BAZIKE TE QEVERISE RAMA
NUK MUND TË KETË PUNËSIM MASIV PA PLANIFIKIM TERRITORIAL. Mapo, 11.10.2013
Fushata zgjedhore e qershorit përfundoi. U shpallën edhe fituesit. Ishin të majtët që u përzgjodhën nga sovrani të na drejtojnë në katër vitet në vazhdim. Partitë fituese erdhën në seancën kuvendore të miratimit të përbërjes së Qeversisësë re, me një program qeverisës të përbashkët. Në fakt, njëra parti e quante program qeverisës ndërsa tjetra program politik, por sidoqoftë të dyja e mbrojtën njësoj. Si një produkt të unifikuar të dy linjave të diferencuara partiake, në fushatën që parapriu zgjedhjet e qershorit. Programi qeverisës apo politik i Qeverisë së re u godit nga ligjërimet e opozitës së re në tre drejtime kryesore. Së pari, se nuk ishte realist dhe i zbatueshëm, së dyti, se nuk përfshinte të gjitha premtimet e fushatës dhe së treti, se nuk ishte i detajuar dhe i mungonin shifrat. Duke shpresuar se debati politiko-teknik mbi programin do të vazhdojë edhe në dimensionin e komponentëve të tij, mund të themi një gjë të sigurt. Përsa i përket komponentit të punësimit, programi përcaktonte detyrime të qarta për qeverisjen katër vjecare. Ai (programi) përcaktonte punësimin e treqind mijë shqiptarëve përgjatë kësaj periudhe kohore. Shumë (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh: gjëndjen e tregut real të punës; gjendjen e likuiditetit të brendshëm për investime të reja; premtimet për taksim progresiv; krizën Europiane për remitanca apo investime të huaja. Pak (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh nivelin e lartë të papunësisë prej një milion vetësh, varfërinë e tejskashme që do të kërkonte dy apo shumë punësimin për të njëjtin të papunë, rininë studentore që mund të punësohet part-time.
Sidoqoftë, programi ngarkon Qeverinë të krijojë 300 000 vende të reja pune. Nga të cilat 40 000 në industrinë prodhuese dhe 12 000 të lidhura më to, 15 000 në industrinë e lidhur me detin dhe 155 000 në aktivitete bujqësore dhe blektorale. Përmes reformës në programin e ndihmës ekonomike 62 000, në industrinë e turizmit 11 000 dhe në fushën e teknologjisë së informacionit 4 000. Pra, në total 300 mijë, ndërsa në sferën e aktiviteteve të ekonomisë prodhuese (që na intereson për këtë shkrim), 52 mijë vende të reja pune. Pak, mua më duken pak. Jo vetëm se shprehin vetëm 30% të nevojës së identifikuar nga programi, por edhe se mundësitë mund të jenë më të mëdha. Sigurisht, nëse nuk ndjekim rrugën e improvizimit të deri tanishëm. Nëse ndyshojmë mënyrën e të menduarit. Sepse nëse ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe vendosim se cfarë do bëjmë me burimet tona natyrore dhe terriroriale, burimet tona njerëzore dhe burimet tona financiare, atherë cdo gjë është më e thjeshtë. Mjafton që qëndrimeve tona politike për cdo fushë zhvillimi ekonomik, t’u japim kuptim gjeografik/territorial. Pra, të planifikojmë zhvillimin e territorit sipas nevojave ekonomike dhe mundësive konkrete të burimeve natyrore. Nëpërmjet një qasje të fortë propocionaliteti në planifikim pasi kemi vendosur llojin e industrive prodhuese që duam të zhvillojmë, të përcaktojmë se, ku duhet të zhvillojmë industritë prodhuese, dhe ku është zona më oportune për secilin lloj zhvillimi industrial.
Një model që ka dhënë rezultate shumë positive në Europë por edhe në vende të tjera të zhvillura, është modeli i “Parqeve Ekonomike”. Ato janë projektuar për së pari në fillim shekullin e kaluar, në vendet Anglo-Saksone dhe të zhvilluara, dhe vazhdojnë të krijohen në vendet në zhvillim edhe në ditët tona. Përfitimi prej tyre është i shumëfishtë. Avantanzhi kryesor i tyre është se industritë vendosen të grupuara, cka siguron bashkrendimin dhe mbrojtjen e tyre, kosto të ulët të pajisjes me infrastrukturë, madhësi të përshtatshme të parcelës ku zhvillohen, clirimin nga konfliktet kufitare të përdorimeve të ndryshme dhe mbi të gjitha minimizim i dëmtimeve të territorit dhe mjedisit. Ndërsa kërkesat e tyre janë minimale. Lokalizimi pranë rrymave të trafikut dhe troje të sheshta e të forta. Sidoqoftë, nuk mund t’ju them nëse 52 mijë vende pune janë shumë apo pak. Aq më pak nuk mund t’ju them nëse do krijohen këto vende apo jo, pas katër viteve. Por një gjë mund t’jua them me siguri. Nëse ndiqet kjo rrugë dhe ky model, mundësitë janë të mëdha. Burimet territoriale dhe natyrore janë, burimet financiare mund të gjenden nëse bisnesit i ofrohen projekte konkrete, burimet njerëzore mund të krijohen nëse dimë se kush do të jenë aftësitë e kërkuara nga tregu. Mjafton dëshirë e vullnet dhe planifikimi territorial do ta kryej këtë punë për ne. Kjo është rruga. Sepse jashtë planifikimit territorial nuk mund të ketë zhvillime ekonomike të qëndrueshme. Aq më pak krijime masive të vendeve të reja të punës.
REPUBLIKA E FASADAVE. Mapo, 17.11.2014
Thonë se kur njeriu nuk di cfarë të bëj dhe i duhet të bëj domosdoshmërisht dicka , ripërsërit atë që ka bërë edhe më parë. Vecanërisht atë që mendon se e ka bërë më mirë se cdo gjë tjetër apo atë që mendon se e ka projektuar, atë vet, si fitimtar në sytë e publikut të tij. I shkëputur totalisht nga Partia Socialiste, që do të thotë në mungesë të dimensionit professional dhe burokratik të kësaj partie, dhe në mbështetje të ideve “pa ide” të programit të tij qeverisës prej 406 fjalësh në multi-sektorin e zhvillimit të territorit, z. Rama prej një viti po përsërit vetveten. Po përsërit, në rolin e Kryeministrit, atë që mendon se e ka bërë më mirë dhe e ka projektuar, atë vet, si fitues në sytë e shqiptarëve, në kohën kur ka qënë Kryebashkiak i Tiranës. E kam fjalën për lyerjen e trefaqeve të dukshme të fasadave të pallateve fasadë të akseve rrugore kryesore të Tiranës. Megjithëse këtyre pallateve tashmë u ka dal shkëlqimi i bojatisjes së një dekade më parë dhe shfaqen më të mjeruara se në atë kohë, duket se z. Rama e ka ndarë mëndjen ta injektoj këtë dimension të Tiranës kudo nëpër Shqipëri. Mirëpo, me një ndryshim në procesin e projektimit dhe menaxhimit. Nëse kur ishte Kryebashkiak, i sillnin kopje të fasadave dhe ai i ngjyroste duke prodhuar projektin që më tej duhej të zbatohej me besnikëri të plotë në objekt, tani nuk ndodh më kështu. Tani ai thjesht tregon me gisht objektin në Tiranë, që duhet duhet të përdoret si projekt për një objekt tjetër në një qytet tjetër të Shqipërisë.
Mirëpo, përtej dimensionit qesharak, ky projekt urban i shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë shfaq edhe problematika shumë të rënda. Për të cilat do preferoja të flisnim sot. Në koshiencë të plotë të faktit se jam duke përsëritur veten, nuk mund të ri pa thënë se ky project urban, sikurse shumë të tillë të ndërmarra vitin e fundit, është në kundështi të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. C’ka, si ngjarje e izoluar, nuk është një gjë e mirë. Porse kur përsëritet e ripërsëritet, kthehet në mentalitet qeverisës, dhe të drejton në stabilizimin e një qeverisje autoktatike. Në stabilizimin e një qeverisje personale (të një individi) që asfikson deri në mbytje proceset e domosdoshme decentralizuese. Dhe kjo është një gjë shumë e keqe. Nuk jam duke folur për aspektin teorik, të parimit demokratik të subsiaritetit apo të procesit demokratik të decentralizimit. Jo. Jam duke folur për dimensionin praktik të aplikimit të të drejtave individuale e qytetare të një komuniteti. Të një komuniteti local që vendos vet se cfarë duhet bërë specifikisht që qyteti i tyre specifik të jetë më mirë i jetueshëm. Por ta lëmë demokracinë e të vijmë te logjika e thjeshtë njerëzore. Si mundet të besohet që projekti më i mirë për të gjitha qytetet, të jetë i njëjti projekt? Nuk bën kuptim! Qytetet kanë specifika të ndryshme. Nevoja të ndryshme. E vetmja nevojë e njëjtë, është planifikimi urban. Në fund të të cilit mund të kuptosh se kush janë nevojat prioritare për cdo qytet më vete.
Mirëpo, Ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban nuk e di këtë. Nuk ka kush t’ja thotë. Sepse, nëse do të donin të bënin dicka productive për qytetet, duhet të financonin hartimin e planeve vendore të territorit të tyre. Por edhe sikur Ministrja ta dinte, kush e pyet atë për cështje urbane?! Ne kemi Kryeministrin jo vetëm ekspert senjor të urbanistikës por edhe të tregut të pasurive të paluajtshme. Ky është aq sigurt që vlera e apartamenteve do të ngrihet pas këtij projekti, saqë nuk pranon të kuptojë se tregu ka rregullat e veta dhe nuk varet nga qëndrimet politike. Se në një treg të lirë cmimi negociohet midis kërkesës e ofertës dhe nëse kërkesa ngelet e njëjtë, rrihte sa të duash ofertën ti, nuk ndodh asgjë. Thjeshtë nuk të shitet. Ka edhe një gjë tjetër që nuk po arrin ta kuptojë Kryeministri. Nuk po kupton se pallatet që po ju lyen fasadat kanë 30 – 40 vjet pa mirëmbajtje, rinovim e modernizim. Cka është shumë kritike dhe jetike për to. Këto objekte qëkur janë ndërtuar kanë pasur problemet e tyre, për shkak të politikave ndërtimore, teknologjive apo materialeve të ndërtimit të përdorura në to. Po t’i shtosh këtu edhe moshën që kanë mbi shpinë? Keq na del llogaria. Akoma më keq është puna po të kuptojmë modernizimin që ka pësuar shkenca dhe praktikat ndërtimore përgjatë kësaj kohe dhe nevojën e këtyre ndërtesave për tu update-uar apo “sjellë në ditët tona”. Vecanërisht dhe specifikisht në kontekset e ndryshimeve klimaterike që po pëson bota.
JEMI NË DEBATIN E DUHUR POR NË KUPTIMIN E GABUAR. Mapo, 8. 01. 2015
Vëmendja e qeverisjes socialiste ndaj cëshjeve urbane duhet përgëzuar. Njerëz të ndryshëm me interesa të ndryshme dhe kuptime të ndryshme mbi gjënë do ta përgëzonin qeverisjen, për një gamë të gjerë arsyesh. Personalish, do ta përgëzoja që hapi një debat publik, me dashje apo jo, për cështjet e urbanistikës dhe kontrollit të zhvillimit në territor. Hapja dhe mbajtja në vëmendjen e diskutimit publik të cështjeve urbane është një nga dy dimensionet e planifikimit urban. Biles, dimensioni më i rëndësishëm. Kjo është të bësh planifikim urban, të diskutosh publikisht duke përfshirë sa më shumë individë dhe grupe të interesuar. Dhe pasi arrin në kompromise sa më të gjëra për këto cështje, at’herë të marrësh një laps dhe një letër dhe këto dakortësi t’i protokollosh ose si vizatime ose si shkrime.
Dimensioni shkencor, sigurisht, nuk duhet t’u mungojë këtyre diskutimeve. E kam fjalën për njerëzit që për shkak të praktikave të përsëritura, leximeve mbi këto tema dhe vecanërisht për shkak të studimeve të kryera, kanë grumbulluar një sasi njohurish mbi cështjet. Këta janë shumë të vlefshëm edhe për të menaxhuar dhe koordinuar debatin apo për të përfaqësuar palët e papërfshira. Si fëmijët, brezat e ardhshëm dhe grupet e komunitetet në minorancë. Në këtë kuptim, sjellja në debatin publik e diskutimeve mbi cështjet urbane është një gjë e mirë me të cilën duhet të biem dakort. Mirëpo, ajo për të cilën nuk duhet të dakortësojmë me qeverisjen është mënyra apo mjetet e përdorura. Të cilat, janë shumë të rëndësishme në demokraci. Sikurse janë edhe procedura dhe institucioni përgjegjës për marrjen e vendimeve. Megjithëse debati konkret ka munguar, duhet thënë se vështirë të gjendët shqiptar vecanërisht resident në përqëndrimet urbane të Shqipërisë së mesme apo perëndimore, që nuk ndan mendim të njëjtë mbi këto qytete. Mendimin se, janë bërë të pajetueshme. Mendimin se janë shumë kaotike. Mendimin se kanë densitete të larta banimi. Mendimin se ju mungonjë hapsirat e hapura dhe shoqërore. Mendimin se ju mungojnë infrastrukturat inxhinierike dhe sociale. Se janë të formuara në masë të madhe nga pallate të larta, masive dhe të shëmtuara. Pallate që nuk lejojnë as diellin të hyjë nëpër banesa. Pallate që nuk lejojnë as ambulancat apo zjarrfikset të hyjnë në zonën në rrezik. Këto janë problemi i vërtetë. Dhe të thuash politikisht ‘të prishen ca ndërtime se i bëjnë keq qytetit’, nuk është zgjidhje e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në fakt, nuk është as thjeshtë zgjidhje. Është një përgjigje arrogante dhe që del nga i njëjta kuptueshmëri sikurse ajo që i ka krijuar këto probleme. Nga kuptimi dhe interpretimi i cështjeve urbane në dy dimensione totalisht të gabuara. Së pari është fragmentarizimi i zhvillimit. Vlerësimi i cështjeve të zhvillimit rast pas rasti dhe jo si një grup që merr valencë urbane vetëm si një entitet i unifikuar. Sikurse, ka qënë praktika e lejedhënies ndërtimore në 20 vitet e fundit. Cdo rast që paraqitej me kërkesë për zhvillim i është kthyer një përgjigje e fragmentarizuar duke vlerësuar vetëm kërë kërkesë. C’ka ka injoruar kontributin potencial të një dije shkencore që njihet dhe akumulohet të paktën prej 200 vjetësh. Planifikimit urban. Injorim që vazhdon edhe sot që kemi vendosur të prishim ato që dikur kemi ndërtuar. Kjo mënyrë e fragmentarizuar e të vlerësuarit të mundësive për zhvillim ndërtimor ka komplementuar me dimensionin tjetër, të kësaj mënyre të gabuar të të kuptuarit të cështjeve urbane. E kam fjalën për atomizimin e interesave. Secili individ apo grup ka mbrojtur interesat të atomizuara personale në kurriz të interesave të individëve dhe grupeve kufitare. Duke i parë kufitarët si konkurentë apo akoma më keq si armik. Sikur e mira për ta të ishte e barasvlefshme me të keqen për interesat fqinje. C’ka ka rezultuar me zona banimi me mangësi ekzistenciale. Dhe kjo ka rezultuar në dëm të të gjithëve. Sikurse, në dëm të të gjithëve do të jetë edhe produkti i aksioneve aktuale qeverisëse. Dhe cdo veprimtarie tjetër, në të ardhmen, që nuk paraprihet nga produkte të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse planifikimi urban.
