+ QEVERIA RAMA, LEJET E NDERTIMIT DHE DOING BUSINESS!

ABSTRAKT
Ka një lidhje të fortë midis lejeve të ndërtimit me bërjen bisnes. Ja disa nga marrdhëniet mes tyre:
-lejet e ndërtimit lejojnë ndërtimin që është një bisnes shumë i rëndësishëm në tërë botën, vecanërisht në vendet në zhvillim si Shqipëria (17% te PPB). Në BE është 10%. Po gjithashtu i punësimit (BE, 20 milion njerëz).
-bisnesi i ndërtimit është një lokomotivë edhe për shumë bisnese të tjera që e furnizojnë atë me lëndë të parë, teknogji dhe makineri.
-bisnesi i ndërtimit prodhon ndërtesa ekonomike, për bisnese të tjera.
Raporti ‘Doing Business 2017’ i Bankës Botërore e rendit në vend të 58 në rankimin që ky raport i bën 189 vendeve të botës.
Nëse në treguesit e tjerë vlerësimi ka qënë i njëtratshmëm me një trend të lehtë rritës, cështja e lejeve të ndërtimit ka ndikuar përgjithësisht për luhatje të forta në rankimin e vendit. Dhe në këtë kuptim kanë ndikim të madh në vlerësimin e BB.
Pyetja e parë (strategjike) që të shkon në mëndje, si reagim ndaj këtij konstatimi, është: cfarë ka ndodhur me sektorin e ndërtimit në këtë dekadë që ka ndikuar kaq shumë?! Dhe përgjigjja është vetëm një: qeveria shqiptare 2005-2013 ka tentuar të ndërtoj një sistem modern rregullator. Ulje-ngritjet e procesit të hartimit të këtij sistemi, kulmuar me dështimin e plotë të kësaj tentative në 2013, duket se kanë përcaktuar pozicionimin në raportet e Bankës Botërore. Më tej, paqartësia, panjohuria dhe megallomania e qeverisjes 2013 e në vijim pamundësuan ndërtimin e një sistemi.
Pyetja e dytë (praktike), është: cfarë ndodhi këto tre vitet e fundit që Shqipëria në raportin 2016, në aspektin e lejeve të ndërtimit zbriti 67 vende nga viti i mëparshëm, kurse në raportin e 2017 u ngrit 80 vende nga një vit më parë? Mos vallë u implementua një sistemi rregullator? Fatkeqësisht jo! Këto rezultate i siguruan lëvizje politike të qeverisë. Së pari, me një vendim politik Kryeministri shqiptar bllokoi për një vit të gjithë aktivitetin administrativ të lejedhënies ndërtimore. Dhe ky veprim u reflektua në një rënie prej 67 vendesh. Një vit më vonë i njëjti Kryeministër vendosi që lejedhënia të kryhej vetëm për 60 ditë dhe me procedura elektronike, dhe kjo siguroi që Shqipëria të njihte një rritje prej 80 vendesh.
Megjithë vlerësimin në rritje të ‘Doing Business 2017’, asgjë nuk ka ndryshuar në realitetin praktik të ndërtimtarisë. I njëjti vullnet i “Epërm”që përcaktoi 60 ditë për lejet elektronike, mund të kishte përcaktuar që ndërtimet nuk kanë nevojë fare për leje në Republikën e Shqipërisë. E kështu të zinim vendin e parë në botë, ndërsa na mungon një set i gjerë e i shumllojshëm rregullimesh e planifikimesh territoriale që do na siguronin qëndrueshmërinë ekonomike, mjedisore e sociale të zhvillimeve potenciale.



