QEVERIA RAMA DHE MJEDISI


MBI DY NGJARJE MJEDISORE. Mapo, 26.11.2013

15 Nëntori do mbahet mend për shumë arsye. Për një grup specific, kjo ngjarje do të mbahet mend si dita kur planifikimi territorial në Shqipëri kaloi në një nivel më të lartë. Në planifikimin gjithëpërfshirës. Ky term përkufizon statusin e sotëm të planifikimit të territorit në të gjitha vendet demokratike të botës, dhe nënkupton atë “paradigëm” të planifikimit territorial sipas të cilës planifikimi territorial nuk është gjë tjetër vecse një dakortësi politike e palëve të interesuara për një cështje me dimension territorial, dhe më tej, “protokollimi në letër” gjeografikisht i kësaj marrveshje. Këtë të parën bënë shqiptarët. Dakortësuan mbi një cështje me dimension territorial. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët u angazhuan në nivelin më të lartë që koha njeh. Në nivelin e vet-organizimit. Ata në mënyrë të pavarur vendimmorrën. Dhe, vendimin e tyre ja shpallën Kryeministrit përpara Kryeministrisë. Ata nuk pritën që burokratët më të lartë të shtetit të vendosnin mbi një cështje që i takonte të gjithëve. Nuk pritën që t’i përcaktonin axhendën e takimeve, kush do pjesmerrte në to, apo ti seleksiononin “dijen” që ju duhej për vendimmarrjen e tyre. Nuk pritën dhe vendimmorrën.
 Kjo ndodhi në 15 nëntor. Palët e interesuara, që në këtë rast ishte shumica e shqiptarëve, morën pjesë në formulimin e një qëndrimi politik mbi një cështje konkrete të rëndësisë së vecantë kombëtare. Dhe sikurse të gjithë e dimë, shqiptarët vendosën që ti thoshin JO, në territorin e tyre, asgjësimit të lëndeve kimike të armëve Siriane. Ky ishte vendimi politik i shqiptarëve. Dhe për një vendim negativ nuk mund të hartosh plane gjeografike. Këtu mbyllet edhe cështja e planifikimit të territorit në lidhje me këtë vendimmarrje politike popullore mbi territorin. Të nesërmen, pa u konsumuar mirë shija e kësaj fitoreje demokracie, Ministri i Punës, Cështjeve Sociale dhe Rinisë ftoi gjithë shqiptarët në nismën e tij “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Duket se qeverisja e re nuk e ka kuptuar që nuk ka për detyrë të “edukojë masat”! Detyra e saj është të financojnë e mbështesi procese planifikuese që nga ato të nivelit kombëtar deri te ato vendore. Procese që prodhojnë instrumenta planifikimi, të cilat u japin përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë edhe problematikave të mjedisit. Procese gjithëpërfshirëse që përforcojnë te komuniteti ndjesinë e përkatësisë mbi këto mjedise. Sepse vetëm nëpërmjet planifikimit territorial mund të përballesh me cështjet mjedisore. Dhe kur, ky planifikim është gjithëpërfshirës, at’herë ai ndihmon edhe në rritjen e marrdhënies së qytetarit me mjedisin.
  Ndoshta, përshkak të ngjashmërive kjo thirrje më kujton të djelën në mëngjes kur babai kthehej nga orvatja disa orëshe për të blerë qumësht dhe i thoshte nënës që duhet të dilnin për të pastruar oborrin e pallatit. Kujtesë kjo, që më jep një ndjesi ankthi, të provuar më parë. Sigurisht, në atë kohë, nisma nuk origjinalizohej nga ministri, por agjitatori i pallatit. C’ka e fut qeverisjen e re në një dimension tjetër. Tashmë nuk është vetëm një cështje propogande apo centralizimi. Tashmë cështja është propogande e centralizuar. C’ka është një problem i madh! Sidoqoftë, nuk është ky problemi më i madh i nismës ministrore. Problemi më i madh i kësaj nisme është se na kthen në të njëjtin stat sikurse ishim para 15 nëntorit. At’herë kur përfshirja qytetare apo të palëve të interesuara në planifikim apo vendimmarrje ishin një “shaka e organizuar”. Dhe ky kthim mbrapa është, një gjë e keqe. Akoma më keq kur ministri shpallës nuk është as ministri që ka kompetencë cështjet e mjedisit. E iniciuar nga ministri i rinisë, nisma duket si një politikë që kërkon të ‘krijojë njeriun e ri socialist’ dhe jo të pastrojë mjedisin. Kështu, në kundështi me 15 nëntorin, 22 nëntori do të mbahet mend si dita kur planifikimi i territorit dhe dimensioni i tij demokratik u kthye mbrapsht. U kthye “në normalitet”.