INEPTOKRACIA SHQIPTARE DHE PLANET KOMBËTARE TË TERRITORIT. Mapo, 07. 12. 2015
Nëse do të ishim të detyruar të emërtonim qeverisjen Rama të këtyre dy vjetëve me vetëm një epitet, pa mëdyshjen më të vogël do të përdorja titullin ‘Ineptokraci’. Për një kuptim të gjerë të këtij epiteti mund të themi se kështu quhen qeveritë që karakterizohen nga lider inkompetentë. Për ta zbutur pak hidhësinë e përkufizimit, jo pa qëllim përdora dy fjalë të huaja por gjerësisht të njohura. Megjithëse mund të ishte interesante, nuk do hyjmë në historikun e termit porse mund të prekim etimiologjinë e saj. Kjo fjalë, cka e bën edhe më të pushtetshme, vjen nga dy gjuhë të ndryshme: nga frengjishtja fjala ‘inep’, që do të thotë ‘i paaftë’, dhe; ‘cratos’nga greqishtja e vjetër, që do të thotë ‘pushtet’. Përjashtuar ndonjë gjitholog të vetmuar, vështirë të gjendet sot ndonjë zë publik që vlerëson pozitivisht veprimet thellësisht inepte të kësaj qeverisje. Tashmë, në këtë varg të gjatë janë reshtuar edhe eksponentë nga gjysma LSI-ste e kësaj qeverisjeje. Përjashtim bën vetëm nukli ojq-ist që kanë shoqëruar z. Rama që nga opozita, për tu përfshirë në ekzekutivin e sotëm. Duket si e rastësishme, por nuk është. Ka arsyet e veta, që shoqërojnë krijimin e forcimin e asaj që në Shqipëri quhet shoqëri civile, porse në fakt janë ‘shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuara’, produkti i të cilave ka qënë i porositur. Me një fjalë, një lloj fasonerie që ndonjëherë edhe produktin e marrin të gatshëm nga interneti.
Do ishte shumë naive të prisje që këto lloj ekipesh, me këto lloj aftësisht, të ndërtonin qëndrime politike dhe programe qeverisëse. Jemi duke folur për programe reale dhe jo një grumbull fjalësh të vëna me forcë të rijnë bashkë. Sepse një të tillë e kishte edhe kjo qeverisje. Kishte një seksion edhe për cështjet e zhvillimit të territorit, përfshirë legalizimet dhe turizmin. Plot, 406 fjalë. Pak më i shkurtër se fjalia më e gjatë e Kryeministrit në librin e tij ‘Kurbani’. Duket se, ekipi qeverisës i zhvillimit të territorit, nuk i morri Kryeministrit thellësinë dhe gjatësinë e tjerrjes së mendimit, por praktikat e tij kur menaxhonte Tiranën urbane. Kështu që për dy vjet, trajtimi i cështjeve urbane i ngjante një déjà vu-je obeze. Meremetuan godinën e Kryeministrisë sikurse godinën e Bashkisë një dyzinë vjetësh më parë. Vendosën një moratorium për ndërtimin, të cilin mund ta shkeli vetëm z. Rama. Ndërmorrën aksionin e prishjeve të ndërtesave paleje apo me leje të pamoralshme, me kuptim dhe produkt zero. Iniciuan të këtilla turli kinkalerirash për të ardhur te projekti i ‘Rilindjes Urbane’ të qëndrave të qyteteve! Lyen fasadat që po ju bien suvatë nga mungesa e mirëmbajtjes e rinovimit dhe kthyen në këmbësore rrugët qëndrore. Kështu të papunët e disafishuar mund të hanë fara luledielli dhe të marrin nëpër gojë dynjanë, vecanërisht ditëve kur nuk janë të përmbytura nga vëshimi i ujrave të shiut nëpër qytetet pa infrastrukturë.
Produkti që i lejon të shprehin më mirë vetveten politike është ligji i 2014. Si një kopje identike e sivëllajit të tij të 1978 “për hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të qyteteve, fshatrave dhe qëndrave të banuara”, ai centralizon cdo gjë. Cdo gjë e bën ose ministria ose kryeministria! Kryeministria jepka lejet e ndërtimit, ndërsa ministria bëka planet urbane! Dhe në këtë rrëmujë mosdije dhe mbrojtje interesash speciale, ministria paska marrë përsipër të bëj edhe tre plane kombëtare. Do bashkokan Tiranën me Durrësin në një qytet të vetëm, për popullimin e të cilit do t’ju duhet të gjejnë 7 milion shqiptar të tjerë. Dhe, do hartokan planin e zhvillimit të turizmit për bregdetin jonian, për herë të tretë pas qeverisë Nano e qeverisë Berisha! Si një qershi mbi tortë, do bëkan edhe Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit. Këtë ja kanë besuar Agjensisë Kombëtare së Planifikimit të Territorit! Njësoj si 37 vjet më parë, besojnë se planifikimi territorial qënkan ca vija dhe njolla me ngjyra në tabakë të mëdhenj letre. E kanë të pamundur të superojnë paaftësinë dhe botkuptimin e tyre bolshevik, për të kuptuar se së pari planifikimi është qëndrim politik. Vecanërisht planifikimi strategjik kombëtar. Nuk është për ti vënë faj! Nga koha ku mëndjet e tyre vijnë, qëndrimet politike ishin vendosur një herë e përgjithmon në librat e shenjtë të shokut Enver, dhe cdo gjë në lidhje me planifikimin kishte vetëm kuptim algjebrik apo gjeometrik.
RECELI I FTOIT DHE KONKURSET NDËRKOMBËTARE TË PROJEKTIMIT URBAN! Mapo, 05. 01. 2016
Diku nga fundi i viteve ’90-të, pasi kishim ngopur urinë për mallra importi, ne shqiptarët kthyem sytë nga prodhimet ushqimore vendase. Na kishte marrë malli për aranxhatën, sallamin dhe të tjera prodhime shqiptare të para viteve ’90-të! Kërkonim të njëjtën shije si vite më parë dhe nuk e kuptonim, se ashtu të mbingopur nga volumi i konsumit gjithfarësoj produktesh ndërkombëtare, nuk mund të gjenim shije të përjetuara në kohë urije. Mundoheshin mjeshtërit e asaj kohe të përdornin të njëjtit përbërës, të njëjtat receta e të njëjtat procedura përpunimi – por jo- nuk ja dilnin dot të na kënaqnin. Një synim i pamundur, përsa problemi nuk qëndronte te produkti por te konsumatori. Kishim ndryshuar ne! Garës së shijes, që nuk mund ta fitonte askush, ju atashua edhe gara për koston. Për të ishte më e lehtë të garoje sepse ishte më objektiv. Mjeshtërit u larguan nga tavolina e garës, në të cilën triumfuan ata që kënaqnin vetmashtrimin tonë të cmimit më të ulët për të njëjtin produkt. Kështu ndodhi edhe me recelin tim të preferuar, atë të ftoit. Amatorët, në kornizën e re të pranuar se shijen e asaj kohe nuk e arrijmë dot dhe cmimi më i ulët të bën fitues, zëvendësuan ftoin me karrotën në recelin e ftoit. Kush mund ti pengonte? Deontologjia! Deontologjia e kujt? Ata nuk ishin mjeshtër të bërjes së recelit të ftoit që synonin komercializimin e produktit të tyre, ata ishin vetëm ca tregtarë recelësh që për target kishin fitimin.
Në të njëjtën situatë amatoreske gjendemi me cështjet urbane. Larguam urbanistët dhe ja kemi besuar urbanistikën tregtarëve. Mirëpo, tregtarët japin përgjigje tregtarësh. Të mpleksur me interesa partie dhe të devijuar prej kohësh drejt formës në injorim të përmbajtjes, ata nuk na thonë dot të vërtetën thelbësore. Sikurse tregtarët që recelin e ftoit e bëjnë me karrotë nuk na e thonë dot pse produkti i tyre është shumë më i kuqeremtë dhe shumë më i ëmbël se origjinali sepse nuk mund të dëshmojnë mashtrimin, edhe tregtarët e urbanistikës nuk na drejtojnë dot në zgjidhje të cështjeve komplekse urbane. Kështu që na japin shfaqje me konkurse ndërkombëtare, të jurive ndërkombëtare dhe konkuruesve ndërkombëtar. Mirëpo, teatro të tilla përvecse nuk japin zgjidhje në përmirësimin e situatës urbane janë edhe antiligjore në tërrësinë e tyre. Të shesësh karrota të ziera e të sheqerosura për recel ftoi është një mashtrim publik dhe dënohet nga ligji. Sikurse është një maskaradë antiligjore seriale, të shesësh për projekte rilindjeje urbane shfaqje teatrale me juri, garues, procedura dhe organizator jashtë cdo kornize ligjore.
Për ta nisur nga qasja e fragmentarizuar e ofrimit të “zgjidhjes”. Që nga ligji i 1978 -ës e deri te ligji i vjetshëm ‘për planifikimin e territorit’, të gjithë saksionojnë karakterin hirearkik dhe të shkallëzuar të zgjidhjeve urbane. Nëse tenton të japësh zgjidhje për një pjesë të qytetit (projekt pjesor), ajo duhet të jetë parashikuar dhe miratuar në një propozim zgjidhje të një shkalle më të gjerë (plane urbane për tërrësinë territoriale të qytetit). Në të kundërt, propozimet e miratuara nga këto konkurse jo vetëm nuk qëndrojnë teknikisht për mungesë koordinimi vertikal, porse shkelin edhe ligjin. Për të vijuar me konkuruesit dhe vlerësuesit ndërkombëtar. Përtej kompleksit të inferioritetit fshatarak, pjesmarrja tyre është antiligjor. Jo vetëm sepse nuk ekziston asnjë ligj që përcakton si përzgjidhen për tu përfshirë, cka është një vendimarrje preferenciale. Pra e dënueshme nga ligji! Por edhe sepse, sipas ligjit shqiptar për të drejtat e ushtrimit të profesioneve, ata nuk janë fare arkitektë apo urbanistë. Mund të jenë arkitektët dhe urbanistët më të mirë të botës. Kush mund ta thotë me siguri!? Por nuk kanë të drejtën ligjore të ushtrimit të këtij aktiviteti në Shqipëri. Sepse të kryesh një aktivitet projektues në Shqipëri duhet të kesh kryer dy etapa: së pari të jesh diplomuar dhe së dyti të kesh kryer disa vjet praktika trainuese.
Për ta mbyllur me procedurat e “konkurimit” dhe “autoritetin” që i ndjek këto, mund të flasim shumë, por le të fokusohemi te më shteruesit ndër argumentat. Këto konkurse kushtojnë në vetvete dhe në fund të tyre shpërndahen para publike për fituesit. Bile, edhe për implementimin e projekteve fituese investohen para publike. Por pakkush nga këto gara i nënshtrohen kushtëzimeve ligjore mbi prokurimin publik. E njëjta situatë jashtëligjore me veprimtarinë e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit që i organizon këto shfaqje. Edhe, sipas ligjit që kanë miratuar vetëm një vit më parë, autoriteti i saj është i paqënë në ushtrimin e këtij aktiviteti.
SHAKAJA E ‘DËGJESAVE PUBLIKE’! Mapo, 21. 01. 2016
Viti 2015 u mbyll me një sihariq të madh në fushën e zhvillimit të planifikuar të territorit kombëtar. Qeverisja qëndrore, për herë të parë në 30 muaj ndërmori një inisiativë të dimensionit kombëtar të zhvillimit territorial. Ajo ka startuar - sikurse deklaron - hartimin e tre planeve kombëtare të territorit. Pasi u sorollat ca kohë me projekte të fragmentarizuara lagjesh e blloqesh banimi në disa qytete shqiptare, mësë fundi u kujtua që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të hartuar politika, plane, programe dhe projekte mbi cështjet kombëtare të territorit. ‘Më mirë vonë se kurrë’ thotë populli, kështu që të shpresojmë se duke bërë sikur po merret me punët e saj, qeveria qëndrore të lejojë njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë funksionet e tyre qeverisëse. Edhe kaq do ishte një fitore e madhe, në kuptim të demokracisë vendore por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të qëndrave urbane. Po kush janë këto tre plane kombëtare? Nëse i ndjek me shumë vëmendje, diskursin misterioz të Ministrisë së Zhvillimit Urban, mund të kuptosh se në fakt kemi të bëjmë vetëm me një plan kombëtar: Planin e Përgjithshëm Kombëtar.
Dy të tjerët nuk janë të tillë! I pari, i njohur me titullin plani ‘Durrana’ është një plan ndërvendor. Sikurse e thotë edhe emri, ai është një plan që kërkon të japi propozime zhvillimi për një hapsirë që përfshin territorin nën juridiksionin e bashkisë Durrës dhe territorin e bashkisë Tiranë, si të ishin një i vetëm. Dhe kushdo që ka njohuritë më minimale mbi kulturën shqiptare të planifikimit territorial e kupton që kemi të bëjmë me një plan ndërvendor dhe se autoriteti që moderon hartimin e këtij lloj plani është një grup pune i ngritur nga dy bashkitë e përfshira. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si një plan kombëtar, sikurse nuk mund të konsiderohet as i dyti: plani i jugut bregdetar. Sepse edhe ky, megjithëse shumë më pak i rrezikshëm në lidhje me depopullimin e trojeve shqiptare, nuk është një plan kombëtar. Një plan kombëtar- dhe kjo nuk ka lidhje me ideologjinë, sepse, i tillë është edhe në demokraci sikurse në diktaturë, si në qeveri të majtë ashtu edhe në të djathtë- është ai plan që jep propozime, orientime apo direktiva/normativa për të gjithë territorin që përfshijnë kufinjtë kombëtar.
Ky është kuptimi termit plan kombëtar, dhe ata mund të ndahen në tre klasifikime. Ka plan kombëtar sektorial që hartohet për një sektor të caktuar zhvillimi apo mbrojtje. Sikurse mund të jetë plani kombëtar i aeroporteve, apo plani kombëtar i zonave të mbrojtura natyrore. Ka gjithashtu plane kombëtare ndërsektoriale, që do të thotë plane që integrojnë dy apo më shumë sektorë. Për ta sqaruar, si shëmbull mund të marrim planin ndërsektorial të transportit kombëtar, ku integrohen plani i aeroporteve, porteve, sistemit rrugor kombëtar dhe sistemit hekurrudhor. Një qeverisje e përgjegjëshme harton nga një plan kombëtar për cdo sektor të zhvillimi ekonomik dhe për cdo sector konservimi natyror, që ligji i njeh si ‘funksion të vet’ qeverisjes kombëtare dhe për të cilët ajo harton politika kombëtare. Sepse të planifikosh zhvillimin territorial – vecanërisht në terma kombëtar – këtë kuptim ka. Pavarësisht dokrave që dëgjoni, të planifikosh territorin do të thotë tu japësh kuptim gjeografik politikave kombëtare. Në fund të fundit, është njësoj si planifikimi buxhetor që u jep kuptim financimi këtyre politikave.
