QEVERIA RAMA DHE ARSIMI

SHKOLLA ME USHQIM! Mapo, 24. 01. 2018

Informacionin se qeveria ka ndërmend të ndryshoj strukturën mësimore në mes të vitit shkollor e morra nëpërmjet një njoftimi në facebook. Luftën midis të besuarit të një statusi në media sociale apo një anekdode të tillë qeverisëse, në fillim e fitoi kjo e dyta. Mirëpo e kisha gabim, qeveria jonë nuk ka më limite. Qasjet e saj fashiste që ushqehen nga mishela e karburanteve më toksike në botë, mund të kapërcejnë cdo kufi. Prandaj e fala veten për skepticizmin, por jo për paaftësinë në arsyetim. Qeveria jo vetëm synon të ndryshoj strukturën mësimore në mes të vitit duke bashkuar mekanikisht dy orë të të njëjtës lëndë pa llogaritur impaktin e kësaj në mësimdhënie, por edhe ka vendosur që aktiviteti në shkolla përvecse arsimor të ketë edhe karakter emancipues shoqëror. Konkretisht, në shkurt starton në 20 shkolla të 5 bashkive projekti ‘të bëjmë detyrat e shtëpisë’, i cili kërkon të ushqejë nxënësit dhe ti mbaj ata nëpër shkolla deri në orën 17.00. 
Projekti propogandohet të këtë edhe një dimension të fortë mbrojtës të shoqërisë nga injoranca e vet, sepse konsiderohet , si ‘një mënyrë për të edukuar ushqyerjen e shëndetshme me produkte bio’. Pra, duke qenë se shqiptarët ushqehen me ushqime OMGJ kur produktet bio kanë përmbytur tregjet, qeveria ka vendosur ta luftojë vet papërgjeshmërinë dhe padijen e tyre. Nga ana tjetër, meqënëse shkollat tona kanë hapsira të hapura e të mbyllura pafund,  Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër të përzgjedhi vendin ku do të lokalizohet menca, e cila ‘duhet të mos jetë nga dielli apo nën ndikimin e kushteve atmoferike’. Synim shumë bazik ky, po të kemi parasysh se fëmijët shqiptarë sot në familjet e tyre ushqehen në rrugë. Dimesionin demokratik, projektit, do ja japi Bashkia Tiranë duke e kushtëzuar atë me ‘miratimin e menusë nga prindërit’, megjithëse askush nuk i ka pyetur këta nëse janë, apo jo, dakort me projektin në tërrësinë e tij. 
Ka me dhjetëra arsye për tu ironizuar ky projekt, dhe akoma më shumë për tu kundështuar seriozisht, por ne do fokusohemi vetëm te aspekti i shkollës si ndërtesë. Duhet kuptuar se një objekt projektohet në respekt të aktiviteteve që përdoruesit do të kryejnë në të. Ky është kuptimi themel për projektimin e një ndërtese. Një cerdhe, kopësht apo shkollë nuk ka të njëjtën zhvillim planimetrik e volumor me një  kishë a xhami. As me një aeroport, qendër tregtare, stadium, magazinë apo repart prodhimi, megjithëse të gjitha përfshijnë një numër të madh përdoruesish. Ato kanë specifikat e veta, dhe arkitekturë specifike për cdo njërën prej tyre. Bile, edhe cerdhja, kopështi apo shkolla kanë dallime mes tyre në përdorim, dhe në këtë kuptim kërkojnë projektim të dedikuar. Për të mos hyrë te ‘planimetria e sheshit të ndërtimit’ të objektit, që bën dallime edhe brenda llojit, për shkak të specifikës së terrenit dhe të njësisë urbane ku do të ndërtohet. 
Referuar këtij shpjegimi minimalist teknik, dhe faktit që shkollat shqiptare janë ndërtuar para shkurtit të këtij viti (në fakt që në kohën e rregjimit komunist), është e lehtë të kuptohet se ky projekt nuk ka asnjë gjasë të suksesojë. Të synosh të integrosh aktivitete të reja njerëzore, të tilla si ushqyerja, në një ndërtesë të ndërtuar dekada më parë është absurde deri në qesharake. Jo vetëm në kuptim teorik, por më shumë në kuptimin praktik të gjësë, sepse ato janë projektuar në funksion të aktiviteteve që sistemi arsimor i kohës kërkonte. Trekëndëshit revolucionar ‘mësim-punë-kalitje ushtarake’ nuk e asorbon dot këtë funksion të ri që duan ti japin ndërtesës shkollore. Kthimi i saj me ngrënie kërkon: personel shërbimi; module, pajisje e enë guzhine; dhe sete ngrënieje. Po le te themi se gatimin dhe shërbimin do ti sigurojnë me katering nëpërmjet PPPve për të cilat janë ekspertë globalë, por si do t’ja bëjnë për mjediset dhe mobiljet e ngrënies?! 
Do ti nxjerrin fëmijët të ushqehen në oborr dhe terrenet sportive, të cilat kanë 25 vjet që i ngushtojnë për të rritur numrin e klasave?! Do t’jua cojnë pjatat e ushqimeve në palestër, apo nëpër klasa?! Të qeshësh apo të qash, është cështja! Fëmijët janë 40 vetë në një klasë, ndërsa ngrijnë së ftohti; bëjnë mësim me dy turne, në klasa pa ndricim; edukohen nga mësues me aftësi të diskutueshme që zëvendësohen cdo 4 vjet; arsimohen me libra jashtë standartit tematik, kulturor e moral, këta recitojnë poezi! Ne nuk kemi shkolla, këta flasin për shkolla me ushqim! Ndërsa makina qeverisëse na tregon përralla futuriste, ajo zvarritet e ushqyer nga mishelimi i  arrogancës së qeveritarëve që ndihen mbinjerëzor; injorancës së përgjithshme dhe tematike që i karakterizon ata; dhe përcmimit deri në neveritje që ata kanë për pjesën tjetër të shoqërisë! Ajo nuk është një ferrari, sikurse po na thonë, por një gaz 69-sh rrangall që po na con në asgjëkund. 




