+ QEVERIA RAMA DHE REFORMA E LEGALIZIMIT
LEGALIZIMET, PSE JO NGA NJË QASJE MË DJATHTAS. Mapo 29.08.2013
Së pari, dijet shkencore na mësojnë se qasja ndërkulturore është më e rëndësishmja. Pra, një reform nuk mund të importohet nga një kulturë në tjetrën pa e përshtatur në kuptim të diferencave kulturore. Së dyti, nuk mund të pretendosh të njëjtin përfundim të një eventi social, për një event të njëjtë kur këto zhvillohen në kontekse e rrethana totalisht të ndryshme. Pra, nuk mund të krahasosh rastin në ShBA ku pronësia ka moral-trashëgimie qindra vjecar me rastin Shqiptar ku informaliteti ishte zhvilluar mbi formalitetin e pronësisë së dikujt tjetër. Në këtë kuptim, nuk mund të presës që bankat të kreditojnë njësoj një pronësi me legalitet qindra vjecar dhe një tjetër ku legjitimiteti është vetëm në letër (në rastin kur i është dhënë me një vendim politik) dhe jo në moral. Argumenti i tretë është financiar dhe ekonomik. Askush nuk mund të pretendojë që një set kushtesh dhe procedurash të vendosur nga një bankë për të fituar një kredi do ngelet i njëti edhe pas shtimit në treg të një stoku të madh banesash. Jo, sepse ndryshon raporti i ofert- kërkesës. Dhe kur ka më shumë aktor që ‘duan’ ata që ‘kanë’ ndryshojnë vlerën. Kjo ishte një qasje Marksiste- “mbivlera e shtuar”- koncepti se një mall vlen sa kosto e prodhimit plus fitimin e kërkuar nga kapitalisti!! Nuk ndodh kështu në treg të lirë. Në treg të lirë një mall vlen aq sa një kërkues ofron para’ dhe një ofrues malli pranon ta shesë atë. Kështu në fakt pritet të ndodhi. Sapo në treg të futet një stok i tillë për tu kthyer në kolateral, ekzaktësisht në atë kohë bankat do ndryshojnë setin e kushteve për të ofruar një kredi. Për më tepër, një hyrje e tilë në treg mund të dëmtojë edhe tregun e pasurive të paluajtshme. Cka dëmton pasuritë formale. Dhe së fundi, reforma është e pamoralshme edhe sepse shmang pronarin legjitim nga përfitimi i një rizhvillimi të mundshëm në të ardhmen apo përfshin në koston e këtij operacioni juridiko-financiar buxhetin e shtetit apo e thënë ndryshe paratë e taksapaguesve shqiptar. Pa asnjë lidhje me një aktivitet ekstraligjor, përkundrazi duke respektuar ligjet e shtetit, atyre u duhet të paguajnë për të pronësuar një pjesë tjetër të shoqërisë!
LEGALIZIMET, PROCESI ME MORALIN E PIRAMIDAVE. Mapo, 23.04.2014
Shtatëmbëdhjet vjet më parë shqiptarët morrën një leksion mbi ekonominë dhe moralin. Ata u përballën me faktin se nga qielli nuk mund të bien para. Shëmbja e piramidave financiare i bëri ata të kuptojnë se pasurimi i shoqërisë nuk vjen dot nga asgjëja. Se pasurimi vjen vetëm nga puna dhe jo nga qarkullimi i parave nga xhepi i një shqiptari te xhepi i një shqiptari tjetër. Kjo sepse, kështu funksiononin piramidat financiare të dy dekadave më parë. Me paratë e valës së parë të kreditorëve blenin hapsira mediatike për tu shfaqur të gjithpushtetshëm dhe bamirës. Me paratë e valës së dytë likujdonin kreditorët e valës së parë dhe kështu procesi vazhdonte më tej, përsakohë cdo valë ishte më e madhe se pararendëset. Vazhdonte kështu derisa vala e radhës ishte e tillë që nuk mundësonte likuidmin e kreditimeve të mëparshme. Në këtë rast, kur vala e hyrjeve ishte më e vogël se vala dalëse, cikli fillonte nga e para në një nivel më të lartë ofrimesh. Shtoheshin premtimet mbi fitimet që do të realizonin njerëzit, nëse do ti linin paratë për një kohë më të gjatë në firmë apo do sillnin të tjera. Ndërkohë që paratë ishin të njëjtat dhe asnjë mekanizëm ekonomik nuk i rriste ato. E thënë me një fjalë, cdo shqiptar merrte paratë e një shqiptari tjetër. Thjeshtë paratë ndryshonin xhep. Ndërsa një grup njerëzish kapardiseshin se po bënin punë të mëdha për kombin dhe po ndihmonin që familjet shqiptare të pasuroheshin.