Në këtë kuptim të gjësë, plani i përgjithshëm kombëtar nuk është gjë tjetër vecse integrimi sëbashku dhe prioritizimi i këtyre planeve sektorialë e ndërsektorialë, sipas prerogativave qeverisëse që shpallen në programin qeverisës. Përshembull, qeveria e kaluar vërtet nuk hartoi një plan të përgjithshëm por kishte nga një plan sektorial të miratuar me VKM për cdo sector dhe kishte prerogativë kombëtare infrastrukturën rrugore. Kështu që planifikoi, projektoi dhe financoi ndërtimin e rrugëve kombëtare. Pyetja një milion dollarëshe është: po qeveria e sotme?! Le të pranojmë se i treti për të cilët po zhvillon ‘dëgjesa publike’ të jetë një plan i përgjithshëm kombëtar. Qeverisë, nganjëherë, i duhet dhënë edhe besim. Por asnjëherë, pa marrë prej saj përgjigje për pyetjet e duhura. Së pari: pse po tallen me qytetarët? Ndërsa nuk i kanë pyetur për investime të fragmentarizuara lokale - që do kishte kuptim - pse po i marrin mendim për të vetmen gjë që konsiderohet e verifikuar pas votimit në zgjedhje. Sepse është e kuptueshme që një mazhorancë votohet për programin qeverisës dhe vecanërisht për parësitë e atij programi.Së dyti: pse planin e përgjithshëm po e bën një ministri? Nëse kemi 19 ministri që hartojnë politika kombëtarë, si është e mundur që këto i integron dhe prioritizon vetëm një prej tyre! Duket sikur kemi dy qeveri matrioshka. Për të mos folur për përfshirje të urbanistëve ndërkombëtar. Kush është funksioni i tyre politik në Republikën e Shqipërisë? Nuk bën kuptim! Në fakt, shumëcka nuk bën kuptim në këtë sipërmarrje, porse le të kufizohemi këtu. Dhe në pritje të përgjigjeve për pyetjet e duhura le të qeshim me këtë shakanë e ‘dëgjesave publike’!
CIKLI "REFORMIST" I Z. RAMA DUHET TE MBYLLET SA ME PARE! Mapo, 18. 10. 2016
Një replikë për shkrimin 'Cikli reformist i Edi Ramës duhet të vazhdojë një mandat të dytë’.
Politilogu Henri Cili, nëpërmjet një shkrimi të hënën e kaluar, nervozoi pjesën më populiste të shoqërisë shqiptare. Ajo ju përgjigj, sikurse gjithmon, duke i ikur tezës dhe argumenteve të shkrimit dhe duke u marrë me cështje të sferës personale të autorit. Për këtë nuk do flas. Më intereson ndjesia e provokimit (për mirë dhe/ose për keq) që ndjehu pjesa më e lexuar e shoqërisë shqiptare, nga ky shkrim. Ndjesi që e përjetova, dhe nga e cila po origjinalizoj edhe këtë replikë. Ndryshe nga skemat klasike strukturore të metodave të kërkimit shkencor (sigurisht ky shkrim nuk është një i tillë), unë nuk ‘do ta lë ëmbëlsirën për në fund’. Që në start do të pranoj si goxha reale (por jo plotësisht e shterueshëm të vërteta), tre fenomenet që dallon z. Cili. Sepse ështën e vërtetë se ‘jemi në kulmin e një kundështimi laraman ndaj qeverisë dhe z. Rama personalisht’, porse ky përcaktim nuk plotëson spektrin e kundështarëve të qeverisjes. Në këtë bashkësi bëjnë pjesë edhe intelektualë që kundështojnë me teza dhe argumente. Dhe kjo bën një diferencë të madhe. Dakortësoj, gjithashtu, se ‘aktor të ndryshëm politik janë duke adoptuar me shpejtësi kauza populiste’, dhe se kjo është një gjë e keqe. Mirëpo, kjo nuk është për shkak të reformave të z. Rama, por për paaftësi të intelektualëve dhe opozitës, për të drejtuar shoqërinë në kauza të qënësishme. Së fundi, është e prekshëm ngjallja e ‘ekstremizmit të majtë në vend’, por duhet theksuar gjithashtu se, kontributi i art-bunkerëve të z. Rama është bazik për këtë fenomen. Ndërsa kundështitë do ti nis me një korrigjim të vogël, por që bën një diferencë të madhe për mundësinë reale që: ‘cikli reformues i z. Rama të vijojë një cikël të dytë’, por edhe që; opozita të fitoj një cikël të parë pasi të ndryshojë drejtim drejt kauzave të qënësishme. Sepse nuk është fakt real që ‘një milion vota, kishin vendosur të zgjidhnin Edi Ramën kryeministër’!
Nëse i bën një vëzhgim (qoftë edhe sipërfaqësor) rezultateve të zgjedhjeve 2013, të del se z. Rama për kryeministër në 2013 e kanë votuar pothuajse aq shqiptar sa evotuan në 2009 (shtesa ishte vetëm 0.6%). E thënë ndryshe, nëse partitë shqiptare do të kishin hyrë në zgjedhjet e 2013 të grupuara në ato kualicione që ishin para marrveshjes së 1 prillit, sot do kishim një qeverisje Berisha-Meta. Personalisht vlerësoj se populizmi është e keqja më e madhe për shoqërinë shqiptare. Më e madhe edhe se korrupsioni. Mirëpo, ndryshe nga z. Cili unë mendoj se qeveria Rama është kampionia e populizmit qeverisës. Jo vetëm në filles të mandatit por edhe sot e kësaj dite. Bile, sot është më populiste se në fillim. Vërtet sot z. Rama, ndryshe nga tre vjet më parë që u tërhoq nga vendimi personal për të asgjesuar armët kimike siriane, nuk po tërhiqet nga vendimi për të importuar mbetje, porse ky fakt nuk ka lidhjen më të vogël me populizmin shoqëror. Ka lidhje të drejtpërdrejtë me arrogancën e z. Rama, që gjithashtu është përforcuar. Vecanërisht pas Dibrës, ai është i bindur se këtij populli mund ti bësh cdo gjë dhe prap të mbetesh Kryeministër i vendit.
Ndoshta do ishte mirë të mos isha shprehur për ‘reformën e nënpunësit civil’, sepse nuk hyn në ekspertizën time, porse po guxoj. Kam tre komponet të praktikës tre vecare për të cilat mund të replikoj. Së pari, është fatura disa milion euro në buxhetin e shtetit nga shkarkimet jashtëligjore të zyrtarëve. Së dyti, është fryrja e jashtzakonshme e administratës. Po përmend vetëm trefishimin e drejtorive që trajtojnë cështjet urbane në të njëjtën ministri, apo trajtimin e funksionit të mbetjeve të ngurta nga tre ministri njëkohësisht. Dhe i fundit, pakënaqësia e votuesve nuk erdhi si rezultat i ‘praktikave të mira në rekrutimin e administratës’, por si rezultat i premtimeve të këqia të fushatës, sepse ju premtua 5 votueve të ndryshëm i njëjti vend pune. Të ashtu quajturën reforma territoriale nuk mund ta anashkaloja. Kjo reformë aq e domosdoshme degjeneroi në një hartë me shumë ngjyra, si cdo punë e kulturës demagogjike, populiste e fasadiste Rama, të të bërit të punëve. Dhe nuk kishte si të ndoshte ndryshe, kur një reformë që për koncepte kyce ka: territorin; qytetarin dhe funksionet qeverisëse, u formua duke i injouar të treja! Por edhe për një arsye më tepër: a mundet që disa entitete të falimentuara, thjesht duke u bashkuar mekanikisht, pa marrë asnjë masë tjetër, të prosperojnë?! Këtu frymëzohet kundështia, dhe jo te ‘lënia jashtë zyrave të shtetit dhe batakcillëkut lokal’, të ishzytarëve që në fakt ju ofrua nga një punë në Tiranë apo thjesht ju ndërrua titulli por jo përfitimet (kostot e tij për buxhetin).
Së fundi, ajo që z. Cili e quan ‘reforma më e rëndësishme e kontrollit të territorit’, por që në fakt është masa më idiote që një qeveri mund të marri në një konteks të caktuar. Të mendosh se me bllokimin e ndërtimit ke shpëtuar mjedisin dhe territorin është sikur të besosh se zgjidhja për të rritjen e padëshiruar demografike është të ndalosh shoqërinë të bëj seks! Në fakt, për këtë të dytën bota normale ka “shpikur” planifikimin familjar, ndërsa për të parën ka mbledhur dije në një disiplinë tjetër, që e quajnë planifikimi territorial. Kjo masë antishkencë, është po aq populiste sikurse qeveria që e ka ndërmarrë! Sepse kërkon që me të njëjtën mendësi, prej urbanisti popullor të krijimit të problemeve që ndeshim sot në qytetet tona, ti zgjidhim ato.
KATËR HIPERDËMET E QEVERISË RAMA! Mapo, 20. 12. 2016
Për të qënë politikisht korrekt, që të përzgjedhësh dëmet më evidente të një qeverie duhet që analizën ta bësh ditët e fundit të mandatit të saj, në mënyrë që të përfshish gjithë kohën që kjo qeveri ushtron pushtetin. Pra që në fillim duhet të pranojmë kufizimet e shkrimit. Mirëpo, kam dy argumenta që e asnjëansojnë këtë efekt. Së pari argumentin teorik. Shkencat politike kanë një aksiomë gjerësisht të pranuar, sipas të cilës një rotacion demokratik nuk varet vetëm nga mënyra e dorëzimit të pushtetit nga humbësit te fituesit por edhe nga mënyra sesi fituesit sillen me administratën që gjejnë. Sepse me të njëjtën mënyrë që ata sillen me administratën e vjetër, do të sillet administrata e re me popullin. Kështu që, në vlerësimin tim, qeveria Rama e ka mbyllur qeverisjen që javën e parë të saj. Argumenti i dytë është praktik. Dëmet janë të tilla, saqë jo muajt që i kanë ngel kësaj qeverie, por edhe disa qeveri pas saj vështirë ti rikuperojnë dot. Prandaj, pa u zgjatur vijojmë me dëmin e parë. Ai është thellimi e zgjerimi deri në të pakapërcyeshëm të hendekut midis shoqërisë dhe qeverisjes. Shoqëria shqiptare e konsideron qeverisjen, përfundimisht, si një pushtim dhe stabilizim të një kaste që merr vendime për të por pa lidhje me të. Të cilën është e detyruar ta durojë për shkak të ‘dhunës legjitime’ që kjo qeverisje ushtron “për të mirën e përbashkët” mbi cdo individ. Absurd, por real! E gjitha kjo, sepse qeveria Rama në tentativën e saj ‘për të bërë shtet’ nuk zgjodhi rrugën e forcimit të institucioneve të shtetit për ti shërbyer shoqërisë, por forcën policore të të gjithë zgjatimeve të saj për të edukuar shoqërinë “parashtetërore” shqiptare. E cila ndërtonte paleje, nuk paguante energjinë dhe taksat, nuk zbatonte rregullat e qarkullimit rrugor, dhe shumë të tjera si këto. Si produkt, sot kemi një shoqëri dhe një qeverisje që udhëtojnë në rrugë të kithta me njëra-tjetrën.
Dëmi i dytë është ekzekutimi i pushtetit vendor. Që ditët e para z. Rama i hapi luftë ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme. Me stabilizimin në zyrën Kryeministrore këtë cështje e ktheu në super-reformën e tij. Cdo ministër u gjithpërfshi. Bile edhe shëndeti publik u mendua të përmirësohej nëpërmjet heqjes së kioskave nga oborret e spitaleve. Më tej, mori në dorë edhe lejedhënien ndërtimore. Askush vec tij nuk mund të jepte më leje ndërtimi. Projekti i ‘Rilindjes Urbane’ ishte kapaku i pusetës. Mirëpo, administrimi urban është një funksion vendor qeverisës. Sikurse është hartimi i listave të të pastrehëve, listave të ndihmës sociale, dhe shumë punë të tjera me të cilat qeverisja Rama u vet-njësua. Kështu që, megjithëse ishte votuar si Kryeministër, z. Rama nuk luajti dot në ‘Stadiumin Kombëtar’. Kryebashkiaku i Republikës, drejton edhe sot Atdheun me 61 drejtorët e bindur apo të pabindur të tij, në mungesë totale të qeverisjes lokale. Dëmi i tretë është deformimi, c’vlerësimi dhe rrënimi i konceptit ‘reformë’. Si cdo shtetndërtues tjetër, edhe z. Rama ndërmori një set reformash. Në fakt, reformimet e sistemeve mund të ndihmojnë në ristartimin e sektorëve të zhvillimit dhe minimizimin e korrupsionit. Mirëpo, pa dimensionin kulturor të shoqërisë dhe përfshirjen e saj, dështimi është i sigurt dhe për një kohë të gjatë. C’ka na drejton te thelbi i kësaj qeverisje. Ajo nuk ka kuptuar rregjimin shoqëror në të cilin po qeveris. Nuk kupton se populli është sovrani dhe asaj i duhet të bëj reformat e duhura për të përmirësuar jetën e tij. Porse, ka ndërtuar në mëndje një model ideal të ‘popullit që meriton të qeveriset prej saj’, dhe vijon të “reformojë” popullin që ti pështatet qeverisjes. Prandaj, të ashtuquajturat reforma janë, ose aksione militare për të rritur nivelin e ligjzbatimit ose fllucka që nuk prekin asgjë, ndërkohë që shoqëria vuan pasojat e tranzicionit përgjatë reformimit të paqënë.
Dëmi i katërt është ngadhnjimi i fasadizmit mbi racionalitetin njerëzor. Një set i gjerë projektesh e programesh lokale të ndërmarra dhe të finacuara nga qeveria Rama e kthyen Shqipërinë në një Republikë Fasadash. I stratuar me projektin ‘Lungomare’ në Vlorë (simboli i kësaj qeverisje), programi i ‘Rilindjes Urbane’ përfshiu të gjitha fasadat e dukshme të ndërtesave të dukshme në rrugët e shëtitoret e dukshme të disa qyteteve shqiptare dhe gëlltiti miliarda të shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm. Me logjikën e një zonje në moshë, që për tu kamufluar si e paraqitshme bën ndërhyrje të kirurgjisë estetike, rëndon makeup-in, shkurton minifundin e zgjeron dekoltenë, edhe z. Rama po bojatis qëndrat e qyteteve shqiptare të zhytura në ujrat kënetore të përmbytjeve ciklike dhe nën rrezikun e përhershëm të shpërthimit të rrjeteve të infrastrukturës inekzistente inxhinierike. Ndërkohë, zonja dhe Shqipëria urbane, kanë domosdoshmëri të tjera ekzistenciale!
SHTETI ANADOLLAK I RILINDJES URBANE! Mapo, 30. 05. 2017
Dy mbeten figurat e mëdha politike që nuk e njohin dimensionin shtetëror të Shqipërisë. I pari ishte Otto fon Bismark, Kancelari i parë i Gjermanisë që e konsideronte Shqipërinë ‘nocion gjeografik’. Dhe i dyti Edi Rama, Kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, i cili rreth një shekull pas krijimit të Shtetit Shqiptar ka marrë përsipër ti bëj shqiptarët me Shtet! ‘Do bëj shtet’ mund të ishte emri i dytë i këtij Lideri Global që për interesa të vogla mohon historinë e Shtetit të një prej kombeve më të vjetër të Europës. Mirëpo, unë jam edukuar e arsimuar të refuzoj me neveri të parin, kështu që me forcë dhe me neveri do injoroj edhe të dytin e të fundit prej tyre! Sepse Shteti Shqiptar është ‘bërë’ në 28 Nëndor 1912! Shtet, që megjithë tranformimet e tij dhe pavarësisht nga cilësorët që ju vunë, u trashëgua nga shqiptarët ndër breza deri sot kur z. Rama ushtron funksione qeverisëse. Prandaj, Shteti Shqiptar nuk ka nevojë të bëhet, por si cdo shtet tjetër, ai ka nevojë të modernizohet. Këtë shpresuam edhe nga z. Rama dhe e tija ‘Rilindja Urbane’. Pritëm të decentralizoj e të forcoj autonominë locale, të forcoj institucionet, të rrisi përfshirjen qytetare në qeverisje, të uli nivelin e ‘dhunës legjitime të shtetit’, të risi transparencën dhe përgjegjshmërinë e burokracisë shtetërore, të lehtësojë komunikimin e Shtetit me qytetarin.
