+ QEVERIA RAMA DHE REFORMA TERRITORIALO-ADMINISTRATIVE

ABSTRAKT
Reforma territoriale ishte një nevojë për modernizimin e vendi. Ka pasur dy tentative për të bërë një reformë të tillë: një në vitin 2004 nga ministri Blushi dhe një në vitin 2006 nga ministry Olldashi, por të dyja dështuan për mungesë të vullnetit politik të partive.
Kjo reformë u bë domosdoshmëri vecanërisht pas miratimit në prill të 2009 të ligjit për zhvillimin e territorit. Modernizimi që sillte ky ligj në qeverisje, impaktonte qeverisjen vendore:
-ai zgjeronte fushën e veprimtarisë së pushtetit vendor nga menaxhimi urban te planifikimi territorial, si pasojë e decentralizimit të kësaj veprimtaria qeverisëse;
-ai zgjeronte shtrirjen territoriale të juridiksionit të njësive vendore në cështjet e planifikimit dhe menaxhimit territorial-urban, sepse hiqte kufizimin e vijave kufizuese të ndërtimit që kishte ligji pararendër i 1998;
-ai barazonte të gjitha njësitë vendore, në raport me fushëveprimatarinë e planifikimit dhe menaxhimit territorial, duke shfuqizuar ndarjen në 5 kategori të ndryshme të njësive vendore.
Praktikisht krijohej një kontraditë logjike:  bashkia Tiranë ka 42 kilometra katror sipërfaqe dhe 726 mijë qytetar, kurse komuna e Kelmendit (Qarku Shkodër)  ka një shtrirje 294 kilometra katror dhe 6300 qytetar, dhe funksionet qeverisëse i kishin të njëjta!
Mirëpo, tre janë komponentët në diskutim të një Reforme Territoriale: banorët (numri); territori (sipërfaqja) dhe funksionet qeverisëse. Dhe nëse duam të bëjmë një reformë territoriale duhet të synojmë që të tre këta komponetë të shkojnë drejt balancimit (barazimi është utopi).
Nga kjo dalin dy parakushtet për një reformë të qënësishme e afatgjatë të territorit: një shpërndarje e njëtratshme e banorëve në territor dhe përcaktimi i fushëveprimit qeverisës për njësitë e reja vendore. E dyta shërben për të përcaktuar një model të tipit ideal të njësisë se re vendore në aspekt të sipërfaqet dhe numrit të banorëve, pra edhe të numrit të njësive të reja vendore.
Në prill 2009 Kuvendi i Shqipërisë, si asnjëherë tjetër, miratoi me shumicë të cilësuar (PD dhe PS), ligjin për planifikimin e territorit. Ky ligj gjithashtu shfuqizonte ligjin e vjetër, duke prishur shumë balanca dhe shumë praktika të mëparshme në lidhje me kompetencat e planifikimit dhe zhvillimit urban dhe të territorit.
-Ligji i vjetër përcaktonte se nj.q.v. ishte pjesë e autoriteteve që hartonin planet vendore, kurse ligji i ri i jepte autonomi të plotë për hartimin dhe miratimin e planeve në territorin e tyre administrative.
-ligji i vjetër përcaktonte dy lloj kufinjsh për nj.q.v. : kufiri administrativoo-politik dhe vijën kufizuese të ndërtimit (brenda të cilës lejohej vendimarrja për leje ndërtimi nga komuna/bashkia), kurse ligji i ri nuk detyronte konceptin e vijës kufizuese të ndërtimit. Pra komuna njësia mund të marri vendime në të gjithë territorin nën administrimin e saj.
-ligji i vjetër i ndante nj.q.v. në 5 kategori sipas numrit të banorëve, secila prej të cilave kishte nivel të ndryshëm autonomie. Kurse ligji i ri i njeh të njëjtin autoritet të gjithave nj.q.v. pavarësisht numrit të banorëve apo sipërfaqes.
Këtu gjendemi përpara një problemi të madh! Ndërsa nj.q.v. kanë të njëjtat përgjegjësi ato nuk kanë të njëjtat kapacitete teknike e burokratike dhe të njëjtin numër banorësh dhe sipërfaqe të shtrirjes për të cilat këto kapacitete do të përgjigjen. Psh. bashkia Tiranë ka 42 kilometra katror sipërfaqe dhe 726 mijë qytetar, kurse komuna e Kelmendit (Qarku Shkodër)  ka një shtrirje 294 kilometra katror dhe 6300 qytetar. Një disbalancë e madhe. Në të njëjtën kohë, si pasojë e migracionit 25 vjecar, edhe kapacitetet teknike dhe burokratike janë larguar nga fshatrat dhe qytetet e vogla drejt qyteteve të mëdha.
Ky problem zgjidhet vetëm nëpërmjet një reforme të thellë territoriale:
- ndryshim kufinjsh (ndarje dhe bashkim njësish) dhe rishpërndarje të popullsisë në territory.
Elita partiake, intelektuale dhe shoqëria civile arrijnë në dakortësi për domosdoshmërinë e reformës territorial-administrative. Synimi kryesor i kësaj reforme është shërbime më të mira për qytetarët dhe në klëtë konteks, kërkohet që produktet e kësaj reforme të jenë të qëndrueshme në kohë. Që reforma të ketë këtë sukses të synuar duhet të plotësojë dy parakushte thelbësore e jetësore për të:
-shpërndarja e popullsisë në territory është shumë jo e njëtratshme dhe e koncentruar në qëndrat e mëdha urbane. Kjo ka ndodhur si rezultat i migracionit (të jashtëm e të brendshëm) të qytetarëve nga qëndrat e banuara (fshatra e qyteza) periferike të atdheut drejt vendeve të zhvilluara perëndimore dhe qyteteve qëndrore dhe të mëdha të Shqipërisë, për shkaqe të një situate të jashtëzakonshme të prishjes së disa ekuilibrave ne 1991. Pra sot marrdhënia midis qytetarit dhe territorit nuk është rezultat i një evolucioni natyror apo i ndonjë qëndrimi politiko-shtetëror por inisiativa personale e cdo familje migratore. Në këtë kuptim, një reformë territoriale nuk duhet ndërmarë nëse më parë nuk vendoret një qëndrim i qartë politik (shoqëruar edhe me projekte konkrete sesi ky synim të arrijet) për një shpërndarje të balancuar të qytetarëve në territor.
-një gabim po kaq i madh do ishte një ndarje e re gjeografike e administrative pa përcaktuar më parë kompetencat e njësive vendore. Një ndarje e mirë e funksioneve qeverisëse midis pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, me një qasje të fortë decentralizuese dhe duke i ikur konceptit të vjetëruar se qeveria qëndrore është pronari/babai i qeverisë vendore, është një parakusht i rëndësishëm që kjo reformë të suksesoj.
Reforma territorial-administrative nuk duhej trajtuar me datë skadence) datë e fiksuar për përmbyllje), por si një kauz shoqërore që kërkonte konsensus të plotë shoqëror (minimalisht konsesus partiak). Dy palët partiake kanë qëndrime të ndryshme edhe në kuptimin e përfitueshmërisë ekonomike nga kjo reformë.
Palët në pushtet e shohin si një përfitim të 80 milion eurove, kurse pala në opozitë thekson se nga një bashkim i tillë mekanik nuk mund të përfitohet më shumë se 5 milion euro. Sidoqoftë, dimensioni ekonomik i reformës i bashkonë palët në qëndrimin se reforma do ti shërbej qyteteve të reja të forcohen ekonomikisht sepse bashkimi do të thotë zvogëlim i kostove për të mbajtur administratën (përfshirë këshilltaërt).
Mirëpo, edhe e parë në këtë kuptim, reforma nuk është e qëndrueshme në kohë dhe afatgjatë, sepse askush nuk mund të na thotë se edhe pas bashkimit mekanik, njësitë e qeverisjes vendore do kenë aftësi ekonomike për të kryer detyrat e përgjegjësitë ndaj qytetarit.