Duket se procesi i legalizimeve të ndërtimeve paleje është trajtuar nga autoritetet në të njëjtën mënyrë. Që nga viti 2002 sa herë bëhen zgjedhje lokale dhe vecanërisht politike, klientët e legalizimeve merrnin nga një premtim më të mirë se paraardhësi. Merrnin nga një discount (ulje cmimi) për faturën që duhet të paguanin për të legalizuar banesat dhe ndërtesat e tyre të ndërtuara palejen e autoriteteve. Së pari, nisën socialistët me konceptin e ‘urbanizimit dhe më tej legalizimin’. Këta vendosën edhe nivelin e parë të kostove financiare të praktikës individuale të legalizimit. Më tej erdhën demokratët dhe koncepti ndryshoi në ‘legalizime më pas urbanizim dhe intergrim’. Në konkurencë me të parët, këta ulën më shumë kostot financiare. Dhe vazhduan ta bëjnë për tetë vite në vazhdim. Sa herë procesi nuk shkonte mirë apo afroheshin zgjedhjet, demokratët ose ulin kostot ose shkurtonin procesin. Kjo e dyta në teori (ligj), sepse praktika na dëshmon të kundërtën. Mirëpo vitet do të kalonin dhe në zgjedhjet e fundit, socialistët në opozitë të zgjatur do të ndryshonin konceptin e vet për të përqafuar dhe laboruar më tej konceptin e demokratëve ‘legalizime për katër vjet dhe më pas të tjerat’. Biles duke premtuar, gjithashtu, kosto zero për familjet përfituese. Apo sikurse në terminologjinë fushatiste, ‘legalizime falas’. Më tej, pasi u instaluan në qeverisje koncepti mbeti i njëjtë, por kostot ju larguan zeros.
Mirëpo, dimensioni i daljes në një nivel tjetër premtimesh populiste dhe demagogjike, sa herë procesi haste ngadalësim apo afroheshin zgjedhjet e radhës, nuk është e vetmja ngjashmëri midis këtyre dy “aktiviteteve shoqërore”. Ajo që i bën shumë të ngjashme dhe ja kuoton nivelin e moralit në të njëjtën piacë, është se megjithëse propogandohet e kundërta ato në vetvete (pas faktit të kryer) nuk prodhojnë asgjë. Sikurse në rastin e piramidave, ca shqiptarë me fat tërhiqnin si vlerë të shtuar principalin e ca shqiptarëve të tjerë fatkeq, po kështu edhe në rastin e legalizimeve, ca shqiptarë me fat marrin në pronësi trojet e ca shqiptarëve të tjerë pafat. Biles, është akoma më e pamoralshme se kaq sepse në cështjen e parë pamoralin e shfaqnin disa individë që më tej, shoqëria shqiptare i dënoi me izolim/burgim, ndërsa në cështjen e dytë pamoralin po e shfaq politika dhe po e kthen në ligj për shoqërinë. Dhe ajo që është më e rënda për nga mungesa e moralit, është fakti se nëse në ngjarjen e parë fatura financiare i shkoi një pjese të shoqërisë që me dëshirën e tyre të lirë ishin të përfshirë në një aktivitet të tillë, ndërsa në ngjarjen e dytë fatura financiare po i shkon gjithë shoqërisë shqiptare që kontribuon në buxhet. Sepse nuk ka gjë falas në këtë botë. Dhe as gjëra më të lira se kostoja. Problemi është se kush do ti përballojë këto diferenca. Ndërsa shoqëria shqiptare, politikisht e coroditur, voton më shumë ata që ngejnë nivelin e pamoralit dhe kostot në xhepat e tyre për dicka që nuk ju përket dhe që nuk prodhon asgjë të mirë për ta.
NJË SHTEG LIBERTARIAN PËR LEGALIZIMET. Mapo, 09.07.2014
Rotacioni politik në qeverisjen qëndrore mbushi vitin e tij të parë. Dymbëdhjetë muaj më parë dy kampet politike u përplasën në një fushatë dhe e majta e bashkuar fitoi të drejtën për të zbatuar programet e saj politike. Një nga ofertat më të mira që e majta bëri, sipas shumë analistëve, ishte oferta e legalizimeve falas. Për ta (analistët) ky ishte një nga premtimet që bëri diferencën, midis të majtës që e premtoi dhe të djathtës që refuzoi të jepte një gjë që nuk e kishte. E djathta refuzoi të falte (jepte falas) truallin mbi të cilin kishin ndërtuar paleje dhe që i përkiste një pronari të ndryshëm nga ai që e kishte bërë këtë ndërtim. Dhe mirë bëri, pavarësisht kostos së supozuar. Si mund të falësh një gjë që nuk e ke? Një gjë që nuk është jotja? Sepse, në një vend demokratik, qeveria nuk zotëron të drejtat e pronësisë së një prone private. Biles, as të drejtat e pronësisë së një prone publike. Atherë, si mund ti fali ato?! Duket se, Shqipëria e tranzicionit nuk po i shpëton dot formimit kuptimor të të kaluarës komuniste. Dhe nuk po flas vetëm për politikbërësit e majtë, por edhe për qytetarët. Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti (i supozuar nga analistët politik), që ky premtim në disavantazh të shumicës së shqiptarëve të konsiderohej nga votuesit si një premtim që duhej votuar pozitivisht. E them këtë, sepse e majta këtë premtoi.
Premtoi që me taksat e 750 mijë familjeve shqiptare do bliheshin “me vlerën e tregut” pronësitë private të tokës, që më pas do t’u jepeshin falas 250 mijë familjeve të tjera shqiptare që i kishin zënë me ndërtime paleje këto pronësi. Edhe kur e thua, nuk bën kuptim logjik! Sepse është e palogjikshme të votosh pro projekteve që të varfërojnë. Të paktën në planin teorik është kështu, sepse në planin praktik nuk e dimë. Ndërsa dimë që e majta i fitoi zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, dimë me siguri edhe një gjë tjetër . Faktin, që për një mijë e një arsye, fenomeni i ndërtimeve paleje dhe produktet e tij ekzistojnë. Dhe një zgjidhje kësaj problematike i duhet dhënë. Kjo në fakt i bashkon të dyja kahet e politikës. Janë 250 mijë familje shqiptare që de-fakto kanë nga një banesë, por jo de-jure. Kauza e përbashkët e politikës është si ti njësoj de-fakton me de-juren, dhe këtë ta bëjë pa përfshirë pjesën tjetër të qytetarëve. A mund të bëhet kjo? Sigurisht që po. Mirëpo, duhet një rrugë e ndryshme nga ajo e ndjekur deri më tani. Një rrugë e moralshme që i jep secilit cfarë i takon. Që i jep secilit atë që ka kontribuar në këtë status të ri të pronësive të paluatshme në troje apo ndërtesa. Dhe për të përcaktuar këtë duhet të nisemi nga cfarë është origjinalizuar ky zhvillim dhe si ka ndryshuar kjo pasuri përgjatë këtij zhvillimi ndërtimor.