Nëse shfletojmë dokumente politike e teknike nga të institucioneve ndërkombëtare të qeverisjeve qëndrore, qeverive vendore por edhe të unioneve të ekspertizës së zhvillimit territorial dhe urban, do identifikojmë te të gjitha nënvizimin e disa parimeve bazë. Janë këto parime, si: subsiaritetit (decetralizimi); angazhimi social (gjithëpërfshirja qytetare); integrimi dhe koordinimi i politikave; transparenca dhe përgjeshmëria, nëpërmjet të cilave bota perëndimore tenton ti evoluoj qeverisjet e veta në ‘Qeverisje të Mira’. Nëpërmjet këtyre praktikave e proceseve modernizuese, ne do të testojmë edhe Shtetin që ‘Rilindja Urbane’ “bëri” këto katër vjet. Do ta nisim me parimin e subsiaritetit (kalimit të vendimarrjes qeverisëse sa më afër qytetarit), i cili merr valencë nga procesi i decentralizimit të vendimarrjes nga qeveria qëndrore drejt qeverisë vendore. Personalish nuk arrij ta gjej në asnjë element të tij, në të kundërt qeveria e ‘Rilindjes Urbane’ rrëmbeu cdo funksion lokal. Le ta nisim nga aksioni kundër ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme (ligjërisht të diskutueshme), i cili startoi që ditët e para të saj. Funksioni më identitar i qeverisjes vendore, ai i kontrollit dhe disiplinimit të punimeve ndërtuese në territorin lokal, u përvetësua nga të gjitha ministritë me në krye Kryeministrin në vet të parë. Kalojmë te praktika e mirë europiane e fuqizimit të pushtetit vendor. Cfarë të përmendësh e masësh për të? Për të kundërtën ka shumë për të folur, por ne do mjaftohemi me ligjin e vitit 2014, ‘Për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit’! Një kthim i plotë në vitin 1978, kur u miratua sivllau i tij komunist. Bile, më i përkeqësuar, sepse ligji komunist ja njihte pushtetit vendor fuqinë (funksionin) e hartimit dhe miratimit të disa lloj ‘Planesh Vendore’, kurse ky “modernizuesi” i ‘Rilindjes Urbane’ nuk mund t’ja lejonte kurrsesi. Sipas saj, këtë meritë mund ta kishte vetëm Kryeministri dhe disa ministra të tij në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT). Parimin e angazhimit social (përfshirjen e palëve të interesuara dhe të prekura në vendimarrje), do ishte tallje publike ta konsideronim si aspiratë teorike të kësaj qeverisjeje dhe jo më të kërkonim praktika konkrete. Për të mjafton të përmendim projektin e ‘Shesheve qëndrore të qyteteve’, nga i cili u përjashtuan jo vetëm institucionet lokale, por mbi të gjitha ata që i financojnë dhe do ti “gëzojnë” këto investime publike: qytetarët! Askush nuk u pyet se cfarë projekti ishte më prioritar për qytetin, e jo më të përfshihej në vendimarrjen konkrete se si duhet të ishin qëndrat e qyteteve ku kishin lindur dhe dëshironin të jetonin pjesën tjetër të jetës. Për domosdoshmërinë e koordinimit dhe integrimit të politikave në një ‘Qeverisje të Mirë’ nuk do masim gjë, sepse në një qeverisje thellësisht të centralizuar si e ‘Rilindjes Urbane’ nuk ekzistonin nivele të ndryshme politikash. Për të njëjtën arsye nuk do ndalojmë as te parimi i transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogarillënies. A mund të jenë të tillë zyrtarët e një qeverisje që cdo gjë e di vetëm Kryeministri!? Bile edhe lejet e ndërtimit i jep vetëm Kryeministri! Kështu që, na mbetet vetëm të shpresojmë se dikush pranë tij të marri guximin dhe ti thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë që qeveria t’ju “bëj Shtet” të ri, por t’ju modernizojë këtë që kanë trashëguar.
DISFATA E TRIESTES E KA EMRIN RILINDJE URBANE! Mapo, 21. 07. 2017
Fushata zgjedhore e qershorit përfundoi. U shpallën edhe fituesit. Ishin të majtët që u përzgjodhën nga sovrani të na drejtojnë në katër vitet në vazhdim. Partitë fituese erdhën në seancën kuvendore të miratimit të përbërjes së Qeversisësë re, me një program qeverisës të përbashkët. Në fakt, njëra parti e quante program qeverisës ndërsa tjetra program politik, por sidoqoftë të dyja e mbrojtën njësoj. Si një produkt të unifikuar të dy linjave të diferencuara partiake, në fushatën që parapriu zgjedhjet e qershorit. Programi qeverisës apo politik i Qeverisë së re u godit nga ligjërimet e opozitës së re në tre drejtime kryesore. Së pari, se nuk ishte realist dhe i zbatueshëm, së dyti, se nuk përfshinte të gjitha premtimet e fushatës dhe së treti, se nuk ishte i detajuar dhe i mungonin shifrat. Duke shpresuar se debati politiko-teknik mbi programin do të vazhdojë edhe në dimensionin e komponentëve të tij, mund të themi një gjë të sigurt. Përsa i përket komponentit të punësimit, programi përcaktonte detyrime të qarta për qeverisjen katër vjecare. Ai (programi) përcaktonte punësimin e treqind mijë shqiptarëve përgjatë kësaj periudhe kohore. Shumë (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh: gjëndjen e tregut real të punës; gjendjen e likuiditetit të brendshëm për investime të reja; premtimet për taksim progresiv; krizën Europiane për remitanca apo investime të huaja. Pak (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh nivelin e lartë të papunësisë prej një milion vetësh, varfërinë e tejskashme që do të kërkonte dy apo shumë punësimin për të njëjtin të papunë, rininë studentore që mund të punësohet part-time.
Sidoqoftë, programi ngarkon Qeverinë të krijojë 300 000 vende të reja pune. Nga të cilat 40 000 në industrinë prodhuese dhe 12 000 të lidhura më to, 15 000 në industrinë e lidhur me detin dhe 155 000 në aktivitete bujqësore dhe blektorale. Përmes reformës në programin e ndihmës ekonomike 62 000, në industrinë e turizmit 11 000 dhe në fushën e teknologjisë së informacionit 4 000. Pra, në total 300 mijë, ndërsa në sferën e aktiviteteve të ekonomisë prodhuese (që na intereson për këtë shkrim), 52 mijë vende të reja pune. Pak, mua më duken pak. Jo vetëm se shprehin vetëm 30% të nevojës së identifikuar nga programi, por edhe se mundësitë mund të jenë më të mëdha. Sigurisht, nëse nuk ndjekim rrugën e improvizimit të deri tanishëm. Nëse ndyshojmë mënyrën e të menduarit. Sepse nëse ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe vendosim se cfarë do bëjmë me burimet tona natyrore dhe terriroriale, burimet tona njerëzore dhe burimet tona financiare, atherë cdo gjë është më e thjeshtë. Mjafton që qëndrimeve tona politike për cdo fushë zhvillimi ekonomik, t’u japim kuptim gjeografik/territorial. Pra, të planifikojmë zhvillimin e territorit sipas nevojave ekonomike dhe mundësive konkrete të burimeve natyrore. Nëpërmjet një qasje të fortë propocionaliteti në planifikim pasi kemi vendosur llojin e industrive prodhuese që duam të zhvillojmë, të përcaktojmë se, ku duhet të zhvillojmë industritë prodhuese, dhe ku është zona më oportune për secilin lloj zhvillimi industrial.
Një model që ka dhënë rezultate shumë positive në Europë por edhe në vende të tjera të zhvillura, është modeli i “Parqeve Ekonomike”. Ato janë projektuar për së pari në fillim shekullin e kaluar, në vendet Anglo-Saksone dhe të zhvilluara, dhe vazhdojnë të krijohen në vendet në zhvillim edhe në ditët tona. Përfitimi prej tyre është i shumëfishtë. Avantanzhi kryesor i tyre është se industritë vendosen të grupuara, cka siguron bashkrendimin dhe mbrojtjen e tyre, kosto të ulët të pajisjes me infrastrukturë, madhësi të përshtatshme të parcelës ku zhvillohen, clirimin nga konfliktet kufitare të përdorimeve të ndryshme dhe mbi të gjitha minimizim i dëmtimeve të territorit dhe mjedisit. Ndërsa kërkesat e tyre janë minimale. Lokalizimi pranë rrymave të trafikut dhe troje të sheshta e të forta. Sidoqoftë, nuk mund t’ju them nëse 52 mijë vende pune janë shumë apo pak. Aq më pak nuk mund t’ju them nëse do krijohen këto vende apo jo, pas katër viteve. Por një gjë mund t’jua them me siguri. Nëse ndiqet kjo rrugë dhe ky model, mundësitë janë të mëdha. Burimet territoriale dhe natyrore janë, burimet financiare mund të gjenden nëse bisnesit i ofrohen projekte konkrete, burimet njerëzore mund të krijohen nëse dimë se kush do të jenë aftësitë e kërkuara nga tregu. Mjafton dëshirë e vullnet dhe planifikimi territorial do ta kryej këtë punë për ne. Kjo është rruga. Sepse jashtë planifikimit territorial nuk mund të ketë zhvillime ekonomike të qëndrueshme. Aq më pak krijime masive të vendeve të reja të punës.
REPUBLIKA E FASADAVE. Mapo, 17.11.2014
Thonë se kur njeriu nuk di cfarë të bëj dhe i duhet të bëj domosdoshmërisht dicka , ripërsërit atë që ka bërë edhe më parë. Vecanërisht atë që mendon se e ka bërë më mirë se cdo gjë tjetër apo atë që mendon se e ka projektuar, atë vet, si fitimtar në sytë e publikut të tij. I shkëputur totalisht nga Partia Socialiste, që do të thotë në mungesë të dimensionit professional dhe burokratik të kësaj partie, dhe në mbështetje të ideve “pa ide” të programit të tij qeverisës prej 406 fjalësh në multi-sektorin e zhvillimit të territorit, z. Rama prej një viti po përsërit vetveten. Po përsërit, në rolin e Kryeministrit, atë që mendon se e ka bërë më mirë dhe e ka projektuar, atë vet, si fitues në sytë e shqiptarëve, në kohën kur ka qënë Kryebashkiak i Tiranës. E kam fjalën për lyerjen e trefaqeve të dukshme të fasadave të pallateve fasadë të akseve rrugore kryesore të Tiranës. Megjithëse këtyre pallateve tashmë u ka dal shkëlqimi i bojatisjes së një dekade më parë dhe shfaqen më të mjeruara se në atë kohë, duket se z. Rama e ka ndarë mëndjen ta injektoj këtë dimension të Tiranës kudo nëpër Shqipëri. Mirëpo, me një ndryshim në procesin e projektimit dhe menaxhimit. Nëse kur ishte Kryebashkiak, i sillnin kopje të fasadave dhe ai i ngjyroste duke prodhuar projektin që më tej duhej të zbatohej me besnikëri të plotë në objekt, tani nuk ndodh më kështu. Tani ai thjesht tregon me gisht objektin në Tiranë, që duhet duhet të përdoret si projekt për një objekt tjetër në një qytet tjetër të Shqipërisë.
Mirëpo, përtej dimensionit qesharak, ky projekt urban i shtrirë në shumë qytete të Shqipërisë shfaq edhe problematika shumë të rënda. Për të cilat do preferoja të flisnim sot. Në koshiencë të plotë të faktit se jam duke përsëritur veten, nuk mund të ri pa thënë se ky project urban, sikurse shumë të tillë të ndërmarra vitin e fundit, është në kundështi të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. C’ka, si ngjarje e izoluar, nuk është një gjë e mirë. Porse kur përsëritet e ripërsëritet, kthehet në mentalitet qeverisës, dhe të drejton në stabilizimin e një qeverisje autoktatike. Në stabilizimin e një qeverisje personale (të një individi) që asfikson deri në mbytje proceset e domosdoshme decentralizuese. Dhe kjo është një gjë shumë e keqe. Nuk jam duke folur për aspektin teorik, të parimit demokratik të subsiaritetit apo të procesit demokratik të decentralizimit. Jo. Jam duke folur për dimensionin praktik të aplikimit të të drejtave individuale e qytetare të një komuniteti. Të një komuniteti local që vendos vet se cfarë duhet bërë specifikisht që qyteti i tyre specifik të jetë më mirë i jetueshëm. Por ta lëmë demokracinë e të vijmë te logjika e thjeshtë njerëzore. Si mundet të besohet që projekti më i mirë për të gjitha qytetet, të jetë i njëjti projekt? Nuk bën kuptim! Qytetet kanë specifika të ndryshme. Nevoja të ndryshme. E vetmja nevojë e njëjtë, është planifikimi urban. Në fund të të cilit mund të kuptosh se kush janë nevojat prioritare për cdo qytet më vete.
JEMI NË DEBATIN E DUHUR POR NË KUPTIMIN E GABUAR. Mapo, 8. 01. 2015
Vëmendja e qeverisjes socialiste ndaj cëshjeve urbane duhet përgëzuar. Njerëz të ndryshëm me interesa të ndryshme dhe kuptime të ndryshme mbi gjënë do ta përgëzonin qeverisjen, për një gamë të gjerë arsyesh. Personalish, do ta përgëzoja që hapi një debat publik, me dashje apo jo, për cështjet e urbanistikës dhe kontrollit të zhvillimit në territor. Hapja dhe mbajtja në vëmendjen e diskutimit publik të cështjeve urbane është një nga dy dimensionet e planifikimit urban. Biles, dimensioni më i rëndësishëm. Kjo është të bësh planifikim urban, të diskutosh publikisht duke përfshirë sa më shumë individë dhe grupe të interesuar. Dhe pasi arrin në kompromise sa më të gjëra për këto cështje, at’herë të marrësh një laps dhe një letër dhe këto dakortësi t’i protokollosh ose si vizatime ose si shkrime.
Dimensioni shkencor, sigurisht, nuk duhet t’u mungojë këtyre diskutimeve. E kam fjalën për njerëzit që për shkak të praktikave të përsëritura, leximeve mbi këto tema dhe vecanërisht për shkak të studimeve të kryera, kanë grumbulluar një sasi njohurish mbi cështjet. Këta janë shumë të vlefshëm edhe për të menaxhuar dhe koordinuar debatin apo për të përfaqësuar palët e papërfshira. Si fëmijët, brezat e ardhshëm dhe grupet e komunitetet në minorancë. Në këtë kuptim, sjellja në debatin publik e diskutimeve mbi cështjet urbane është një gjë e mirë me të cilën duhet të biem dakort. Mirëpo, ajo për të cilën nuk duhet të dakortësojmë me qeverisjen është mënyra apo mjetet e përdorura. Të cilat, janë shumë të rëndësishme në demokraci. Sikurse janë edhe procedura dhe institucioni përgjegjës për marrjen e vendimeve. Megjithëse debati konkret ka munguar, duhet thënë se vështirë të gjendët shqiptar vecanërisht resident në përqëndrimet urbane të Shqipërisë së mesme apo perëndimore, që nuk ndan mendim të njëjtë mbi këto qytete. Mendimin se, janë bërë të pajetueshme. Mendimin se janë shumë kaotike. Mendimin se kanë densitete të larta banimi. Mendimin se ju mungonjë hapsirat e hapura dhe shoqërore. Mendimin se ju mungojnë infrastrukturat inxhinierike dhe sociale. Se janë të formuara në masë të madhe nga pallate të larta, masive dhe të shëmtuara. Pallate që nuk lejojnë as diellin të hyjë nëpër banesa. Pallate që nuk lejojnë as ambulancat apo zjarrfikset të hyjnë në zonën në rrezik. Këto janë problemi i vërtetë. Dhe të thuash politikisht ‘të prishen ca ndërtime se i bëjnë keq qytetit’, nuk është zgjidhje e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në fakt, nuk është as thjeshtë zgjidhje. Është një përgjigje arrogante dhe që del nga i njëjta kuptueshmëri sikurse ajo që i ka krijuar këto probleme. Nga kuptimi dhe interpretimi i cështjeve urbane në dy dimensione totalisht të gabuara. Së pari është fragmentarizimi i zhvillimit. Vlerësimi i cështjeve të zhvillimit rast pas rasti dhe jo si një grup që merr valencë urbane vetëm si një entitet i unifikuar. Sikurse, ka qënë praktika e lejedhënies ndërtimore në 20 vitet e fundit. Cdo rast që paraqitej me kërkesë për zhvillim i është kthyer një përgjigje e fragmentarizuar duke vlerësuar vetëm kërë kërkesë. C’ka ka injoruar kontributin potencial të një dije shkencore që njihet dhe akumulohet të paktën prej 200 vjetësh. Planifikimit urban. Injorim që vazhdon edhe sot që kemi vendosur të prishim ato që dikur kemi ndërtuar. Kjo mënyrë e fragmentarizuar e të vlerësuarit të mundësive për zhvillim ndërtimor ka komplementuar me dimensionin tjetër, të kësaj mënyre të gabuar të të kuptuarit të cështjeve urbane. E kam fjalën për atomizimin e interesave. Secili individ apo grup ka mbrojtur interesat të atomizuara personale në kurriz të interesave të individëve dhe grupeve kufitare. Duke i parë kufitarët si konkurentë apo akoma më keq si armik. Sikur e mira për ta të ishte e barasvlefshme me të keqen për interesat fqinje. C’ka ka rezultuar me zona banimi me mangësi ekzistenciale. Dhe kjo ka rezultuar në dëm të të gjithëve. Sikurse, në dëm të të gjithëve do të jetë edhe produkti i aksioneve aktuale qeverisëse. Dhe cdo veprimtarie tjetër, në të ardhmen, që nuk paraprihet nga produkte të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse planifikimi urban.