Bashkimi mekanik (madhësia fizike e njësisë vendore të re) nuk është kusht i mjaftueshëm që njësia të përformojë pozitivisht në dimensionin ekonomik. Një shëmbull actual është qyteti i Detroitit, i cili megjithëse është qyteti i 18 për nga madhësia në SHBA, gjithsesi falimentoi. Dhe Shba nuk prezantoi si zgjidhje një bashkim mekanik me një qytet tjetër, për ta shpëtuar nga falimenti.
Ku gjendet zgjidhja ekonomike:
-te decentralizimi fiskal që ndihmon për të balancuar detyrat dhe funksionet qeverisëse me financat që shërbejnë për ti kryer këto detyra dhe përgjegjësi.
-konvertimi i qyteteve në njësi që funksionojnë edhe ekonomikisht. Pra, në njësi ekonomike. Qytetet duhen menaxhuar si njësi ekonomike, me qytetarët si aksioner të saj. Rritja e konkurueshmërisë se qytetit në raport me qytetet fqinjë do sjelli bisnese të reja dhe qytetar të rinj në qytet. Dhe kjo do sjelli të ardhura për buxhetin e qytetit dhe një dimension të ri të qytetit, dimensionin ekonomik.
Reforma territorialo-administrative po prezantohet si një concept pa një përkufizim të qartë se cfarë do jetë. Qeveria po e prezanton si një mënyrë për të kursyer paratë publike në masën rreth 80 milion euro në vit. Të cilat shkonin në rroka e shpenzime administrative për burokratët e njësivë të vogla vendore. Me një fjalë, megjithëse u prezantua si reforma e reformave ajo nuk ishte (për diskursin qeveritar) një metodë kursimi! Dy pyetje dalin:
-a mund të konsiderohet një bashkim mekanik njësish vendore me njëra-tjetrën një reformë?
-a mund të përcaktohet sipërfaqja modul i njësive të reja të qeverisjes vendore pa përcaktuar më parë funksionet që ky modul i njësisë vendore do kryej?
Pra, reforma territoriale duhet të konsiderohet si një reformim i thellë e bazik I funksionimit të qeverisjes (vendore e qëndrore). Duke nisur nga marrdhënia kushtetuese e qytetarit me qeverisjen, cfarë fushëveprimi shoqëror i kalon qytetari qeverisjeve. Dhe më tej sesi kjo fushëveprimi ndahet midis qeverisë qëndrore dhe asaj lokale.
Reforma territoriale u kthye në një hartë elektorale. Mënyra e njëanshme e hartimit të kësaj harte dhe produkti i saj identifikojnë  synimin real të maxhorancës qeverisëse për të: hartimin e një ndarje të elektoratit sipas një skeme që i jepte fitore në tavolinë në shumë njësi vendore. Opozita pranoi të hyj në zgjedhjet vendore edhe pse ishte koshiente për këtë qasje të qeverisë. Sidoqoftë,  edhe kjo mënyrë nuk i jep siguri shteruse mazhorancës për dy kolona me risk të lartë.
-Kolona e parë ka të bëjë me ‘reflektimin e të kaluarës te e sotmja’. Që do të thotë se, baza e informacionit mbi mënyrën se si votojnë votuesit konsiderohet si statike.
-Kolona e dytë është ‘nevoja për balancim’ të kahvotuesve. Që do të thotë se, nuk mund të cosh shumë votues nga “të tutë” në një zonë, sepse të duhet të lësh “zbuluar” një zonë tjetër.
Në konteksin e sotëm, ku zhgënjimi i elektoratit nga veprimet qeverisëse është fakt, ushtrimi i grupimit të votuesve si bastione kthehet në një thikë me dy prehsa. Duhet shumë pak që elektorati ta kalojë kufirin imagjinar të bastioneve sipas sjelljes në votimet e kaluara, si nga ana sasiore (diferenca e vogël në numër), por, edhe nga ana cilësore (zhgënjimi po shfaqet konsistent).
Reforma territorial- administrative ka një rëndësi shumë bazike për tu trajtuar si një skemë për të fituar zgjedhjet lokale nga një maxhorancë. Shoqëria shqiptare pas 25 vjetë ecejakesh me shumë kthesa ka nevojë për një qasje tjetër ndaj organizimit të saj politik e institucional. Për një qasje shumë më të thjeshtë dhe më racionale në marrdhënien individ – shoqëri – shtet. Kjo, mësë pari, nënkupton një përcaktim të ri se cfarë shoqëria i ngarkon qeverisjeve, si fushë të veprimtarisë së tyre. Duket se qeverisjet shqiptare nuk i njohin kufizimet tyre. Biles, më keq akoma, në 25 vjet janë vetngarkuar me pushtete të reja, ndërsa nuk kanë kryer as ato më baziket. -Parimi i parë është dimensionimi sa më i ngushtë dhe i më qartë i fushëveprimit të tyre.
-Parim i dytë i rëndësishëm është ai i shpërndarjes së pushtetit. Nëse shoqëria i kalon qeverisjeve ca pushtet është më mirë që ky pushtet të ushtrohet në nivelin vendor.
Vetëm pasi kalohen këto dy hapa thelbësorë, mund të kalojmë në hartimin e një harte me kufinjtë administrative të njësive të pushtetit vendor. Sepse nuk mund të përcaktojmë madhësinë gjeografike apo demografike të një moduli njësie qeverisje vendore nëse nuk dimë cfarë pushteti do të ushtrojë. Dhe nuk mund të përcaktojmë se cfarë pushteti do ti lëmë secilit nivel qeverisës nëse nuk përcaktojmë më parë se, cfarë pushteti do të kenë qeverisjet si një unitet i vetëm.
Zgjedhjet vendore të 2015 u zhvilluan vetëm me një hartë me ngjyra. Sot qytetarët kanë kryebashkiakët e rinj por jo funksionet që këto administrate do kryejnë! Inistiativa e njëanshme e qeverisë për të hartuar një reformë dështoi, por triumfoi inisiativa e saj për të drejtuar shumicën e njësive vendore. Harta ishte një nga shkaqet, kurse i dyti ishte paaftësia e opozitës.
Sepse, ‘populli potencialisht opozitar’ nuk u ndjeh aspak mirë kur opozita nuk paraqiti një projekt të sajin për decentralizimin e mëtejshëm të funksioneve qeverisëse. Ai nuk kuptoi, pse opozita zyrtare foli për ulje taksash dhe cmimi energjie elektrike! Apo për stola, parqe, trotuare, kazanë mbetjesh urbane, por nuk e mbrojti politikisht autonominë lokale nga sulmet e drejtpërdrejta të qeverisë kombëtare. A mund të kishte temë më adekuate se demokracia lokale, në konteksin e një fushate për zgjedhje lokale? A mund të mos flitej për listat e përfituesve të ndihmës sociale që hartoheshin më ministri!? A mund të mos flitej për listat e përfituesve nga programet e strehimit që hartoheshin apo miratoheshin në një ministri tjetër!? A mund të mos flitej për bllokimin e lejedhënies ndërtimore!? A mund të mos flitej për sulmin e INUK ndaj ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme!? Mirëpo, nuk u fol as për këto funksione të grabitura vendore, dhe as për të tjera shkelje me origjinë antikushtetuese, të qeverisjes qëndrore.
Në “luftën” midis hartës të fabrikuar dhe frymëzimit demokratik e decentralizues , fitoi e para. Jo sepse ishte më bindëse, por sepse mungoi i dyti.
Kjo duhet të jetë qasja e kryebashkiakëve demokrat, pa funksione të përcaktuara, lufta për autonomi lokale. Por jo për shoë partiak, por për të ndërtuar një qeverisje të vërtetë vendore.