Së pari, janë kryer disa punime ndërtimore që kanë krijuar pasuri të reja të paluatshme (ndërtesa). Krijuesit e tyre, megjithëse nuk janë pajisur me lejen e autoriteteve, në planin moral gëzojnë të drejtat e këtij zhvillimi. Njohja dhe regjistrimi i kësaj pasurie si titull pronësie i zhvilluesve joformal, do të ishte zgjidhja më e moralshme e mundshme. Dhe me dimension të fortë të përgjeshmërisë sociale. Të përgjegjshmërisë që shoqëria duhet të ketë ndaj individëve dhe familjeve të disfavorizuara. Së dyti, ka ndryshuar përdorimi i tokës. Nga tokë në konservim (gjëndje natyrore) apo në përdorim bujqësor, toka është kthyer në truall të ndërtuar. Regjistrimi i kësaj pasurie të re të krijuar, nga evoluimi i asaj të vjetre, në emër të pronarëve jo vetëm do ishte e drejtë por do të justifikonte, në dimensionin ekonomik, edhe kohën në të cilën këta pronarë nuk do të përfitonin nga prona e tyre deri në një rizhvillim të pronësive (ndërtesës dhe truallit). E parë në këtë mënyrë, edhe taksa paguesit do të përfitonin shumë. Për të qënë korrekt, do humbnin më pak. Paratë e tyre nuk do të shkonin për të shpronësuar disa shqiptarë dhe pronësuar disa të tjerë, apo në rroga burokratësh e zyrtarësh. Ndërsa pronarët e rinj (të ndërtesave) të vjetër (të trojeve) dhe zhvilluesit potencial të ardhshëm lihen të lirë, që me marrveshje vullnetare mes tyre, të përfitojnë nga mrekullia e tregut të lire duke rizhvilluar në të ardhmen këto pronësi.
NDËRTIME ME LEJE APO PALEJE - PËRTEJ PROPOGANDËS - KUSH ËSHTË NDRYSHIMI? Mapo, 08.12.2014.
Mund të gjenden shumë të njëjta në diskursin e dy lidërve politikë të shoqërisë shqiptare, z. Basha dhe z. Rama, por ajo që do trajtojmë sot është dakortësia mbi qëndrimin ndaj medias. Vecanërisht mbi qëndrimin e saj ndaj lajmit, mesazhit apo njoftimit politik që mediatojnë në public. Për të qënë më të sakt duhet të kishim thënë shfaqin në public, sepse ato këtë bëjnë. Marrin një deklaratë publike të ndonjë partiaku apo kundështinë e një partiaku tjetër dhe e transmetojnë në public. Pa e vrarë mëndjen se cfarë kuptimi ka ai?; sa i vërtetë është?; si dhe sa përkthehen në të premtimet politike të shumicës qeverisëse?; apo cfarë vlere ka për grupe të ndryshme të shoqërisë? Sigurisht, media është qartësisht e ndarë në interpretimin e lajmit sipas raportit që ato kanë me qeverinë. Media pro qeveritare e interpreton sikurse qeveria, ndërsa pjesa tjetër egzaktësisht në ekstremin tjetër. Mirëpo, unë nuk e kam fjalën për këto lloj qasjesh.
Unë po flas për një analizë dhe opinion teknik të ekspertizës mbi pyetje të zgjuara të gazetarëve. Nuk ekziston. Dhe për ta vërtetuar këtë ju bëj një ftesë. Blini gazetat dhe rindiqni emisionet televizive të muajit të fundit. Megjithëse fjala kyce është një- BURG- dy janë temat kryesore. Flitet ose për energjinë elektrike ose për ndërtimet paleje. Titujt kryesorë që mund të gjeni për temën e dytë (që në fakt është tema jonë e preferuar), janë shokuese. Janë nga ato që e cojnë shoqërinë nga kaosi mendor drejt një cmendurie kolektive. Ndiqeni ftesën time dhe do të gjeni: ‘Ja lista e emrave të 1220 familjeve që marrin tapinë e ndërtesave paleje dhe të truallit’; ’Listën e emrave të të arestuarve për ndërtim paleje’; ‘Listën e trojeve të legalizuara’; ‘2600 ndërtime paleje të hedhura në tokë nga INUK’; ‘Ja kush janë kushtet e vetdeklarimit për legalizime të reja deri në 31 dhjetor’!!! Bota e Lizës është më normale se Shqipëria jonë e vitit 2014.
