial nuk është më vendimarrje e mbyllur e administratës, sikurse 30-të vite më parë. Ai është një proces gjithëpërfshirës ku kontribuojnë të gjithë institucionet por edhe palët e interesuara apo të përfshira në zhvillimin potencial. Koordinimi dhe bashkërendimi janë dy parime të rëndësishme të planifikimit territorial dhe të qeverisjes së mirë që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të territorit në të ardhmen.
Angazhimi social, transparenca dhe llogaridhënia janë parime bazike të qeverisjes së mirë por edhe të planifikimit të territorit. Prandaj, sistemi ligjor i planifikimit territorial duhet të përkufizojë dispozita ligjore që bëjnë konkretisht të mundshme dhe të aplikueshme këto parime gjatë proceseve planifikuese. Në të kundërt, baza ligjore na drejton në praktika të mbyllura, antidemokratike dhe korruptive. C’ka bie në kundështi me aspitatat tona Europiane. E një rëndësie kritike është kontrolli i zhvillimit. Për së pari lejedhënia, proces i cili duhet të jetë sa më pak burokratik dhe sa më lehtë arritshëm për investimet. Shumëllojshmëria e lejeve siguron që për punime të llojeve të ndryshme të kenë procedura të ndryshme lejimi. Por edhe kontrolli i territorit për zhvillime të palejuara është shumë i rëndësishëm. Ai jo vetëm siguron dhe mbron territorin por edhe barazinë mes pronarëve të pronave kufitare. Së fundi kjo bazë ligjore duhet të përcaktoj mënyrën dhe kohën e tranzitimit nga praktika aktuale drejt kësaj qasje Europiane në planifikim. Sepse është shumë e thjeshtë të ndryshosh ligjin por jo kulturën e planifikimit. Cështjet kulturore duan kohën e vet. Por edhe shumë investime publike në procese planifikuese, të cilat kanë kostot e tyre jo të vogla. Ndërsa është e kuptueshme që përfitimet janë të shumëfishta. Janë ekonomike, janë sociale, janë mjedisore. Por mbi të gjitha një hap i sigurt drejt Bashkimit Europian.
ANTIREFORMA NJE? Mapo, 19.11.2013
Vetëm pak ditë me parë Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit mbajti një takim me Autoritetet e Njësive të Qeverisjes Vendore. Takime të ngjashme kjo ministri ka kryer edhe me palë të tjera të interesuara, si një hap të parë për rishikimin e ligjit ‘Për Planifikimin e Territorit”. Ky ligj është miratuar në prill të vitit 2009-të dhe është, në planin politik, ligji më gjithëpërfshirës i miratuar ndonjëherë në dy legjislaturat e fundit. Kjo, sepse ligji u miratua me votën e të dyja palëve politike. Pra, megjithëse e hartoi administrata e Partisë Demokratike, në atë kohë në pushtet, e votuan pro edhe deputetët e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë. Dhe kjo, në një vend si Shqipëria dhe për një cështje si zhvillimi i territorit është një gjë e shumë e mirë.
Por nuk është ky dimensioni më pozitiv i këtij ligji. Dimensione positive ky ligj ka shumë. Ai u draftua, si rrallë herë, si pjesë e një reforme të thellë dhe mbështetur në një ‘Dokument Politikash’. Dokument i cili, në vetvete, u hartua përgjatë një procesi me përfshirjen e një grupi të madh aktorësh e palësh të interesuara. Në diskutime që zgjatën muaj, u përcaktuan problemet e shumta të situatës së planifikimit të territorit dhe zhvillimeve të tij. Problematikat ishin të shumta dhe të shumta duhet të ishin edhe qëndrimet politike për to. ‘Dokumenti i Politikave’ përcaktoi nevojën e domosdoshme të hartimit të një baze të re ligjore dhe vendosi piketa të qarta për të. Sistemi i ri ligjor jo vetëm duhet të mbyllte të gjitha “vrimat” që lejonin një zhvillim si ai deri at’hershmi, por duhej të mbështetej fortë në disa parime shumë të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë. Duket se, ligji ja doli me sukses. Kështu në prill të vitit 2009, Shqipëria mund të vlerësohej, si një nga vendet e rajonit por edhe më gjerë, se kishte produkte konkrete në procesin e një reforme të thellë dhe shumë moderne. Reformë kjo, shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe mjedisor, të një vendi në zhvillim si Shqipëria. Vlerësimet positive, të këtij shkrimi, duket se i kishte edhe opozita e asaj kohe apo pozita e sotme, përderisa votoi për miratimin e ligjit. Më tej, reforma vazhdoi për hartimin e nivelit të dytë të legjislacionit dhe tranzitimin nga sistemi i mëparshëm në sistemin e ri, deri në tetor të vitit 2011 ku ligji i vjetër shfuqizohet dhe ligji i ri hyn në fuqi të plotë veprimi. Përtej debateve të brendshme të administratës, në asnjë rast opozita e djeshme apo ekspertiza e saj teknike nuk u artikuluan kundër apo me vërejtje mbi këtë proces dhe produkteve të tij. C’ka të drejton të besosh në dakortësinë e saj.