MBIVLERESIMI I PAVLERE I KONCEPTIT "LEJE NDERTIMI". Mapo, 09.05.13

E matur empirikisht, sipas disa institucioneve ndërkombëtare, koha e pajisjes me një leje ndërtimi, në Shqipërinë e dekadës së parë të mijëvjeçarit, arrin deri në 380 ditë. Eksperienca të veçanta tregojnë se kanë kaluar edhe ‘vite pritje’ për t’u pajisur me një të tillë. Treguesi është i pakuptimtë (më së paku) po të kemi parasysh se Shqipëria është një vend në zhvillim pas një periudhe 50 vjeçare të mungesës së zhvillimit si pasojë e politikave të këqia të frymëzuara nga ideologjia komuniste, por edhe nga pamundësia buxhetore për investime. Sistemi politik për 50 vite kishte prodhuar në ekonomi vetëm një investitor, Shtetin, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe leje (zhvillim) dhënësi. Duhet kujtuar se, Shteti (ndër shumëçka) kishte monopolin absolut për punësimin e asaj pjese të popullisë që ishte e aftë për punë. Ai grumbullonte likuiditet nga shitjet e mallrave të prodhuara nga fuqia punëtore, e cila në të njëjtën kohë ishte edhe konsumatorja e vetme e produkteve të tij. Këto kapitale Shteti i ri-investonte në ekonomi, ku dimensioni territorial dhe ndërtimor barazohej me një leje ndërtimi. Pra Shteti i jepte Shtetit një leje ndërtimi. Nuk mund të dëshmohet sa orë apo ditë i duhej një Kryetari të Këshillit Ekzekutiv të Rrethit apo Ministri për të firmosur një leje ndërtimi, por një gjë është e sigurt, vonesa në veprimtarinë burokratike do të shoqërohej me identifikimin e një ‘grupi armiqësor’. Ndërkohë, për shumë shkolla ekonomike, nevoja për investime në një sistem kapitalist, vlerësohet e njëjtë me nevojën e një qënie të gjallë për ushqim. Në kuptimin teorik të qëndrimit të sotëm politik, një leje ndërtimi është një vendimarrje qeverisëse për të lejuar një njeri apo një grup njerëzish të ndryshojnë formën apo gjëndjen natyrore të një toke/parcele, duke kryer punime ndërtimore në të. Vendimi qeverisës duhet të ndërmerret pasi ka një kërkesë nga një zhvillues apo një grup zhvilluesish për të zhvilluar një pronë apo një grup pronash të paluajtshme. Në konteksin e një vendi demokratiko-kapitalist, sikurse është Shqipëria, kërkesa për leje ndërtimi duhet të vlerësohet në dy karakteristikat e para të sistemit, demokracia dhe ekonomia e tregut. Të dy këto komponentë, sikurse shumëçka në realitetin social, janë në ndryshim dhe evoluim të vazhdueshëm. Dikush mund të pyesi; si mund të ndryshojë demokracia dhe ekonomia e tregut dhe cfarë lidhje ka kjo me lejet e ndërtimit? Pyetje legjitime kjo, në konteksin e botkuptimit të ‘të vërtetës së fundme’, i cili për inerci frymëzon çdo mendim tonin.
Përgjigjja është e thjeshtë, si evente sociale (pra gjëra që kanë të bëjnë me ndërveprimin njerëzor), nuk janë statike. Demokracia evolon nga demokracia minimaliste e përfaqësuese drejt demokracisë gjithëpërfshirëse, dhe, kapitalizmi evoluon nga efektshmëria ekonomike drejt kapitalizmit të zgjuar, të qëndueshëm (ekonomik, social dhe mjedisor) dhe gjithëpërfshirës. Dhe, përderisa një zhvillim ndërtimor ka të bëjë me të drejtën e zhvillimit të një prone të paluajtshme dhe përfitimin prej saj, për së pari, dhe për së dyti ndikon cilësinë e jetesës së njerëzve edhe në aspekte joekonomike, atëherë është evidente marrdhënia mes tyre. Me një fjalë, dimensioni demokratik ka të bëjë me procedurën e marrjes së këtij vendimi kurse dimensioni ekonomik ka të bëjë me