Shkruhen dhjetëra mijë fjalë për këto tituj, por askush nuk nge pyetjen se cfarë u legalizohet trojeve? Dhe në fakt është titulli më idiot që kam lexuar ndonjëherë. Trojet kanë qënë aty që kur toka u formua. Mund të kenë ndyshuar bimësinë që e vesh, topografinë e sipërfaqes apo karakteristikat e shtresave nënsipërfaqe, por vështirë të ketë ndryshuar vendndodhjen apo sipërfaqen. Cfarë ilegaliteti mund të kenë që u dashkan legalizuar! Më tej, kaos total i veprimit të institucioneve ligjzbatuese të të njëjtit shtet. Dikush prish ndërtime, biles fut në burg ndërtuesit. Dikush tjetër legalizon ndërtesën jolegale, e bashkë me të shet trualin e një pronari tjetër që ndërtimi ka zënë, e biles ka hapur sezon të ri për vetdeklarime të ndërtesave të ndërtuar rishtash paleje! Askush nuk pyet dhe pakkush jep opinion se kush është ndryshimi midis këtyre grupe të ndërtimeve?! Duhet të jetë shumë i madh, përderisa qeverisja ofron qëndrime kaq të ndryshme.
Askush nuk pyet dhe askush nuk flet sepse nuk ka asnjë ndryshim. Të paktën jo në lidhje me arsyen për të cilën prishen apo legalizohen, sepse janë të paligjshme njësoj. Biles edhe ndërtesat paleje me ndërtesat me leje. Sepse edhe ndërtimet me leje të këtyre 15 viteve të fundit janë po aq në kundështim me ligjin sa ato paleje. Ndryshimi i vetëm është një copë letër e ndoshta ndonjë zarf i dhënë për të. Sepse ligji kërkon që një leje të jepet në përputhje me përcaktimet e një studimi pjesor të një njësie strukturore të qytetit dhe ky të jetë në përputhje me përcaktimet e planit të përgjithshëm rregullues. Kjo është sinteza e kërkesave të ligjit dhe përgjigjen mund ta gjeni vet. Bëni pyetjen: kush nga qytetet shqiptare ka një plan të përgjithshëm rregullues të miratuar dhe për cdo njësi formuese të tij ka studime pjesore të miratuara? Cdo ndërtim me leje që gjëndet jashtë përgjigjes që do ti ktheni vetes është po kaq i paligjshëm sa ndërtimet paleje.
PADIJA DHE KLIENTELIZMI ZBRESIN NË BREGDET. Mapo, 06. 03. 2015
Kryeopozitari Basha, në një takim në qytetin e Lezhës, premtoi se të gjithë të dëmtuarit nga operacioni qeveritar kundër ndërtimeve pa leje apo me leje të diskutueshme do të dëmshpërbleheshin për pronat e tyre. Kjo do të ndodhte sapo Partia Demokratike të vinte në pushtet. Të shumtë ishin të dëmtuarit që u ngrohën nga kjo deklaratë politike, por nuk ishin të pakët edhe ata që nuk e pritën mirë. Të dyja palët shumë të justifikuar. Të parëve, të goditur nga forca e shtetit, premtimi politik po u ofronte një shpresë dëmshpërblyese. Të dytët, të kënaqur që “shteti vuri dorë ndaj paligjshmërisë ndërtimore”, u ndjenë të rrezikuar në xhepin e tyre të përbashkët (buxhetin publik) nga ky premtim opozitar. Ajo që në fakt premtoi politikisht z. Basha, është një prerogativë ligjore. Nëse shteti dëmton pronën e individit nëpërmjet procedurave joligjore, individi gëzon të drejtën e dëmshpërblimit për humbjen e pësuar. I pëlqen apo jo një pjese të shoqërisë, kjo është e vërteta. Qeveria shqiptare sulmoi pronën private në zonat urbane (ndryshon puna në zonat e rëndësisë kombëtare), mbështetur në moral dhe jo në ligj. Dhe z. Basha nuk bëri gjë tjetër vecse e grupoi për ta kthyer në një nismë politike këtë të vërtetë ligjore individuale. Sepse vështirë të gjendet gjykatë në botë, përfshirë edhe gjykatat shumë të përfolura shqiptare, që nuk do i jepnin, cdo ankuesi, të drejtën e dëmshpërblimit për një humbje të pësuar joligjërisht.
Nëse ky do të ishte rasti i parë, ku shteti vendimerr me kosto të lartë për xhepin e përbashkët të shoqërisë, vështirë se do të tërhiqte vëmendje publike. Mirëpo, duket se gjithë tranzicioni shqiptar po evolon nga vendimarrje të këtilla. Tejshtrirja e këtij kapërcimi (tranzicioni) duket se e gjen arsyetimin te kjo mënyrë e të bërit të gjërave. Nisi që ditët e para të ndryshimit të sistemit politik me qasjen ndaj tokës bujqësore. Politika i njohu vetes të drejtën t’ia shpërndaj atë familjeve që jetonin në fshat, ndërsa pronarët legjitim, ata që e zotëronin në bazë të një kontrate, do të dëmshpërbleheshin me para apo troje të tjera publike. E njëjta gjë me reformën e privatizimit të banesave, vititin e dytë të qeverisjes demokratike. Lista bëhet e gjatë ndër vite, por kulmimi ishte procesi i legalizimit të ndërtimeve paleje. Në një garë moralisht të pakuptimtë por shumë racionale në dimensionin propogandistik të mbledhjes së votës, të dyja kahet politike i zbrazën premtimet. Përvec premtimit për njohje ligjore të ndërtimeve të tyre politika u ofronte, me një cmim minimal, edhe truallin ku zhvillohej ndërtimi. Dhe si gjithmon diferenca midis vlerës së tregut (që premtohej për pronarët) dhe kostot për përfituesit do të përballoheshin nga fondi publik i tokës apo xhepi i përbashkët publik. Absurdi grumbullohet e stivoset në magazinën e premtimeve pamundësisht të pambajtura, ndërsa buzheti publik kërcënohet në progresivitet e në vazhdimësi.