Por nuk po ndodh kështu, tashmë që, opozita e djeshme është në pushtet. Megjithëse, nuk ka bërë publike kundështi me ligjin apo procesin tranzitiv të tij, ajo ka ndërmarrë veprime konkrete për ndryshime në këtë ligj. C’ka logjikshëm nënkupton edhe shfuqizime të akteve rregulluese apo planifikuese në fuqi. Në mungesë të transparencës edhe për palët e interesuara, gjë që duket se po karakterizon qeverisjen e re, nuk është e kuptueshme se cfarë kërkohet të ndryshohet apo të përmirësohet. Nëse besojmë në ato që raportoi media, se ‘ligji aktual ka termiologji të vështirë që duhet të lehtësohet’, kjo nuk i prish ndonjë punë sistemit. Në fund të fundit, konvencion është. Dikush i quan ‘plane vendore’, dikush ‘plane rregulluese’ dhe dikush tjetër ‘plane urbane’. Sigurisht, do humbim nja katër apo gjashtë vjetë të tjerë, por ka edhe më keq. Dhe e keqja më e madhe do të ishte “thjeshtëzimi” i anës përmbajtësore të ligjit. Deformimi i dispozitave ligjore që sigurojnë aplikimin real dhe të pashmangshëm të parimeve të Qeverisjes së Mirë. Kjo do ishte e keqja më e madhe. Largimi i ligjit nga parime që mundësojnë transparencën dhe gjithëpërfshirjen, decentralizimin dhe lehtësimin në vendimmarje, koordinimin dhe integrimin e planifikimeve, planifikimin e detyrueshëm dhe propocional. Kjo, do të ishte një anti-reformë për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Do të ishte anti-reforma një.
PËRTEJ NJË ANTIREFORME, KTHIM NË 1978. Mapo, 18.07.2014
Në dhjetor 1976, Shqipëria staliniste, miratoi Kushtetutën e Republikës. E cila, në dimensionin politik e shpallte atë (Shqipërinë), Republikë Popullore Socialiste dhe një shtet të diktaturës së ploretariatit me ideologji sunduese marksizëm- leninizmin. Në dimensionin ekonomik, Republika duhet të zhvillonte një ekonomi socialiste që mbështetej në pronësinë socialiste të mjeteve të prodhimit. Lista e pronave ‘vetëm të shtetit’, fillonte me tokën dhe vazhdonte gjatë. Frymëzuar nga këto dy shtylla bazike të Kushtetutës, në vitet në vazhdim, u hartuan një sërë ligjesh dhe akte të tjera rregullatore për cdo element të jetës individuale, familjare apo komunitare të shqiptarëve të atyre viteve. Një ndër to ishte Dekreti i qershorit të 1978 i Presidiumit të Kuvendit Popullor për miratimin e ligjit “Për hartimin, miratimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të qyteteve dhe fshatrave”. Tridhjetë e tetë vite më vonë, në prag big shoë-n e treqind ditëve të qeverisjes, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit shfaqi për publikun draft ligjin e ri “Për Planifikimin e Territorit”. Nëse e lexon, materiali (drafti) shfaq dukshëm kuptime shumë minimaliste dhe të cuditshme mbi: shkencën e planifikimit të territorit; problematikat bashkëkohore të zhvillimeve të territorit në Shqipëri dhe sesi këto kanë evoluar prej 20 vjetësh; qëndimet politike të BE apo praktika të mira për të ndërtuar një sistem të tillë ligjor, në vendet në tranzicion apo të ngjashëm me Shqipërinë; ligjin në fuqi “për planifikimin e territorit” dhe problematikat që ky ligj kërkonte të zgjidhte. Kuptime aq të cuditshme, saqë të drejtojnë në pyetjen e ligjshme, a e dinë draftuesit se Shqipëria nuk është më Republikë Popullore Socialiste dhe se ka një Kushtetutë tjetër? Shumë të ndryshme në dimensionit politik dhe ekonomik.
