QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!

DREJT FASHIZMIT?! Mapo, 02. 02. 2015

Një nga tezat më të përdorura, nga z. Rama në fillesën e tij si politikan, ishte etiketa ‘se ai nuk ishte një politikan’. Shumëkush e lexonte këtë, si një mënyrë për të krijuar një diferencë mes tij dhe gjithë politikanët e tjerë, porse ka një arsye më tepër. Kur Partia Socialiste e emëroi ministër dhe më tej e kandidoi për Kryebashkiak, papritur z. Rama e gjeti veten në një “stan” për të cilin nuk kishte lënë akuzë e ofendim pa bërë, vetëm pak vite më parë. C’ka e vendoste në një pozicion të vështirë moral përpara publikut, e vecanërisht votuesit të majtë. Në përgjigje të kësaj, z. Rama shpiku dhe përdori masivisht konceptin e ‘po bëj politikë por nuk jam politikan’. Imagjinoni sikur në fillim të një ndërhyrje kirurgjikale mjeku të të thotë “unë do të operoj por nuk jam kirurg”! Shqetësuese! Sidoqoftë, gjërat evoluan dhe z. Rama nuk mund të përdorte të njëjtin argument kur u bë Kryetar i “stanit socialist”.
Në këtë pikë i erdhi në ndihmë ‘Rruga e Tretë’. Një teori politike që kërkon të “pajtojë” të majtën dhe të djathtën në një qasje të vetme qeverisëse. Mirëpo, edhe kjo nuk i bënte shumë punë. Z. Rama, praktikisht, i nevojitej një rrugë jashtë të tërrës (spektrit politik) dhe jo brenda saj. Kështu doli në skenë teoria e ‘përtej të majtës dhe të djathtës’, kuptimin praktik të të cilës askush nuk di të të thotë. C’ka është gjithashtu shqetësuese. Mirëpo, vërtet nuk kemi kuptimin praktik e një teorie, porse kemi praktikat qeverisëse të autorit të saj. Mjafton ti vëzhgojmë ato, për të dalë në përfundimin se cfarë mund të nënkuptojmë dhe ku mund ta pozicionojmë, këtë teori. Për të qënë ekstremisht serioz, sikurse tema e kërkon, nuk do vëzhgojmë veprimet konkrete qeverisëse në territor, por aktet ligjore që kjo qeverisje po prodhon. Sepse, janë ato që të shfaqin kuptimin afatgjat të një identiteti politik.
E nisim me Kodin Civil të Republikës. Në 1 Shkurt të këtij viti, hyjnë në fuqi disa ndryshime në lidhje me ndëshkimin që ligji duhet t’i japi individëve që ndërtojnë paleje. Sipas këtyre ndryshimeve, ndërtimi paleje nuk do të dënohet më me gjobë, por me burg. Pra, nëse një qytetar që nuk arrin të pajiset me një leje burokratike, për të ushtruar të drejtën natyrore, për të zhvilluar pronën e tij, duhet thjesht të pajtohet dhe të bashkëjetojë me ëndrën qeverisëse “të të bërit shtet”. Në të kundërt, nëse guxon jashtë këtyre kufizimeve që qeverisja i ka vënë cështjeve ndërtimore, qytetari shkon në burg nga një deri në pesë vjet. Ndëshkim, i cili do të mund të ushtrohet vetëm sipas legjislacionit të Shqipërisë “demokratike” të vitit 2015, por jo sipas atij të Shqipërisë komuniste. Sepse sipas nenit 16 të ligjit të vitit 1978, një ndërtues paleje mund të dënohej ‘me qortim shoqëror ose me gjobë deri në 1.000 lekë’.
Vazhdojmë me ligjin “Për planifikimin e territorit”. Edhe në këtë rast, frymëzimi bolshevik nuk është i mjaftueshëm për qeverisjen e sotme. Duhet shkuar më tej. Ndërsa, ekuivalenti i vitit 1978 nëpërmjet nenit 6 të tij, i atribuon ‘komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit’ apo ‘Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Brendshme’, detyrën e miratimit të disa planeve rregulluese, ligji i ri nuk “guxon”. Ai, këtë fushë veprimtarie qeverisëse ja “beson” vetëm ekuivalentit të sotëm të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Për të mos folur për lejedhënien ndërtimore. Në asnjë prej dispozitave, që normonin këtë funksion qeverisës, të ligjit të 1978 nuk shfaqet termi ‘Kryesia e Këshillit të Ministrave’. Ndërsa sipas ligjit “ Europian”, i mbështetur në filozofinë ‘përtej të majtës e të djathtës’, KKT duhet ta ushtrojë këtë funksion lokal qeverisës.
Në mbyllje të këtij vëzhgimi të shkurtër por shumë intensiv, mund të guxojmë e të themi se teza e ‘përtej të majtës e të djathtës’ të z. Rama, merr kuptimin e përtej bolshevizmit. Përtej bolshevizmit, por, sidoqoftë në kornizën e kolektivizmit dhe centralizmit të thellë të vendimarrjes qeverisëse. Dhe më në të majtë se bolshevizmi, të paktën në njohjen time, qëndron murtaja tjetër kolektiviste që ju shpif  Botës pas Luftës së Parë. Der echte Sozialismus/ real socialism/ socializmi i vërtetë/ Fashizmi. Po. Të paktën për mua dhe z. Hitler, i cili shprehej se ‘e tërë filozofia e Nacional Socializmit’ ishte bazuar te ‘Marksizmi’. Biles, sikurse një student i mirë që tejkalon mësuesin, z. Hitler kishte gjetur edhe gabimin në teorinë e Marksit. Gabim që ai e rregulloi, dhe ndoshta edhe z. Rama po e bën, duke zëvendësuar ‘luftën e klasave’ me ‘shfrytëzimin e kapitalit privat për unitetin dhe të mirën kombëtare’.