Mëndja e coroditur e shoqërisë shqiptare mund ti pranoj edhe këto. Por ajo që duket e patretshme, për më të fortin e stomakëve, është inisiativa e fundit për ta shtrirë këtë mentalitet edhe në zonat bregdetare. Kërkojnë që të “rregullojnë marrdhënien e pronësisë së truallit me ndërtimet në zonat me përparësi turizmin”, dhe faturën ta cojnë përsëri te e jona e përbashkët !!! Pasi shpërndanë “në përdorim” brezat e pishave dhe ranishteve në breg të detit për tokë bujqësore “atij që e punon”, apo “me qira zhvillimi” “personave të stimuluar” për të “stimuluar veprimtari turistike”, politika shqiptare ka vendosur tu’a kalojë përfundimisht në zotërim me gjithë të drejtat juridike të pronësisë që rrjedhin prej kësaj. Sesi shkoi cështja e industrisë së turizmit në bregdet të gjithë e dimë. Pallatet dhe vilat e banimit, e tjetërsuan “tokën bujqësore” dhe “truallin turistik” në gropën më të madhe të parave private. Ndërkohë që, autoritetet publike numërojnë numrin që “shtohen” cdo vit të turistëve të huaj, rritet edhe një gjë tjetër gjithashtu. Rritet tullumbacja e premtimeve për dëmshpërblim e kompensim të të drejtave të pronësisë private apo publike të kaluar pa asnjë nevojë teknike, apo verpimeve të paligjshme qeverisëse që e detyrojnë një gjë të tillë. Arsyeja e vetme është padija për të kuptuar se nuk ka asnjë kontraditë midis pronësisë së ndryshme midis truallit dhe ndërtimit, dhe klientelizmit të politikës ndaj kontribuesve në fushatat zgjedhore.
E FUNDIT PËR LEGALIZIMET PAFUND. Mapo, 03. 07. 2015
Akuza më e qënësishme që i ka bërë z. Rama, asokohe Kryeopozitar, z. Berisha, asokohe Kryeministër, në fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit 2011, ka qenë përdorja e procesit të legalizimeve për të demagogjizuar elektoratin. Dhe ka pasur shumë të drejtë! Z. Berisha shpërndau ‘leje legalizimi’ në shumë zona informale. Që nga ajo kohë na vjen shprehja ‘Shaban tapia’, që etiketonte këtë lloj leje dhe përfshinte me sarkazëm emrin e drejtuesit të agjensisë që po e zbatonte këtë projekt. Procesi i legalizimeve kishte nisur prej gjashtë vjetësh dhe rezultatet ishin shumë larg pritshmërive publike. Në “përgjigje” të këtij ngërci, qeveria Berisha, sa herë afroheshin zgjedhjet i vendoste nga një andër sistemit rregullator. Ajo ose përfshinte ndonjë grup të ri përfituesish (duke zgjatur shtrirjen e procesit apo duke zgjeruar shtrirjen territoriale), ose ulte kostot e legalizimit për familjet përfituese. Kështu vazhdoi “procesi i legalizimeve”, andër pas andre deri në vitin 2013, ndërkohë që rezultatet ishin minimale. Po kështu edhe numri i familjeve përfituese. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përsa politikbërësit asnjëherë nuk kuptuan se cështja nuk ka nevojë për meremetime modeli, por, për ndërtimin e një modeli tërrësisht të ri. Në të njëjtin kurth ra edhe qeverisja Rama. Bile, përpara se te kthehej në qeverisje, që kur premtoi “legalizime falas”. Për të vazhduar deri në pak ditë përpara zgjedhjeve vendore 2015, me miratimin e ca andave të tjera, të cilat përfshinin një stok tjetër banesash e ndërtesash për tu legalizuar.
Ai e shtyu deri në qershor të vitit 2014, duke i qëndruar “besnik” dy shtyllave të kulturës ‘Berisha’ të procesit të legalizimeve, zgjerimi i fushës së veprimit, dhe, ulja e kostove të familjeve përfituese deri në “falas”. Z. Rama nuk i shpëtoi dot as dimensionit propogandistik, për të cilin kishte akuzuar vet më parë kundështarin, duke shkuar në cdo kënd të Shqipërisë urbane për të shpërndarë ‘Lame tapitë’. Sikurse, për ekuvalencë, mund ti quajmë lejet e legalizimit që Kryeministri po shpërndan, nëpër shoë të tipit ‘cirku në fshat’. Me një fjalë, asgjë e re nuk erdhi as këtë qeverisje për “frontin e legalizimeve”. Dhe, nëse nuk ndërhyjmë sot, si koseguencë logjike duhet të presim që opozita të kërkojë votën, duke premtuar se qeveria do të dhurojë edhe nga një Mercedes apo Range Rover për cdo familje që do të pranoj të legalizohet. Përtej shakasë, rezultati me të njëjtin model, do të jetë po i njëjti. Ato familje që janë në tokë të vet, që ja kanë blerë pronarit legjitim apo e kanë marrë si tokë bujqësore, do pranojnë të dëgjojnë “humorin kinez” të Kryeministrit të rradhës dhe do e marrin atë formularin me emrin e cuditshëm. Ndërsa të tjerët do presin për një pazar më të mirë në të ardhmen. Në këtë pritje, e përfshirë pa asnjë arsye, do mbetet e gjithë shoqëria shqiptare. Pritje, e cila do të vazhdojë derisa politkbërësit të kuptojnë se me andrime të modelit nuk shkohet gjëkundi. Të kuptojnë se, nëse duan ta përbyllin këtë proces, duhet të ndërtojnë një model më të moralshëm, në respekt për të drejtat e individit dhe më gjithëpërfshirës në përfitim.