‘TË PASTROJMË SHQIPËRINË’ NË NJË DITË APO NË GJASHTË MUAJ?! Mapo, 25. 12. 2017

Qasja majtiste ndaj problemit të madh urban të përpunimit të mbetjeve të ngurta, u shfaq që në javët e para të qeverisë Rama 1. Ishte ministri Veliaj, nëpërmjet thirrjes së tij ‘ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë’, që na risolli kuptimin e majtë mbi trajtimin e cështjeve urbane dhe mjedisore. Nuk do ti kthehem cështjes se cfarë më kujtoi kjo nisëm nga koha e fëmijërisë time, por do prek dy cështje bazike. Së pari, synimin e nismës për të sfumuar një ngjarje madhështore politike në vend. Atë të 15 nëntorit 2013, ku shoqëria shqiptare tregoi se ekzistonte dhe u mblodh për të kundështuar vendimin okult të qeverisë për importin e mbetjeve kimike Siriane. Dhe së dyti, synimi që shtrihet në kohë sikurse cdo gjë kulturore, ‘krijimi i njeriut të ri socialist që punon për të mirën dhe pronën e përbashkët’ që në të vërtetë nuk është e askujt. Gjë që tentohet të arrihet nëpërmjet armëve kryesore kolektiviste: populizmit, demagogjisë dhe centralizmit.
Nëse i kthehemi asaj kohe, qeveria Rama i kishte përdorur këto armë përpara se të votohej në Kuvend. Në fillim duke na vënë përpara dyshimit nëse do drejtohemi nga një qeverisje demogogjike apo një e centralizuar, dhe më tej duke na dhënë prova se do i mishëronte të dyja këto karakteristika. Mirëpo, do ishte kjo nismë e ministrit Veliaj që do ta kornizonte atë si një qeverisje të demagogjisë së centralizuar. Vet fakti se, detyrën e agjitatorit të pallatit që thërriste cdo të djelë njerëzit për të pastruar oborrin e kishte rrëmbyer  ministri, dhe se funksionin e ministrit të mjedisit e kishte pushtuar ministri i rinisë, e argumenton shterueshëm këtë pohim. Ndërsa vulën e dështimit, kësaj nisme, do ja vinte z. Rama në takimin ku prezantoi ‘operacionin kombëtar të “Pastrojmë Shqipërinë që duam” për 6 muaj’. Mirëpo, pa na shpjeguar më parë se kush ishte diferenca midis këtyre dy aksioneve që do të siguronte shkakun për sukses të së dytës.
Në fakt ato ngjajnë si dy pika uji në filozofinë dhe parimet në të cilën mbështeten, prandaj dështimi i së dytës është po aq i sigurt sa i së parës. Vendimi i Kryeministrit se ‘…dhe një pjesë e konsiderueshme e inspektimit, edhe për mjedisin, do t’i kalojë Policisë së Shtetit’ nuk ndryshon fundin pafrut të këtij “operacioni”, por vecse thekson karakterin policor të qeverisjes së tij. Aq më pak nuk mund ta suksesojë uniteti bolshevik i‘… mirëkuptimit të