+ QEVERIA RAMA, QEVERIA VENDORE DHE DECENTRALIZIMI

ABSTRAKT
Zgjedhjet e 2013 treguan se shoqëria shqiptare, pas 25 vjet tranzicion nuk e ka kuptuar demokracinë në përgjithësi dhe qeverisjen me dy nivele, në mënyrë të vecantë! Decentralizimi – procesi i shkarkimit të fushëveprimeve qeverisëse nga niveli kombëtar në atë vendor- duhet të shoqërohet me forcim, edukim dhe kulturim të qytetarëve me demokracinë vendore. Ata duhet të njihen me rëndësinë e parimit të subsiaritetit dhe të procesit të decentralizimit. Dhe gjithashtu, me funksionet e secilit nivel qeverisës. Vetëm të “armatosur” me këtë armë, qytetarët do jenë aftë të adresojnë tyë gjitha kërkesat e tyre në nivelin e duhur qeverisës. Ja pse: rezultatet e zgjedhjeve nuk ndryshuan përqindjet e koalicioneve të para 1 prillit; Ps nuk u rrit pothuajse fare; Pd u zvogëlua në masën 10%; Lsi, Pr, Pdui (parti qeverisësë të para 1 prillit) u rritën bashk, në masën 10 %. Po aq sa u zvogëluar Pd.
Arroganca u pranua gjerësisht si arsyeja e kësaj rrokade. Nëse kjo është e vërtet, atherë shkojmë në dy alternativa: Shqiptarët e kanë kuptuar demokracinë si rotacion lufte klasash dhe kërkojnë nga partia që votojnë favore personale në kurriz të të tjerëve që nuk e kanë votuar; Shqiptarët nuk njohin funksionet qeverisësë dhe kanë votuar kundër Pd si përgjigje të arrogancës së qeverisë vendore që nuk i jepte shërbimet bazë, pa e ditur që këtë pushtet e kishte në shumicë Ps-ja.

Gjashtë muajt e parë të Qeverisjes Rama përvec dimensionit propogandistik e fasadist dhe dimensionit policor, u karakterizuan edhe nga një qasje e fortë progresive centralizuese. Kjo u shoqërua me një anashkalim të detyrave e funksioneve kombëtare. Gjatë kësaj perriudhe nuk u prekën cështje kombëtare si: hartimi i politikave kombëtare për transportet dhe infrastrukturën kombëtare; hartimi i politikave në mbrojtje të territoreve dhe zonave të mbrojtura apo natyrore; hartimi i politikave për turizmin, kulturën etj.
Drejtoritë e politikave nëpër ministri dhe institucionet e varësisë së tyre u kthyen në një organizim të vetëm dhe ja hynë punëve vendore: prishja e ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme; hartimi dhe korigjimi i listave të të pastrehëve; hartimi dhe korrigjimi i listave të ndihmës sociale.

Viti i parë i qeverisjes Rama u mbyll shpejt dhe centralizimi i fushëveprimit qeverisës u thellua edhe më tej: qeveria hartoi një ligj për planifikimin dhe zhvillimin e territorit i cili, vecanërisht nga pikëpamja e autonomisë lokale, e tejkaloi ligjin homolog të 1978; kontrollin e territorit për zhvillime informale do ta bëj Policia e Shtetit (polic dhe inxhinier) dhe INUK do të kaloj në varësi të Ministrit të Brendshëm; lejet e ndërtimit do ti japi Kryeministri!

Vetëm 13 muaj pasi qeveria Rama kishte hyrë në zyrat publike mund të themi se pushteti vendor ishte asnjëansuar plotësisht nga funksionet qeverisëse. Z. Rama ndihej ‘mbinjeri’ dhe zgjatimet e tij nëpër ministri ishin kthyer në vegla të verbëta. Qeverisja vendore ishte eliminuar ‘defakto’. Praktikën e tij të ‘lëri titullin dhe merri funksionet/detyrat’, që kishte funksionuar në uzurpimin e partisë Socialiste, e kishte implementuar me sukses të plotë edhe në qeverisjen dy nivelshe të Republikës. Funksionet e urzurpuara ishin: lista e të pastrehëve; lista e ndihmës ekonomike; mbledhja e taksave lokale; menaxhimi urban (planifikimi, projektimi urban, lejedhënia dhe kontrolli i territorit).