Për ta ndërtuar këtë model të ri duhet ta nisin me ato seminaret apo ëorkshopet që krahasojnë ecurinë e të njëjtit proces në vende të ndryshme të rajonit, në të cilat marrin pjesë. Ato nuk bëhen kot. Bëhen për të ndarë njohuri dhe praktika. Mjafton që burokratët të kenë dëshirën për të kuptuar, dhe lehtësisht do arrijnë në përfundimin se në vendet e rajonit që kanë ecur mirë në procesin e legalizimeve, ndërtimet paleje në shumicë dërmuese janë zhvilluar në tokën e vet përfituesve apo tokën publike. Me një fjalë, procesi i legalizimeve, në ato vende, ka qenë proces vetëm legalizimi. I pa shoqëruar me dy masa të tjera (shtetëzim të tokave private të zëna nga ndërtimet paleje dhe privatizim të tyre në favor të ndërtuesit paleje), të cilat janë jo vetëm bllokuese për procesin por edhe panevojshme! Dhe nëse e bëjnë këtë ndarje, procesi real i legalizimit mbyllet në pak muaj dhe me kosto minimale. Për pjesën tjetër mund të gjejnë, shembuj të zgjidhur nga qytetarët vullnetarisht në ato zona ku shteti nuk ka pasur kontroll të plotë. Të dalin në terren e të masin, dhe më tej të kuptojnë mbi c’baza e kanë zgjidhur qytetarët individualisht këtë problem? Do arrijnë në përfundimin e pashmangshën se, qytetarët vullnetarisht e kanë zgjidhur sepse kanë pasur respekt për pronën private. Si atë të trashëguar edhe atë të krijuar në kontekse joformale apo jomorale. Dhe nëse ke respekt për vlera bazike të moralit shoqëror, vlera që kanë shoqëruar zhvillimin human prej mijëravjetësh, mund të gjesh lehtësisht marrveshje private të qëndrueshme
KATËR CËSHTJE MBI HIPOTEKIMIN E PALLATEVE ME SHKELJE TË LEJES NDËRTIMORE. Mapo, 23. 04. 2017
Anekdodat e ‘Rilindjes Urbane’ nuk kanë të sosur. ‘Unë jam dhe historian, shqiptarët kanë 3200 mijë vite që ndërtojnë pa leje.’- do të theksonte një zyrtar i lartë Rilindas në një intervistë mbi hipotekimin e pallateve me shkelje të lejes ndërtimore! Nuk di të them cili grup fjalësh, ai para presjes apo ai pas saj, më bëri më shumë për të qeshur por një gjë është e sigurtë: ato nuk mund të qëndrojnë bashkë në një fjali. As historiani, urbanisti apo historiani i urbanistikës më i madh i botës, pas një studimi disa dekadash, nuk do kishte guxuar ta thoshte. Më shumë se kaq, është një fyerje e inteligjencës njerëzore të mbash ligjërata mbi lejet e ndërtimit të para 3200 vjetësh. Porse një pyetje mund ta ngremë: kujt duhet ti marrin leje shqiptarët e sotëm për të ndërtuar, dhe pse? Është përgjigjja e kësaj pyetje që bën dallimin midis kuptimit amatoro-etatist dhe kuptimit shkencoro-demokratik të kontrollit të zhvillimit urban. Sipas të parit ky aktivitet qënka shprehja e vendimit subjektiv të një ose disa burokratëve. Kurse sipas të dytit është vlerësimi administrativ nëse një kërkesë për zhvillim përputhet me planifikimet urbane të miratuara më parë. Thënë këtë, është e kuptueshme që përsa kohë nuk ka instrumenta urbane të miratuara, nuk ka arsye pse shqiptarët ti besojnë subjektivizmit të ca zyrtarëve dhe jo subjektivizmit të tyre.
Ajo që nuk kuptojnë burokratët dhe teknicienët shqiptarë të 20 viteve të fundit është se cështja e lejedhënies ndërtimore nuk është një marrdhënie preferenciale midis autoritetit të epërm të shtetit dhe qytetarit. Ajo është një cështje barazie, me origjinë kushtetuese, të drejtash për të zhvilluar pronësinë midis pronarëve të së njëjtës njësi urbane. Është ky kuptim i gabuar që prodhon legjislacion, i cili jo vetëm nuk zgjidhin problemin por sjellin ca probleme të reja. Sociologu e politologu Herbert Spencer në librin e tij ‘Njeriu përball shtetit’ (1884) do ta përfytyronte hiper-legjislacionin si një tren të gjatë që pasi është nisur në udhëtim, askush nuk mund ta ndali më. Në të njëjtën situatë jemi edhe me “reformën” e hipotekimit të pallateve me shkelje të lejes ndërtimore. Pak javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin ‘Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien’. Arsyeja që e shkruajta titullin e gjatë, të keqformuluar, evaziv dhe të rrëmujshëm, është evidentimi i cështjes së parë që krijon ky vendim që në titull, por edhe që kushdo të kuptojë sa probleme të reja pritet që ai të krijojë.