PREFEKTËT USHTARAKË NJË HAP PËRGJATË FASHISTIZIMIT TË QEVERISJES! Mapo, 17. 11. 2017

Qeveria Rama 1 mund të përkufizohet mbështetur në pesë karakteristikat e saj thelbësore: centralizuese, propogandistike, demagogjike, fasadiste dhe policore. Për katër vite, në një progresivitet të dallueshëm, kjo qeveri rrëmbeu cdo funksion vendor qeverisës dhe ushtroi vendimmarrjen e saj të paligjshme në aktivitete vendore, me dimension të fortë propogandistik, demagogjik dhe fasadist nëpërmjet “dhunës legjitime” të ushtruar nga policia e saj e militarizuar! Ajo  anashkaloi detyrat dhe funksionet e qeverisjes kombëtare, si hartimi i politikave kombëtare për shpërndarjen e popullsisë në territor, për transportet dhe infrastrukturën, për mbrojtjen e territoreve dhe zonave natyrore, për turizmin, për kulturën e të tjera si këto, për t’ju dedikuar cështjeve lokale, si të pastrehët, ndihma ekonomike, mbledhja e taksave lokale, menaxhimi urban (lejedhënia dhe kontrolli i territorit), dhe planifikimi territorial (planifikimi e projektimi urban).
Është kjo veprimtari dhe këto vecori të saj që na kanë drejtuar rreth tre vite më parë në pyetjen legjitime, a po shkojmë drejt fashizmit?! Pyetje kjo që e ka përgjigjen brenda, nëse këtyre karakteristikave që e bëjnë pothuajse komuniste i shtojmë edhe dy të tjera. E kam fjalën për shkeljen e të drejtave kushtetuese të individit si ajo për të siguruar mbijetesën, e barazisë së shtetasve dhe të drejtat e pronësisë, por edhe të drejtat qytetare si ajo e informimit publik dhe e përfshirjes qytetare në aktivitete qeverisëse. E kam fjalën, gjithashtu, për marrdhënien okulte midis qeverisë dhe një grushti njerëzish e bisnesesh në shpërndarjen e parave, pronave dhe punëve publike. Sepse janë këto karakteristika, vecanërisht e dyta që ndryshe nga kolektivizmi komunist ‘nuk e lufton sipërmarjen private por e shfrytëzon atë për unitetin dhe të mirën kombëtare’, që i japin asaj dimensionin unik të mortajës tjetër kolektiviste e marksiste, fashizmit.
Në këto rrethana të frikshme, z. Rama shkarkoi dhe emëroi njëkohësisht të 12 prefektët e qarqeve. Një vendimarrje qeverisëse plotësisht në baza ligjore e kushtetuese por që hapi një debat të madh publik. Shqetësimi i parë vjen nga konteksi. Në një kohë  kur Kryeministri është vetkthyer në Kryebashkiakun e Republikës dhe udhëheq nëpërmjet 61 drejtorëve të bindur apo të pabindur të tij lokal, kjo vendimarrje të vë në dyshime të thella. Shqetësimi i dytë vjen nga vendimarrja në vetvete. Shkarkimet lënë një shije të keqe sepse ato u kryen njëkohësisht, cka dëshmon se nuk ishte një vendimarrje mbi parimin e meritokracisë apo praktikën e vlerësimit të performancës individuale. Sidoqoftë, ajo që mori valencë të lartë nuk ishin shkarkimet, por emërimet e 12 prefektëve të rinj. Të gjithë ata janë ish ushtarakë të lartë, dhe z. Rama në konferencën për shtyp u shfaq shumë i vetëdijshëm dhe krenar për këtë përzgjedhje të tij.   
Kushdo që e ndoqi atë konferencë për shtyp i ka të dallueshme dy thekset që vuri Kryeministri në prezantimin e tij. Theksi i parë ishte kontributi i tyre në ushtrinë shqiptare në kohën ‘urdhëro-si urdhëron’. Pra, athere kur në Shqipëri ekzistonte ajo që Kryeministri i sotëm ‘po bën’: Shteti! Dhe shteti, si në regjimin, nostalgjikët e të cilit z. Rama po manipulon sepse e mbajnë në pushtet, edhe në regjimin që ai ka për model të qeverisjes së tij, “bëhet” vetëm me polici të militarizuar dhe drejtim ushtarak. Theksi i dytë ishin trajinimet dhe aftësimet që prefektë e rinj kishin kryer nën kuadrin e NATOs. Ky theks nuk i prish punë me nostalgjikët, që megjithëse përpara NATOs do të kishin preferuar Traktatin e Varshavës, janë mësuar me ilegalitetin (dualizmin e diskursit me veprimin) për hir të cështjes së “madhe”. Dhe në të njëjtën kohë i bën punë me ambasadorët dhe ndërkombëtarët, të cilëve mjafton t’ju bëj injeksionin demagogjik të radhës dhe flenë të qetë.
Përtej debatit public, mbi vendimarrjen e z. Rama për prefektët, ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e kornizon atë plotësisht. Është baza ligjore mbi të cilën do të operojnë këta zyrtarë, dhe vecanërisht funksionet dhe kompetencat që kanë. Nëse e studjon këtë bazë ligjore, kompetenca më e rëndësishme e tyre është ‘verifikimi i ligjshmërisë së vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore’. Pra vecanërisht aktiviteti i kuvendeve lokale, që në të njëjtën kohë është veprimtaria e vetme qeverisëse jashtë kontrollit të z. Rama. Sigurisht se, kujdo profesioni ti përkisnin prefektët, sikurse gjithmonë ka ndodhur, Kryeministri do kishte pushtet mbi vendimet e Këshillave Bashkiakë. Porse në rastin kur prefektët janë ushtarakë të formuar kulturalisht dhe profesionalisht në komunizëm dhe drejtohen nga një epror me qasje fashiste qeverisëse, është evident rreziku që i kanoset qeverisjes vendore.



DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

I ulur në një restorant në Munih, në verën e vitit 1932, Hitleri skicoi prototipin e Beetle për Volswagen (makina e popullit). Në atë kohë vetëm elita shoqërore mund ti lejonin vetes një makinë, ndërkohë që Hitleri propogandonte se i gjithë populli duhet të kishte një makinë. Ai ja dha këtë skicë Jakob Werlin, shefit të Daimler-Benz, duke i theksuar: ‘Merreni këtë dhe flisni me njerëz të cilët kuptojnë për të, më shumë se unë. Por mos e lini pas dore. Unë dua të më raportohet sa më shpejtë për detajet teknike të saj’. E solla këtë detaj për të kuptuar se kush ishte marrdhënia, e pranuar nga të dyja palët mbi interesin reciprok, e Hitlerit me bisnesin privat.
Mirëpo nga skica në produkt ishte një rrugë e kushtueshme dhe Hitleri, tashmë lider i oligarkisë që drejtonte politikën dhe ekonominë si një unitet të vetëm, ja kaloi kostot e “suksesit” të këtij projekti popullit gjerman. Sikurse ndodh gjithmon në regjimet majtiste, ku e “mira e popullit” kthehet në fatkeqësinë e tij, edhe për këtë projekt populli u shtrëngua të pranonte shpikjen nacional-socialiste të ‘kursimit të detyruar’. Qytetarët që porosisnin makinën duhet të paguanin për kartelat e kursimit nga 5 marka në javë derisa të arrihej kosto e saj, dhe të prisnin rreth 4 vjet për ta marrë atë. Sigurisht që, shumica e “kursimtarëve” nuk e morën makinën që kishin paguar.
Në fakt, dimensioni që ma solli në vëmendje këtë situatë është impenjimi i gjerë i spektrit politik gjerman të para Luftës së Dytë Botërore në pranimin e kësaj nisme hitleriane, kurse ngjarja aktuale që e thërriti nga sirtari memoristik i leximeve të mia, është ‘sigurimi i detyrueshëm për përbytjet’. Tezë kjo, e z. Rama dhe e mbështetur nga bisnesi privat i sigurimeve, por cuditërisht, antilogjikisht dhe antipolitikisht edhe nga eksponentë të ekonomisë dhe gazetarisë që njihen si përcues të zërit të opozitës. Kjo më shqetëson sot, edhe sepse për ta fshehur këtë mbështetje ndaj nismës, sillej argumenti se kjo ishte një qasje e djathtë për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve.  
Apsolutisht një e pavërtetë që shoqërohet me një spektër të gjerë të pavërtetash që po ju shiten shqiptarëve prej 25 vjetësh, dhe që kanë prodhuar këtë demokracinë dhe kapitalizmin që ‘gëzojmë sot’! Hendeku parësor midis të majtës dhe të djathës nuk janë as niveli i taksave dhe as qasja ndaj sipërmarrjes private, sikurse po na thuhet në këtë rast por edhe në shumë raste të tjera në këto 25 vjet! Këto janë vetëm pasoja të hendekut të parë dhe të vetëm midis dy kaheve politike, i cili është niveli i respektimit të lirive ekonomike dhe politike të qytetarëve. Niveli i taksave dhe qasja ndaj bisnesit është pasojë logjike e kësaj diference ideologjike midis tyre.
Për të majtën individi është budalla që nuk e kupton të mirën e tij, dhe se qeverisja duhet të mendoj në vend të tyre. Bile, edhe ti mbroj nga vetja, ti edukoj, ti kulturoj, dhe këtë ta bëj edhe nëpërmjet ‘dhunës legjitime’ të shtetit. Kur e majta është nacional-socialiste, pra që e koncepton bisnesin privat jo si armik por si element të qeverisjes dhe instrument ‘për të arritur synimin e madh dhe final’, përfshin në diskursin dhe veprimtarinë qeverisëse edhe vendimin se cfarë duhet dhe ku duhet ti blejnë produktet dhe shërbimet qytetarët. Dhe, ky është rasti i ‘makinës së popullit’ në Gjermaninë e 1938-ës, dhe i ‘siguracionit të detyrueshëm’ në Shqipërinë e 2018-ës.
Ndërsa për të djathtën, qytetari është koshient për liritë e tij ekonomike e politike, dhe i ushtron ato i përgjegjshë për kornizën e Republikës. Fushëveprimtaria e qeverisë limitohet në ato nevoja që shoqëria i ka të përbashkëta, duke mos cënuar hapsirat e vendimarrjes individuale. Është kjo qasje që lejon mbajtjen e një shteti të vogël por eficent, dhe si pasojë e këtij shkaku, taksat janë të ulta dhe sektorët ekonomik privat në konkurencë të lirë lulëzojnë. Është liria ekonomike dhe politike e individit që prodhon demokracinë dhe kapitalizmin. Prandaj, ‘Sigurimi i detyrueshëm’ është vecse një taksë e re për oligarkinë që sot është një unitet, por kurrsesi zgjidhje e problemit.
Zgjidhjen duhet ta kërkojmë te përgjegjshmëria individuale që vjen si pasojë e lirisë. Ti lejojmë qytetarët të rriten, ata nuk janë fëmijët minoren të shtetit. Ata nuk janë as më budallenj dhe as më të pashkolluar se të parët e tyre që nuk e kishin “mbrojtjen” e shtetit nga fatkeqësitë natyrore, por janë më pak të përgjegjshëm sepse janë më pak të lirë. Edhe sepse, populizmi 25 vjecar nuk i ka lejuar të njohin përparësitë e kapitalizmit. ‘Sigurimi i detyrueshëm’ ka kuptim kur bëhet për dëmet ndaj të tretëve, por kur bëhet për veten dhe përfshin të gjitha familjet shqiptare, ai është shumë larg interesit publik dhe po aq korruptues sa demagogjia e ‘dëmshpërblimeve shtetërore’.  