plotë me të gjithë kryetarët e bashkive….pa përjashtim’! Ky është vecse një argument pro tezës se po qeverisemi në mënyrë të centralizuar nga Kryebashkiaku i Republikës dhe 61 drejtorët e tij. Mirëpo nga ana tjetër , z. Rama ka të drejtë kur thekson se 'Në cështjen e plerave nuk ka parti. Të gjithë duhet të jemi kundër tyre'. Sigurisht që jemi të gjithë kundër! Vecse edhe për rrugët e trajtimit të kësaj cështje, sikurse për cdo problematikë urbane, ka një diferencë të madhe midis dy kaheve të politikës! 
Të majtët si z. Rama dhe kryebashkiakët që dhanë mirëkuptim të plotë për “operacionit” të tij, e trajtojnë me konferenca e takime demagogjike; me shfaqje teatrale e populiste të ministrave e drejtorëve; me dhunë policore ndaj qytetarëve “pisanjos”; me sulm taksidarësh ndaj taksapaguesve dhe me aksione ineficente të goditjeve të përqëndruara. Produkti i të cilave është i qartë, historikisht prej 100 vjetësh për gjithë qytetarët e botës, dhe memorikisht prej 5 vitesh për gjithë shqiptarët, përfshirë z. Rama. Ato thjeshtë, harxhojnë para’ nga buxheti publik; varfërojnë me taksa e friksojnë me gjoba qytetarët; thellojnë hendekun midis qytetarit dhe qeverisjeve, por e lënë gjendjen më keq sec e gjetën. Sepse ky problem nuk zgjidhet me shtrëngim policor, populizëm dhe demagogji mbi pastrimin e territorit, por me gjithëpërfshirje qytetare për ta mbajtur mjedisin pastër, dhe këtë e sigurojnë vetëm të djathtët nëpërmjet fuqizimit të qytetarit.
Të djathtët që ndërmarrin reforma decentralizimi funksionesh dhe fiskale. Cka i bën vendorët të përgjegjshëm për funksionet e veta qeverisëse dhe i mundëson atyre të financojnë përmirësimin e infrastrukturave bazike urbane për ti bërë qytetet atraktive për ata taksapagues që synojnë të tërheqin (qytetarë dhe bisnese), duke u prezantuar me specifikat dhe karakteristikat e qytetit dhe jo me uniformitetin ineficent të shesheve dhe fasadave të pallateve. Të djathtët që ndërmarrin nisma planifikuese gjithëpërfshirëse urbane. Ku qytetarët e përfshirë në vendimarrje e ndjejnë realisht se këto mjedise ju përkasin atyre dhe jo pushtetit që mund të ndërtojë ca pallate të tjera në to, dhe për këtë arsye i mbajnë pastër. Të djathtët që respektojnë bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit. Sepse kjo i bën qytetarët ti trajtojnë këto hapsira të përbashkëta sikurse banesat e tyre, dhe jo si pronësi të të gjithëve dhe të askujt sepse askujt nuk i njihen të drejtat e pronësisë mbi to. 