Pyetja legjitimohet nga një spektër i gjerë shqetësimesh që të krijon drafti, por, unë do fokusohem vetëm te disa. Së pari, autorët e draftit mendojnë se qeverisja qëndrore është “shefi” i qeverisjes vendore dhe kështu e para ka të drejtën legjitime t’i përcaktojë të dytës ndër shumëcka, edhe stafin. C’ka do të ishte normale në regjimin e vjetër, porse është e papranueshme për shoqërinë shqiptare të sotme. Biles, për të qënë të moralshëm, duhet të themi se edhe regjimi stalinist nuk e kishte të sanksionuar në ligj, këtë kufizim të drejtash të komuniteteve dhe administrative vendore. Dimensioni centralist shkon edhe më tej në këtë draft, duke ngushtuar hapsira të ushtrimit të detyrave jo vetëm të pushtetit vendor. Drafti i ri anashkalon përgjegjësitë e të gjitha ministrive dhe krijon një superministri, me super përgjegjësi në fushën e planifikimit territorial. Centralizimi i përgjegjësive vazhdon më tej me Këshillin Kombëtar të Territorit. I cili, ka të njëjtat dhe ndoshta më shumë kompetenca se Kryesia e Këshillit të Ministrave në vitin 1978. Miratimin e disa planeve rregulluese, legjislacioni i kohës, ja njihte si të drejtë edhe komitetit ekzekutiv të rrethit, apo edhe ndonjë ministrie. Një ngjashmëri tjetër është edhe llojshmëria e ulët e instrumentave të planifikimit territorial. Sikurse 36 vjet më parë, drafti i ri propozon të ketë vetëm tre. Mund të gjenden disa emertime në draft, mirëpo të grupuara vetëm në tre. Dhe jo pa qëllim, nëse do ishin më shumë rrezikohej seriozisht niveli i lartë i centralizimit të autoritetit. C’ka, dukshëm është frymëzimi bazik i këtij drafti. Autoritet që centralizohet deri në atë pike, sa Këshilli Kombëtar i Territorit mund të japi edhe leje zhvillimi.
Standartet demokratike të përfshirjes së palëve të interesuara dhe të transparencës ndaj publikut janë një ngjashmëri e frikshme midis dy akteve. Ato i japin nga një muaj kohë ‘masave të gjykojnë’ mbi planet, para se ato të miratohen. Njësoj si në 1978 dhe në 2014. Njësoj, si atyre që shikonin si zhvillohej prona e shtetit edhe atyre që shohin si do i shkojë halli pronës së tyre. Por draftit të ri nuk i duhet ngrënë haka. Ai sjell risi të dimensionit jashtëtokësor. Shpik një mënyrë të re sesi mund të pasurohesh me të drejta zhvillimi të pronave të patundshme, pa bërë asgjë. Pa ju drejtuar tregut. Biles as duke i trashëguar ato nga të parët. Thjeshtë duke pritur që fqinji/kufitari të mos e zhvilloj pronën për një kohë të caktuar, sepse në këtë skenar shteti do t’I kalojë ty të drejtat e zhvillimit të pronësisë kufitare. Përtej cudirave mbi të drejtat e individit si qytetar dhe si pronar në një shoqëri demokratike, drafti shfaq edhe shumë konfuzion në dimensionit shkencor të planifikimit territorial. Rrëmuja e koncepteve shkencore dhe procedurave administrative është e tillë që siguron vetëm vendimarrje preferenciale. Siguron se cdo njëri që njeh dikë me pushtet mund të ndërtojë cfarë dëshiron. Në të kundërt, mund të të zëri poshtë shtëpia e vjetër që ke trashëguar, sepse leje nuk merr dot. Për të mos folur për zhvillime ekonomike, industriale apo turistike. Për të mos folur për mjedis apo për trashëgimi, kulturore apo natyrore. Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër, vecse, të shpresojmë se përfaqësuesit e popullit në Kuvend nuk do e lejojnë një gjë të tillë duke bllokuar me të drejtën që ju kemi deleguar, konvertimin e vendimit të qeverisë në ligj.
Comments
Post a Comment