SA MË SHUMË SHKOLLA TË MBYLLURA AQ MË SHUMË KULLA TË LARTËSUARA! Mapo, 13. 09. 2018

Fillim viti i ri shkollor solli edhe debatin partiak të radhës në këtë sistemin tonin partitokratik që nuk e di pse e quajmë demokraci. Kryebashkiaku i Republikës shpërndahu libra “falas” për disa fëmijë, dhe kjo ngjarje u transmetua drejtpërdrejt në televizionin e tij privat. Mediat private e publike, që në cdo rast mund të na e kursenin këtë shëmtirë populiste, demagogjike e fasadiste, i bënë ‘share’ në hapsirat e tyre, dhe kështu, të gjithë shqiptarët u njohën me këtë vepër të lartë të qeverisë Rilindase. Halli është se këtë “kronikë” e ndoqën edhe drejtuesit e opozitës të cilët, nuk e injoruan për ta lokalizuar këtë shëmtirë socialiste vetëm në oborrin e qeverisë, por e kthyen në një debat partiak pa asnjë kuptim politik. Si përfundim, shoqërisë shqiptare i mbeti në derë halli i zakonshëm: të përcaktoj kush është më socialiste: Ps, që po ju jep libra falas vetëm nxënësve të fillores; apo Pd, që paska premtuar se do t’jua japi të gjithë nxënësve të arsimit parauniversitar!
Të dyja kahet partiake shqiptare nuk perceptojnë dot një të vërtetë të thjeshtë: diskursi dhe veprimi i tyre politik nuk duhet ti drejtohet vullneteve partiake (votuesve) të cilët i kanë të përfshira brenda vetes, por atyre që janë të pavendosur dhe kërkojnë argument politik. Për të dytët është shumë e qartë se Qeveria shpërndan atë që i ka marrë taksapaguesit, pra nuk ka asgjë falas, thjeshtë: për atë që dikush merr falas ka paguar dikush tjetër. Dhe në këtë kuptim, i gjithë debati për librat falas, sikurse shumica e debateve ndërpartiake, jo vetëm nuk ndihmon partitë në interesin e tyre meskin për të grumbulluar sa më shumë votues të gënjyer, por dëmton rëndë edhe sektorin në të cilin bëhet ky debat. Sepse nuk janë librat falas që ju mungojnë nxënësve, prindërve dhe sistemit arsimor shqiptar, por mësuesit dhe shkollat. Dhe këtu erdhëm te ngjarja më e rëndë që i ka ndodhur arsimit shqiptar që nga fillesat e tij: po mbyllin shkollat që kemi!
Qeveria e Rilindjes, që po “bën” Shtet, po mbyll shkolla që janë ndërtuar në qeverisjet e tjera të 106 viteve që ka ekzistuar Shtet Shqiptar. Në Korcë u mbyllën 3 shkolla, në Fier 16-të, në Elbasan 9-të, Në Vlorë 8-të, në Lushnje 20-të, në Kukës 13-të, në Mat 14-të, e kështu me radhë. Tragjedi e përmasave kombëtare, që partitë e kthyen në debat furgonësh. ‘A do gjenden apo jo furgona për ti cuar fëmijët në shkolla të tjera’, kjo është cështja në debat për partitë shqiptare! Totalisht në të kundërt, mbyllja e shkollave është një gjëmë e madhe që i ndodh Shqipërisë! Ajo është nga ato katastrofa që vë në rrezik ardhmërinë e kombit dhe duhet të detyrojë shoqërinë të përfshihet e gjitha për ta kuptuar, për ta analizuar dhe për të gjetur zgjidhjet e daljes nga ky fatalitet. Sepse ngjarja nuk është një event i izoluar as në territor dhe aq më pak në kohë. Mbyllja e shkollave sapo ka filluar, ajo do të vazhdoj dhe do të shoqërohet me të tjera dëme kombëtare.
Mbyllja e shkollave nuk është një e papritur aksidentale, ajo është produkt i mënyrës sesi kemi lejuar dhe stimuluar zhvillimin e territorit kombëtar. Ajo është rezultat direkt i modelit urban të koncentruar të Durasanës që po shpopullon territoret periferike e kufitare të Atdheut dhe territoret periferike të qyteteve shqiptare, për ti grumbulluar të gjithë shqiptarët në qëndrat e 5-6 qyteteve kryesore të Shqipërisë. Nuk e kam vëzhguar, por gjithsesi jam i sigurt se këto shkolla që mbyllen nuk i përkasin bashkisë së vjetër Tiranë apo bashkive kryesore të vendit. Jam i sigurtë se të gjitha shkollat që mbyllen janë të periferive të qyteteve dytësore, të qytezave apo të fshatrave. Shprehem i bindur, sepse e tillë është edhe dinamika e shpërndarjes së popullsisë në territorin kombëtar. Boshatisja e periferive të qyteteve, apo të gjithë Atdheut, sjell në mënyrë të pashmagshme mbylljen e shkollave në këto territore dhe nevojën për shkolla të reja në Tiranë.
Modeli territorial i zhvillimit të koncentruar të popullsisë formëson dhe përforcon modelet ekonomike, social-politike dhe kulturore të shoqërisë shqiptare, dhe gjithcka që derivon prej tyre. Janë këto modele, të cilat prodhojnë për shumicën e shqiptarëve domosdoshmërinë jetike të migrimit, që duhet të rindërtojmë. Dhe kjo nis nga formulimi i një qëndrim politik të ndryshëm dhe gjerësisht të pranuar, për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Kjo është rruga e vetme, që e gjithë elita e shoqërisë duhet të mbështesi, për të ndryshuar gjithcka bazamentale për zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Rruga tjetër është të kënaqemi me libra, dekodera, legalizime, shëndetësi e shumëcka tjetër “falas”, që na premtojnë partitë e kryetarokracisë në të cilën jetojmë, dhe të lejojmë kastën të ndërtoj kulla në Tiranë derisa të gjithë ata shqiptarë që nuk emigrojnë nëpër botë, të imigrojnë në qytet-shtetin Durasanë.