MOS KA ARDHUR KOHA PËR REFORME ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE?  Mapo, 21.11.2012

Në 2005 Qeverisja Qëndrore ndërmorri një reformë të thellë të sistemit të planifikimit të territorit. I akuzuar, ndër të tjera, edhe se prodhonte mundësi konkrete për vendimmarrje preferenciale (korrupsion), sistemi i vjetër u vlerësua si i paaftë për të drejtuar zhvillimin e shpejtë dhe të planifikuar të ekonomive, industrive apo zhvillimeve të qëndrave urbane. Mbështetur në disa parime shumë të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë dhe Qeverisjes Shumënivelëshe startoi projektimi i një sistemi të ri. Në prill të vitit 2009 Kuvendi i Shqipërisë miratoi, me shumicë të cilësuar, një ligj të ri për planifikimin e territorit, i cili pas një faze tranzitore në tetor të vitit 2011 hyri plotësisht në fuqi. Logjikisht duke shfuqizuar ligjin e vjetër dhe duke prishur edhe disa ekulibra shumë të rëndësishëm, të paktën në planin teorik, të vendosura më parë. Ndërsa, sistemi i vjetër kishte deleguar funksionin e planifikimit urban dhe lejedhënien për struktura e infrastruktura, kishte përcaktuar gjithashtu një ‘kleckë’. Kjo “kleckë’ ishte koncepti i ‘vijës kufizuese të ndërtimit’ për një bashki apo komunë. Sipas këtij koncepti bashkitë apo komunat mund të merrnin vendime për leje ndërtimi në zonat brenda vijës kufizuese të ndërtimit, sigurisht, në përputhje me planet e miratuar dhe sipas një procedure të përcaktuar nga sistemi. Kështu, për një Njësi të Qeverisjes Vendore ekzistonin dy përcaktime, dy kufinj, njëri ishte kufiri administrativ dhe tjetri kufiri i zonës së ndërtimit. Këto ‘vija’ kufizonin sipërfaqe shumë të ndryshme toke, përsa i përket madhësisë, për të njëjtën njësi administrative vendore dhe miratoheshin nga organe të ndryshme qeverisëse dhe në procedura e procese shumë të ndryshme ligjore. E thënë thjesht dhe në mënyrë përgjithësuese, këto kufinj ishin të ndryshëm në cdo aspekt. Sidoqoftë kishte një harmoni, një ekulibër të ‘vijës kufizuese të ndërtimit’ me numrin e banorëve. Sa më shumë banor të kishte një njësi administrative locale aq më e madhe sipërfaqja e zonës së ndërtimit. E kuptueshme kjo përderisa territori urban i shërbente nevojave të banorëve dhe se duhet të ishte numri i banorëve që përcaktonte edhe sipërfaqen e territorit në shërbim të aktiviteteve urbane njerëzore. Kjo vijë propozohej nga ekspertët e planifikimit urban, pas një procesi shkencor vlerësimi, dhe legjitimohej përfundimisht me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës.
Mbështetur në një filozofi të qartë demokratike, sipas të cilës njerëzit ishin të barabartë pavarësisht ku banonin, u hartua në vitin 2000-ë ligji për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore. Një nga konceptet e vjetra, sipas të cilit qytetet ndaheshin në pesë kategori sipas “rëndësisë” (ligji për planifikimin urban, 1998), u zhvlerësua. Në këtë kuptim u zhvlerësuan edhe diferencat në trajtim të tyre nga Qeverisja Qëndrore, si dhe funksionet dhe kompetencat e tyre. Tashmë vendbanimet humane ishin njësoj të rëndësishme, pavarësisht numrit të banorëve. Pavarësisht numrit të tyre administratat dhe politikanët e votuar vendor kishin të njëjtat përgjegjësi dhe detyra. Dhe kishte kuptim, sepse pavarësisht se ku banojnë qytetarët kanë të njëjtat të drejta për shërbime publike dhe të njëjtat detyrime për bashkëjetesë kolektive. Sepse pushtetin e kanë njerëzit, e përderisa janë të barabartë, delegojnë te politikanët e tyre të votuar, të njëjtat përgjegjësi dhe detyra. Për këto arsye dhe në këtë frymë sistemi i ri i planifikimit të territorit i njeh cdo njësie të qeverisjes vendore detyrën dhe të drejtën e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit. Ja njeh cdo njësie vendore pavarësisht madhësisë territoriale apo numrit të banorëve. Në sferën teorike, në kuptimin e të gjithë qytetarët janë të barabartë, reforma e planifikimit të territorit paraqitet shumë demokratike e moderne, por a është kështu edhe në planin aplikativ? A marrin të njëjtat shërbime, në sasi dhe cilësi të njëjtë të gjithë qytetarët shqiptar, pavarësisht ku jetojnë ? Sepse ky është synimi përfundimtar. A marrin të njëjtat shërbime, pavarësisht nëse jetojnë në komuna të vogla apo bashki të mëdha? Nuk besoj. Kjo edhe teorikisht duket e pamundur. Marrim një shembull, bashkia më e madhe në Republikën e Shqipërisë (përsa i përket numrit të banorëve) është Bashkia Tiranë me një popullsi prej 726 547 banorë. Në përgjigje të nevojave dhe kërkesave të një popullsie të tillë Kryetari i Bashkisë dhe administrata e saj duhet të planifikojë, menaxhojë dhe kontrollojë zhvillimin e një territori prej 42 kilometra katrorë. Ndërkohë, një nga komunat më të vogla (përsa i përket numrit të banorëve) është Komuna e Kelmendit, Qarku Shkodër, me 6306 banorë. Kryetari i kësaj komune, si politikan i votuar, dhe stafit të tij i duhet të planifikojë, menaxhojë dhe kontrolloj zhvillimin e një territori prej 294 kilometër katror. Po, po 294 kilometër katror. Më shumë se 252 kilometra katror apo më shumë se shtatë herë sipërfaqen e territorit nën administrimin e Bashkisë Tiranë.
 Sigurisht nuk jam duke thënë se presioni për zhvillim i këtij territori, nga qytetarët apo bisnesi, është i njëjtë me atë të Tiranës, por, sidoqoftë funksionet dhe kompetencat janë të njëjta, pra edhe mundësitë më të mëdha për dëmtim të territorit, burimeve natyrore apo investime të gabuara. Shpesh herë janë komunat dhe bashkitë e vogla që kanë pasuritë më të mëdha natyrore. Cfarë mundësi praktike ka që një administratë dhe politikan i votuar nga një popullsi 1000 herë më të vogël me një akses në sipërfaqe territoriale prej shtatë herë më të madh, të marri vendimet e duhura? Për mua shancet për barazi në shërbime (sasiore dhe cilësore) janë të pakta në mos nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as mundësia konkrete e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
Kështu gjendemi përpara një problemi të cilin ose duhet ta injorojmë, sic bëjmë shpesh, ose duhet ta përballojmë duke i dhënë një zgjidhje. Dhe mundësitë për zgjidhje janë vetëm dy. Njëra është kthim në të kaluarën, duke i klasifikuar njësitë e pushtetit vendor në klasa dhe duke shpërndarë funksione dhe kompetenca sipas klasave. Por, kjo është e papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë konceptin e vjetër- të gjithë qytetarët janë të barabartë ndërsa disa janë më të barabartë se të tjerët- ndërsa aspirojmë demokraci të aplikuar dhe jo teorike. Mundësia e dytë dhe më e mire, të paktën sipas meje, është reforma territoriale. Përcaktimi i llojeve të reja të njësive të qeverisjes vendore dhe ndarje e bashkim i njësive aktuale me synim funksionimin më të mirë të mundshëm të tyre në shërbim të qytetarëve. Pse jo, edhe si një hap i parë e i domosdoshëm drejt një shpërndarje sa më të ekuilibruar dhe të balancuar të vendbanimeve njerëzore në territorin Kombëtar.