Tëtëmbëdhjet muaj qeverisje Rama: centralizuese, policore dhe demagogjiko/estetiste. Në vend që të kryej funksionet kombëtare qeverisëse ajo vijon me trajtimin e cështjeve vendore! Pyetja që lind në këtë konteks: po kryebashkiakët e kryekomunarët pse nuk reagojnë?
Përgjigjja është e thejshtë: janë të implikuar me vendimarrje të paligjshme në cështjet e lejeve të ndërtimit, moslejimit të ndërtimeve paleje, listave të të pastrehëve dhe të ndihmës ekonomike, tendera; dhe nuk kanë guxim të kundështojnë shantazhimin e kryeministrit.
Qasjet qeverisëse Rama e tejkalojnë sjelljen e qeverisë komuniste Shehu në dy aspekte: Centralizimi dhe ndëshkim të ligjshkelësve! ja si: kodi civil 2015 dënon ndërtuesit paleje nga 1-5 vjet burg! Kurse sipas nenit 16 të ligjit 1978 për urbanistikën, ligjshkelësit (ndërtuesit paleje) ndëshkoheshin me ‘qortim shoqëror’ deri në 1000 lekë gjobë; të gjitha planet i miraton KKT sipas ligjit për planifikimin e territorit 2014 dhe i kortrollon ministria dhe AKPT. Kurse sipas ligjit 1978 (neni 6) edhe ministria e mbrojtjes popullore apo komiteti ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit; lejet e ndërtimit i jep kryeministri 2014-2015, kurse në 1978 i jep komiteti ekzekutiv.
Pra qasje përtej 1978 në centralizëm dhe ndëshkim ligjshkelësve, përtej bolshevizmit, drejt real socializmit: fashizmit.