PPP-TË SI NJË PREZANTIM I FASHIZMIT NË EKONOMI! Mapo, 30. 01. 2019

Prej vitesh, tashmë, mbetem në bindjen se nuk është korrupsioni problemi më i madh i shoqërisë shqiptare. Problemi më i madh i saj është se akoma pas 27 vjetësh nuk ka kuptuar themelet e sistemit ku po kërkon të zhvillohet. Populizmi dhe demagogjia po e mbajnë larg kuptimeve të reja për këtë sistem të ri, dhe të mbërthyer në mentalitetin etatist, i cili jo vetëm nuk është i përputhshëm me sistemin e ri, por edhe vepron si një shkak për korrupsionin e kudo shprehur. Korrupsioni nuk është shkaku i gjëndjes mjerane të shqiptarëve, por pasoja; dhe ai nuk mund të luftohet nëse ne nuk prezantohemi dhe përvetësojmë parimet mbi të cilat ngrihet sistemi i ri.     
Ky shkrim modest i opinionit është i fokusuar te instrumenti i ri ekonomik që ka “shpikur” Rilindja, PPP-të; dhe ato që u thanë më sipër nuk mohojnë thelbin korruptiv të tyre. Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert në cështjet e auditit për të kuptuar se të gjitha projektet e programit të Partneritetit Publik Privat janë thellësisht të korruptuara. Mjafton vetëm të krahasosh numrin e konkurentëve dhe kostot e ndërtimit të ‘Bypassit’ të Vlorës e të Fierit, të zhvilluara si tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe të mbikqyrura nga organizmat e BE-s, me ato të ndërtimit të Unazës së Re, të zhvilluar nga Rilindja; dhe cdo gjë qartësohet për këdo. 
Në të vërtetë, PPP-të janë më shumë sesa një instrument ‘thellësisht i korruptuar’, ato janë konstruksion i pastër korruptiv të cilit i është veshur një fasadë “moderniste” për tu dukur si një risi në ekonomi. Ishte dëshira e kastës për të përvetësuar një sasi të caktuar të parave publike, e cila solli nevojën e konceptimit të kësaj shakaje, që e propogandojnë si instrument ekonomik. Katapultimi nga nevoja e qytetarëve dhe mundësitë e buxhetit publik, te dëshira e përfituesve të PPP-ve, është aq i dukshëm sa pyetja e parë që të shkon në mend është: nëse këto janë projekte ekonomikisht rentabël, pse nuk i zhvillojnë kompanitë me paratë e tyre, si investime private?
Kështu duhet të ndodhte në sistemin e demokracisë liberale dhe të ekonomisë së tregut të lirë, në të cilin ne kujtojmë se kemi tranzituar. Nëse një projekt është fitimprurës, sipërmarësit investojnë paratë e tyre apo të investorëve të tyre në të, dhe fitojnë para’ duke mbajtur vet rreziqet e zgjedhjes së tyre ekonomike. Dhe në këtë rast, këto infrastruktura do kushtonin më lirë dhe do ishin më cilësore, edhe se rrugët që po ndërtojmë me tendera ndërkombëtarë, të financuara nga bankat Europiane dhe të mbikqyrura nga organizmat e BE-s; sepse zhvilluesit privat janë më të interesuar se burokratët qeveritar, për të ulur kostot dhe ngritur cilësinë e investimit të tyre!
Le ta shohim në këtë mënyrë: nëse një individ do blente një produkt për veten, ai do synonte në treg cmimin më të lirë dhe cilësinë më të mirë të atij produkti, sepse këtë produkt do ta paguante me paratë e tij dhe do ta përdorte vet. Nëse një i afërm, do ti thoshte të përgjidhte për të njëjtin produkt në treg sepse do ja paguante ky (i afërmi), individi do kërkonte cilësinë më të mirë pavarësisht cmimit, sepse ndërsa do ta përdorte vet pagesën do e bënte dikush tjetër. Tani le të imagjinojmë sikur këtij individi ti duhej të blinte një produkt që as nuk do ishte i tiji dhe as do ta paguante vet! Sigurisht, ai do ta bënte blerjen pa e vrarë mëndjen as për cilësinë e as për cmimin.
Ky është instrumenti ekonimik që kemi njohur deri tani, e quajmë tender apo prokurim publik, dhe është lloji i tretë i shkëmbimit ekonomik. Varianti i mësipërm i këtij lloj shkëmbimi është varianti më i moralshëm, sepse - sikurse realiteti na ka dëshmuar - ky lloj ka edhe variantin kur blerësi negocion me shitësin, që blerësi të pranoj një cilësi më të dobët dhe cmim më të lartë për produktin, nëse shitësi i jep blerësit një zarf nën dorë! Këtë instrument kemi përdorur shpesh përgjatë kohës kur vërtet tranzitonim për në kapitalizëm. Dhe në vend që ta zvogëlonim përdorimin e tij që ta përmbyllnim tranzicionin, ne kemi kaluar në llojin e katërt, atë të PPP-ve.