DY PARAKUSHTET PËR SUKSES TË REFORMËS TERRITORIALE. Mapo, 31.01.2014

Elita politike shqiptare dakortëson për domosdoshmërinë e një reforme territoriale. Të gjitha palët politike mendojnë se një ndarje e re territoriale do ndikoj pozitivisht në qeverisjen e mirë vendore. Të njëjtin mendim ndan edhe ekspertiza e profileve të ndryshme, por edhe shoqëria civile. Konsensus më të gjerë shoqëror, mbi nevojën e ndërmarrjes së një nisme të tillë, është i tepërt të kërkohet. Dhe bën kuptim. Sot Shqipëria ka të njëjtën ndarje administrative sikurse 20 vjet më parë ndërkohë që popullata ka përjetuar lëvizje të forta nëpër territor. Realiteti i ri urban patjetër duhet projektuar në një ndarje të re administrative, e cila duhet të jetë në paralel me numrin e banorëve të një njësie të qeverisjes vendore dhe sipërfaqes së shtrirjes së saj. Këto janë dy nga treguesit më të rëndësishëm për formulimin e kësaj reforme. Kurse, synimi kryesor është shërbimi sa më i mirë ndaj qytetarëve. Pra, ndarja e funksioneve qeverisëse në një frymë të fortë decentralizuese, midis dy niveleve. Në një konteks të tillë, pyetja e parë që lind është se sa produktive dhe afatgjatë do të jetë produkti i kësaj reforme? Sepse duhet thënë qartë dhe që në fillim. Gjëndja faktike e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar nuk është një produkt i një qasje apo qëndrimi politik të caktuar qeverisës, por, produkt i vendimarrjeve personale dhe i fragmentarizuar i familjeve shqiptare. Dhe se ky realitet nuk mund të merret si tabu dhe përfundimtar. Vet konteksi formues i kësaj gjëndje ishte i rastësishëm dhe në kushte shumë specifike. Kushte të një përmbysje të madhe jo vetëm ideologjike dhe që as nuk mund të përsëriten më as nuk mund të ngelen të pandryshuara. Në këtë konteks, një reformë territoriale pa një qëndrim të ri politik mbi shpërndarjen e popullsisë në mënyrë të balancuar nëpër territor do të ishte një gabim i madh.
Një gabim edhe më i madh do ishte ndërmarrja e nisme të tillë pa qartësuar më parë funksionet dhe kompetencat e secilit nivel qeverisës. Në fakt, ne kemi një ligj që përcakton kush janë funksionet e ‘përbashkëta’, ‘të deleguara’ dhe të ‘veta’ të njësive të pushtetit vendor që prej vitit 2001. Kemi, gjithashtu, praktika dhjetëvjecare qeverisëse të këtyre njësive në kryerjen e këtyre funksioneve. Praktika cilat mund të vlerësohen si të mira apo të këqia, në përputhje me ligjin apo në shkelje të tij, por sidoqoftë kishim një qasje qeverisje me dy nivele. Biles, po tentohej të shkohej më tej. Po tentohej t’u kalohej edhe e drejta praktike për politik-bërje lokale. Ku në përputhje me specifikat locale pushteti vendor mund të hartonte politikat e veta. Ishim në rrugën e duhur. Por performanca e qeverisjes së re i ktheu këto përpjekje në ëndrra të lagërta. Dhe do mbeten të tilla për sa kohë qeverisja qëndrore e sheh veten si “shefi” i qeverisjes vendore dhe jo si një nivel tjetër i qeverisjes. Që ka funksione dhe kompetenca të tjera. Që është votuar për të tjera detyra. Është votuar për të formuluar politika kuadër kombëtare dhe jo për të kryer funksionet e njësive të qeverisjes vendore. Askush nuk e ka votuar qeverisjen qëndrore për të mbledhur taksat e pushtetit vendor. Askush nuk e ka votuar qeverinë qëndrore për lejedhënie në fushën ndërtimore. As për të vlerësuar nëse një ndërtim është me leje apo paleje dhe për të vendimarrë nëse duhet prishur apo jo. Askush nuk e ka votuar qeverinë qëndrore për hartuar listat e të pastrehëve apo të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Por ajo është duke i kryer këto detyra vendore duke vënë në diskutim vijimësinë e procesit të decentralizimit.
Kështu, qeverisja e re ka ndërmarrë një nisëm për ndarje territorialo-administrative pa përcaktuar më parë si e shikon të ardhmen e vendosjes së popullsisë nëpër territor dhe të ardhmen e ndarjes së funksioneve midis dy niveleve qeverisëse. Biles duke shkuar në kah të kundërt për këto cështje. Prandaj reforma territoriale nuk premton të produktoj në përfundime të qëndrueshme dhe në shërbim të brezave të sotëm apo të ardhshëm. Ajo pritet të denigrojë në një hartë tjetër dhe me kufinj të rinj por që nuk mbart asnjë gjë të re. Dhe që koha do ta vjetërsoj shumë shpejt.