përfitimin nga ky zhvillim/ndryshim, i lejuar nëpërmjet kësaj vendimarrje. Në vazhdim të kuptimit teorik (të sintetizuar) dhe në pranim të konceptit të demokracisë në evolucion, dimensioni demokratik apo procedura demokratike e vendimarrjes nënkupton nënshkrimin nga një politikan i votuar (krye-bashkiak/komunar apo ministër) të një formati, që quhet leje ndërtimi. Ky dokument tregon se kërkesa është miratuar dhe këtë vendim politikani i votuar e ka marrë në mbështetje të stafit të tij teknik dhe bashkëpunim me palët e interesuara për këtë zhvillim. Stafi teknik i propozon miratimin e kërkesës pasi e gjen në përputhje me politikat (ekonomike, sociale dhe mjedisore) e miratuara më parë, kurse palët e interesuara dakordësojnë se nuk ndihen të dëmtuara nga ky zhvillim. Kaq e thjeshtë është, një procedura e thjeshtë administrative. Një nga të shumtat në ditë, të cilat administratat konceptojnë dhe kryetarët e bashkive e komunave apo ministrat miratojnë. Po kështu në aspektin e kapitalizimit të investimit. Janë kërkuesit (investitorët) që analizojnë kostot dhe përfitimet nga investimi i kërkuar, i takon atyre të masin nëse ky investim është i efektshëm për ta. Dhe në një kapitalizëm funksional, tregu i lirë si një organizëm i gjallë nëpërmjet konkurencës siguron efektivitet ekonomik të zhvillimit. Në termat e vlerës publike të investimit dhe gjithëpërfshirjes, si evolucion i kapitalizmit modern, janë palët e interesuara dhe administrata publike që vlerësojnë dhe ndikojnë. Palët e interesuara në mbrojtje të interesave të familjeve apo grupeve të tyre dhe administrata në mbrojtje të interesave të të gjithë komuniteteve dhe vecanërisht të grupeve të papërfaqësuara në këtë vendimarrje. Kaq e thjeshtë është, një procedurë administrative.
Teorikisht është kështu, sepse në fakt janë dashur 380 ditë, thonë institucionet ndërkombëtare. Nëse 25 vjet më parë, në sistemin më burokratik, më të centralizuar dhe më anti inisiativë të njohur ndonjëherë nga njerëzimi, lejimi i ndërtimit bëhej me një fjalë goje të tipit të fillojnë punimet, pas 20 vjetësh, në një sistem kapitalist, u dashkan 380 ditë. E çuditshme. Në një analizë të thjeshtë krahasuese racionale, sipas të cilës: në socializëm buxheti i investimit ishte shtetëror, në kapitalizëm është privat; në socializëm trualli ishte shtetëror, në kapitalizëm privat; në socializëm koston e investimit të gabuar e përballonte shteti, në kapitalizëm e përballon privati; në socializëm fondet për investime ishin minimale, në kapitalizëm fuqia dhe mundësitë investuese është e pafundme; në socializëm për të gjithë mendon vetëm shteti, në kapitalizëm cdo grup interesi mendon për vete; në socializëm të gjithë i përfaqëson shteti, në kapitalizëm secili përfaqëson vetveten; etj.etj., na del se, në socializëm shteti për të lejuar një ndërtim i duhej të peshonte shumë gjëra më shumë se i duhet administratës në kapitalizëm dhe, në këtë kuptim, i duhej më shumë kohë për vendimarrje. Aritmetika e thjeshtë të çon këtu, por, kush është problemi atëherë? Cfarë e pengon një investues të investojë paratë e tij? Cfarë e pengon një pronar trualli të zhvillojë pronën e tij? Cfarë e pengon kapitalin të rritet? Cfarë e pengon kapitalin të punësojë? Përgjigjja është e thjeshtë, mbivlerësimi i konceptit “leje ndërtimi”. Mbivlerësim i cili është i pavlerë, sepse pengon. Pengon rritjen e kapitalit, punësimit dhe mirëqënies.