PPP-të janë ai lloj i shkëmbimit ekonomik, ku shteti në rolin e blerësit, jo vetëm mund të përdori pushtetin që ka mbi shpenzimet buxhetore për përfitime personale, por mund të sajoj instrumenta që përfshijnë sektorin privat në aritjen e synimeve qeverisëse! Synime që i shpall Udhëheqësi, pa lidhje me kombin dhe shoqërinë, dhe që nënshtrojnë e asimilojnë edhe mjetet kapitaliste të prodhimit. Prandaj: PPP-të nuk janë vetëm niveli më i lartë i korrupsionit qeverisës, por edhe një materializim në praktikë i programit  me 25 pika të Partisë Nacional Socialiste Gjermane të Luftës së Dytë Botërore. Ato janë një prezantim i fashizmit në ekonominë e coroditur shqiptare!





KORPORATA E INVESTIMEVE OSE MARRSHIM NË FASHIZËM! Liberale, 28. 10. 2019

Java që sapo u mbyll ishte e një rëndësie të vecantë për ekonominë shqiptare, jo sepse solli ndonjë ndryshim në ekonomitë familjare apo atë kombëtare, porse prezantoi dy pako dhuratash që do ta ndikojnë jashtëzakonikisht shumë ekonominë shqiptare në të ardhmen e afërt. Pako e parë është raporti i Bankës Botërore ‘Doing Business 2020’, i cili na thotë se Shqipëria renditet e 88-ta në botë, një nga fundit në Europë dhe ka një rënie prej 19 vendësh nga viti i kaluar, për klimën e të bërit bisnes. Kurse pakoja e dytë është ligji për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe disa ndryshime potenciale në ligjin ‘Për Shpronësimet Publike’, të cilat sipas atyre që i propozuan do të përmirësojnë ndjeshëm situatën ekonomike të vendit, ndër të tjera edhe duke lehtësuar klimën e të bërit bisnes në Shqipëri për investitorët e huaj apo vendas.
Kam ndjekur këto ditë analiza apo opinione shumë profesionale, për secilën prej dy  pako dhuratash, por asnjë prej tyre nuk i trajtonte së bashku këto dy pako. Në të kundërt, unë mendoj se vlera reale, ajo nga e cila mund të kuptojmë dicka - nëse kemi qëllim ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes- është vëzhgimi i kombinacionit të këtyre dy “ngjarjeve ekonomike”!
Është e qartë që vlerësimi i raportit të Bankës Botërore na thotë se, përshkak të qeverisë dhe politikave apo projekteve të saj, mjedisi që prodhon ekonomi reale –më shumë vende pune, cmime më të ulta, më shumë produkte apo shërbime, buxhet më të madh publik- është gjendur në vështirësi këtë vit dhe do ndihet akoma më shumë vitin tjetër e në vijim për ta kryer këtë kontribut në ekonominë e vendit. Dhe ky është fakti i matur shkencërisht nga institucioni më i rëndësishëm ekonomik në botë, vecanërisht në lidhje me këtë temë; kurse dëshira poetike e shprehur me ligjin e Korporatës, na thotë se qeveria ka aq shumë dëshirë të ndihmojë sipërmarrjen private, saqë ka miratuar një ligj që shkel të gjithë ligjet e tjera në këtë fushë.
Thjeshtuar deri në naivitet, mund të themi: qeveria shqiptare ka marrë mbi vete “të drejtën” të shkeli cdo ligj të hartuar në këto vite tranzicioni, “për të ndihmuar” ekonominë dhe sipërmarrjen private; dhe në të njëjtën kohë ka hequr dorë nga detyrat e saj Kushtetuese për të përmirësuar vetveten në mënyrë që të mos e pengoj sipërmarrjen private të përmirësoj ekonomikisht jetën e qytetarit të Republikës! Këtu vijmë te thelbi i këtij shkrimi modest; ‘pse qeveria nuk ndjek rrugën tradicionale, rrugën që e ka drejtuar shumicën e vendeve të botës perëndimore drejt mirëqënies, por një rrugë të pashkelur më parë nga asnjë vend që synon demokracinë liberale?’!