REFORMË TERRITORIALE VS. KRIJIMI I QYTETEVE EKONOMIKE. Mapo, 09.04.2014

Debati politik, nëse reforma territoriale është një domosdoshmëri akute apo një cështje qeverisëse që duhet trajtuar jo domosdoshmërisht brenda këtij viti politikisht të ngarkuar, ka arritur në pikë kulmuese. Të dyja palët sjellin argumente pro qëndrimit të tyre. Pala që e vlerëson reformën si një domosdoshmëri thekson se, falë kësaj reforme buxheti i shtetit do kursej rreth 80 milion euro. Ndërsa pala tjetër argumenton arithmetikisht se kjo shumë nuk arrin as 5 milion euro, pra argumenti kundështar nuk qëndron. Mirëpo duhet thënë se, të dyja palët e pranojnë ekzistencën e një barre të pakuptimtë që ka buxheti i shtetit për mbajtjen e këtyre njësive administrative vendore. Pala pro dimensionit akut të reformës, identifikon me dhjetëra njësi të qeverisje vendore që jo vetëm nuk mbledhin të ardhura nga taksimi i qytetarëve të tyre, por, edhe ato të ardhura që vijnë nga qeverisja qëndrore i përdorin për rrogat e tyre dhe nuk realizojnë asnjë investim publik. Si zgjidhje e vetme dhe shteruese, e një problemi kaq kritik për financat e drobitura shqiptare, ofrohet reforma territoriale. Në fakt, bën kuptim. Bashkimi mekanik i disa njësive të qeverisjes vendore do zvogëlonte strukturat e administratave lokale dhe si rrjellim llogjik edhe kostot financiare për mbajtjen e tyre. Zgjidhje e logjikshme, porse askush nuk bën pyetjen fillestare pse ndodh që shumica e njësive vendore nuk mbajnë dot as veten dhe jo më të ofrojnë shërbime apo të bëjnë investime publike? Sepse kjo është pyetja e parë që kërkon përgjigje. Është shumë e thjeshtë të bashkosh njësi për të synuar efekstivitet. Është rruga më e shkurtër. Por cfarë ndodh nëse disa vjet pas bashkimit na rezulton se edhe njësitë e reja (të bashkuarat) na falimentojnë. Dhe nuk do ishte cudi të ndodhte, nëse vazhdojmë të investohemi në zgjidhje të momentit. Performancën ekonomike e një njësie administrative nuk ka të bëjë me madhësinë e saj. Rasti i qytetit të Detroit, na e vërteton këtë. I madh ishte edhe Detroit, qyteti i 18-të për nga madhësia në SHBA, por falimentoi. Dhe ShBA nuk tentuan ta përballin këtë cështje duke e bashkuar me ndonjë njësi tjetër administrative.
Sidoqoftë, problemi ekonomik i qëndrave të banuara shqiptare qëndron dhe kërkon zgjidhje. Vërtet nuk duhet ti japim zgjidhjen më të shkurtër por një zgjidhje duhet t’ja japim. Sikurse kur na dhëmb koka në mënyrë të vazhdueshme nuk duhet të marrim nga një aspirinë dhe ta lëmë me kaq, edhe në këtë rast duhet të thellohemi në analiza të thelbit të problemit. Dhe problemi është i qartë. Qytetet tona nuk arrijnë të grumbullojnë aq të ardhura sa të mbajnë administratën e vet dhe të ofrojnë shërbime e të bëjnë investime publike në një masë të pranueshme. A është ky problem që vjen thjeshtë nga disniveli i dy shtyllave të decentralizimit (funksione dhe financë)? Pra, mos vallë i kemi kaluar shumë funksione qeverisëse njësive vendore dhe pak mundësi konkrete për grumbullim të ardhurash nga taksimi lokal? Opinionist dhe ekspert të ndryshëm besojnë se po, dhe në një masë të caktuar kanë të drejtë. Por nuk është vetëm ky problemi, sepse po të ishtë kështu mjafton të shtonim numrin e taksave lokale dhe zgjidhja do të vinte si me magji. Problemi i vërtetë është se falimentimi i qytezave shqiptare ka filluar 20 vjet më parë dhe po shkaktohet nga një sërë faktorësh. Faktori më determinues është rënia e madhe e popullsisë aktive për punë dhe e nivelit të punësimit. Sepse punëdhënësi më i madh dhe shpesh i vetëm është shteti. Në pamundësi për të gjetur një vend pune, qytetarët janë larguar nga qëndrat e tyre të banimit. Kjo gjë ka ulur ndjeshëm numrin taksapaguesve dhe si rrjedhim edhe mundësinë e qyteteve për të ofruar shërbime apo për të bërë investime publike. Kjo është cwshtja e vërtetë. Dhe ne kësaj duhet ti japim zgjidhje. Si ta bëjmë popullatat lokale të ndjehen të realizuara në vendbanimet e tyre të origjinës? Nëpërmjet cilave politika do tí ‘detyrojmë’ që me vullnet të lirë kwto komunitete të qëndrojnë dhe kontribuojnë në vendlindjet e tyre? Biles, si do ti kthejmë edhe ato familje që kanë migruar në qytetet e mëdha apo jashtë vendit? Dhe nëse gjejmë politikat e duhura, atherë do ti kemi dhënë përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë këtij problemi. Me reformë territoriale, me bashkim mekanik njësish vendore thjesht e kemi shmangur për ca kohë. Thjeshtë ja kemi trashëguar brezave të ardhshëm. Sepse problemi i vërtetë ngelet aty duke u agravuar më tej.