SHKOLLA KOSOVA SI MODEL I SHKATËRRIMIT TË INSTITUCIONIT SHKOLLË! Mapo, 05. 10. 2018

Kohët e fundit kam filluar të kem frikë nga vetja sepse, gjithmon e më shpesh, po dakortësoj në mendime me z. Rama. Këtë herë bëhet fjalë për deklaratën e tij në ditën e parë të vitit të ri mësimor, sipas të cilës shkolla Kosova, tashmë e rindërtuar, është shkolla më moderne në Shqipëri. Kështu mendoj edhe unë. Shkolla Kosova, është një godinë shumë moderne. Bile, aq moderne, sa nuk mund të jetë më një shkollë. Mund të jetë gjithcka tjetër, mund të kryej cfarëdo lloj funksioni privat apo publik, por shkollë nuk mund të jetë. Për të qënë i qartë, duhet pranuar, se në këtë vendin tonë shprehja ‘nuk mund të jetë’, e thënë nga një teknik, nuk është se ka ndonjë vlerë publike apo dobi praktike. Në ndryshim nga kushtëzimet teknike, godina Kosova sikurse cdo gjë tjetër në Shqipërinë e sotme, e merr potencën nga botkuptimi i z. Rama, dhe në këtë konteks, pa dyshim që ajo do të funksionalizohet si një element i rrjetit arsimor të kryeqytetit.
Pa dyshim që do ndodhi kështu! Pa dyshim se rreth 400 fëmijë të moshës 6 - 15 vjec do mbimbushin cantat e stërmëdhaja me një pafundësi librash, fletoresh dhe mjetesh të tjera mësimore dhe do strehohen në këtë godinë, porse nxënës ata nuk mund të jenë kurrë. Pa dyshim se rreth 20 të rritur do ju flasin këtyre fëmijëve, do dëgjojnë prej tyre, bile do të vendosin edhe nota nëpër regjistra, porse edukatorë ata nuk mund të jenë kurrë. Dhe këtu nuk jemi duke folur as për dëshirën apo aftësitë e fëmijëve dhe as për dëshirën dhe aftësinë e të rriturve për të komunikuar dhe shkëmbyer informim, opinion dhe edukim. Nuk jemi duke foluar as për cilësinë e mjediseve të klasave, vlerën e librave, sasinë e mjeteve shkollore individuale të fëmijëve  apo didaktikën e pedagogjinë e përdorur nga të rriturit. Nuk po e bëjmë këtë, jo se nuk ka gjë për të thënë, por se nuk i takon sferës së arkitekturës dhe urbanistikës të shprehet për këto cështje.
Ne po flasim për ndërtesën dhe elementet e saj! Dhe ndërtesa Kosova vërtet mund të ketë katër kate nga të cilët një nën tokë, mund të ketë klasa moderne, mund të ketë bibliotekë, sallë leximi dhe zonë për ruajtjen e librave, mund të ketë auditorium që të jetë edhe në shërbim të komunitetit, mund të ketë edhe laboratorë të mirë pajisur, mund të ketë gjithcka që na premtoi kryebashkiaku Veliaj në 7 marsin e vitit të kaluar kur inaguroi nisjen e punimeve; porse nuk