Kuptim e kësaj qasje politike duhet ta kërkojmë, dhe atje do ta gjejmë, te Ligji i së enjtes së kaluar. Qeveria e Rilindjes, nëpërmjet tij, ka marrë ‘nën kontroll trojet dhe asetet publike, t’i përdorë si mjet “për të nxitur investime private”; veprojë si kompani private me asetet publike nën kontrollin e saj; të hyjë në marrëveshje me palë të treta, për çdo investim që ajo konsideron të vlefshëm; të përdorë asetet e saj si kolateral për të marrë hua të mëtejshme nga institucione financiare’. Sipas këtij ligji, Korporatës, që do jetë një shtojcë e qeverisë, do t’i jepet pavarësi e plotë për të menaxhuar asetet publike të Republikës, jashtë kuadrit ligjor aktual, përfshirë ligjin për prokurimet publike. Në fakt, Rilindja nuk e lë me kaq, ajo po përgatit ndryshime edhe për ligjin “Për shpronësimet publike”, duke ngritur një komision të përhershëm me burokratë dhe duke e kthyer atë në një shtojcë të një pjese të saj, sikurse është Ministria e Infrastrukturës.
Thënë këto, duket se i thamë të gjitha, Rilindja as më fjalë dhe as me vepra nuk beson te Demokracia Liberale, të cilën ajo e neverit sepse për të ‘është shumë individualiste, e fokusuar te liritë dhe të drejtat e individit dhe në këtë kuptim shumë egoiste’. Kjo është arsyeja pse Rilindja nuk ndjek reformat decentralizuese, liberalizuese e derregulluese, në mënyrë që shteti të pengoj gjithmonë e më pak sipërmarrjen private në aktivitetin e saj konkurues në treg. Rilindja beson te Demokracia Tjetër, te ajo ku individët  (përfshirë gjithcka që zotërojnë) i nënshtrohen shtetit. Rilindja beson te ajo që shoku Musolini, në librin e tij ‘Doktrina e Fashizmit’ do ta përkufizonte ‘gjithcka i përket Shtetit dhe asgjë humane nuk ekziston apo ka vlerë jashtë Shtetit’. Rilindja beson në atë, që fjalori më i rëndësishëm online, Merriam-Ëebster e përkufizon: ‘një filozofi politike, një lëvizje, një regjim që lartëson kombin (kolektiven) mbi individin dhe që mbështet një qeveri të centralizuar e autokratike të drejtuar nga një diktator, mbështetur në rregullime të forta ekonomike e shoqërore dhe shtypja me forcë e opozitarizmit’; dhe që e quan Fashizëm! 


RILINDJEN APO LIRITË, CILËN DO TË MARRI ME VETE TEATRI? Liberale, 18.05. 2020

(Thellë e më thellë në fashizëm)


Ashtu sikurse dihej se do ndodhte, rilindja e shembi përtokë godinën e Teatrit Kombëtar. Se Teatrin, sikurse çdo godinë në të gjitha kohërat dhe në çdo cep të botës, nuk e rëzuan ekskavatorët apo makineritë e tjera të ndërtimit. Atë nuk e rëzoi as vetëm Prijësi ynë i Plotfuqishëm, megjithëse atij dhe kundështarëve të tij ju pëlqen që popull ta mendoj kështu! Teatrin e rëzoi rilindja socialiste si një botkuptim shoqëror mbi politikën dhe qeverisjen.

Atë e shembën të gjithë nga pak: ata që e kundështuan rilindjen socialiste, por jo sa duhet për ta ndaluar; ata që e kundështuan, por që në fakt e forcuan pëshkak të mënyrës së gabuar të kundështimit; ata që nuk e kundështuan se mendonin që qeverisja e saj nuk ndikonte në jetën e tyre; ata që nuk e kundështuan sepse mbronin vendin e punës; ata që e mbështetën se nuk e kuptuan; ata që e mbështetën përshkak tifozërie partiake; ata që e mbështetën se ndanin plaçkën e grabitur bashkë me të; ata që e mbështetën se ishin pjesë të saj; zyrtarët që draftuan dhe nënshkruan “dokumentat” për prishje; dhe së fundi Prijësi dhe mëkëmbësi tij në Tiranë!