INEPTOKRACIA SHQIPTARE DHE PLANET KOMBËTARE TË TERRITORIT. Mapo, 07. 12. 2015
Nëse do të ishim të detyruar të emërtonim qeverisjen Rama të këtyre dy vjetëve me vetëm një epitet, pa mëdyshjen më të vogël do të përdorja titullin ‘Ineptokraci’. Për një kuptim të gjerë të këtij epiteti mund të themi se kështu quhen qeveritë që karakterizohen nga lider inkompetentë. Për ta zbutur pak hidhësinë e përkufizimit, jo pa qëllim përdora dy fjalë të huaja por gjerësisht të njohura. Megjithëse mund të ishte interesante, nuk do hyjmë në historikun e termit porse mund të prekim etimiologjinë e saj. Kjo fjalë, cka e bën edhe më të pushtetshme, vjen nga dy gjuhë të ndryshme: nga frengjishtja fjala ‘inep’, që do të thotë ‘i paaftë’, dhe; ‘cratos’nga greqishtja e vjetër, që do të thotë ‘pushtet’. Përjashtuar ndonjë gjitholog të vetmuar, vështirë të gjendet sot ndonjë zë publik që vlerëson pozitivisht veprimet thellësisht inepte të kësaj qeverisje. Tashmë, në këtë varg të gjatë janë reshtuar edhe eksponentë nga gjysma LSI-ste e kësaj qeverisjeje. Përjashtim bën vetëm nukli ojq-ist që kanë shoqëruar z. Rama që nga opozita, për tu përfshirë në ekzekutivin e sotëm. Duket si e rastësishme, por nuk është. Ka arsyet e veta, që shoqërojnë krijimin e forcimin e asaj që në Shqipëri quhet shoqëri civile, porse në fakt janë ‘shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuara’, produkti i të cilave ka qënë i porositur. Me një fjalë, një lloj fasonerie që ndonjëherë edhe produktin e marrin të gatshëm nga interneti.
RECELI I FTOIT DHE KONKURSET NDËRKOMBËTARE TË PROJEKTIMIT URBAN! Mapo, 05. 01. 2016
Diku nga fundi i viteve ’90-të, pasi kishim ngopur urinë për mallra importi, ne shqiptarët kthyem sytë nga prodhimet ushqimore vendase. Na kishte marrë malli për aranxhatën, sallamin dhe të tjera prodhime shqiptare të para viteve ’90-të! Kërkonim të njëjtën shije si vite më parë dhe nuk e kuptonim, se ashtu të mbingopur nga volumi i konsumit gjithfarësoj produktesh ndërkombëtare, nuk mund të gjenim shije të përjetuara në kohë urije. Mundoheshin mjeshtërit e asaj kohe të përdornin të njëjtit përbërës, të njëjtat receta e të njëjtat procedura përpunimi – por jo- nuk ja dilnin dot të na kënaqnin. Një synim i pamundur, përsa problemi nuk qëndronte te produkti por te konsumatori. Kishim ndryshuar ne! Garës së shijes, që nuk mund ta fitonte askush, ju atashua edhe gara për koston. Për të ishte më e lehtë të garoje sepse ishte më objektiv. Mjeshtërit u larguan nga tavolina e garës, në të cilën triumfuan ata që kënaqnin vetmashtrimin tonë të cmimit më të ulët për të njëjtin produkt. Kështu ndodhi edhe me recelin tim të preferuar, atë të ftoit. Amatorët, në kornizën e re të pranuar se shijen e asaj kohe nuk e arrijmë dot dhe cmimi më i ulët të bën fitues, zëvendësuan ftoin me karrotën në recelin e ftoit. Kush mund ti pengonte? Deontologjia! Deontologjia e kujt? Ata nuk ishin mjeshtër të bërjes së recelit të ftoit që synonin komercializimin e produktit të tyre, ata ishin vetëm ca tregtarë recelësh që për target kishin fitimin.
Në të njëjtën situatë amatoreske gjendemi me cështjet urbane. Larguam urbanistët dhe ja kemi besuar urbanistikën tregtarëve. Mirëpo, tregtarët japin përgjigje tregtarësh. Të mpleksur me interesa partie dhe të devijuar prej kohësh drejt formës në injorim të përmbajtjes, ata nuk na thonë dot të vërtetën thelbësore. Sikurse tregtarët që recelin e ftoit e bëjnë me karrotë nuk na e thonë dot pse produkti i tyre është shumë më i kuqeremtë dhe shumë më i ëmbël se origjinali sepse nuk mund të dëshmojnë mashtrimin, edhe tregtarët e urbanistikës nuk na drejtojnë dot në zgjidhje të cështjeve komplekse urbane. Kështu që na japin shfaqje me konkurse ndërkombëtare, të jurive ndërkombëtare dhe konkuruesve ndërkombëtar. Mirëpo, teatro të tilla përvecse nuk japin zgjidhje në përmirësimin e situatës urbane janë edhe antiligjore në tërrësinë e tyre. Të shesësh karrota të ziera e të sheqerosura për recel ftoi është një mashtrim publik dhe dënohet nga ligji. Sikurse është një maskaradë antiligjore seriale, të shesësh për projekte rilindjeje urbane shfaqje teatrale me juri, garues, procedura dhe organizator jashtë cdo kornize ligjore.
Për ta nisur nga qasja e fragmentarizuar e ofrimit të “zgjidhjes”. Që nga ligji i 1978 -ës e deri te ligji i vjetshëm ‘për planifikimin e territorit’, të gjithë saksionojnë karakterin hirearkik dhe të shkallëzuar të zgjidhjeve urbane. Nëse tenton të japësh zgjidhje për një pjesë të qytetit (projekt pjesor), ajo duhet të jetë parashikuar dhe miratuar në një propozim zgjidhje të një shkalle më të gjerë (plane urbane për tërrësinë territoriale të qytetit). Në të kundërt, propozimet e miratuara nga këto konkurse jo vetëm nuk qëndrojnë teknikisht për mungesë koordinimi vertikal, porse shkelin edhe ligjin. Për të vijuar me konkuruesit dhe vlerësuesit ndërkombëtar. Përtej kompleksit të inferioritetit fshatarak, pjesmarrja tyre është antiligjor. Jo vetëm sepse nuk ekziston asnjë ligj që përcakton si përzgjidhen për tu përfshirë, cka është një vendimarrje preferenciale. Pra e dënueshme nga ligji! Por edhe sepse, sipas ligjit shqiptar për të drejtat e ushtrimit të profesioneve, ata nuk janë fare arkitektë apo urbanistë. Mund të jenë arkitektët dhe urbanistët më të mirë të botës. Kush mund ta thotë me siguri!? Por nuk kanë të drejtën ligjore të ushtrimit të këtij aktiviteti në Shqipëri. Sepse të kryesh një aktivitet projektues në Shqipëri duhet të kesh kryer dy etapa: së pari të jesh diplomuar dhe së dyti të kesh kryer disa vjet praktika trainuese.
Për ta mbyllur me procedurat e “konkurimit” dhe “autoritetin” që i ndjek këto, mund të flasim shumë, por le të fokusohemi te më shteruesit ndër argumentat. Këto konkurse kushtojnë në vetvete dhe në fund të tyre shpërndahen para publike për fituesit. Bile, edhe për implementimin e projekteve fituese investohen para publike. Por pakkush nga këto gara i nënshtrohen kushtëzimeve ligjore mbi prokurimin publik. E njëjta situatë jashtëligjore me veprimtarinë e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit që i organizon këto shfaqje. Edhe, sipas ligjit që kanë miratuar vetëm një vit më parë, autoriteti i saj është i paqënë në ushtrimin e këtij aktiviteti.
SHAKAJA E ‘DËGJESAVE PUBLIKE’! Mapo, 21. 01. 2016
Viti 2015 u mbyll me një sihariq të madh në fushën e zhvillimit të planifikuar të territorit kombëtar. Qeverisja qëndrore, për herë të parë në 30 muaj ndërmori një inisiativë të dimensionit kombëtar të zhvillimit territorial. Ajo ka startuar - sikurse deklaron - hartimin e tre planeve kombëtare të territorit. Pasi u sorollat ca kohë me projekte të fragmentarizuara lagjesh e blloqesh banimi në disa qytete shqiptare, mësë fundi u kujtua që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të hartuar politika, plane, programe dhe projekte mbi cështjet kombëtare të territorit. ‘Më mirë vonë se kurrë’ thotë populli, kështu që të shpresojmë se duke bërë sikur po merret me punët e saj, qeveria qëndrore të lejojë njësitë e qeverisjes vendore të kryejnë funksionet e tyre qeverisëse. Edhe kaq do ishte një fitore e madhe, në kuptim të demokracisë vendore por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm të qëndrave urbane. Po kush janë këto tre plane kombëtare? Nëse i ndjek me shumë vëmendje, diskursin misterioz të Ministrisë së Zhvillimit Urban, mund të kuptosh se në fakt kemi të bëjmë vetëm me një plan kombëtar: Planin e Përgjithshëm Kombëtar.
Dy të tjerët nuk janë të tillë! I pari, i njohur me titullin plani ‘Durrana’ është një plan ndërvendor. Sikurse e thotë edhe emri, ai është një plan që kërkon të japi propozime zhvillimi për një hapsirë që përfshin territorin nën juridiksionin e bashkisë Durrës dhe territorin e bashkisë Tiranë, si të ishin një i vetëm. Dhe kushdo që ka njohuritë më minimale mbi kulturën shqiptare të planifikimit territorial e kupton që kemi të bëjmë me një plan ndërvendor dhe se autoriteti që moderon hartimin e këtij lloj plani është një grup pune i ngritur nga dy bashkitë e përfshira. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk mund të konsiderohet si një plan kombëtar, sikurse nuk mund të konsiderohet as i dyti: plani i jugut bregdetar. Sepse edhe ky, megjithëse shumë më pak i rrezikshëm në lidhje me depopullimin e trojeve shqiptare, nuk është një plan kombëtar. Një plan kombëtar- dhe kjo nuk ka lidhje me ideologjinë, sepse, i tillë është edhe në demokraci sikurse në diktaturë, si në qeveri të majtë ashtu edhe në të djathtë- është ai plan që jep propozime, orientime apo direktiva/normativa për të gjithë territorin që përfshijnë kufinjtë kombëtar.
Ky është kuptimi termit plan kombëtar, dhe ata mund të ndahen në tre klasifikime. Ka plan kombëtar sektorial që hartohet për një sektor të caktuar zhvillimi apo mbrojtje. Sikurse mund të jetë plani kombëtar i aeroporteve, apo plani kombëtar i zonave të mbrojtura natyrore. Ka gjithashtu plane kombëtare ndërsektoriale, që do të thotë plane që integrojnë dy apo më shumë sektorë. Për ta sqaruar, si shëmbull mund të marrim planin ndërsektorial të transportit kombëtar, ku integrohen plani i aeroporteve, porteve, sistemit rrugor kombëtar dhe sistemit hekurrudhor. Një qeverisje e përgjegjëshme harton nga një plan kombëtar për cdo sektor të zhvillimi ekonomik dhe për cdo sector konservimi natyror, që ligji i njeh si ‘funksion të vet’ qeverisjes kombëtare dhe për të cilët ajo harton politika kombëtare. Sepse të planifikosh zhvillimin territorial – vecanërisht në terma kombëtar – këtë kuptim ka. Pavarësisht dokrave që dëgjoni, të planifikosh territorin do të thotë tu japësh kuptim gjeografik politikave kombëtare. Në fund të fundit, është njësoj si planifikimi buxhetor që u jep kuptim financimi këtyre politikave.
Në këtë kuptim të gjësë, plani i përgjithshëm kombëtar nuk është gjë tjetër vecse integrimi sëbashku dhe prioritizimi i këtyre planeve sektorialë e ndërsektorialë, sipas prerogativave qeverisëse që shpallen në programin qeverisës. Përshembull, qeveria e kaluar vërtet nuk hartoi një plan të përgjithshëm por kishte nga një plan sektorial të miratuar me VKM për cdo sector dhe kishte prerogativë kombëtare infrastrukturën rrugore. Kështu që planifikoi, projektoi dhe financoi ndërtimin e rrugëve kombëtare. Pyetja një milion dollarëshe është: po qeveria e sotme?! Le të pranojmë se i treti për të cilët po zhvillon ‘dëgjesa publike’ të jetë një plan i përgjithshëm kombëtar. Qeverisë, nganjëherë, i duhet dhënë edhe besim. Por asnjëherë, pa marrë prej saj përgjigje për pyetjet e duhura. Së pari: pse po tallen me qytetarët? Ndërsa nuk i kanë pyetur për investime të fragmentarizuara lokale - që do kishte kuptim - pse po i marrin mendim për të vetmen gjë që konsiderohet e verifikuar pas votimit në zgjedhje. Sepse është e kuptueshme që një mazhorancë votohet për programin qeverisës dhe vecanërisht për parësitë e atij programi.Së dyti: pse planin e përgjithshëm po e bën një ministri? Nëse kemi 19 ministri që hartojnë politika kombëtarë, si është e mundur që këto i integron dhe prioritizon vetëm një prej tyre! Duket sikur kemi dy qeveri matrioshka. Për të mos folur për përfshirje të urbanistëve ndërkombëtar. Kush është funksioni i tyre politik në Republikën e Shqipërisë? Nuk bën kuptim! Në fakt, shumëcka nuk bën kuptim në këtë sipërmarrje, porse le të kufizohemi këtu. Dhe në pritje të përgjigjeve për pyetjet e duhura le të qeshim me këtë shakanë e ‘dëgjesave publike’!
CIKLI "REFORMIST" I Z. RAMA DUHET TE MBYLLET SA ME PARE! Mapo, 18. 10. 2016
Një replikë për shkrimin 'Cikli reformist i Edi Ramës duhet të vazhdojë një mandat të dytë’.