"ARROGANCA E NDERSHKUAR ME VOTE", DECENTRALIZIMI DHE SHERBIMET PUBLIKE. Mapo, 04.07.2013

Ka më shumë se një javë që zgjedhjet e qershorit 2013 kanë përfunduar. Dhe siç është e kuptueshme analistët politikë mundohen, secili sipas mënyrës së tij, të shpjegojnë se çfarë ndodhi. Por çfarë ndodhi, në fakt? Ndodhën shumë gjëra. Pothuajse pa asnjë rritje partia kryesore opozitare (PS) u transferua nga opozitare në pozitare. E vërtetë, kjo e fundit, që do të çudiste çdo njohës të demokracisë në botë, por që nuk njeh rastin shqiptar. Sepse rasti shqiptar, si gjithmonë, është më i veçanti. Aq i veçantë është sa asnjë analist, i lokalizuar në fashën e gjerë të analizës politike shqiptare, nuk e parashikoi dot. Edhe ata të ekstremit të majtë të kësaj fashe, megjithëse sot rreken me arrogancë të thonë se unë e kisha thënë, në asnjë rast nuk parashikuan mbështetur në një analizë këtë verdikt popullor. Ata thjesht shprehën dëshirën e tyre të flaktë që lideri i tyre të bëhej Kryeministër. Kaq. Dhe vetëm. Jo vetëm analistët e majtë, të cilët duket se dështuan si analistë, por suksesuan si socialistë, por edhe vetë liderët e partive opozitare dështuan në nuhatjen e rezultatit. Dhe kjo nuk ka nevojë për referencë sepse do të ishte tautologji. Ata vetë e kanë deklaruar publikisht këtë. Me daljen e rezultatit të zgjedhjeve, dija e opinionit, që me sa duket dështoi, i la vendin dijes shkencore. Ndërsa dështuam në përvojat tona të veçanta që iu nënshtruan nevojave tona pragmatike dhe individuale të dijes së opinionit, ne nuk duhet të lexojmë gabim rezultatin empirik të zgjedhjeve. Sepse po bëmë këtë, thjesht kemi ndryshuar një qeveri dhe një administratë me një tjetër dhe nuk kemi marrë asnjë mësim. Dhe mësimet e nxjerra nga sjellja e votuesve ditën e zgjedhjeve janë shumë të vlefshme për një shoqëri në demokratizim në vijim. Këto leksione mund të shërbejnë për t’u mos përsëritur të njëjtat gabime në të ardhmen.
Rezultati i zgjedhjeve të qershorit, e thënë thjesht dhe i rrumbullakosur është ky: PD ra në masën 10 %; LSI, PR dhe PDIU u rritën po kaq; ndërkohë, PS “nuk lëviz nga istikami”. Pra, nëse do t’i organizonim partitë në koalicione jo sikurse janë tani, por sikurse qeverisën për katër vite pa dy muaj, atëherë nuk do të kishte ndodhur asnjë gjë. Në fakt ka ndodhur shumë. Së pari, kemi koalicione të tjera, çka rezultoi në të tjerë fitues. Dhe së dyti, kemi lëvizje të forta të mbështetësve të partive brenda koalicionit që për katër vite qeverisën vendin. Në prehrin e dijes shkencore, është e vështirë që ndonjë opinionist të rrëzojë këtë protokollim të fakteve (shifrave) që dalin nga verdikti numerik i votuesve në zgjedhjet e qershorit. Sidoqoftë, rishpërndarja e votave brenda mazhorancës dhe perceptimi publik mbi tiparin e sjelljes së secilës parti gjatë qeverisjes, mund të na tregojnë edhe problemet e qeverisjes katërvjeçare. E thënë thjesht, kush ishte problematika e sjelljes qeverisëse të PD-së të cilën elektorati nuk e konstatoi te sjellja qeverisëse e LSI (veçanërisht), PR apo PDIU? Sepse, përsa kohë çdo gjë lëvizi brenda kampit, atëherë nuk pati frymë opozitare dhe ndryshimi i sjelljes së votuesit duhet kërkuar te ndryshimi midis sjelljes së partive në veprime qeverisëse. Analizat politike, të cilat kanë qenë të shumta ditët e fundit, me argumente të qëndrueshme përjashtojnë perceptimin publik mbi korrupsionin si variabla më ndikuese. Dakord me këtë. Ato (analizat) përjashtojnë edhe shumë sjellje të tjera qeverisëse për të cilat publiku do të krijonte percepsione të ndryshme midis këtyre partive. Sidoqoftë, duket sikur të gjithë e vënë gishtin vetëm në një plagë. Duket sikur të gjithë dhe njëzëri nënvizojnë si sjellje diferencuese ndaj qytetarit ‘arrogancën’ e administratës së PD në raport me ‘njerëzillëkun’ e administratës së LSI.