Pse është kështu, ne kemi folur për shtatë vjetë me radhë dhe do të flasim përsëri në të ardhmen, sepse sot do të flasim mbi çfarë do të ndodh pas këtij akti antikushtetues, antiligjor, antimoral!

Teatri do të marri me vete, ose rilindjen socialiste, ose demokracinë dhe shtetin e të drejtës! Që do të thotë se, situatën e sotme nuk duhet ta projektojmë në situatën e vitit 1990-të, por në 1944.

Diferenca mes dy kthesave epokale për populin shqiptar, në shekullin e kaluar, është shumë e dallueshme. Nëse në vitin 1990-të kasta oligarkike komuniste kishte dakortësuar, edhe më parë se t’ja kërkonte populli, dorëzimin e pushtetit të saj politik; kasta e sotme oligarkike, njësoj si grupi i komunistëve që morrën pushtetin në 1944, e shohin si një moment për të forcuar pushtetin e tyre shtrëngues. Nëse në vitin 1990-të kasta oligarkike komuniste kishte kundështarë të vendosur faktorin ndërkombëtar; kasta e sotme oligarkike, njësoj si grupi i komunistëve që morrën pushtetin në 1944, gëzojnë akoma asnjëanësinë e shteteve demokratike të perëndimit. 

Personalisht, do ta krahasoja prishjen e Teatrit me pushkatimet pagjyq të kundështarëve politik! Në atë kohë, ndërkombëtarët nuk kishin ndonjë gjë për të thënë se ishin të zënë me luftën kundër nazistëve në vendet e tyre dhe komunistët i kishin pasur aleatë në këtë luftë; kurse sot janë të zënë më luftën ndaj koronavirusit, ndërsa përsëri i kanë pasur aleatë në reformën e drejtësisë. 

Se çfarë bëri, apo më mirë çfarë arriti populli shqiptar, në vitin 1944, nuk ka nevoj ta them unë! Çështja është, çfarë do bëj populli shqiptar sot? Kë do lëshoj populli shqiptar, rilindjen socialiste apo lirinë e saj. Sepse Teatri do ta marri një nga këto të dyja me vete, dhe kjo është i sigurtë!

Pas shtatë vjet qeverisje rilindase dhe me shembjen e Teatrit Kombëtar, vështirë të ketë ngelur shqiptar që nuk e kupton kthimin mbrapsht në proçeset demokratizuese dhe liberalizuese, që startuam në vitin 1990-të. Edhe nëse kanë mbetur, janë aq pak, sa nuk përbëjnë faktor politik. Sot, dukshëm, të gjithë shqiptarët e kuptojnë se demokracia, qoftë edhe hibride, dhe tregu i lirë, qoftë edhe i deformuar, janë në rrezik. Çështja është, a e kuptojnë shqiptarët që gjithçka në jetën e tyre, nga më elementarja deri te më, varen pikërisht nga liritë politike, ekonomike dhe shoqërore të tyre? Këtë nuk e dijmë, por do ta mësojmë shumë shpejt në ditët dhe javët në vijim.

Ajo që dijmë me siguri është fakti se Teatri Kombëtar nuk do të shembej, dhe shumë veprime të tjera të kësaj qeverisje nuk do të kishin ndodhur, nëse ne shqiptarët (përfshirë edhe mua) do ti kishim ushtruar dhe mbrojtur liritë tona. Nëse ne do të ushtronim liritë tona politike dhe ekonomike, dhe nëse do ti mbronim ato kur do të na i sulmonin, sot nuk do të kishim ligje antikushtetuese dhe qeverisje fashiste të ngritur mbi zgjedhje të blera nga krimi i organizuar.      

Të gjendur në një situatë si ajo kriminalja e vitit 1944, jam i bindur që shumë shqiptarë do dalin në kërkim të lirive të humbura, por nuk jam i bindur që shumësia e tyre do të jetë e tillë sa ta ndryshojë situatën e sotme. Sepse ajo që duhet ti japim sot Shqipërisë është kthesa që nuk e morrëm dot në vitin 1944, por që në kushte të tjera e morrëm në vitin 1990. Dhe pas kësaj, të vijojmë ushtrimin dhe mbrojtjen e lirive tona, që të mos gjendemi më në të njëtën situatë si sot. 



POLICIA POLITIKE NË KRYE TË ‘LUFTËS SË KLASAVE’! Liberale, 01. 06. 2020

 Termat ‘qeverisje policore’ dhe ‘polici e militarizuar’ i kemi përdorur për herë parë në kohën kur Rilindja ishte në kulmin e “reformës” së shembjes së ndërtesave që nuk i pëlqenin. Termi ‘qeverisje policore’, i referohej përdorimit të policisë nga qeverisja edhe në ushtrimin e disa funksione qeverisëse për të cilat nuk është fare e nevojshme, sikurse është kontrolli ndërtimor i territorit. Kurse termi ‘polici e militarizuar’ lidhej me një profil të ri ushtarak që po i jepte vetes policia në atë kohë ndërsa po shfaqej në publik me armë dhe pajisje luftarake edhe kur shkonte të “luftonte” me ndonjë grua me fëmijë që rezistonte në mbrojtje të banesës që do të shembej.