Politilogu Henri Cili, nëpërmjet një shkrimi të hënën e kaluar, nervozoi pjesën më populiste të shoqërisë shqiptare. Ajo ju përgjigj, sikurse gjithmon, duke i ikur tezës dhe argumenteve të shkrimit dhe duke u marrë me cështje të sferës personale të autorit. Për këtë nuk do flas. Më intereson ndjesia e provokimit (për mirë dhe/ose për keq) që ndjehu pjesa më e lexuar e shoqërisë shqiptare, nga ky shkrim. Ndjesi që e përjetova, dhe nga e cila po origjinalizoj edhe këtë replikë. Ndryshe nga skemat klasike strukturore të metodave të kërkimit shkencor (sigurisht ky shkrim nuk është një i tillë), unë nuk ‘do ta lë ëmbëlsirën për në fund’. Që në start do të pranoj si goxha reale (por jo plotësisht e shterueshëm të vërteta), tre fenomenet që dallon z. Cili. Sepse ështën e vërtetë se ‘jemi në kulmin e një kundështimi laraman ndaj qeverisë dhe z. Rama personalisht’, porse ky përcaktim nuk plotëson spektrin e kundështarëve të qeverisjes. Në këtë bashkësi bëjnë pjesë edhe intelektualë që kundështojnë me teza dhe argumente. Dhe kjo bën një diferencë të madhe. Dakortësoj, gjithashtu, se ‘aktor të ndryshëm politik janë duke adoptuar me shpejtësi kauza populiste’, dhe se kjo është një gjë e keqe. Mirëpo, kjo nuk është për shkak të reformave të z. Rama, por për paaftësi të intelektualëve dhe opozitës, për të drejtuar shoqërinë në kauza të qënësishme. Së fundi, është e prekshëm ngjallja e ‘ekstremizmit të majtë në vend’, por duhet theksuar gjithashtu se, kontributi i art-bunkerëve të z. Rama është bazik për këtë fenomen. Ndërsa kundështitë do ti nis me një korrigjim të vogël, por që bën një diferencë të madhe për mundësinë reale që: ‘cikli reformues i z. Rama të vijojë një cikël të dytë’, por edhe që; opozita të fitoj një cikël të parë pasi të ndryshojë drejtim drejt kauzave të qënësishme. Sepse nuk është fakt real që ‘një milion vota, kishin vendosur të zgjidhnin Edi Ramën kryeministër’!
Nëse i bën një vëzhgim (qoftë edhe sipërfaqësor) rezultateve të zgjedhjeve 2013, të del se z. Rama për kryeministër në 2013 e kanë votuar pothuajse aq shqiptar sa evotuan në 2009 (shtesa ishte vetëm 0.6%). E thënë ndryshe, nëse partitë shqiptare do të kishin hyrë në zgjedhjet e 2013 të grupuara në ato kualicione që ishin para marrveshjes së 1 prillit, sot do kishim një qeverisje Berisha-Meta. Personalisht vlerësoj se populizmi është e keqja më e madhe për shoqërinë shqiptare. Më e madhe edhe se korrupsioni. Mirëpo, ndryshe nga z. Cili unë mendoj se qeveria Rama është kampionia e populizmit qeverisës. Jo vetëm në filles të mandatit por edhe sot e kësaj dite. Bile, sot është më populiste se në fillim. Vërtet sot z. Rama, ndryshe nga tre vjet më parë që u tërhoq nga vendimi personal për të asgjesuar armët kimike siriane, nuk po tërhiqet nga vendimi për të importuar mbetje, porse ky fakt nuk ka lidhjen më të vogël me populizmin shoqëror. Ka lidhje të drejtpërdrejtë me arrogancën e z. Rama, që gjithashtu është përforcuar. Vecanërisht pas Dibrës, ai është i bindur se këtij populli mund ti bësh cdo gjë dhe prap të mbetesh Kryeministër i vendit.
Ndoshta do ishte mirë të mos isha shprehur për ‘reformën e nënpunësit civil’, sepse nuk hyn në ekspertizën time, porse po guxoj. Kam tre komponet të praktikës tre vecare për të cilat mund të replikoj. Së pari, është fatura disa milion euro në buxhetin e shtetit nga shkarkimet jashtëligjore të zyrtarëve. Së dyti, është fryrja e jashtzakonshme e administratës. Po përmend vetëm trefishimin e drejtorive që trajtojnë cështjet urbane në të njëjtën ministri, apo trajtimin e funksionit të mbetjeve të ngurta nga tre ministri njëkohësisht. Dhe i fundit, pakënaqësia e votuesve nuk erdhi si rezultat i ‘praktikave të mira në rekrutimin e administratës’, por si rezultat i premtimeve të këqia të fushatës, sepse ju premtua 5 votueve të ndryshëm i njëjti vend pune. Të ashtu quajturën reforma territoriale nuk mund ta anashkaloja. Kjo reformë aq e domosdoshme degjeneroi në një hartë me shumë ngjyra, si cdo punë e kulturës demagogjike, populiste e fasadiste Rama, të të bërit të punëve. Dhe nuk kishte si të ndoshte ndryshe, kur një reformë që për koncepte kyce ka: territorin; qytetarin dhe funksionet qeverisëse, u formua duke i injouar të treja! Por edhe për një arsye më tepër: a mundet që disa entitete të falimentuara, thjesht duke u bashkuar mekanikisht, pa marrë asnjë masë tjetër, të prosperojnë?! Këtu frymëzohet kundështia, dhe jo te ‘lënia jashtë zyrave të shtetit dhe batakcillëkut lokal’, të ishzytarëve që në fakt ju ofrua nga një punë në Tiranë apo thjesht ju ndërrua titulli por jo përfitimet (kostot e tij për buxhetin).
Së fundi, ajo që z. Cili e quan ‘reforma më e rëndësishme e kontrollit të territorit’, por që në fakt është masa më idiote që një qeveri mund të marri në një konteks të caktuar. Të mendosh se me bllokimin e ndërtimit ke shpëtuar mjedisin dhe territorin është sikur të besosh se zgjidhja për të rritjen e padëshiruar demografike është të ndalosh shoqërinë të bëj seks! Në fakt, për këtë të dytën bota normale ka “shpikur” planifikimin familjar, ndërsa për të parën ka mbledhur dije në një disiplinë tjetër, që e quajnë planifikimi territorial. Kjo masë antishkencë, është po aq populiste sikurse qeveria që e ka ndërmarrë! Sepse kërkon që me të njëjtën mendësi, prej urbanisti popullor të krijimit të problemeve që ndeshim sot në qytetet tona, ti zgjidhim ato.
KATËR HIPERDËMET E QEVERISË RAMA! Mapo, 20. 12. 2016
Për të qënë politikisht korrekt, që të përzgjedhësh dëmet më evidente të një qeverie duhet që analizën ta bësh ditët e fundit të mandatit të saj, në mënyrë që të përfshish gjithë kohën që kjo qeveri ushtron pushtetin. Pra që në fillim duhet të pranojmë kufizimet e shkrimit. Mirëpo, kam dy argumenta që e asnjëansojnë këtë efekt. Së pari argumentin teorik. Shkencat politike kanë një aksiomë gjerësisht të pranuar, sipas të cilës një rotacion demokratik nuk varet vetëm nga mënyra e dorëzimit të pushtetit nga humbësit te fituesit por edhe nga mënyra sesi fituesit sillen me administratën që gjejnë. Sepse me të njëjtën mënyrë që ata sillen me administratën e vjetër, do të sillet administrata e re me popullin. Kështu që, në vlerësimin tim, qeveria Rama e ka mbyllur qeverisjen që javën e parë të saj. Argumenti i dytë është praktik. Dëmet janë të tilla, saqë jo muajt që i kanë ngel kësaj qeverie, por edhe disa qeveri pas saj vështirë ti rikuperojnë dot. Prandaj, pa u zgjatur vijojmë me dëmin e parë. Ai është thellimi e zgjerimi deri në të pakapërcyeshëm të hendekut midis shoqërisë dhe qeverisjes. Shoqëria shqiptare e konsideron qeverisjen, përfundimisht, si një pushtim dhe stabilizim të një kaste që merr vendime për të por pa lidhje me të. Të cilën është e detyruar ta durojë për shkak të ‘dhunës legjitime’ që kjo qeverisje ushtron “për të mirën e përbashkët” mbi cdo individ. Absurd, por real! E gjitha kjo, sepse qeveria Rama në tentativën e saj ‘për të bërë shtet’ nuk zgjodhi rrugën e forcimit të institucioneve të shtetit për ti shërbyer shoqërisë, por forcën policore të të gjithë zgjatimeve të saj për të edukuar shoqërinë “parashtetërore” shqiptare. E cila ndërtonte paleje, nuk paguante energjinë dhe taksat, nuk zbatonte rregullat e qarkullimit rrugor, dhe shumë të tjera si këto. Si produkt, sot kemi një shoqëri dhe një qeverisje që udhëtojnë në rrugë të kithta me njëra-tjetrën.
Dëmi i dytë është ekzekutimi i pushtetit vendor. Që ditët e para z. Rama i hapi luftë ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme. Me stabilizimin në zyrën Kryeministrore këtë cështje e ktheu në super-reformën e tij. Cdo ministër u gjithpërfshi. Bile edhe shëndeti publik u mendua të përmirësohej nëpërmjet heqjes së kioskave nga oborret e spitaleve. Më tej, mori në dorë edhe lejedhënien ndërtimore. Askush vec tij nuk mund të jepte më leje ndërtimi. Projekti i ‘Rilindjes Urbane’ ishte kapaku i pusetës. Mirëpo, administrimi urban është një funksion vendor qeverisës. Sikurse është hartimi i listave të të pastrehëve, listave të ndihmës sociale, dhe shumë punë të tjera me të cilat qeverisja Rama u vet-njësua. Kështu që, megjithëse ishte votuar si Kryeministër, z. Rama nuk luajti dot në ‘Stadiumin Kombëtar’. Kryebashkiaku i Republikës, drejton edhe sot Atdheun me 61 drejtorët e bindur apo të pabindur të tij, në mungesë totale të qeverisjes lokale. Dëmi i tretë është deformimi, c’vlerësimi dhe rrënimi i konceptit ‘reformë’. Si cdo shtetndërtues tjetër, edhe z. Rama ndërmori një set reformash. Në fakt, reformimet e sistemeve mund të ndihmojnë në ristartimin e sektorëve të zhvillimit dhe minimizimin e korrupsionit. Mirëpo, pa dimensionin kulturor të shoqërisë dhe përfshirjen e saj, dështimi është i sigurt dhe për një kohë të gjatë. C’ka na drejton te thelbi i kësaj qeverisje. Ajo nuk ka kuptuar rregjimin shoqëror në të cilin po qeveris. Nuk kupton se populli është sovrani dhe asaj i duhet të bëj reformat e duhura për të përmirësuar jetën e tij. Porse, ka ndërtuar në mëndje një model ideal të ‘popullit që meriton të qeveriset prej saj’, dhe vijon të “reformojë” popullin që ti pështatet qeverisjes. Prandaj, të ashtuquajturat reforma janë, ose aksione militare për të rritur nivelin e ligjzbatimit ose fllucka që nuk prekin asgjë, ndërkohë që shoqëria vuan pasojat e tranzicionit përgjatë reformimit të paqënë.
Dëmi i katërt është ngadhnjimi i fasadizmit mbi racionalitetin njerëzor. Një set i gjerë projektesh e programesh lokale të ndërmarra dhe të finacuara nga qeveria Rama e kthyen Shqipërinë në një Republikë Fasadash. I stratuar me projektin ‘Lungomare’ në Vlorë (simboli i kësaj qeverisje), programi i ‘Rilindjes Urbane’ përfshiu të gjitha fasadat e dukshme të ndërtesave të dukshme në rrugët e shëtitoret e dukshme të disa qyteteve shqiptare dhe gëlltiti miliarda të shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm. Me logjikën e një zonje në moshë, që për tu kamufluar si e paraqitshme bën ndërhyrje të kirurgjisë estetike, rëndon makeup-in, shkurton minifundin e zgjeron dekoltenë, edhe z. Rama po bojatis qëndrat e qyteteve shqiptare të zhytura në ujrat kënetore të përmbytjeve ciklike dhe nën rrezikun e përhershëm të shpërthimit të rrjeteve të infrastrukturës inekzistente inxhinierike. Ndërkohë, zonja dhe Shqipëria urbane, kanë domosdoshmëri të tjera ekzistenciale!
SHTETI ANADOLLAK I RILINDJES URBANE! Mapo, 30. 05. 2017
Dy mbeten figurat e mëdha politike që nuk e njohin dimensionin shtetëror të Shqipërisë. I pari ishte Otto fon Bismark, Kancelari i parë i Gjermanisë që e konsideronte Shqipërinë ‘nocion gjeografik’. Dhe i dyti Edi Rama, Kryeministri aktual i Republikës së Shqipërisë, i cili rreth një shekull pas krijimit të Shtetit Shqiptar ka marrë përsipër ti bëj shqiptarët me Shtet! ‘Do bëj shtet’ mund të ishte emri i dytë i këtij Lideri Global që për interesa të vogla mohon historinë e Shtetit të një prej kombeve më të vjetër të Europës. Mirëpo, unë jam edukuar e arsimuar të refuzoj me neveri të parin, kështu që me forcë dhe me neveri do injoroj edhe të dytin e të fundit prej tyre! Sepse Shteti Shqiptar është ‘bërë’ në 28 Nëndor 1912! Shtet, që megjithë tranformimet e tij dhe pavarësisht nga cilësorët që ju vunë, u trashëgua nga shqiptarët ndër breza deri sot kur z. Rama ushtron funksione qeverisëse. Prandaj, Shteti Shqiptar nuk ka nevojë të bëhet, por si cdo shtet tjetër, ai ka nevojë të modernizohet. Këtë shpresuam edhe nga z. Rama dhe e tija ‘Rilindja Urbane’. Pritëm të decentralizoj e të forcoj autonominë locale, të forcoj institucionet, të rrisi përfshirjen qytetare në qeverisje, të uli nivelin e ‘dhunës legjitime të shtetit’, të risi transparencën dhe përgjegjshmërinë e burokracisë shtetërore, të lehtësojë komunikimin e Shtetit me qytetarin.
Nëse shfletojmë dokumente politike e teknike nga të institucioneve ndërkombëtare të qeverisjeve qëndrore, qeverive vendore por edhe të unioneve të ekspertizës së zhvillimit territorial dhe urban, do identifikojmë te të gjitha nënvizimin e disa parimeve bazë. Janë këto parime, si: subsiaritetit (decetralizimi); angazhimi social (gjithëpërfshirja qytetare); integrimi dhe koordinimi i politikave; transparenca dhe përgjeshmëria, nëpërmjet të cilave bota perëndimore tenton ti evoluoj qeverisjet e veta në ‘Qeverisje të Mira’. Nëpërmjet këtyre praktikave e proceseve modernizuese, ne do të testojmë edhe Shtetin që ‘Rilindja Urbane’ “bëri” këto katër vjet. Do ta nisim me parimin e subsiaritetit (kalimit të vendimarrjes qeverisëse sa më afër qytetarit), i cili merr valencë nga procesi i decentralizimit të vendimarrjes nga qeveria qëndrore drejt qeverisë vendore. Personalish nuk arrij ta gjej në asnjë element të tij, në të kundërt qeveria e ‘Rilindjes Urbane’ rrëmbeu cdo funksion lokal. Le ta nisim nga aksioni kundër ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme (ligjërisht të diskutueshme), i cili startoi që ditët e para të saj. Funksioni më identitar i qeverisjes vendore, ai i kontrollit dhe disiplinimit të punimeve ndërtuese në territorin lokal, u përvetësua nga të gjitha ministritë me në krye Kryeministrin në vet të parë. Kalojmë te praktika e mirë europiane e fuqizimit të pushtetit vendor. Cfarë të përmendësh e masësh për të? Për të kundërtën ka shumë për të folur, por ne do mjaftohemi me ligjin e vitit 2014, ‘Për Planifikimin dhe zhvillimin e territorit’! Një kthim i plotë në vitin 1978, kur u miratua sivllau i tij komunist. Bile, më i përkeqësuar, sepse ligji komunist ja njihte pushtetit vendor fuqinë (funksionin) e hartimit dhe miratimit të disa lloj ‘Planesh Vendore’, kurse ky “modernizuesi” i ‘Rilindjes Urbane’ nuk mund t’ja lejonte kurrsesi. Sipas saj, këtë meritë mund ta kishte vetëm Kryeministri dhe disa ministra të tij në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT). Parimin e angazhimit social (përfshirjen e palëve të interesuara dhe të prekura në vendimarrje), do ishte tallje publike ta konsideronim si aspiratë teorike të kësaj qeverisjeje dhe jo më të kërkonim praktika konkrete. Për të mjafton të përmendim projektin e ‘Shesheve qëndrore të qyteteve’, nga i cili u përjashtuan jo vetëm institucionet lokale, por mbi të gjitha ata që i financojnë dhe do ti “gëzojnë” këto investime publike: qytetarët! Askush nuk u pyet se cfarë projekti ishte më prioritar për qytetin, e jo më të përfshihej në vendimarrjen konkrete se si duhet të ishin qëndrat e qyteteve ku kishin lindur dhe dëshironin të jetonin pjesën tjetër të jetës. Për domosdoshmërinë e koordinimit dhe integrimit të politikave në një ‘Qeverisje të Mirë’ nuk do masim gjë, sepse në një qeverisje thellësisht të centralizuar si e ‘Rilindjes Urbane’ nuk ekzistonin nivele të ndryshme politikash. Për të njëjtën arsye nuk do ndalojmë as te parimi i transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogarillënies. A mund të jenë të tillë zyrtarët e një qeverisje që cdo gjë e di vetëm Kryeministri!? Bile edhe lejet e ndërtimit i jep vetëm Kryeministri! Kështu që, na mbetet vetëm të shpresojmë se dikush pranë tij të marri guximin dhe ti thotë se shqiptarët nuk kanë nevojë që qeveria t’ju “bëj Shtet” të ri, por t’ju modernizojë këtë që kanë trashëguar.