Një nga parimet më të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë është subsidiariteti. Ky parim konsiston në dhënien e shërbimeve publike me kosto sa më të ulët (para dhe kohë) dhe sa më afër qytetarit. Në terma konkretë, decentralizimi i funksioneve dhe kompetencave është procesi që ndjek Shqipëria politike dhe ligjore. E thënë thjesht, ndërsa rrekemi të demokratizojmë jetën tonë shoqërore, ne hartojmë elementët e kontratës tonë sociale duke kaluar kompetenca qeverisëse nga Pushteti Qendror drejt atij Vendor. Nën frymën e Kartës së Autonomisë Lokale dhe nën vëzhgimin e Institucioneve Ndërkombëtare, ne, për së pari ndërtuam një qeverisje me dy nivele dhe, së dyti kaluam shumë kompetenca nga qeveria qendrore drejt qeverisë vendore. Dhe të themi atë që është, të gjitha çështjet që do të detyronin një qytetar t’i drejtohet qeverisjes apo administratës janë çështjet dhe problemet e jetës së përditshme. Të cilat janë ‘funksione të veta’ të qeverisjes vendore, tashmë që prej 13 vjetësh. Përsëri empirikisht, mund të themi se qeverisja dhe administrata në Shqipëri paraqet edhe një karakteristikë tjetër. Qeverisja Qendrore i përket koalicionit (pas 1 prillit pa LSI-në) që humbi në zgjedhjet e qershorit, pra ‘arrogantëve’, kurse Qeverisja Vendore (në shumicën dërrmuese) i përket koalicionit triumfues, pra ‘të njerëzishmëve’. Kështu biem në paradoks. Pra, ndërsa qytetarët kërkonin një leje ndërtimi për të zhvilluar pronën e tyre, kontroll më të mirë të territorit sepse fqinji po ndërtonte pa leje, bile edhe në pronën e tij, tubacione të reja sepse uji i pijshëm i shkonte me ndryshk, kanalizime më të mira sepse mbetjet e lëngshme urbane dilnin në sipërfaqe, rrugë urbane të shtruara, hapësira të hapura dhe të gjelbra, largimin e mbetjeve të ngurta urbane, ndriçim e gjelbërim rrugor dhe shumë të tjera si këto shërbime publike në përgjegjësi të pushtetit vendor, ata (qytetarët) ndiheshin të pashërbyer nga pushteti qendror! Nuk ka kuptim.
Por qytetarët folën, dhe rezultati i zgjedhjeve tashmë është i matshëm empirikisht. Nuk ka më vend për hamendësime mbi rezultatin, por është koha e të nxjerrit mësime. Secili sipas interesit. Dikush mund të kuptojë se “me kë duhen bërë koalicionet”. Dikush tjetër, se si mund të analizohen më mirë trendet e sjelljes qytetare. Për mua, si mund të përmirësohet qeverisja. Dhe ajo që lexova nga këto zgjedhje, është se kemi probleme: të njohjes së qytetarëve mbi përgjegjësitë e ndara qeverisëse; të decentralizimit të kompetencave nga një nivel qeverisës te tjetri, dhe; cilësinë dhe nivelin e shërbimeve publike ofruar qytetarëve. Kurse leksioni që morëm nga qytetarët është se: ka ikur koha e pohimit ‘ne kemi ligje të mira, por nuk zbatohen’, sepse nuk mund të jetë një ligj i mirë ai që nuk zbatohet; ka ikur koha e ‘modelit vertikal të formulimit të politikave’, sepse është koha e gjithëpërfshirjes dhe e angazhimit qytetar në ligj-hartim, dhe së fundi; ka ikur koha kur qytetari duhej të kënaqej me ato shërbime publike dhe në atë cilësi që i jepej, sepse qytetari meriton më të mirën. Në fund të fundit, ai është taksapaguesi. Ai mundëson qeverisjen.