RIKONFIGURIM KUFINJSH ADMINISTRATIV APO RIKONCEPTIM I QEVERISJES? Mapo, 29.05.2014

Thonë se kur Anjshtainit i bënë pyetjen e madhe, nëse ekzistonte apo jo Zoti, u përgjigj se nëse donin një përgjigje duhet të tregoheshin shkencërisht korrektë, duhet t’i shpjegonin më parë se çfarë kuptonin ata me fjalën Zot. Anjshtain kërkonte të dinte se për çfarë po e pyesnin konkretisht, që të jepte një përgjigje konkrete. Dhe Anjshtain, sikurse për shumëçka, kishte të drejtë. Është e pamundur të japësh opinion mbi një koncept për të cilin, ai që e jep dhe ai që e dëgjon kanë kuptime të ndryshme, dhe të mos krijohet keqkuptim. Fenomen ky, shumë i dallueshëm në debatet televizive. Nëse jeni duke ndjekur një debat mbi ndonjë temë politike apo sociale dhe debatuesit po bërtasin gjithmonë e më shumë, mos u shqetësoni, nuk është se po ndodh ndonjë konflikt i madh. Thjesht janë duke përdorur të njëjtën fjalë për kuptime të ndryshme dhe ju siguroj se, nga fundi i emisionit dikush do të kujtohet dhe thotë 'të bëjmë marrëveshjen e fjalës'. Që do të thotë, të përkufizojnë ca koncepte mbi të cilat po flasin. Mirëpo, koha televizive përfundon dhe pak gjëra sqarohen për publikun. Kështu që, publiku mbetet jashtë debatit racional dhe teknik. Dhe si rrjedhim logjik pozicionohet ndaj problematikës në diskutim, në të njëjtën mënyrë sikurse ka votuar në zgjedhjet e fundit politike. Që do të thotë, ata që kanë votuar për PD-në, identifikohen sikurse vetë PD-ja dhe ata që kanë votuar për PS-në, shkojnë në të njëjtën mënyrë sikurse partia e tyre.
Duket se në të njëjtën situatë ndodhet edhe qeveria dhe mazhoranca shqiptare në lidhje me një ‘Reforme Territoriale’ potenciale. Si fillim, ajo pozoi nevojën e saj (reformës territoriale) për të kursyer rreth 80 milionë euro nga buxheti i shtetit. Në këtë linjë u pozicionuan të gjithë përfaqësuesit politikë të rëndësishëm të mazhorancës. Bile, e trajtuan si reformën e reformave. Themelin e shtetit të ‘gjeneratës tjetër’. Argumentimi i qeverisë ishte se dhjetëra komuna dhe bashki i merrnin buxhetit të shtetit miliona euro në rroga të administratës dhe nuk realizonin asnjë investim në shërbim qytetarëve. Çka të drejtonte në supozimin se qeverisja kërkon të bashkojë administrativisht disa komuna/bashki apo qarqe, në mënyrë që kostot publike për mbajtjen e burokracisë të ulen. Në këtë rast, dhe sipas qeverisë, deri në 80 milionë euro. Mirëpo, pyetja e parë që lind është a mund të konsiderohet një ndarje dhe bashkim mekanik i njësive të qeverisjes vendore si një reformë territoriale? Për më shumë, a mund të vlerësohet një përcaktim i madhësisë së njësive të qeverisjes vendore pa përcaktuar më parë kush do jenë funksionet qeverisëse që do kryejnë? Unë mendoj se jo. Unë mendoj se nuk mundet. Sepse një administratë lokale nuk ndërtohet kot. Ajo ndërtohet për të ofruar disa shërbime qytetarëve dhe komuniteteve, që jetojnë në atë hapësirë gjeografike ku qeverisja ushtron aktivitetin e saj. Qytetarë dhe komunitete që paguajnë taksa për financimin e këtyre aktiviteteve qeverisëse.
Kaq evidente u bë kjo nga shkrimet apo ligjërimet e opinionistëve, saqë tërhoqi edhe vëmendjen e Kryeministrit. I cili në një takim të Komisionit (të ngritur nga Kuvendi për këtë çështje) me përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore theksoi se reforma territoriale kishte rëndësi të veçantë për faktin se shoqërohej me procese decentralizimi të funksioneve qeverisëse! Duke anashkaluar por jo harruar, hendekun midis ligjërimit kryeministror dhe aktiviteteve të tij qeverisëse, në raport me respektimin e autonomisë lokale, lind natyrshëm pyetja; a e kupton Kryeministri që një artikulim i tillë ndryshon çdo gjë? E kalon çështjen nga një rikonfigurim vizash në një hartë, në një set reformash për çështjet bazike të funksionimit të Shtetit? Apo, si njëri mediatik që është, thjesht e tha. Sepse, nëse tha atë që mendon, kjo është shumë e rëndësishme. Kjo bën diferencë të thellë në kuptimet e konceptit ‘reformë territoriale’ dhe është një ‘derë’ që mund të na çojë shumë larg asaj që u parashtrua në fillesë të procesit. Na con drejt një Republike të Re. Nga ku, mund t’i iket marrëdhënies populiste të deri tanishme midis shtetit dhe qytetarit. Mund të përcaktohet kush janë detyrimet e qytetarit ndaj shtetit dhe shtetit ndaj qytetarit, në të dyja nivelet qeverisëse si një e tërë, dhe si ndahen këto në dy nivelet qeverisëse. Dhe, kjo do të thotë rikonceptim i qeverisjes territoriale. Do të thotë një set reformash që nisin nga Kushtetuta dhe përfshijnë një spektër të gjerë aktesh ligjore. Dhe në këtë kuptim, mazhoranca bën mirë 'të bëjë marrëveshjen e fjalës' mbi çfarë kupton me konceptin ‘reformë territoriale’ përpara se të heqë viza kufijsh në harta letre.