BETEJA KUNDËR QESEVE PLASTIKE SI BETEJË KUNDËR MULLIVE TË ERËS! Mapo, 25. 07. 2018



Ka një dallim thelbësor, midis të majtës dhe të djathtës, në synimet e politikbërjes përgjatë qeverisjes. Të majtët, së pari, mendojnë se qytetarët janë budallenj dhe të papërgjegjshëm, prandaj nevojitet që qeverija ti mbroj ata nga budalliku dhe papërgjegjshmëria që i karakterizon. Rëndësia që i japin vetes, si qënie më inteligjente dhe më të moralshme se qytetarët e thjeshtë, u siguron të majtëve të drejtën të ndërhyjnë në shumë aspekte të jetës njerëzore, për të rregulluar atë që kanë prishur qytetarët! Kjo është arsyeja pse, sa herë të majtët ushtrojnë pushtet ekzekutiv legjislacioni rritet progresivisht me kohën. Hiper-legjislacioni që ata prodhojnë, vetëm në dukje rregullon gjërat, sepse në brendi vetëm sa shton volumin e akteve ligjore për tu respektuar nga shoqëria dhe ul nivelin e zbatimit të ligjit nga qytetarët e atij vendi. Filozofi britanik Herbert Spencer (1820-1903) e ka laboruar shterueshëm këtë cështje në esenë e tij ‘Hiper-legjislacioni’.

Kështu që nuk po shkojmë më tej në këtë drejtim, për të kërcyer te një karakteristikë tjetër e të majtëve. Ata përvecse pushtues të hapsirave të lirisë së qytetarëve, në qasjet dhe praktikat qeverisëse politikbërëse shfaqen edhe si populistë të pandreqshëm. Nëse vëzhgojmë të gjitha politikat e Rilindjes Rama, specifika që i bën bashkë është fakti se të gjitha janë zgjidhje që edhe shumica masive e qytetarëve të thjeshtë shqiptar do ti jepte problematikave me të cilat përballet vendi dhe shoqëria. Kjo është arsyeja pse të gjitha politikat e këtyre viteve ‘duken bukur’, por nuk prodhojnë asnjë përmirësim, dhe ky është edhe dallimi midis të majtës dhe të djathtës, për të cilin po flasim sot. Nëse e majta i harton politikat me synimi që ato ‘të duken bukur’dhe të pëlqehen nga shumica e qytetarëve, të djathtët i orientojnë synimet e politikbërjes që ato të ‘japin rezultate’, pavarësisht se shumicës së qytetarëve do ju duket e largët dita e përfitimit prej tyre.     

Aksionet mjedisore me goditje të përqëndruar ‘Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë’ dhe ‘Të pastrojmë Shqipërinë në gjashtë muaj’, respektivisht të qeverive Rama 1 dhe Rama 2, janë dy nga shembujt më emblematik të kësaj teze. Ndërmarrja e nismës së qeverisë Rama 2, na vërtetoi se nisma e qeverisë Rama 1 kishte dështuar, kurse gjëndja faktike e mjedisit, vecanërisht në zonat me potencial turizmin, na vërteton në praktikë se edhe nisma e dytë nuk dha rezultatet e propoganduara. E theksova togfjalëshin ‘në praktikë’, sepse në teori dështimi u parashikua që gjashtë muaj më parë, kur kjo nismë u prezantua me pompozitetin ducejan që e karakterizon kryeministrin tonë. Sikurse po parashikojmë që sot, se nisma e fundit që u ndërmor nga i njëjti kryeministër me të njëjtin pompozitet, lufta kundër qeseve plastike për blerje, do të ketë të njëjtin fund, sepse edhe kjo nismë nuk është ndërmarrë që të ‘prodhoj rezultate’ por që të ‘duket bukur’.

Pa as më të voglin dyshim edhe kjo nismë ‘duket bukur’, por ajo nuk mund të ‘prodhoj rezultate’ për disa arsye. Së pari, se në vendet nga ku është importuar ky projekt qytetarët i largojnë mbetjet nëpërmjet ambalazheve të dedikuara, ndërsa shqiptarët i përdorin qeset plastike të blerjeve edhe si ambalazh për largimin e mbetjeve. C’ka do të thotë se edhe në rastin kur shqiptarët nuk do të përdorin qese plastike për blerje, do ti përdorin ato për të larguar mbetjet. Së dyti, qeset plastike kanë kosto të ulët dhe në këtë kuptim cmim të ulët në shitje. C’ka do të thotë se, kostoja e blerjes së qeseve plastike nuk mund të punojë si një barrierë e rëndësishme për mos përdorimin e tyre. Së treti, volumi i qeseve plastike si mbetje zë vetëm 5% të mbetjeve totale urbane që prodhojnë qëndrat e banuara. C’ka do të thotë se, edhe nëse kjo nismë do të suksesoj në masën 100% ndikimi në mjedis, të paktën në volum mbetjesh, është pothuajse i papërfillshëm.