KRYEMINISTËR APO KRYEBASHKIAK I REPUBLIKËS? Mapo, 10.03.2014

Zgjedhjet e 23 qershorit folën qartë. Shqiptarët vendosën që z. Rama të ishte drejtuesi i ekzekutivit Shqiptar për katër vitet në vazhdim. Për një periudhë hipotetike katër vjecare, sepse në praktikë vlen për tu verifikuar, z. Rama do jetë Kryeministër i Shqipërisë. Gjë e mirë? Gjë e keqe? Për shumicën e shqiptarëve duket se ishte një gjë e mirë, prandaj e votuan koalicionin e tij, por jo për pjesën tjetër të tyre. Për mua? Sipas meje, nuk ka rëndësi emri i Kryeministrit në vetvete por performanca e tij përgjatë ushtrimit të kësaj detyre dhe vecanërisht performanca e ekipit të tij qeverisës. Por nuk është plotësisht kështu për kërkuesit në shkencat politike. Vecanërisht për ata që studiojnë cështjet e tranzicionit të një shoqërie nga totalitarizmi në demokraci. Për një pjesë të tyre sjellja e një individi, sikurse e një shoqërie në tranzicion, është një gjë e parashikueshme. Ajo varet shumë nga botkuptimi dhe praktikat e mëparshme të sjelljes së këtij individi. Dhe duket se në rastin e z. Rama teoritë e tyre konfirmohen plotësisht. Pas një periudhe njëmbëdhjet vjecare si Kryebashkiak, duke trajtuar cështje lokale, z. Rama e ka të vështirë të sillet si Kryeministër, për të trajtuar cështje të rëndësisë kombëtare në qeverisje.
Ndërkohë Republika e Shqipërisë, një vend postkomunist që me sforco po mundohet të ndërtojë në demokraci, ka përqafuar qasjen e qeverisjes me dy nivele, me frymëzim të fortë decentralizues. Nivelit kombëtar dhe nivelit vendor, ku secili prej tyre duhet të qeveris në mënyrë autonome nga njëri-tjetri dhe duke ushtruar kompetencat që ligji i ka dhënë. Sepse, për cdo nivel qeverisës kemi nga një ligj që përcakton se kush janë detyrat dhe përgjegjësitë e secilit. Pra për secilin nivel kemi të përcaktuar përse janë votuar dhe përse janë përgjegjës para votuesve këto qeverisje. E thënë me një fjali, askush prej dy niveleve nuk është ‘shefi’i tjetrës. Mirëpo, duket se nuk e ka kuptuar kështu z. Rama. Të paktën, veprimet e tij në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së sotme tregojnë për një keqkuptim të madh të tij me detyrat si Kryeministër. Sepse detyra e tij është të drejtoj stafet politike dhe teknike të qeverisjes qëndrore, në formulimin e politikave kombëtare dhe mbi cështje të rëndësisë kombëtare. Në ndërtimin e sistemeve ligjore apo të reformave në sektorë të ndryshëm të zhvillimit ekonomik, të infrastrukturave kombëtare, të kohezionit social dhe të shëndetit publik. Për ruajten e zonave të mbrojtura natyrore, të trashëgimnisë kulturore apo të mjedisit në përgjithësi.
Dhe nëse na duhet një rrugë e shkurtër por efikase për të vlerësuar perfomancën e z. Rama si Kryeministër dhe ekipit të tij qeverisës, është shumë e thjeshtë. Mjafton të ndjekësh punën e Kuvendit të Shqipërisë në këtë legjislaturë. Sepse reformat shfaqen, për së pari, në formën e ligjeve të propozuara nga qeverisja kombëtare dhe të miratuara në Kuvend. Dhe nëse qasjen e ndjekjes së punimeve të Kuvendit e kthen në një vëzhgim të mirëfilltë, të del se ky institucion prej shtatorit të vitit të kaluar mblidhet vetëm një herë në javë. C’ka shkon në mbrojtjen shteruese të tezës se z. Rama dhe ekipi i tij qeverisës nuk po perfomon dot në “Stadiumin Kombëtar”.
Sidoqoftë duhet thënë se, ndërsa drejtoritë e politikave nëpër ministri po vegjetojnë, në detyrën e tyre të politik-hartimit, nuk po ndodh kështu me institucionet e varësisë. Këto, të kthyera në shtojca të ngjitura fort pas drejtorive të ministrive, aq sa nuk kuptohet ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, i janë përveshur punëve lokale. Po luftojnë kundër ndërtimeve me leje e paleje. Po hartojnë, miratojnë dhe redaktojnë lista të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Lista të të pastrehëve. Lista të njerëzve me aftësi të kufizuar. Studime urbanistike pjesore. Biles edhe taksat lokale kanë vendosur ti mbledhin vet. Po si i bëhet me punët e qeverisjes kombëtare? Ndërsa dështoi dhe po dështon përditë të bëjë ato punë për të cilat është votuar, z. Rama dhe ekipi i tij qeverisës po bëjnë atë që kanë bërë edhe më parë. Po merren me administrimin e punëve të qytetit. Mirëpo, Shqipëria nuk është një qytet. Ajo është një shtet i ndarë administrativisht në shumë qytete. Ndërsa i ka lënë “papunë” kryebashkiakët e qyteteve shqiptare, duket se ka lënë bosh vendin e Kryeministrit të Republikësë së Shqipërisë. Dhe nëse do vazhdojë kështu, shqiptarët nuk do rinë ta presin pafundësisht. Një ditë ata do hapin konkursin ‘për Kryeministër’. Sepse vendi është bosh dhe radha për këtë post publik është shumë e gjatë.