është shkollë. Ashtu sikurse nuk janë shkolla të gjitha godinat e rrjetit arsimor të Shqipërisë që i janë nënshtruar një rikonstruksioni me modifikime të planimetrisë dhe volumetrisë, në vitet e tranzicionit. Mund ti kenë modernizuar pothuajse sa shkolla Kosova, mund ti kenë shtuar numrin e hapsirave, mund ti kenë shtuar llojshmërinë e mjediseve sipas përdorimit (laboratorë, palestra, biblioteka e auditorium), porse janë pikërisht këto risi që i kanë humbur potencën si shkollë.
Ajo që duhet të kuptojmë ne si shoqëri, por në mënyrë të vecantë ata që kanë pushtetin për të marrë vendime, është premisa bazike se proceset edukuese dhe aftësuese kanë nevojë për godina të dedikuara. Dedikim, që nis që në planifikimin territorial të qytetit, ku nëpërmjet Planit të Përgjithshëm bëhet një shpërndarje e planifikuar e parcelave për godina arsimore, në harmoni me shpërndarjen demografike në numër dhe strukturë familjare. Dedikim, që vijon me planifikimin urban të njësive të banimit, ku nëpërmjet Studimeve Pjesore përcaktohet vendodhja e parcelave të godinave arsimore sipas llojit (cerdhe, kopshte, shkolla 5-së/ 9-të vjecare apo të mesme). Dhe së fundi, kompozimi arkitektonik i ndërtesës në parcelën e dedikuar për këtë zhvillim. Është intensiteti i ndërtimit, apo raporti i sipërfaqes së përgjithshme të ndërtuar me sipërfaqen e parcelës ndërtimore, ai që bën diferencën midis një godine cfarëdo dhe një godine arsimore. 
Ajo që ka ndodhur me ndërtesat e shkollave është pikërisht deformimi i këtij raporti shumë të rëndësishëm. Ndërtimi i shtesave të katit apo anësore ka rritur ndjeshëm intensitetin e ndërtimit në këto parcela, duke prishur së pari raportin e volumeve ndërtimore me hapsirat e hapura, dhe si rrjedhim logjik edhe balancat e aktiviteteve edukative dhe aftësuese të fëmijëve dhe gjithë strukturën arsimore. Shembulli më i keq i kësaj mënyre të të vepruari  është godina Kosova, ku një shkollë fillore një katëshe për disa dhjetëra nxënës u zëvendësua me një godinë katër katëshe për disa qindra fëmijë, në të njëjtën parcelë ndërtimore. Sigurisht, që ndërtesa e sotme është shumë më moderne se shkolla e ndërtuar në vitin 1940, por nuk është më një shkollë. Prandaj, ajo që na mbetet ne si prindër është: ose të kënaqemi, se me ‘shkollën e drejtorëve të shkollave’ jemi të dytët pas Izraelit; ose ti kërkojmë qeverisë të ndërtoj godina për shkolla prej vërteti!

Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!