MUNDËSITË PËR BISNES DHE LEJET E NDËRTIMIT. Mapo, 16.06.2014

Disa ditë më parë drekova me një mikun tim me profesion kovaç. Këtë profesion kishte ushtruar për disa vite në sistemin e kaluar, kryefamiljari i ardhur nga një fshat i Korçës në rrethinat e Durrësit. Tashmë nuk ishte më kovaç por sipërmarrës, dhe aktivitetin e tij e kishte mbështetur tek ajo që njihte më mirë. Përpunimi i hekurit. I vinte keq që nuk mundte më ta përpunonte hekurin për t’i dhënë forma artistike, por ishte i kënaqur edhe me mënyrën e re të përdorimit të tij. Ai merr elementë të parapërgatitur të hekurit dhe krijon skelete hekuri për kapanone. Më tej, këto hapësira u shërbenin sipërmarrësve të tjerë për të prodhuar apo magazinuar mallra konsumi me etiketën ‘made in Albania’. Ndoshta ky fakt e bën edhe më shumë krenar. Në një mënyrë shumë specifike ai i shërben ekonomisë kombëtare dy herë. Me produktin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me produktet që prodhohen, në ndërtimet me konstruksion metalik që ai prodhon. Shprehja ‘ku dhemb dhëmbi shkon gjuha’, duket se u vërtetua edhe në këtë rast. Gjatë gjithë drekës tema e bisedës ishte aktiviteti i tij dhe problematikat që ai ndeshte përditë. Kostot e prodhimit, çmimet e shitjeve, burimet njerëzore, transporti i lëndëve të para dhe produkteve përfundimtare, montimi në terren, ishin çështjet që ai iu kthye më shumë se një herë në bisedë. Por shprehja kyç që u përsërit e ripërsërit me dhjetëra herë ishte togfjalëshi ‘lejet e ndërtimit’. Ato nuk i hiqte nga goja. Shpjegonte e rishpjegonte se sa dhjetëra kontrata, me porositës, kishte gati për t’i firmosur apo për të nisur punimet, porse ato “të flamosurat” lejet e ndërtimit e kishin bllokuar. Kështu që mbetej në pritje. Dhe jo vetëm ai, por së paku dhjetëra biznese që prisnin, që ai të ndërtonte hapësirat ku ata do të ushtronin aktivitetin e tyre. Me mënyrën e tij të thjeshtë më sqaroi gjithçka që e favorizonte dhe gjithçka që e pengonte bërjen e biznesit në Shqipëri.
Ekzaktësisht, ato që më tha miku im kovaç/sipërmarrës, na ekspozon edhe ‘Doing Bisness 2014’ për të bërit biznes në Shqipëri. Ekspertiza e Bankës Botërore vëzhgon lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës dhe për vitin 2014 Shqipëria i del në vendin e nëntëdhjetë. Apo e thënë ndryshe, tetë vende më poshtë se një vit më parë. Këtë vëzhgim, Banka Botërore e kthen në raport dhe e publikon. Raporti merr në shqyrtim 10 tregues, të cilët lidhen me kostot e proceseve rregullatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Shqipëria, në krahasim me raportet e viteve të kaluara, vazhdon të ruajë një vlerësim pozitiv përsa u përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14. Ndërkohë që vazhdon të mbetet e fundit në renditje për një nga komponentët më të rëndësishëm të vrojtimit, lejet e ndërtimit. Por ajo që të shqetëson më tepër në këtë raport është fakti se, nëse për çdo vend të botës ka nga një shifër treguese për (i) numrin e procedurave, (ii) kohën në ditë për pajisje me një leje ndërtimi, apo (iii) kostot financiare për marrjen e një leje, për Shqipërinë ka nga një vizë. Vizë që tregon se këta tregues nuk shprehen më as me numra. Pra, ose nuk jepen më leje ndërtimi, ose njerëzit ndërtojnë pa leje. Ndër gjetjet dhe pozimet e shumta që ka raporti, mund të veçojmë edhe një tjetër. Vlerësimin mbi ‘reformat e biznesit në Shqipëri’ që nis nga viti 2008. Nëse e konsulton këtë tabelë, dallon menjëherë se gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, sipas vlerësimit të drejtpërdrejtë të raportit, që e bëjnë më të lehtë bërjen e biznesit në Shqipëri. Mirëpo ka edhe një reformë, e cila që prej vitit 2012 e vështirëson bërjen e biznesit dhe ajo është reforma për dhënien e lejeve të ndërtimit. Apo reforma e planifikimit të territorit.