ELIMINIMI ‘DE  FAKTO’ I QEVERISJES VENDORE. Mapo, 24. 09. 2014

Disa vjet më parë, një miku im deputet socialist, në shuajtje të kuriozitetit tim më shpjegoi se z. Rama, i sapo zgjedhur si kryetar i partisë së tij kishte marrë një këshillë shumë të vyer që po e përdorte me efikasitet të plotë. Këshilla i ishte dhënë, sipas mikut tim, nga një eksponent i lartë i të majtës socialiste Europiane dhe vinte si përgjigje për shqetësimin më të madh të z. Rama dhe që ky e shprehte kudo dhe kurdo takonte ndonjë të huaj. Gjithmon sipas të njëjtit mik, z. Rama nuk e kuptonte sesi bashkëpunëtorët e tij në Ps ishin aq të paaftë për të kuptuar dhe vepruar sipas kuptimeve të tij modern. C’ka e bënte të pamundur që ai ti linte në ato funksione/detyra që kishin pasur më parë se ky të zgjidhej kryetar. Por, në të njëjtën kohë e vlerësonte shumë të rrezikshme ti shkarkonte të gjithë dhe në një ditë sikurse e merritonin. Dhe këshilla hyjnore ishte ‘lëri titullin e hiqi detyrat’. Pra , lëri në ato funksione që kanë, ndërsa detyrat e tyre kryeji vet ose kaloja dikujt që ke besim. Z. Rama po e implementonte me sukses të plotë këtë strategji dhe kjo sipas mikut tim socialist ishte arsyeja sepse, të tjera gjëra më kishte thënë për dy orë në kafe dhe të tjera gjëra ligjëronte në public. Biles me të njëjtin arsyetim e shpjegonte edhe faktin pse Ps nuk kishte të njëjtin ndikim në publik.
Mu duk arsyetim logjik, por të them të drejtën nuk e besova plotësisht. Gjysma e ekuacionit qëndronte, të paktën e parë nga jashtë dhe e treguar nga përjetues të brendshëm. Por, ajo që më bënte skeptic ishte gjysma tjetër. Pse njerëz të nderuar dhe me eksperienca shumëcfarësh do pranonin të mbanin titullin pa ushtruar detyrat dhe të drejtat. Sepse të mbash titullin do të thotë edhe të mbash përgjegjësinë, në dimensionin e formës. Mirëpo, ka edhe një dimension tjetër, është dimensioni i përbajtjes, i reales. Dhe sipas tij nëse nuk ke ushtruar kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë (sepse ato i ka ushtruar dikush tjetër), nuk mund të mbash përgjegjësi për rezultatet. Paradoks! Të cilit unë i kam gjetur shumë përgjigje por asnjë që të më duket shteruese. Asnjë që të zbardhi të tërrën. Kështu që e mora dëshirën time për ti dhënë një përgjigje këtij paradoksi (prandaj edhe e quaj të tillë) dhe e vendosa diku në haresën time qetësi sjellëse. Dhe jam i sigurt që do rrinte aty në pafundësi të kohës time sikur në vitin e parë qeversisës (por edhe nja dy muaj më parë) të z. Rama, nuk do kishin ndodhur një rrjet gjërash. Një rrjet vendimesh qeverie, draftligjesh apo edhe veprime konkrete në terren që do ndiznin llampën ndricuese këtë pjesë të trurit tim.
Gjëja që veproi si të ishte gisht tregues që shtyp On-in e celësit të dritës ishte vendimi i Kryeministrit për ti dhënë ai vet lejet e ndërtimit në gjithë territorin kombëtar. Për cdo bashki e komunë. Absurd! Kryeministri që do tu kthejë përgjigje cdo qytetari të Republikës për pyetjen e tyre, nëse mund të ndërtojnë apo jo në tokë të tyre! Ky ishte absurdi i absurdeve, sepse në fakt, është një rrjet i tërrë absurdesh. Ministri i këtij Kryeministri që do miratoj listën e përfituesve nga programet e strehimit social. Ministri tjetër i këtij Kryeministri që do miratoj listën e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ministri tjetër që do mbledhi taksat vendore. Ministri tjetër që do prishi ndërtimet paleje. E kështu mund të vazhdoja gjatë. Ishte ky rrjet absurdesh që më ndricoi pyetjen fatale. Mos vallë Kryeministrin e kanë këshilluar që të veproj njësoj edhe me kryetarët e njësive të qeverisjes vendore? Tu lërë titullin dhe t’u marri detyrat? Kjo do ishte shumë e rëndë. Jo vetëm këshilla në vetvete. As vetëm shqetësimi pse Kryeministri ndihet e sillet si mbinjeri që cdo gjë të mirë mund ta bëj vetëm ai. Dhe as pse pranojnë socialistët partiak apo ekzekutiv të mbajnë postet pa kryer detyrat e mbajtur përgjegjësitë. Shumë e rëndë, fatale, do të ishte produkti i kësaj strategjie. Qeverisja vetëm nga një “mbinjeri” me grusht njerëzish “special” dhe eliminimi faktik i qeverisjes vendore.