DISFATA E TRIESTES E KA EMRIN RILINDJE URBANE! Mapo, 21. 07. 2017
Për opinionin e gjerë shqiptar të ditëve të fundit, me të cilin mund të njihesh letësisht dhe gjerësisht në median sociale, Samiti i Triestes solli tre element për debat public. Të radhitura kronologjikisht ato ishin: Kryeministri Shqiptar pjesmorri në takimet e Samitit i veshur me kostum dhe atlete të bardha adidas; në të u konkludua krijimi i Jugosllavisë së Re që përfshin edhe Shqipërinë; dhe Shqipëria nuk mori asnjë qindarkë nga fondet që u ndanë për ndërtim të infrastrukturës kombëtare dhe rajonale! Për veshjen e Kryeministrit kishte statuse pa fund. Nga ato që e justifikonin me argumentin e ndonjë sëmundje të mundshme të mesit apo shtyllës kurrizore që e detyronte të përdorte atlete dhe jo këpucë me lidhëse, deri te ata që e anatemonin me arsyetimin se Kryeministri Shqiptar nuk mund të sillet e vishet ndryshe nga mënyra e tij provokative i të bërit të gjërave, apo se ky veprim është një fyerje për gjithë popullin shqiptar.
Këtë element të debatit publik e mbylli vet z. Rama me përgjigjen carmatosëse ‘Atje është një botë ku njerëzit e kanë mbyllur me kohë cështjen e lirisë së veshjes si liri themelore të njeriut…’, kështu që duke shpresuar se herën tjetër z. Rama nuk do e ushtrojë lirinë themelore të veshjes me shapka plazhi, na mbetet ta mbyllim edhe ne. Për të kaluar te një element tjetër i debatit mbi Samitin, atë të: Tregu i Përbashkët Rajonal, a mos do të thotë Jugosllavi e Re? Pyetje shumë shqetësuese kjo për shqiptarët, një pjesë e të cilëve sapo kanë dalë nga thundra e Jugosllavisë së Vjetër! Përgjigje që me pyetjet e duhura kushdo mund t’ja japi vetes: nëse po integrohemi në BEn e rajoneve, kush mendoni se do jenë shtetet e tjera të rajonit tonë?; nëse Serbia është qëndra më e fuqishme ekonomike e tij, kush mendoni se do e drejtojë rajonit?; dhe nëse Serbia drejtohet nga i njëjti botkuptim lidershipi si i ish-Jugosllavisë, cfarë modeli mendoni se do ketë rajoni?
Sidoqoftë, le t’ja lëmë detyrën e vëshirë të një përgjigje shteruese e profesonale ekspertëve të gjeopolitikës dhe marrdhënieve ndërkombëtare, për të kaluar te elementi më pragmatik dhe më i qënësishëm nga pikëpamja e debatit publik. Sepse në fund të fundit Samiti i Triestes, si pjesë e procesit të Berlinit, këtë specifikë kishte. Përgjigjja e pyetjes 3 milion e 35 euroshe: sa financime përfitoi Shqipëria?; është Shqipëria përthithi 3 milion e 35 euro! Të paktën kjo është shiftra zyrtare e servirur nga qeveria në konferencën për shtyp të mbajtur për këtë temë. Konferencë, ku megjithëse Kryeministri i vendosi gazetarëve kushtin që në kronikat e tyre të flitej vetëm për Samitin, ai vet e shkeli kur foli më shumë për programin ‘1 miliard euro’ të qeverisë Rama 2, se për financimet nga Trieste. Gjë që në fakt shpjegon, përvecse në dimensionin sasior edhe në atë cilësor, përfitimin real të Shqipërisë nga procesi i Berlinit dhe konkretisht nga Samiti i Triestes.
Në procesin e Berlinit janë përfshirë gjashtë vendet Ballkanike që nuk janë antarë të Bashkimit Europian. Ai (procesi i Berlinit) ka krijuar një xhep europian të quajtur Instrumenti i Investimit të Ballkanit Perëndimor ku këto gjashtë shtete të përfshira në këtë proces kanë mundësinë që nëpërmjet paraqitjes së projekteve të aksesojnë grande nga Komisioni i Bashkimit Europian. Kjo ndodhi në Trieste, por ndryshe nga si e paraqiti propaganda qeveritare, sipas të cilës Shqipëria qëndronte në vend të parë me pesë projekte, në Samitin e Triestes të dy vendet e banuara nga shqiptarë nuk paraqitën asnjë projekt për financim. As të sektorit të transportit (lëvizshmërisë) dhe as të sektorit të energjitikës. Në Samit u pranuan për financim shtatë projekte të transportit dhe energjitikës. Nga këto shtatë projekte që u paraqitën dhe u financuan me vlerë preventive rreth 0.5 miliard euro, katër ishin të Bosnjë Hercegovinës, dy të Serbisë dhe një i Malit të Zi.
Arsyet e këtij dështimi të turpshëm të Qeverisë nuk lindën në Samit. Ato lindën ditët kur z. Rama ishte në opozitë dhe refreni i diskursit të tij ishte shprehja ‘rrugë… rrugë … rrugë, por rrugët nuk hahen’! Ato u rritën përgjatë katër viteve qeverisje, kur Kryeministri i iku cështjeve kombëtare për tu marrë me ato lokale. Atherë kur e konvertoi Republikën në Republikën e Fasadave dhe veten në Kryebashkiak të Republikës. Atherë kur në vend të përgatitjes të projekteve për infrastrukturë kombëtare, investoi 550 milion euro të shqiptarëve të sotëm dhe të nesërm për të ndërtuar ‘Sehirhanet e Dembelave’ në qëndrat kryesore të qyteteve. Ndërkohë, institucionet e BE nuk janë kaq të cmendura sa të tallen me taksapaguesin europian. Prandaj ja dhanë ato 3 milion e 35 eurot në Trieste, sepse rruga e zhvillimit nis nga hartimi i projekteve.
BASHKËQEVERISJA SI PROVË E MOSQEVERISJES!
Mapo, 20. 11. 2018
Shqipëria “udhëhiqet” nga dy qeverisje në të
njëjtën kohë! Nuk ka një qeveri në dritë të mazhorancës, dhe një qeveri në hije
të opozitës, sikurse kujtdo do ti shkonte mendja nëse dëgjonte këtë pohim. Është
praktikë e njohur në vendet demokratike që; përvec qeverisjes së drejtuar nga
Kryeministri i votuar nga populli dhe i përbërë nga ministra, të përzgjedhur
nga Kryeministri, të dekretuar nga Presidenti dhe të votuar në Kuvend; të
ekzistojë edhe një qeveri hije e opozitës. Ajo nuk ka asnjë mandat të asnjë
lloji nga sovrani (votuesit), përcaktohet nga vet opozita, dhe roli i saj është
opozitarizmi sipas tematikës. Që do të thotë se, sipas sektorëve dhe tematikave
që mbulon në parti, ‘ministri hije’ formëson një ekip teknik e politik, dhe në
drejtim të këtij ekipi, ai i bën opozitë politikave qeverisëse për sektorin që
mbulon. Të gjithë së bashku krijojnë ‘qeverinë hije’ dhe opozitarizmi i tyre
formëson projeksionin e ‘qeverisjes së nesërme’!
Kështu, sovrani krijon një pamje të qartë mbi
qasjet partiake për cështjet që atë vet e shqetësojnë, dhe mbi këtë pamje
krijon bindje krahasuese midis qeverisjes aktuale dhe asaj potenciale. Në
zotërim të kasaj bindje, sovrani reagon politikisht; nga dakortësimi me
qeverisjen që ka, deri te organizimi i protestave masive me synim zëvendësimin e
parakohshëm të qeverisjes aktuale me qeverisjen potenciale. Mirëpo, kështu
ndodh në perëndim, sepse në Shqipëri të dyja janë qeverisje të Rilindjes! Është
qeverisja Kushtetuese e Rilindjes që organizohet e funksionon në bazë të Ligjit
9000/2003. Është, gjithashtu, edhe struktura paralele e bashkëqeverisjes që organizohet
e funksionon në bazë të VKM-s 638/2017! Kështu, Shqipëria është i vetmi shtet në
botë, përgjatë gjithë kohërave ku shoqëritë janë organizuar në formën e një
shteti, në të cilin edhe strukturat qeverisëse edhe strukturat paralele
drejtohen nga i njëjti person, Kryeministri Rama!
Përtej dimensionit qesharak e antikushtetues,
projekti kryeministror i bashkëqeverisjes dëshmon dhe provon, në një nivel
eksistencial, mosqeverisjen. Këtu mund të rreshtonim arsyetime pafund, por do
ndalemi vetëm në pak prej tyre. Së pari është pyetja; pse i njëjti zyrtari e “zgjidh”
cështjen apo problematikën kur ngrihet nga strukturat e ‘qeverisjes paralele’
dhe jo nga strukturat e ‘qeverisjes kushtetuese’?! Në fund të fundit, cështjet
dhe problematikat qytetare që kanë lidhje me qeverisjen, marrin kuptim ligjor
dhe zgjidhje praktike vetëm nëse një zyrtar i qeverisjes kushtetuese nënshkruan
një dokument shtetëror brenda të cilit cështja është përcaktuar në përputhje me
kërkesën e qytetarit. Në këtë kuptim, zgjidhja e cështjes nga e njëjti zyrtar i
qeverisë kushtetuese sipas procedurave të qeverisë paralele, por jo sipas
procedurave administrative të qeverisjes kushtetuese, është dëshmi e
pakundështueshme e mosqeverisjes.
Sepse dy janë shkaqet potenciale të këtij
përfundimi, ose administrata është gjendur në presion partiak dhe ka dhënë një
zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin por jo ligjore, ose vet administrata e ka
penguar një zgjidhje të pëlqyeshme për qytetarin dhe ligjore në të njëjtën kohë,
me synim mitmarrjen. Të dyja këto mundësi të drejtojnë te keqqeverisja, e cila
mund të argumentohet edhe me një arsyetim të dytë. Arsyetim që lind nga pyetja,
pse trajtohen kërkesa individuale dhe specifike dhe nuk ndërtohen sisteme
qeverisëse që zgjidhin problematikat qytetare? Nëse ndjekim shfaqjet e bashkëqeverisjes
dhe tipologjitë e cështjeve që trajtohen aty, do kuptojmë se ato me lehtësi
mund të grupohen në tre-katër grupe; cështje varfërie e papunësie, cështje
pronësie apo cështje legalizimi. Dhe një qeverisje e mirë, në ndryshim nga një
keqqeverisje, pasi i grupon shqetësimet qytetare, ndërton politikat, ligjet apo
administratat e duhura për adresimin e tyre.
Ekzaktësisht në të kundërt të asaj që
propogandon për një përfshirje të qytetarëve në qeverisje, bashkëqeverisja vetëm
thellon hendekun midis qeverisë kushtetuese dhe qytetarit. Jo vetëm se i
prezanton qytetarëve një rrugë të ndryshme nga ajo kushtetuese për të adresuar
cështjet e veta, as sepse i atomizon cëshjet duke i kthyer në individuale, por
edhe sepse përjashton pjesën tjetër të qytetarëve. Përvec dy a tre që gjejnë
zgjidhje në shfaqet artistike të bashkëqeverisjes, a di qeveria e
bashkëqeverisjes të na thotë cfarë ndodh me qytetarët e tjerë? Takimet rajonale
janë një atentat ndaj autonomisë lokale. Qarqet dhe bashkitë po pushkatohen në oborr
të shtëpisë së vet. Qarqet janë harruar që ekzistojnë, prej vitesh tashmë nuk
dëgjojmë as të flitet për to. Kurse bashkitë janë duke ju lëpirë apo qurravitur
(sipas përkatësisë së tyre partike) qeverisë kushtetuese për para’ publike,
ndërsa funksionet e tyre po bën sikur po i ushtron qeveria paralele e
bashkëqeverisjes.
ASGJË NDRYSHE NUK MUND TË PRITEJ NGA RILINDJA! Liberale, 06. 01. 2020
Një nga shumllojshëria e kurtheve të kastës politike në Shqipërinë e tranzicionit, ndaj masave të votuese, është relativizimi i pamatshëm i cështjeve qeverisëse, përfshirë skandalet. E thënë thjeshtë, nëse një skandal ndodh në fillim qeverisja tenton ta mohoj se ka ndodhur, më tej fillon ta pranoj me përmasë të përshkallëzuar (pak e nga pak), dhe në fund, kur nuk mund të fshihet më as ekzistenca dhe as madhësia e skandalit, kalon në “argumentin” se e njëjta gjë i ka ndodhur edhe opozitës kur ishte në pushtet. Medemek, masa votuese nuk duhet të shqetësohet për skandalin, i cili kthehet në normalitet, përderisa ai i ndodh të gjithë partive kur janë në pushtet.
Kjo skemë mashtrimi publik funksionon mbështetur mbi dy kolona. Së pari është pritshmëria e publikut, i cili në nivelin e lartë të indoktrinimit partiak ku gjendet, priret të besoj “të vërtetën” e partisë së tij pavarësisht sesa kjo përputhet me të vërtetën faktike. Dhe së dyti, meqë ato shfaqen në kohë të ndryshme, është pamundësia për të krahasuar të “vërtetat” e secilës parti. Kjo sepse qeveria flet në kohën e tashme, kurse opozita flet në kohën e ardhme ose në kohën e shkuar.
Ngjarja tragjike e nëntorit thërrmoi edhe këtë skemë. Eficensa e ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë nga vende të ndryshme të rajonit, na tregoi se sa qesharak është ky shteti jonë dhe sa inekzistente janë institucionet e tij. Krahasimi i njëkohshëm ishte aq i dukshëm, saqë edhe shqiptari më i indoktrinuar nuk mund të gjej “argument” tjetër vec ‘prapambetjes ku na zhyti pushtimi 500 vjecar i Perandorisë Osmane’. Edhe nëse i justifikojmë për momentet e para, se ndoshta shoku coroditi jo vetëm qytetarët por edhe institucionet, cfarë mund të themi për gjendjen sot, pas javësh nga goditja? Media shqiptare dhe e huaj po na dëshmon me fakte të përditshme sesi janë lënë në mëshirën e të ftohtit të dimrit mijëra familje të “strehura” në cadra, ndërsa propaganda qeverisëse pozon qytetarë të lumtur për gjendjen ku ndodhen ndërsa drekojnë me Kryeministrin.