Ky raport botohet në disa gjuhë të botës, në shërbim të qeverive dhe sipërmarrësve ndërkombëtarë. Qeveritë normale e studiojnë dhe ndërmarrin masa me synim përmirësimin e treguesve, dhe me target tërheqjen e investimeve. Sipërmarrësit normalë e studiojnë me synimin e njohjes së vendeve ku është më lehtë për të investuar me targetin për t’i drejtuar sa më mirë investimet e tyre të ardhshme. Qeveritë anormale dhe sipërmarrësit anormalë, nuk dihet si veprojnë në të tilla rrethana. Por një gjë duket dhe mund të thuhet. Qeveria Shqiptare as nuk e ka vënë ujin në zjarr për një çështje kaq të rëndësishme. Ka lënë në fuqi ligjin ‘Për planifikimin e territorit’ të vitit 2009, ndërsa e ka delegjitimuar atë duke nisur një proces për hartimin e një ligji tjetër. Kështu që biznesit i duhet të presë edhe disa vite të tjera, ndërsa Banka Botërore do ta ketë shumë të lehtë punën. Më keq se në vend të fundit, ky tregues, nuk ka ku shkon.



LEJET E NDËRTIMIT DO TI JAPI KRYEMINISTRI! PUSETA QË GJETI KAPAKUN. Mapo, 12.09.2014

Një vit më parë Qeveria e sotme paraqiti në Kuvend programin e saj qeverisës për mandatin që kishte marrë. Shumëkush u morr me formën e materialit të shkruar që u paraqit për miratim nga përfaqësuesit e popullit. U trajtua, me të drejtë sovrane, stema e Republikës që kishte ndryshuar, materialet e shumta fotografike, ngjyrat e forta. U fol gjithashtu edhe për përmbajtjen. Kritika dhe oponeca të forta tërhoqën shumë cështje që programi konsideronte, trajtonte apo jepte vizione zgjidhjeje. Mirëpo shtylla kurrizore e të gjithë kritikave ishte argument se ky program qeverisës nuk materializonte (me shkrim) premtimet e fushatës elektorale. Ky u pa si një difek, në një kohë kur duhet të vlerësohej si arritja më e madhe e programit. Të paktën në dukje qeverisja e re po distancohej nga premtimet për bllokim të reformave në proces apo për ndërmarrje antireformash. Komponet shumë i rëndësishëm i këtij programi qeverisës, të paktën nga vlera që i jepte diskursi public i qeverisjes së ardhshme, ishte ai i planifikimit dhe zhvillimit territorial, përfshirë turizmin dhe legalizimet. Për këto cështje ishte foluar shumë, vecanërisht, në fushatën elektorale. Orë e orë pafund ligjërimi politik, por, edhe me terma konkretë. Mendime të c’orientuara, të trazuara dhe konfuze, por sidoqoftë tema shumë të preferuara për trajtim elektoral. Cka të krijonte përshtypjen se gjërat në këto sektorë do ndryshon rrënjësisht. Mbase nuk do rilindnin, sikurse na u premtua, por sidoqoftë do përmirësoheshin ndjeshëm. Dhe vizioni i përmirësimit pritet të fillojë nga programi qeverisës. Aty, normalisht, fillon shumëcka. Aty pozohet problematika e gjetur dhe aty jepen alternativat e zgjidhjes apo minizimit të këtyre problematikave. Biles shkohet edhe më tej. Propozohen rrugë e perspektiva të reja.