CFARË PO I SHANTAZHON KRYEBASHKIAKËT? Mapo, 27.11.2014

Nëse do të na duhej të bënim një përkufizim të kësaj qeverisje nuk do ishte ndonjë punë e vështirë. Qasjet qeverisëse ndaj problematikave, si në përmbajtje edhe në formë, kanë qënë lehtësisht të lexueshme për këdo. Nuk do të bënim ndonjë zbulim po të thoshim se qeverisja i ka ndenjur larg cështjeve, problematikave dhe nevojave me dimension kombëtar dhe ka trajtuar vetëm cështje vendore. Për më keq, edhe trajtimi i këtyre cështjeve ka qenë thjeshtë në fasadë. Pa prekur asnjë nga problematikat thelbësore dhe komplekse të zonave të banuara në qytetet e infektuara shqiptare. Dhe po ti shtojmë këtu edhe faktin që cdo punë e ka bërë me polic, një përkufizim i shpejtë e sipërfaqësor i kësaj qeverisje mund të ishte ‘centraliste, policore dhe estetiste’.
Nëse një qeveri vendos të prezantohet si një make up-iste, me dëshirë dhe duke u ndjerë e realizuar, kjo është në vullnetin e saj. Për shumëkënd mund të jetë një gabim, porse mbetet në këtë kornizë. Ndryshon puna nëse make up-in e bën me polic. Atherë nuk është më një gabim, por, një faj. Dhe në kuptim të një marrdhënie demokratike përfaqësuese, populli në cdo kohë mund të mbaj qëndrim ndaj gabimit dhe ta dënoj fajin. Mirëpo ajo që kalon kornizat e kësaj marrdhënie dy palëshe është dimensioni centralist. Rrëmbimi i funksioneve qeverisëse nga qeveria qëndrore e komlikon shumë cështjen. Ky aspect jo vetëm dëmton demokratizimin në evoluim të shoqërisë dhe institucioneve, por nxjerr nga korniza legjitime raportin dy palësh votues dhe i votuar.
E thënë thjesht, një votues ja kalon sovranitetin vendimarrës një kryebashkiaku për disa funksione të caktuara qeverisëse. Ndërsa një kryeministri për disa funksione krejt të tjera qeverisëse. Dhe nëse një kryeministër kryen funksione qeverisëse për të cilat është votuar një kryebashkiak, atherë kush do kryej funksionet për të cilat është votuar ai vet? Kjo i komplikon gjërat jo vetëm në aspektin e vlefshmërisë ligjore, por, edhe në përgjigje të pyetjeve: pse e lejojnë kryebashkiakët këtë vjedhje juridiksoni?; cfarë po i detyron ata që të pranojnë dështimin e turpshëm para zgjedhësve të tyre?; a janë ata nën shantazhin kryeministror? Pyetje, këto, legjitime po të ndjekësh daljet mediatike të shumë prej tyre në krah të Kryeministrit ‘që është duke bërë punët e tyre’.
Shfaqje publike në krah të “Shefit”, si një fëmijë që kthehet i shoqëruar nga kushëriri i madh në vendgjarjen e një zënke, nga e cila më parë ka dal humbës. Qesharake por edhe e dhimbshme. E dhimbshme të shikosh njeriun më të rëndësishëm të qytetit ndërsa mban shënime mbi direktivat e Kryeministrit për ‘sa të gjëra duhen bërë trotuaret’, ‘si mbillen pemët’ apo ‘si lyhet fasadat’, ndërsa vrapojnë të arrijnë ecjen e tij përgjatë veprës në ndërtim. E dhimbshme por edhe e justifikuar. E justifikuar në moralin ‘pa moral’ të ëndrës së djegur për një rikandidim pas gjashtë muajsh, në garën zgjedhore vendore. E justifikuar por edhe të shantazhuar. Të shantazhuar nga ndonjë ofendim apo grusht që mund marrin në publik. Por vecanërish nga dosjet pafund që “Shefi” u tund para syve.
E kam fjalën për dosje të mbushura me vendime për miratimin e listave të përfituesve të strehimit social. E kam fjalën për dosje të mbushura me vendime për miratimin e lejeve të ndërtimit. E kam fjalën për dosje të mbushura me procesverbale konstatuese për ndërtimet paleje. E kam fjalën për dosje të mbushura me protokolle mbledhjesh të këshillit bashkiak apo të Krt-së dhe shumë trupave të tjera kolegjiale ku merreshin vendime. Janë këto dosje, e të tjera si këto që duket se shantazhojnë kryebashkiakët që pranojnë të shoqërojnë “kushërinin e madh” ndërsa ky i mbron nderin dhe dinjitetin e humbur para publikut. E kundërta nuk mund të ndodhi. Një fat si ai i kolegut nga Vlora, apo shumë më i keq do t’i shoqëronte në pjesën tjetër të jetës së tyre private apo publike.