JU LUTEM MOS E QUANI MË “REFORMË TERRITORIALE”. Mapo, 12. 02. 2015

Partia Demokratike e bëri kthesën e saj. Ajo zgjodhi një qasje ndryshe për trajtimin e cështjes më të rëndësishme politike të ditës. Falë këtij qëndrimi, Partia Demokratike do hy në zgjedhjet locale edhe me këtë hartë. Shumkush e ka lexuar atë si, harta që i jep fitore në tavolinë të majtës shqiptare. Kjo ka të bëjë me bastionet votuese dhe me grupimin e tyre në territor, në një mënyrë të tillë që shumica e njësive locale të jetë me një avantazh ndaj kundështarit të djathtë. Ushtrim ky, që nuk kërkon nivel të lartë inteligjence porse pak kodosh duhet të jesh që të shkoj mëndja në të tilla skenarë.
Sidoqoftë, edhe kjo mënyrë nuk të jep siguri shteruse. I gjithë ushtrimi arithmetik mbështetet në dy kolona me risk të lartë. Kolona e parë ka të bëjë me ‘reflektimin e të kaluarës te e sotmja’. Që do të thotë se, baza e informacionit mbi mënyrën se si votojnë votuesit konsiderohet si statike. Mirëpo, sikurse për cdo aktivitet tjetër social, praktikat individuale të votimit evolojnë e ndryshojnë në kohë. Kurse kolona e dytë është ‘nevoja për balancim’ të kahvotuesve. Që do të thotë se, nuk mund të cosh shumë votues nga “të tutë” në një zonë për të cimentuar fitoren, sepse të duhet të lësh “zbuluar” një zonë tjetër. Biles, nëse e shikon në konteksin e sotëm, ku zhgënjimi i elektoratit nga veprimet qeverisëse është fakt, ushtrimi i grupimit të votuesve si bastione kthehet në një thikë me dy prehsa. Duhet shumë pak që elektorati ta kalojë kufirin imagjinar të bastineve sipas sjelljes në votimet e kaluara, si nga ana sasiore (diferenca e vogël në numër), por, edhe nga ana cilësore (zhgënjimi po shfaqet konsistent). Mirëpo, nëse në rastin e nevojës për të parashikuar përfundimet e zgjedhjeve të pritshme vendore na lejohet edhe të gabojmë, me nevojën e dëshpëruar për të funksionuar më mirë si një shoqëri demokratike, nuk mund të bëjmë të njëjtin përfundim. Kjo është më e pakta e sigurtë, sepse një Reformë Territoriale është e një rëndësie bazike, vecanërisht, në konteksin e sotëm.
Shoqëria shqiptare pas 25 vjetë ecejakesh me shumë kthesa, shpesh të pakuptimta dhe të pajustifikuara, ka nevojë për një qasje tjetër ndaj organizimit të saj politik e institucional. Për një qasje shumë më të thjeshtë dhe më racionale në marrdhënien individ – shoqëri – shtet. Kjo, mësë pari, nënkupton një përcaktim të ri se cfarë shoqëria i ngarkon qeverisjeve, si fushë të veprimtarisë së tyre. Duket se qeverisjet shqiptare nuk i njohin kufizimet tyre. Biles, më keq akoma, në 25 vjet janë vetngarkuar me pushtete të reja, ndërsa nuk kanë kryer as ato më baziket. Kështu që, duhet të jetë parimi i parë i shoqërisë shqiptare dimensionimi sa më i ngushtë dhe i më qartë i fushëveprimit të tyre. Parim i dytë i rëndësishëm është parimi i shpërndarjes së pushtetit. Nëse shoqëria i kalon qeverisjeve ca pushtet është më mirë që ky pushtet të ushtrohet në nivelin vendor. Dhe jo vetëm në kuptimin demokratik (pushteti sa më afër sovranit), por edhe në kuptim të logjikës racionale të bërit të gjërave.
Vetëm pasi kalohen këto dy hapa thelbësorë, mund të kalojmë në hartimin e një harte me kufinjtë administrative të njësive të pushtetit vendor. Sepse nuk mund të përcaktojmë madhësinë gjeografike apo demografike të një moduli njësie qeverisje vendore nëse nuk dimë cfarë pushteti do të ushtrojë. Dhe nuk mund të përcaktojmë se cfarë pushteti do ti lëmë secilit nivel qeverisës nëse nuk përcaktojmë më parë se, cfarë pushteti do të kenë qeverisjet si një unitet i vetëm. Përsa kohë nuk e kemi ndjekur një proces të tillë politik gjithëpërfshirës, është ofendim i inteligjencës së opinionit publik ta quash këtë shoë ‘Reformë Territoriale’. Duhet ta quajmë ‘harta e kufinjve të njësive vendore’. Sepse të vetmin produkt që kemi nga kjo “Reformë”, është thjesht një hartë e dalë nga një ushtrim vizatimi me ngjyra. Kështu që, t’ja dimë për nder opozitës që nuk na futi në kurthin e deri ditës së fundit - ‘hyjmë nuk hyjmë … në zgjedhje’ - dhe të presim kur kohë më të favorshme do na drejtojnë në një reformim real.



NJË SHANS QË OPOZITA NUK DUHET TA HUMBI PËR REFORMËN TERRITORIALE. Mapo, 13. 07. 2015

Zgjedhjet vendore u mbyllën. Ato u kryen mbi hartën e re administrativo-territoriale, dhe këtu nuk ka asgjë për tu cuditur. Opozita pranoi të futej në një garë lokale ku gjërat që diheshin ishin vetëm dy. Numri i banorëve dhe sipërfaqja e territorit të njësisë administrative. Porse, as atherë ku gara nisi, dhe as sot kur gara ka përfunduar, nuk dihet se mbi cfarë ‘funksionesh të veta’, ‘funksionesh të përbashkëta’ dhe ‘funksionesh të deleguara’ do ushtrojnë pushtetin që fituesit i është deleguar nga zgjedhësit. Duket si lojë fjalësh, por ky është realiteti postzgjedhor. Mjafton ky fakt për të vlerësuar nivelin e demokracisë në vend dhe përgjeshmërinë e elitës politike ndaj votuesit. Ndoshta sot nuk e kuptojmë, sepse jemi brenda ngjarjes, por pas disa vitesh edhe ne vet do e kemi të vështirë të besojmë cfarë ka ndodhur. Ne, në vitin 2015 kemi kryer zgjedhje vendore për të përcaktuar kush do jetë ushtruesi i pushtetit, por pa ditur kush është pushteti që do ushtrohet! Vetëm me një hartë me ngjyra të ndryshme që përcakton, në një saktësi të pranueshme, kush do jetë kufiri gjeografik i secilës njësi qëverisëse! Hartë, që ishte një nga dy faktorët e humbjes së opozitës në këto zgjedhje. Duke mos harruar faktin se një pjesë e verdiktit qytetar u deformua pamoralisht, faktori tjetër ishte opozitarizmi i dobët në dy vite dhe vecanërisht përgjatë fushatës zgjedhore. Ishte kështu për pothuajse cdo cështje, por qasja ndaj reformës territoriale ishte shembulli më evident që opozita zyrtare nuk ishte në nivelin që ‘populli potencialisht opozitar’ meritonte.
Sepse, ‘populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare kur kjo refuzoi marrveshjen për reformën territoriale, me arsyetimin se sapo ishte shkelur një marrveshje e vjetër. Por nuk u ndjeh mirë kur opozita e harroi aq shpejt preteksin e marrveshjes së thyer për administratën publike. ‘Populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare në tezën e saj se, një hartë kufinjsh e pashoqëruar nga një ligj për organizimin dhe funksionimin e qeverisëse vendore, nuk mund të konsiderohej reformë territoriale. Por nuk u ndjeh aspak mirë kur opozita nuk paraqiti një projekt të sajin për decentralizimin e mëtejshëm të funksioneve qeverisëse. Për të ardhur në fushatën lokale, ku ‘populli potencialisht opozitar’ nuk kuptoi, pse opozita zyrtare foli për ulje taksash dhe cmimi energjie elektrike! Apo për stola, parqe, trotuare, kazanë mbetjesh urbane, por nuk e mbrojti politikisht autonominë lokale nga sulmet e drejtpërdrejta të qeverisë kombëtare. A mund të kishte temë më adekuate se demokracia lokale, në konteksin e një fushate për zgjedhje lokale? A mund të mos flitej për listat e përfituesve të ndihmës sociale që hartoheshin më ministri!? A mund të mos flitej për listat e përfituesve nga programet e strehimit që hartoheshin apo miratoheshin në një ministri tjetër!? A mund të mos flitej për bllokimin e lejedhënies ndërtimore!? A mund të mos flitej për sulmin e INUK ndaj ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme!? Mirëpo, nuk u fol as për këto funksione të grabitura vendore, dhe as për të tjera shkelje me origjinë antikushtetuese, të qeverisjes qëndrore.
Në “luftën” midis hartës të fabrikuar dhe frymëzimit demokratik e decentralizues , fitoi e para. Jo sepse ishte më bindëse, por sepse mungoi i dyti. Ndërsa, nuk mungoi e njëjta qasje centralizuese kryeministrore. Ai thirri në takim të zgjedhurit vendor, për ti komunikuar se pranonte ti “emëronte” në ato poste që populli i kishte votuar. Po! Sepse për mënyrën sesi e kupton Kryeministri qeverisjen me dy nivele, mund edhe të mos i kishte “emëruar”. Shqiptarët duhet t’ja dinë për nder që e bëri, dhe të vlerësojnë që në këtë takim ftoi edhe kandidatët fitues të opozitës. Fakti që këta nuk vajtën në takim nuk e pengoi Kryeministrin të cungonte më tej autonominë lokale duke i marrë edhe policinë bashkiake dhe gjithë funksionet dhe përgjegjësitë ligjore që kjo kryente. Nuk kishte si ta pengonte, përsa arsyetimi i mungesës ishte formal. Ata nuk vajtën sepse ftesa nuk ishte në kohën e duhur e në formën e duhur, duke rrezikuar të humbin një shans të jashtëzakonshëm. Një top që mjafton të preket për tu kthyer në gol. Dhe jo vetëm që opozita të rikthehet fuqishëm në politikë, por c’ka është më e rëndësishmja që reforma territoriale të hy në shinat e përmbylljes gjithëpranuese. Kështu mund të ndodhi, nëse opozita e kthen diskursin e saj nga dimensioni formal në atë përmbajtësor, dhe propozon një paketë të plotë për ndarjen e funksioneve qeverisëse ndërmjet dy niveleve. Një paketë, të cilën pozita do e ketë të pamundur ta refuzojë pa kosto politike, ndërsa do ia ngrejë shumë lartë kuotat opozitës në tregun politik, dhe në përceptimin e ndërkombëtarëve.