Mirëpo, programi qeverisës për planifikimin dhe zhvillimet territoriale (përfshirë turizmin dhe legalizimet) zhgënjyen shumëkënd. Dhe jo vetëm ana formale e saj. Por mbi të gjitha shterpësia përmbajtësore. Sepse edhe me katërqind e gjashtë fjalë, sikurse kishte ky program, mund të thuhen shumë gjëra. Mund të identifikohen të gjitha problemet. Mund të planifikohen shumë zgjidhje. Mund të projektohen shumë perspektiva. Në të kundërt, përmbajtja e këtij programi rivalizonte ato këngët hip-hop, teksi i të cilave është vetëm një togfjalësh refren që përsëritet e përsëritet. Diferenca e vetme ishte vet togfjalëshi. Në vend të ‘do të shëtis nëpër fshat me X6’, ajo që lexohej në program ishte ‘ne do e lulëzojmë Shqipërinë territoriale e urbane’. Asgjë tjetër, vecse poezi. Produktin e poezi-programit e konsumuam gjatë vitit të parë qeverisës. Një pusetë e madhe dhe shumë e thellë. Për të mos folur për erën që lëshoi. Në fund të korrikut kësaj pusete ju dha forma përfundimtare. Kuvendi i Shqipërisë miratoi një draft-ligj bolshevik për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Ktheu në ligj një grumbull fjalësh që as në vetvete nuk është i qëndrueshëm e jo më të mundësoj zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Por as ky dëm nuk do të mjaftonte. Pusetës i nevojitej kapaku dhe këtë ja vendosi vet Kryeministri. Kryeministri vendosi që kontrollin e zhvillimeve në territor të mos e bënte më Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik por Policia e Shtetit! E thënë thjesht, të mos e bënin më inxhinierët por ta bënin policët. Shumë kush që njeh sektorin e ndërtimit u cudit. Si mund të kontrollojnë policët nëse një ndërtim është paleje apo me leje? Si mund të kontrollojnë policët nëse një ndërtim po e zbaton lejen sipas projektit të miratuar apo në kundështim më të? Pyetje të shumta të lindin në një rast të tillë kur tentohet të zëvendësohet ekspertiza me forcën.
Mirëpo, përgjigjen na i dha z. Rama. Këtë rast jo si Kryeministër por si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit. Policëve do t’ju mjaftojë të shkojnë në kantier dhe të kërkojnë formularin e lejes së ndërtimit. Nëse atje i paraqisin një copë letër më firmën e Kryeministrit/Kryetarit të KKT-së në fund të saj, atherë cdo gjë është në rregull. Duhet të ikin se e kanë kryer detyrën. Në të kundërt, policia duhet ta shëmbin atë objekt sepse është i paligjshëm. Këtë të “folur në kod” e mundësoi Këshilli Kombëtar i Territorit, nëpërmjet vendimeve të tij. Në kundështim me Kushtetutën, Kartën e Autonomisë Vendore, ligjin për organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore, ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, shumë vendimeve të veta të mëparshme dhe jashtë cdo juridiksioni të fushës së tij të veprimit, Këshilli Kombëtar vendosi që lejet e ndërtimit në Shqipëri t’i japi vetëm Kryeministri/Kryetari.




‘DOING BUSINESS’ DHE SHAKAJA E LEJEVE ELEKTRONIKE! Mapo, 09. 12. 2016

Më së fundi një lajm i mirë për Shqipërinë e bisnesit. Raporti ‘Doing Business 2017’ i Bankës Botërore e rendit në vend të 58 në rankimin që ky raport i bën 190 vendeve të botës. Ekspertiza e Bankës Botërore merr në shqyrtim dhe vlerëson 10 tregues, të cilët lidhen me kostot e proceseve rregullatore dhe me kuadrin ligjor e institucional me të cilat ndeshet një bisnes përgjatë aktivitetit të tij. Ky raport është shumë i rëndësishëm sepse shumë investitorë ndërkombëtar orientohen në vendimarrjet për shtrirje të aktiviteteve të tyre ekonomike në vende të reja, pikërisht nga këta tregues. Dhe vecanërisht për një vend si Shqipëria, që strategjikisht e kërkon prosperitetin ekonomik te investimet e huaja, kjo renditje është një gjë shumë pozitive. Për më tepër, kur vlerësimet e fundit nuk kanë qenë pozitive, për të kulmuar me vitin 2016 ku Shqipëria pësoi një rënie prej 35 vendesh dhe u pozicionua në vend të 97-t nga vendi 62-t ku ishte një vit më parë. Raporti që botohet në disa gjuhë të botës është i aksesueshëm për cdo njëri të interesuar. Ai i shërben jo vetëm qeverive dhe sipërmarrjeve ndërkombëtare por edhe kërkuesve shkencor e këshilltarëve politik, të cilët e studiojnë për të këshilluar përmirësime të aspekteve të ndryshme ligjore apo praktikave administrative. Në fak, në një dimension shumë modest këtë do bëjmë edhe në këtë shkrim të opinionit. Ajo që me lehtësi mund të dallohet në raportet e tetë viteve të fundit (respektivisht, për vitet 2008-2016, renditja ka rezultuar në vendet: 89; 82; 77; 82; 82; 108; 62; 90 dhe këtë vit në vend të 58-të), por edhe më parë, është se katalizatori më i madh në lëvizjet e shpeshta të Shqipërisë në tabelen e rankimit të këtij raporti, është treguesi i lejeve të ndërtimit. Nëse në treguesit e tjerë vlerësimi ka qënë i njëtratshmëm me një trend të lehtë rritës, cështja e lejeve të ndërtimit ka ndikuar përgjithësisht për luhatje të forta në rankimin e vendit.