Mirëpo, ka një kuptim sipas të cilit nisma qeverisëse që ‘duket bukur’, mund të ‘prodhoj rezultate’. Në qoftë se dy nismat e tjera qeverisëse ishin vetëm me profil të brendshëm, me synim edukimin e masave, kjo nismë e tretë ka një profil të fortë globalist. Nëpërmjet saj, sikurse bashkia Tiranë për projektet e Këmbësores Skënderbej apo Pazarit të Ri, edhe qeveria Rilindase mund të fitoj ndonjë dekoratë ndërkombëtare. Sepse me këtë vrull që ka marrë qeveria për të mbrojtur mjedisin mund të nxjeri jashtëligji të gjitha llojet e ambalazheve plastike, dhe kështu të bëhemi ‘i pari dhe i vetmi vend në botë’ pa mbetje plastike. Nuk do të ishte as ndonjë cudi, dhe as për herë të parë, shqiptarët janë shtrënguar të jetojnë “të lumtur” nëpër biruca. Në këtë rast do e meritonim plotësisht një dekoratë globaliste, pavarësisht se do duhej ta paguanim me humbjen e një industrie shumë më të madhe se ajo prej 100 milion euro investime që rrezikojmë sot.     




NDAJ TË NJËJTIN MENDIM ME DI’CAPRION, POR PËR NJË TJETËR ARSYE! Liberal, 04. 11. 2019

Ylli Hollivudian, Leonardo DiCaprio, ditët e fundit na bëri ‘krenar që jemi shqiptarë’ kur shpërndau në faqen e tij të instagramit një shkrim të ‘The Associated Press’ të shoqëruar me një video të lumit tonë Vjosë. Statusi i këtij autoriteti, përvecse na bëri të ndiheshim globalisht më të rëndësishëm edhe na kënaqi pa masë. Vecanërisht sepse ishte kundër një veprimi të Rilindjes, në një kohë kur qeveria me vepra dhe shoqëria me fjalë kundër veprave të saj, po marshojmë në drejtime diametrikisht të kundërta, drejt asgjësë apsolute.
Për të qenë i sinqetë, do të kisha preferuar që vendi im të përmendesh për gjëra që i kemi arritur vet, me punë e përpjekje; dhe jo për gjëra që na i ka dhuruar natyra. Nuk u ndjeva as i mbështetur në identitetin tim si urbanist polemizues me qeverisjen, sepse qasje si kjo e z. DiCaprio na mbajnë në kurrthin e asaj që latini do ta quante infinita disputandum (debat i pafund)!
Togfjalëshi ‘debat i pafund’, nuk e ka të keqen te fjala apo koncepti ‘debat’. Për shoqëritë moderne debati është një nga parimet më të rëndësishme të funksionimit të tyre, dhe një nga karakteristikat që e diferencojnë nga shoqëritë e tjera. Prandaj, si artikulli i publikuar nga prestigjozja ‘The Associated Press’ ashtu edhe shpërndarja e tij nga artisti dhe ambjentalisti Leonardo DiCaprio, janë të mirëseardhur për vendin tonë të vogël të halleve të mëdha. E keqja qëndron te ‘pafundësia’. Sepse zgjatja në pafundësi e një debati nuk prodhon dot një vendimarrje, dhe pa vendimarrje mbetemi në vend, ndërkohë që kemi domosdoshmëri të vrapojmë.  
Pohimi i mësipërm ka kuptim për vendet perëndimore, se për Shqipërinë, vecanërisht për Shqipërinë nën Rilindje, valenca negative e konceptit ‘i pafund’ sjell dëme shumë më të mëdha se mbetja në vend numëro. Për Shqipërinë, debati nuk vazhdon në pafundësi për të njëjtën temë, porse mbetet konstant dhe në vazhdimësi, ndërsa ndryshojnë temat, të cilat gjithmon i sjell qeveria dhe, gjithmon, i fiton po ajo. 