Ne, sigurisht, që mund të vazhdojmë me justifikime qesharake, por kemi edhe një rrugë tjetër, atë të së vërtetës të parë në sy sado e shëmtuar të jetë ajo. Dhe e vërteta jonë e shëmtuar është se Shqipëria që kemi ndërtuar, vecanërisht në shtatë vitet e fundit, nuk ka institucinone qeverisëse. Sigurisht që ka buxhete për to, sigurisht që ka godina dhe zyra për to, sigurisht që ka organika për to, sigurisht që ka zyrtarë që i popullojnë këto ndërtesa, zyra e organika dhe që paguhen apo shpenzojnë këto buxhete publike; por nuk ka institucione që reagojnë dhe veprojnë në përputhje me detyrat, funksionet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore kur taksapaguesi ka nevojë për to.
Kjo është e vërteta e shëmtuar që pakkush do të donte ta dëgjonte dhe askush nuk do të donte ta thoshte, por është gjithashtu e vërtetë faktike dhe e paralajmëruar prej kohësh. Ajo nuk është as një event i përkohshëm dhe as rastësor, por një produkt i qënësishëm i qeverisjes së Rilindjes. Shteti nuk “bëhet” duke edukuar qytetarët, sikurse janë synimet qeverisëse të Rilindjes, por duke ndërtuar dhe forcuar institucionet e tij. Sepse Shteti, nuk ka detyrë të edukojë individë; por në të kundërt, janë individët e lirë, aq të edukuar sa c’janë, që organizohen së bashku dhe ndërtojnë Shtetit duke ngritur e financuar institucionet e tij, që ato mw tej t’ju shërbej në ato cështje për të cilën janë krijuar dhe financohen dhe në ato kohë kur individët kanë nevoja të përbashkëta.
Mjafton tju rikthehemi karakteristikave të kësaj qeverisjeje fasadiste, populiste, propogandistike e policore, për të kuptuar se asgjë të ndryshme nga ajo që patëm nuk mund të prisnim. Por c’ka është akoma më keq se kaq, është fakti se asgjë të ndryshme nuk mund të presim edhe në të ardhmen, përderisa as ky sulm natyror i jashtëzakonshëm nuk ndryshoi dot kuptimet e Rilindjes mbi qeverisjen dhe Shtetin. Edhe qeverisja më ineptokrate në botë duhet të kishte marrë leksionin e parë nga kjo ngjarje tragjike, por duket se Rilindja nuk e merriton dot as këtë cilësor. Ajo nuk kupton se me fasadizma, populizma , propogandë, përfshirë edhe ‘dhunën legjitime të shtetit’ mund ta shtysh edhe ca kohë në pushtet; por kurrësesi nuk mund të qeverisësh!
Në të kundërt të asaj që duhej por në përputhje me atë që pritej, qeveria e Rilindjes vijon të na tregoj përalla shumëngjyrëshe, tredimensionale, dixhitale, të pyllëzuar, me korsi bicikletash e autobusë elektrikë; ndërsa shumë qytetar përjetojnë pasiguri për jetën, shëndetin dhe pronën, dhe jo pak prej tyre mbeten në qiell të hapur në këto ditë të ashpëra dimri që sapo kanë filluar.
RILINDJA
SOCIALISTE DHE TRANZICIONI I KTHYER MBRAPSHT! Liberale, 13. 01. 2020
Megjithëse
nuk kam qenë asnjëherë plotësisht i saktë, unë e kam emërtuar gjithmon
udhëtimin e shoqërisë shqiptare të 30 viteve të fundit, me emrin tranzicion.
Dhe kur them tranzicion, kam pasur parasysh kalimin nga një regjim autoritarist
njëpartiak të ekonomisë së planifikimit të centralizuar, sikurse ishte
Shqipëria e para vitit 1990-të, drejt një sistemi demokratik liberal të
konsoliduar dhe ekonomisë së tregut të lirë. Ndoshta do të isha më i saktë nëse
e konsideroja, sikurse shpesh në raportet ndërkombëtare, demokraci e brishtë
apo hibride; porse asnjëherë nuk e kam ndjerë veten si një qytetar të një vendi
demokratik, qoftë ajo edhe e ‘brishtë’ apo ‘hibride’.
Në
fakt, ka pasur një arsye më racionale se ato që sjellin ndjesitë subjektive,
dhe ajo ka qenë mundësia teorike e ndërprerjes së tranzicionit në kahun nga
autoritarizmi politik e ekonomia e centralizuar drejt demokracisë liberale dhe
të ekonomisë së tregut të lirë. Skenar ky që teoritë e demokracisë nuk e
përjashtojnë, përkundrazi historia e demokratizimeve na dëshmon se ka ndodhur
edhe në vende me një traditë më të konsolduar të demokracisë se Shqipëria. Nëse
i referohemi teorisë së valëve të demokratizimit, të akademikut amerikan Samuel
Huntington, është shumë e qartë se ka pasur shumë raste kur procesi i
demokratizimit është kthyer mbrapsht.
Që
në përkufizimin që Jeane Grugel, Drejtoresha e Qëndrës Ndërdisiplinore të
Zhvillimit Global, i bën valës së demokratizimit, për të cilën thotë se është ‘një grup tranzicionesh nga regjime
jodemokratike në shoqëri demokratike që shfaqen brenda një periudhe specifike
kohe dhe që në mënyrë domethënëse ia kalon në numër tranzicioneve në drejtim të
kundërt gjatë asaj periudhe kohe’; mund të kuptojmë se kthimi mbrapsht nuk
është një event i pamundshëm. Nëse shkojmë pakëz më thellë në tezën e
Huntington, sipas të cilës bota moderne ka kaluar tre valë të kalimit në
demokraci, do të na kujtohet fakti historik se shumë vende të valës së parë, si
Gjermania, Italia, Spanja, Argjentina dhe disa vende të Europës Lindore, midis
1926-1945, përjetuan një kthim mbrapa në proceset demokratizuese të nisura që
në fillim të shekullit të 19-të, përshkak të përqafimit të ideoligjive
kolekstiviste e etatiste si socializmi dhe vecanërisht nacional socializmi.
Faktkeqësisht
për Shqipërinë, kjo është ajo që po i ndodh në 7 vitet e qeverisë etatiste të
Rilindjes. Sepse Shqipëria e post 1992-të, megjithëse me një hap prej liliputi
dhe shpesh në vend numëro, për më shumë se dy dekada po udhëtonte në
tranzicionin e lodhshëm drejt demokracisë.
Kjo
ishte larg të qënit demokraci e konsoliduar, në atë sistem politik ku qytetarët
dhe liderat përshtaten plotësisht me rolet e tyre demokratike në sistemin e ri dhe
tranzicioni të konsiderohej i përmbyllur, (referuar fazave të tranzicionit
sipas politologut Dankëart Rustoë), por gjithësesi kahu i lëvizjes ishte i
qartë. Në të kundërt, në të ashtu quajturat reforma rilindase për të “bërë”
shtetin e munguar në dy dekadat e para, gjithcka u thye mbrapsht, nëpërmjet
centralizimit të pushtetit në duart e Kryeministrit që tashmë është edhe Udhëheqësi
fuqiplot i Kuvendit të Republikës, Kryebashkiaku i të gjitha njësive të
Qeverisjes Vendore dhe Investitori i vetëm i sipërmarrjeve më të mëdhaja në
vend, ndërsa lufton për të marrë edhe drejtimin e punëve të Presidencës; kahu i
udhëtimit politik të Shqipërisë është shumë i qartë, drejt autoritarizmit.
Shembuj
argumentues mund të merren pafund, por në këtë shkrim të shkurtër opinioni do
të fokusohemi vetëm te disa nga “reformat” rilindase që kanë lidhje me cështjet
e qytetit.
Për
ta nisur me projektin e centralizuar të ‘Rilindjes Urbane’ që gëlltiti 360-600
milion euro me asnjë produktivitet në ekonominë lokale, përvecse zvogëlim të
kompetencave të Njësive të Qeverisjes Vendore në fushën e menaxhimit urban,
funksion të cilin e kishin fituar që në vitin 2000-ë me ligjin “Për organizimin
dhe funksionimin e Pushtetit Vendor”! Për të vijuar me ‘Reformën Territoriale
dhe Administrative’ e cila jo vetëm nuk solli dot përfitimet ekonomike të
premtura, por largoi politikanin e votuar nga qytetari kur zëvendësoi
kryekomunarin dhe këshillin komunar të
votuar më parë nga qytetari me administratorin dhe burokratin e emëruar nga
kryebashkiaku i Bashkisë së Madhe, ndërsa zmadhoi kostot publike për mbajtjen e
të administratës së disa fishuar. Për të mos harruar “Reformën” e Sistemit të
Planifikimit të Territorit nëpërmjet ligjit të miratuar për këtë sektor, e cila
jo vetëm nuk përqafon asnjë parim europian e modernizuas të qeverisjes së mirë
Urbane, por koncentron më shumë pushtet në duart e angjensive të Kryeministrisë
dhe vet Kryeministrit, sesa ligji sivlla i tij i vitit 1978-të!
Mund
të kishim vëzhguar edhe shumë “reforma”
dhe ‘projekte” të tjera të qeverisjes socialiste të Rilindjes, për të
cilat kemi folur gjërë e gjatë në të shkuarën, por do ishte thjeshtë humbje
kohe. Të gjitha kanë të njëjtët karakteristika, përvecse populiste, demagogjike
dhe fasadiste; ato kanë karakter të qartë zvogëlimin e pushteteve të
aksionerëve (kontribuesve) të tjerë në demokraci, dhe në mënyrë të vecantë
qytetarit dhe pushtetit vendor, për të mbifuqizuar Kryeministrin. Dhe këtë
trend, vështirë të gjendet politolog që nuk e konsideron ‘udhëtim drejt
autoritarizmit’.
NUK
DUHET TË SHQETËSOMI VETËM PËR KANABISIMIN
POR EDHE PËR BETONIZIMIN QË VJEN PREJ TIJ! Liberale, 03. 02. 2020
Nuk kanë kaluar vecse tre apo katër vite, nga koha
kur territori i Atdheut gjendej i mbuluar nga kanabisi, dhe ngjarja duket se po
nis të përsëritet. Një raportim mediatik nga gjigandi Rai 3, na ktheu mbrapa, në
një kohë që as nuk na shkonte në mendje se mund të riktheheshim. Ndoshta jemi
shoqëri pa aftësi analizuese dhe parashikuese, ose ndoshta kemi besim të fortë
te karakteri linear i historisë që ecën përpara pa asnjë kthim pas. Por një gjë
është e sigurtë, nëse pranojmë për të vërtetë kronikën e Rai 3 se prodhimi i
kanabisit është rikthyer në një masë të 120-ë fishuar, atherë drejtohemi nga
një kastë pa aftësi krijuese që rikthehet te të njëjtat metoda që njeh.
Aq e sigurtë është kjo, sa mund ta deklaroj edhe një
urbanist: kanabizimi i vendit është një nga të këqijat më të mëdha që mund ti
ndodhi një vendi. Ai mund të sjelli dëme të tilla sa nuk do të gabonim po të
heqim një paralele mes tij dhe asaj që ndodhi në Shqipëri me piramidat në vitin
1997. Ekspertiza e ekonomisë dhe
politologjisë shprehet e bindur se masivizimi i kultivimit të hashashit do të
ketë pasoja tepër negative për vendin. Duke filluar nga largimi i vëmendjes nga
sektori i bujqësisë, që megjithëse është i nënvlerësuar këto kohë për shkak të
“modernizimit” , vijon të japi shumë në Produktin e Përgjithshëm Bruto; për të
vazhduar me efektet sociale, shumë të rëndësishme për një vend që ka pësuar një
tronditje të thellë të shoqërisë në këto vite tranzicion; për të mos harruar, shtrembërimin
që i bën tregut të punës, që megjithëse po kalojnë 30 vite nga rënia e sistemit
punist nuk po mund të stabilizohet e hapet; për ta mbyllur me fuqizimin e
ekonomisë kriminale, që është qershia mbi tortë për një shoqëri që po mbytet
nga kriminaliteti saqë po e eksporton edhe në vendet antare të BE dhe më gjerë.
Shembuj nga bota, ku më tipikja është Kolumbia, na i dëshmojnë të gjitha këto,
por edhe se orientimi i ekonomisë nga kultivimi i produkteve nartotike nuk ka
sjellë në asnjë rast rritje të mirëqenies së vendit.
Mirëpo, ka dicka që mua më shqetëson më shumë se
kanabizimi i vendit, dhe ai është betonizimi i tij. Bile, në këtë pikë, më
duhet t’ja pranoj një meritë kanabizimit, i cili e “pranon” Shqipërinë
territoriale të shtrirë në 28.748 km2, aq sa na njohin gjithë vendet e botës,
prej 1913-ës. Mjafton të jetë territor brenda kufinjve në juridiksionin e
Republikës së Shqipërisë, që do të thotë se kompetencën dhe detyrën e
kontrollit të saj e ka policia shqiptare, dhe nuk diskriminohet nga kultivuesit
e kanabisit. Kurse betonizimi njeh vetëm Durasanën, apo Shqipërinë e shtrirjes
territoriale prej 3 mijë km2, midis qarqeve Tiranë, Durrës dhe një cep të
Elbasanit. Bile, kultivuesit e betonit janë më qibar, ata diskriminojnë
pozitivisht, vetëm zonat qëndrore të këtyre qyteteve, ku qëndra e Tiranës është
më e preferuara për bimët e tyre shumëkatëshe.
Ka një lidhje të fortë midis kanabizimit dhe betonizimit,
që nuk është vetëm paaftësia e elitës drejtuese shqiptare, e cila ka marrë prej
vitesh fizionominë e një kaste sunduese. Sigurisht që është edhe kjo. Sigurisht
që, paaftësia e kësaj kaste për të drejtuar shoqërinë drejt ndërtimit të një
modeli ekonomik të ndryshëm nga ai i konsumit, drejt një modeli që prodhon
produkte dhe shërbime që jo vetëm përmbushin nevojat e brendshme, porse mund edhe të eksportohen në
rrugë të ndershme në vendet perëndimore, i bën bashkë modelin e kanabizimit me
modelin e betonizimit. Por ka edhe një
lidhje tjetër, më të drejtpërdrejt, më shkak-pasojë, për to.
Po mos kemi kananbizimin e vendit është e vështirë
të vijojë betonizimi i tij. Pas pesë valëve të tjera të spekulimit në tregun e imobiliareve,
duke shkatërruar e dëmtuar dimensionin territorial të atdheut, dimensionin
urban të qyteteve shqiptare, pasuritë e patundshme të pronarëve të vjetër dhe
financat e pronarëve të rinj; duket se shqiptarët shumë të varfëruar nuk mund
ta ndjekin më këtë valle! Nëse shqiptarët janë varfëruar aq sa nuk ju dalin më
remitancat e familjarëve, apo kreditë nga bankat e nivelit të dytë, për të financuar
migrimin në Tiranë, atherë duhet shpikur një instrument tjetër financimi për
betonizimin. Dhe ky, dukshëm është financimi i parave të ardhura nga krimi i
organizuar, ku kanabizimi është ‘me kosto më të ulët’ ndërkombëtare. Prandaj,
pa kanabizim vështirë të kemi betonizim, sepse mungojnë mundësitë e tjera të
financimit; porse edhe pa betonizim, si një mundësi për paratë e krimit,
vështirë se do të kishte kanabizim.
Comments
Post a Comment