Pyetja e parë (strategjike) që të shkon në mëndje, si reagim ndaj këtij konstatimi, është: cfarë ka ndodhur me sektorin e ndërtimit në këtë dekadë që ka ndikuar kaq shumë?! Dhe përgjigjja është vetëm një: qeveria shqiptare 2005-2013 ka tentuar të ndërtoj një sistem modern rregullator, i cili nga njëra anë synonte të lehtësoj procedurat dhe kostot e pajisjes me një leje ndërtimi për investitorët në fusha të ndryshme ekonomike, dhe nga ana tjetër të pengoj dëmtimin e mjedisit nga zhvillime (ndërtime) të paqëndrueshme. Ulje-ngritjet e procesit të hartimit të këtij sistemi, kulmuar me dështimin e plotë të kësaj tentative në 2013, duket se kanë përcaktuar pozicionimin në raportet e Bankës Botërore. Më tej, paqartësia, panjohuria dhe megallomania e qeverisjes 2013 e në vijim pamundësuan ndërtimin e një sistemi kaq shumë të domosdoshëm për Shqipërinë por edhe për një vlerësim pozitiv të saj në raportet e përvitshme të Bankës Botërore. Pyetja e dytë (praktike) që gjithashtu të shkon në mëndje, është: cfarë ndodhi këto tre vitet e fundit që Shqipëria në raportin 2016, në aspektin e lejeve të ndërtimit zbriti 67 vende nga viti i mëparshëm, kurse në raportin e 2017 u ngrit 80 vende nga një vit më parë? Mos vallë u implementua një sistemi rregullator? Cka do ishte një gjë shumë e mirë sepse do siguronte që kjo rritje të ishte e vazhdueshme dhe pakthim. Fatkeqësisht jo! Këto rezultate i siguruan lëvizje politike dhe aspak profesionale të qeverisë. Së pari, me një vendim politik (me legjitimitet të diskutueshëm) Kryeministri shqiptar bllokoi për një vit të gjithë aktivitetin administrativ të lejedhënies ndërtimore. Dhe ky veprim u reflektua në një rënie prej 67 vendesh. Një vit më vonë, pa asnjë evoluim real, i njëjti Kryeministër vendosi që lejedhënia të kryhej vetëm për 60 ditë dhe me procedura elektronike, dhe kjo siguroi që Shqipëria të njihte një rritje prej 80 vendesh.
Me një fjalë, e vlerësuar realisht nga treguesi i lejeve të ndërtimit ka dy mundësi praktike! Ose investitorët potencial do sorrollaten rreth 386 ditë për një leje ndërtimi (sikurse ka qënë standarti burokratik e korruptiv i mëparshëm); ose do ju jepet leja për 60 ditë dhe askush nuk do mbaj përgjegjësi për dëmet që ndërtimet e paplanifikuar do krijojnë në mjedis (sikurse ishte standarti joburokratik i ndërtimtarisë paleje)! Thënë më thjeshtë, megjithë vlerësimin në rritje të ‘Doing Business 2017’, asgjë nuk ka ndryshuar në realitetin praktik të ndërtimtarisë. I njëjti vullnet i “Epërm”që përcaktoi 60 ditë për lejet elektronike, mund të kishte përcaktuar që ndërtimet nuk kanë nevojë fare për leje në Republikën e Shqipërisë. E kështu të zinim vendin e parë në botë, ndërsa na mungon një set i gjerë e i shumllojshëm rregullimesh e planifikimesh territoriale që do na siguronin qëndrueshmërinë ekonomike, mjedisore e sociale të zhvillimeve potenciale.

Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA DHE ARSIMI

QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!