A ju kujtohet debati për Pedonalen Skënderbej, që u harrua nga Këndi i Lojrave për fëmijë te Parku i Liqenit, i cili u harrua nga Arena Kombëtare, e cila u harrua nga Unaza te Astir, e cila po rrezikon të harrohet nga Teari Kombëtar, e kështu në vijim?! Të gjitha segmentet e ‘debatit të pafund’, deri tani, janë fituar nga Rilindja, bile i kanë shërbyer asaj edhe si “argumenta” pse “e vërteta” e tyre është më e mira për vendin. Mora shembullin e Rilindjes në Tiranë sepse është më gjerësisht i njohur, por mund të kisha marrë shembuj pafund nga Rilindja qëndrore, përfshirë edhe këtë për hidrocentrale apo aeroporte, që ka nisur nga veriu i vendit e po zbret në jug.
Ky është kurthi ku na ka futur kasta dhe ambjentalistët, urbanistët dhe opinionistët e saj. Ky kurrth na mban në “demokraci” përderisa jemi në “debat” me qeverinë, dhe në të njëjtën kohë qeveria merr vendimet që i interesojnë asaj. Kurse “arbitri” ndërkombëtar nuk e ka të vështirë të mbaj anën e qeverisë, përderisa ‘edhe në vendet e tyre demokratike ka pakica që kundështojnë projektet e mëdha të zhvillimit, por në fund të fundit interesi i shumicës duhet, dhe, triumfon’.   
Mirëpo, përtej Demokracisë së ‘debatit pafund’ midis shoqërisë dhe qeverisë, ku fiton gjithmonë kjo e fundit, bota perëndimore njeh dhe aplikon edhe Republikën e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Në një organizim të tillë shoqëror, partitë: garojnë me ide politike të qarta për publikun; kur vijnë në pushtet, i kthejnë këto ide në politika sektoriale zhvillimi; dhe më tej, këtyre politikave u japin kuptim gjeografik nëpërmjet proceseve planifikuese territoriale ku përfshihen të gjitha grupet e interesuara apo të prekura nga zhvillimi i propozuar nga planifikimi.  
Ky quhet planifikim hapsinor dhe territorial, dhe është një shkencë që vet-zhvillohet dhe ndihmon zhvillimin e botës moderne prej qindra vitesh. Nëse ne do të fillojmë ta përfshijmë këtë shkencë në kulturën tonë qeverisëse, kuptimit të ‘debatit pafund’ ku qeveria fiton gjithmonë i vjen fundi, sepse produkti përfundimtar i këtij planifikimi (planet e zhvillimit) përfshin edhe mendimin apo interesin e ‘grupeve të zëshme në minorancë që pengojnë shumicën e heshtur’.

Prandaj jam dakort me ambjentalistin DiCaprio kur, fshehtas, i kërkon qeverisë Shqiptare të mos ndërtoj diga përgjatë rrjellës së egër të lumit Vjosë, por jo sepse cdo ndërtim dige dëmton mjedisin. Por sepse cdo ndërtim i pakaluar më parë në filtrat e planifikimit hirearkik e gjithëpërfshirës territorial, mundet. Në fund të fundit, digat e hidrocentraleve prodhojnë enegji të pastër dhe miqësore me mjedisin. Kush mund ta ndajë më mirë se proceset demokratike e gjithëpërfshirëse të planifikimit territorial, se kush e dëmton më shumë mjedisin: ndërtimi apo mosndërtimi i digave?!

Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA DHE ARSIMI

QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!