Cështja e dytë ka të bëjë me të drejtat e zhvillimit të pronësisë truall nëpërmjet ndërtimit. Është e kuptueshme që nëse një pallat ka shkelur përcaktimet volumetrike të lejes së ndërtimit, nëpërmjet ‘shtesave në lartësi’, atherë ai objekt ka konsumuar përvec të vetave edhe të drejtat e zhvillimit të pronësive kufitare. Këto të fundit, për shkak të kësaj shkelje të konstatuar dhe të “rregulluar” nga shteti, nuk do kenë mundësi të realizojnë të drejtën për tu zhvilluar në mënyrë të barabartë me kufitarët e tyre. Zgjidhjet që mbeten pas kësaj ndërhyrje brutale të shtetit janë dy: ose në dëm të barazisë për zhvillim të pronave; ose në dëm të ekuilibrit urban të zonës (hapsira vs. ndërtime). Duhet kuptuar se një pjesë e konsiderueshme e ‘shtesave anësore’, por jo vetëm ato, janë bërë në brendësi të pronësive të kufitarëve (të të tretëve). Dhe ky fakt përcakton edhe cështjen e tretë që do të doja të parashtroja. Hipotekimi në mënyrë të njëanshme e këtyre volumeve ndërtimore nuk është vetëm një shkelje e drejtpërdrejtë kushtetuese e të drejtave themelore të individit. Ai gjithashtu, hap derën e një nevoje të re për ndërhyrjen e shtetit “për të rregulluar” marrdhënien e re pronësore të krijuar nga ky “rregullim” i shtetit, për të cilin po flasim. Cështje kjo, që pashmagshmërisht të con te “rregullimi” i famshëm i shpronësimit për arsye të “interesit public”. Cështja e katërt është edhe cështja më e ndjeshme për interesin public, vecanërisht për 30 mijë familjeve që jetojnë në këto 1300 pallate. Ajo ka të bëjë me qëndrueshmërinë mekanike të ndërtesave dhe ngre shqetësimin: sa të qëndrueshme mekanikisht janë këto ndërtesa të cilave ju janë bërë ‘shtesa anësore dhe në lartësi’! Nëse projekti konstruktiv fillestar, nëpërmjet të cilit është marrë leja e ndërtimit, nuk ka vlerësuar ngarkesat e këtyre shtesave të zhvilluara më vonë, nuk ka “rregullim” qeverie e legjislacioni që e ndalon atë tren. Ndryshe nga vendimet politike që mund të merren për pak sekonda, cështjet teknike kërkojnë vlerësime e vendime rast pas rasti.
REPUBLIKA E LEGALIZIMEVE. Mapo, 25. 08. 2017
Këtë të martë Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, doli në një ‘Deklaratë për Shtyp’. Ai nuk i njoftoi shqiptarëve përmbylljen e plotë të procesit të legalizimeve të ndërtimeve paleje, sikurse Kryeministri dhe ai vet ju kishte premtuar pak më tepër se 4 vite më parë. Por, ai renditi një sërë arritjesh të jashtëzakonshme të institucionit të tij në këtë proces të rëndësishëm për dimensionin territorial dhe urban të vendit. Dhe këtë e bëri me shifra. Shifra të shprehura në mënyra të ndryshme por që në asnjë rast nuk mund tu kontrollohet vërtetësia përderisa i vetmi vend ku mund të aksesohen është institucioni i ALUIZNI-t, transparenca publike e të cilit përcaktohet nga i njëjti zyrtar që i shpalli ato. Sidoqoftë, ka një të dhënë që mund të verifikohet lehtësisht, përderisa nuk varet nga ky institucion. Ky është pohimi hyrës i deklaratës, ‘Në këto ditë të fundit të këtij mandati, dëshiroj të ndaj me ju disa rezultate të arritura në këto 1000 ditë’.
Prej 11 vjetësh kjo ka qënë filozofia dhe morali i qasjes qeverisëse ndaj procesit të legalizimeve, shto ujë e shto miell! Ndërsa procesi pothuajse mbetet në vendnumëro, qeveritë ose shtojnë vitet e zbatimit ose zgjerojnë spektrin urban të shtrirjes së efekteve të këtij ligji. Kufirin kohor për ndërtimet paleje nga 2006 e shtynë deri në 2014, më tej shpikën konceptin e padëgjuar të “legalizimit të truallit”, tashmë duket se do heqin edhe kufizimet për shkaqe urbane, mjedisore, të trashëgimisë e të sigurisë rrugore. Se kush do të jenë ato, shumëkush që njeh dinamikën ligjore të sektorit mund ti parashikojë por askush nuk mund ti di saktësisht përderisa nuk u prezantuan në konferencën për shtyp. Megjithatë një gjë është e sigurt, si rrjellim logjik i kësaj mënyre qeverisëse të të menduari e të vepruari, shoqëria shqiptare po zëvendëson plotësisht doktrinën shkencore të planifikimit të zhvillimit me praktikën antilogjike të legalizimit të post-zhvillimit.
NA GRABITËN, PO NA RREZIKOJNË JETËN, DUHET TË
PAGUAJMË EDHE TAKSAT E TYRE?! Liberale, 10. 08. 2020
Të kapur mat, me qeverisje por më keq se në ‘gjendjen natyrore’!
Ndërtimtaria
informale është një nga fenomenet më karakteristike të tranzicionit të gjatë
dhe të mundimshëm të shoqërisë shqiptare. Nuk ekzistojnë të dhëna të sakta sa
është numri i ndërtesave, banesave apo shtesave të ndërtuara paleje në këto
vite por mund të thuhet se vetëm gjatë viteve 2006 - 2012, ato janë rritur në
masën 1.7 herë; nga 230 mijë që ishin në fund të proçesit të vetdeklarimit në
vitin 2006, në rreth 400 mijë në vitin 2012. Statistika e parë është plotësisht
e saktë sepse na vjen nga Agjensia e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të
Zonave dhe Ndërtimeve Informale, por edhe e dyta nuk mbetet pas përderisa vjen
nga Banka Botërore.