Me diferenca të lehta përgjatë viteve të rilindjes, ky do të ishte prezantimi dhe sjellja e Policisë së Shtetit, derisa Drejtori i Përgjithshëm të na prezantonte edhe një karakteristikë tjetër të saj. Ai, në një komunikim me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi se trajtimi jo dhe aq ‘sipas manualit policor’ të një adoleshenti nga policia mund të argumentohej edhe nga fakti se ai adoleshent i përkiste ‘familjes së gabuar’! E thënë me fjalë të thjeshta, nëse adoleshenti i dhunuar nga policia do ti përkiste një familje tjetër, për të njëjtat veprime “anti-ligjore” do të trajtohej më butë. Kjo deklaratë e Drejtorit të Policisë do ta na prezantonte me ‘Policinë Politike’ të rilindjes.

Këtu duhet të bëjmë një sqarim të vogël por të domosdoshëm, kur themi ‘politike’ nuk e kemi fjalën për ‘partiake’, sikurse shpesh ngatërohet në Shqipëri. Policitë e fazave të ndryshme të qeverisjes së tranzicionit, diku më shumë e diku më pak, gjithmon kanë qenë partiake. Gjithmon ju kanë shërbyer më shumë partive sesa Shtetit. Ju kanë shërbyer partive sepse ato kishin në dorë ti emëronin e ti shkarkonin, por asnjëherë nuk kanë qenë politike. Policia u bë politike, ose më sakt u prezantua se ishte, kur Drejtori i Policisë deklaroi se ajo zbaton forma të ndryshme të ‘dhunës legjitime’ të Shtetit ndaj individëve që përbëjnë grupe të ndryshme kulturore.

Kur qytetarët e një Shteti nuk janë të barabartë përpara ligjit sepse Policia e Shtetit i trajton ‘për fëmijët e kujt janë’ dhe jo ‘për atë që ata kanë bërë’, atherë ai Shtet është larg të qënit një ‘shtet i së drejtës dhe sundimit të ligjit’. Ndërsa kur, vendimarrjen për mënyrën specifike të trajtimit policor të secilit individ e merr Policia e Shtetit, atherë kemi të bëjmë me një Shtet që e mbështetet funksionimin e tij në një ‘Polici Politike’, dhe që nuk i duhen instrumentat e tjera të sistemit të drejtësisë. Por i duhen ata “deputetët” që e dëgjuan në mënyrë të dretpërdrejtë deklaratën e Kryepolicit mbi trajtimin e qytetarëve sipas llojit të familjes, dhe nuk reaguan!

Koncepti individë të fajshëm që në lindje sepse ju përkasin familjeve fajtore, nuk është një koncept i ri për shqiptarët. ‘Klasa Fajtore’ së bashku me ‘Policinë Politike’ dhe ‘Shtetin Klasor’, janë tre konceptet bazë mbi të cilat u ndërtuan organizimi i institucioneve shtetërore dhe marrdhëniet shoqërore përgjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Por ky koncept nuk është i huaj as për europianët e Luftës së Dytë Botërore, apo për gjyshërit e këtyre europianëve të sotëm që vijnë në Shqipëri dhe na japin ‘leksione demokracie’ kur dikaturat i kanë njohur vetëm nga filmat artistik. Edhe ata i njohën ‘Racat Fajtore’, ‘Policinë Politike’ dhe ‘Shtetin Racor’.

Komunizmi dhe fashizmi, si dy anë të të njëjtës ideologji kolektiviste, pavarësisht nëse i ndanin njerëzit në ‘klasa’ apo në ‘raca’ të ndryshme përdorën ‘Policinë Politike’ për tu siguruar se ata  që nuk do ti nënshtroheshin vullnetit të Udhëheqësit, do të dënoheshin. Sikurse ndodhi edhe me adoleshentin ‘me njollë në biografi’, që nuk zbatoi me përpikmëri shtrëngimet e vendosura nga Udhëheqësi fuqiplotë. Prandaj  çështja e kësaj deklarate të Kryepolicit të vendit, nuk duhet kaluar si një shprehje e injorancës së institucioneve shtetërore për të dalluar një ‘të vërtetë artistike’ nga një ‘e vërtetë faktike’, sikurse po na thonë segmente të medias të bëjmë.

Thelbi i deklaratës së Kryepolicit nuk është as ‘shkelje e privatësisë së shtetases’ sikurse na thotë Partia Demokratike, që nuk komunikon politikisht prej shtatë vitesh. Ai është një hap më tej në proçesin e shkatërrimit të institucioneve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë liberale, që ka nisur që me ardhjen e Rilindjes në qeverisje dhe shkon paralel me depolitizimin e opozitës. Diametrikisht në të kundërt, deklarata e Drejtorit të Policisë së Shtetit, dëshmon se Policia e Shtetit tashmë është plotësisht Politike. Kjo është edhe arsyeja pse “deputetët” nuk  reaguan kur dëgjuan akuzat ‘për familjen fajtore’ të adoleshentit, dhe pse Rilindja nuk e shkarkon Drejtorin.



Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA DHE ARSIMI