DËSHTIMI I PARALAJMËRUAR DHE DOMOSDOSHMËRIA E MBETUAR PËR NJË REFORMË TERRITORIALE. Mapo, 27. 09. 2017

Altini është një i ri nga periferia e Tiranës që me shumë përpjekje mundohet të vonojë falimentin e bar-kafesë së familjes. Ai është një djalë ekstremisht i qetë, c’ka ma shtoji habinë, kur dje në mesditë e gjeta duke debatuar fortë më disa policë bashkiakë. ‘Cfarë ka Altin?’- e pyeta duke e tërhequr për ta larguar nga mjedisi i tensionuar. ‘C’të kem,’ - më tha - ‘ka tre ditë që është prishur rubineti i tubacionit kryesor dhe administratori na thotë se pret përgjigje nga bashkia! Gjithë lagjia nuk ka ujë, ndërsa uji ka përmbytur rrugët e po na hyn nëpër shtëpi! Vajta e bleva një rubinetë me paratë e mia dhe kur po e vendosja vijnë këta dhe thonë se do më arrestojnë për ndërtim paleje!’. Këto ishin fjalët e Altinin që për mua përkufizojnë fundfinishin e Reformës Territoriale; qytetarë që nuk marrin më shërbime, përvecse demokracisë së cunguar përsa kishin një kryekomunar që e zgjidhnin vet dhe kanë një administrator që ju’a emërojnë të tjerët.
Me një fjalë një dështim i plotë për një reformim bazik qeverisës, që ka qenë dhe mbetet më shumë se i nevojshëm në këtë stat të zhvillimit dhe modernizimit të vendit. Nevojë kjo që ka evoluuar nga tentativat e ministrit Blushi 2004 dhe Olldashi 2006 në domosdoshmëri në vitin 2009, kohë kur qeveria e asaj kohe draftoi një ligj të ri për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Ishte ky ligj shumë modern dhe i mbështetur në parimet bazike të devizës themelore të BE, atë të qeverisjes së mirë, që kushtëzonte një reformim të thellë dhe të plotë të administrimit lokal dhe qeverisjes territoriale. Atje ku qeverisja Nano dhe Berisha dështuan për të krijuar mazhorancën parlamentare që kërkon miratimi i një reforme të tillë, duket se suksesoi qeveria Rama! Ai, edhe me ndihmën e ndërkombëtareve, arriti të grumbullonte numrin e nevojshëm të deputetëve për ta miratuar, ndërkohë që dështoi në konceptimin dhe formulimin e duhur të saj!  
Reforma Territoriale dështoi, së pari, në kuptimin demokratik sepse pushteti ju largua qytetarit. Zvogëlimi i numrit të njësive vendore për administrimin e të cilave ushtrohet aktiviteti i përzgjedhjes me votë, ka si rrjellim logjik zmadhimin e shtrirjes territoriale të tyre, dhe kjo nënkupton një numër më të madh votuesish për përzgjedhjen e kryebashkiakut. Largimi i mundësisë për të kushtëzuar me votë, zvogëlon edhe ndikimin e votës qytetare dhe kjo ka ndikim direkt në demokracinë vendore. Reforma territoriale dështoi, gjithashtu edhe, në kuptimin e cilësor dhe sasior të shërbimeve publike që pushteti vendor është i detyruar me ligj t’ju ofroj qytetarëve. Zëvendësimi i kryekomunarëve/bashkiakëve të njësive të vogla me administratorë, e pa shoqëruar kjo me kalim të funksioneve qeverisëse nga kryebashkiakët te administratorët, rezultoi me burokraci të shtuar dhe produktivitet të munguar të performancës së këtyre të fundit.
Por tentativa për të bërë një Reformë Territoriale dështoi edhe në synimin e saj parësor, atë ekonomik. Sot 13 bashki të reja mund të konsiderohen të falimentuara, 9 nga të cilat pas Reformës. Parashikimit të parareformimit se bashkitë e reja do fuqizohen ekonomikisht sot i vihet përballë fakti empirik se, detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor kanë arritur në vlerën e 90 milionë dollarëve. Një raport fundit i Ministrisë së Financave ka evidentuar se vetëm gjatë tremujtorit të dytë të këtij viti, ky borxh është rritur me 37 milion dollarë dhe nga 61 njësi të pushtetit vendor 57 prej tyre janë në borxhe. Megjithëse hartuesit e kësaj reforme na premtuan një kursim të parave publike prej 80 milion euro, duket se vetëm për vitin 2018-të qeveria do të rritë transfertën nga buxheti për bashkitë në masën 5%, ndërsa do të fillojë të japë edhe 25% të të ardhurave nga taska e qarkullimit të automjeteve dhe 2% nga tatimi i të ardhurave personale. 
Dukshëm e ashtuquajtura Reformë Territoriale degjeneroi në një hartë më ngjyra të bukura, ndërsa nevoja për një reformim të tillë mbetet si një shpatë e ngritur mbi kokën e demokracisë lokale dhe ekonomisë kombëtare. Ajo duhet trajtuar seriozisht mbështetur në dy parakushtet bazike për suksesin e saj. Nuk mund të projektohet një ndarje apo bashkim mekanik i njësive ekzistuese të qeverisje vendore pa vendimarrë më parë për një shpërdarje të balancuar të popullsisë në territor, dhe një ndarje proporcionale të funksioneve qeverisëse midis niveleve të qeverisjes. Vetëm kështu mund të projektojmë mundësi konkrete për bashki në sukses ekonomik, mjedisor e social që menaxhojnë e administrojnë territore të populluara nga qytetarë dhe famije në prosperitet. Shanset i kemi, diskursi opozitar po na i premton, na mbetet vetëm të guxojmë!

Comments

Popular posts from this blog

REPUBLIKA E RE

QEVERIA RAMA DHE ARSIMI

QEVERIA RAMA SI QEVERI FASHISTE!