KAPITULLIMI  I KRYEBASHKIAKËVE TË RINJ. Mapo, 17. 02. 2016

Cudia ndodhi! 26 nga kryebashkiakët e rinj nënshkruan marrveshje për hartimin e Planeve Vendore me qeverinë qëndrore. Cudia disafishon përmasat po të kujtojmë vecoritë e karakteristikat qeverisëse të saj: fasadiste, demagogjike dhe populiste; policore dhe qeverisje me një nivel. Dimensioni fasadist, demagogjik dhe populist i kësaj qeverie lexohet shumë lehtë në të gjitha projektet dhe aksionet e saj, mjafton të peshojmë produktin konkret të tyre në shërbim të qytetarëve, në raport me, impaktin viziv e mendor te qytetari që qëndron përball ekranit të televizionit, kompiuterit apo smartfonit. Po kaq evident është edhe dimensioni policor. Policinë e militarizuar - të pajisur me armë të rënda e mjete të konfliktit urban - e parashutuan në cdo cështje të mosfunksionimit të agjensive të shtetit. E dërguan të mbledhi paratë e energjisë elektrike, të prishi dhe të parandaloj ndërtimet paleje, apo të sulmoj e largojë shitësit ambulant. Te dimensioni centralist, do të doja të ndalesha më shumë dhe jo vetëm se ‘po u more me punët e tjetrit nuk bën dot punën tënde’. Por se, proceset decentralizuese janë jetike për shoqëritë në tranzicion dhe demokratizim. Nëse, për dy dekadat e para të këtij udhëtimi ne kemi bërë shumë pak në lidhje me kalimin e funksioneve qeverisëse nga niveli kombëtar në nivelin vendor, në dy vitet e fundit ne kemi udhëtuar në kah të kundërt. Në kahun e centralizmit apo riformatimin faktik të qeverisjes në një nivel të vetëm, dhe kjo është një gjë e keqe për ardhmërinë e integrimit real të shoqërisë shqiptare në atë europiane. Sikurse integrimi real, edhe cështja e demokracisë vendore ka dimension të fortë kulturor. Marrveshjet ndërpartiake për të shkruar një ligj apo për të marrë një vendim mund të arrihen brenda natës, por jo demokracia vendore dhe decentralizimi i fuksioneve qeverisëse. Këto kërkojnë impenjimin në terma afatgjatë të gjithë shoqërisë shqiptare.
Por për së pari, kërkojnë lidershipin e kryebashkiakëve. ‘Qytetarët e parë’ e kanë detyrë bazike të zgjerojnë autonominë nga qeverisja vendore, duke tërhequr funksione qeverisëse që mund të kryhen më mirë në nivelin lokal se në atë kombëtar. Por mbi të gjitha, kanë detyrën e mbrojtjes së fushës së vet të veprimtarisë qeverisëse, nga tentativat e qeverisë kombëtare për ta cënuar atë. Kjo duhet të ishte sfida e kryebashkiakëve të para vitit 2015, që u përballën të parët me praktikat centralizuese të qeverisë Rama. Mirëpo, nënshkrimet e tyre mbi: lejet e ndërtimit, listat e strehimit, listat e ndihmës ekonomike, ndërtimet paleje, tenderat e investimeve, e të tjera si këto nuk jua mundësuan guximin për të sfiduar këtë trysni. Ata nuk guxuan dhe ne nuk kishim arsye të shpresonim për të kundërtën, sikurse i kishim të gjitha arsyet për të besuar se kryebashkiakët e rinj do të mundnin. Do të rimerrnin kontrollin mbi të gjithë spektrin e fushëveprimit vendor. Në të kundërt, 26 nga kryebashkiakët e rinj na zhgënjyen e cuditën. Secili prej tyre nënshkroi me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe një studio mikse kombëtare-ndërkombëtare një marrveshje për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të njësisë së tyre territorialo-administrative! Pa asnjë shtrëngim publikisht të njohur, kryebashkiakët e rinj me vullnet të lirë i dorëzuan një atoriteti tjetër atë që komuniteti i ka deleguar vet atyre! Nuk di t’ju them sesi mund të interpretohet kjo në kuadër të Kushtetutës, apo Kartës së Autonomisë Vendore porse në kuptimin e përgjithshëm shoqëror lë shije të keqe. Vetëm gjashtë muaj më parë kërkuan dhe morrën votën për të ushtruar disa funksione qeverisëse dhe sot i dorëzojnë këto funksione! Nuk bën kuptim. Pse i kërkuan këto detyra kur ndiheshin të paaftë ti kryenin? Dhe mbi të gjitha, a e kuptojnë këta politikanë të votuar se ky veprim dëmton rëndë proceset e decentralizimit dhe të qeverisjes me dy nivele.
Në fakt, kjo është e keqja më e vogël. Sepse, së bashku me autonominë lokale ky veprim godet edhe demokracinë lokale. Godet pjesmarrjen e palëve të interesuara dhe komuniteteve lokale në proceset demokratike të hartimit të ‘kushtetutës së qytetit’. A mund ti zëvendësojnë kuvendimet e elitës për kompromis në të mirë të qytetit të tyre me praktikën e Shqipërisë së 1978 të ‘mbledhjes së mendimit të masave’ për Planin e gatshëm?! A mund të zëvendësojë ekspertiza teorike e arkitektëve elitar nga “metropoli” njohuritë empirike teknike e historike të urbanistëve lokal?! A mund të zëvendësohet prania e bisnesit lokal, që në fakt do financojë zhvillimin real të qytetit, me burokratët e qeverisë?! Po pronarët e trojeve dhe ndërtesave kush do ti zëvendësoj?! Interesat e tyre kush do ti mbroj?! Po interesat e brezave të ardhshëm dhe grupeve minoritare?! Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të jepnin kryebashkiakët, përpara se të nënshkruanin kapitullimin e tyre.





Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA DHE ARSIMI

QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!