Kjo veprimtari antiligjore
njerëzore ishte plotësisht e pritshme dhe e justifikueshme në pesë vitet e para
të tranzicionit për një sërë arsyesh të logjikshme, racionale dhe të moralshme.
Qeverisja komuniste kishte prodhuar shumë parakushte që e bënin të pashmangshëm
këtë fenomen sa urbanistik e ndërtimor aq edhe ekonomik, kulturor, social e
politik. Por asgjë nuk e justifikon vijueshmërinë e tij në dy dekadat e tjera, duke dëmtuar çdo ditë ekonominë, shëndetit dhe jetën e qytetarëve.
Çdo ditë që kalon pa i dhënë një zgjidhje të drejtë dhe të moralshme kësaj
plage dëshmon se jemi kthyer në një turrmë individësh të paftë t’i japim
drejtim gjërave që kërkojnë të bashkëveprojmë me njëri-tjetrin si një shoqëri.
Sepse kjo është ajo që ka ndodhur në këto vite!
Shteti që kemi ndërtuar e ka trajtuar çështjen e
formalizimit si një mjet elektoral. Shumica dhe pakica, kush më shumë e kush
akoma më shumë, e kanë përdorur në gara elektorale se ‘kush legalizon më lirë’.
Ne i votojmë, dhe kjo është arsyeja që nëse në vitin 2000 numëroheshin disa
dhjetëra mijë ndërtesat informale dhe gjendeshin vetëm në periferitë e qyteteve
të mëdha, sot janë disa qindra mijë dhe gjenden kudo nëpër Shqipëri, bile edhe
në taracat e pallateve në qendrën e Kryeqytetit. Kështu do të ndodhte përderisa
proçesi me të cilin, qeveritë kanë
synuar të zgjidhin këtë problematikë shoqërore, ka moralin e skemave Ponzi (piramidave
financiare)!
Qeveritë e gjithëpushtetshme kanë bërë ligje, që një
qytetar që ka respektuar ligjin dhe e ka blerë apartamentin e tij në tregun
formal, duhet të paguajë për kostot e legalizimit të një ndërtese të një
qytetari tjetër që ka shkelur ligjin! Ky është thelbi i asaj që ka ndodhur në
20 vitet e fundit, përfshirë edhe disa ditë më parë. Kuvendi i Shqipërisë
miratoi një ligj të ri sipas të cilit ndërtuesit informal nuk ka nevojë ta
paguajnë më taksën e ndikimit në infrastrukturë prej 0.5 % të vlerës së
investimit. Ndërsa qytetarët e tjerë që ndërtojnë formalisht duhet të paguajnë 8%
për të njëjtën taksë, qeveria mendon se ndërtuesit informal nuk duket të
paguajnë as 16 herë më pak.
Sipas qeverisë së gjithëpushtetshme, këtë duhet ta
paguajnë qytetarët e tjerë formalë, ose me taksa të shtuara ose me mungesë
infrastrukturash. Këta duhet të paguajnë edhe për kosto të tjera administrative
apo ndryshime pronësie që e shoqërojnë këtë proçes, që shkojnë në qindra milion
euro. Mirëpo edhe kjo është shumë pak, sepse
këto shtesat që kemi mbi taracat e pallateve ku jetojmë, jo vetëm janë ndërtuar
informalisht në një pronë që e kemi në bashkëpronësi, jo vetëm kostot e legalizimit
të tyre do ti paguajmë ne, por na rrezikojnë edhe jetën. Vetëm pak muaj më parë
një tërmet shkundi vendin dhe morri 50 jetë njerëzore, ndërsa qeveria vijon ti
legalizojë ato!
Duhet të kishim ndërhyrë me shpejtësi e
të hiqnim çdo ngarkesë, të shtuar pas projektit, nga taracat e pallateve. Nga
depozitat e ujit, deri te ndërhyrjet e tjera si shtesa ndërtimore, duhet ti
hiqnim me shpejtësi dhe të lehtësonim “shpinën e ndërtesave” që ato të mbanin
vetëm peshën për të cilën janë llogaritur. Çdo qeveri normale do ta kishte
reaguar kështu, por jo qeveria e shqiptarëve të shekullit të 21. Atherë, kush e
mban përgjegjësinë nëse ndërtesa nuk do të qëndroj në këmbë, në një rast të
ngjashëm në të ardhmen?! Sepse është e thjeshtë për qeverinë të bëjë “mirë” me
paratë e taksapaguesve, por duhet edhe të mbaj përgjegjësi për vendimet që ka
marrë.
Nëse do ishim pa Shtet, nëse ishim në
atë rend shoqëror që Locke do ta quante ‘gjendje natyrore’ dhe Hobbes do ta
konsideronte ‘rendin ku secili është kundër secilit, dhe njerëzit janë në
frikën e vazhdueshme nga vdekja e dhimbshme’, do të na duhej të mbronin vet
lirinë, jetën dhe pronën tonë. Shumë e thjeshtë të bëhet kjo, si çdo kafshë
tjetër, do të mbronim me thonj jetët tona dhe të “këlyshëve” tanë nga rreziku
që vjen nga ‘gjëndja e luftës’ me kafshë të tjera. Por ne jemi në një gjendje më
të keqe se kaq! Ne jemi në rendin, ku Shteti, merr fuqinë dhe paratë tona, dhe
i përdor ato për të na dëmtuar ne, duke bashkëpunuar me ata nga të cilët duhet
të na mbronte!
Comments
Post a Comment