TË
QESHËSH APO TË QASH NË KOHËN E ÇIFTËZIMIT TË RILINDJES ME KORONËN! Liberale, 20. 04. 2020
Personalisht po e shijoj shumë këtë gallatën e
luftës së Prijësit tonë me shqiptarët, nën preteksin e virusit korona. Është
qesharake të shohësh një burrë në një moshë të caktuar, që del në televizor çdo
ditë me një pamje vizionari dhe gjithë patos lëshon broçkulla infantile. Më
shumë se qesharak janë zyrtarët e
shtetit, nga polici te ministrat, të cilëve ju duhet edhe ti përsërisin këto
anekdoda sikur po thonë gjërat më të mënçura në botë, por edhe të detyrojnë
qytetarët, me forcën e pushtetit që ju ka dhënë Prijësi, ti zbatojnë ato në
jetën e përditshme. Akoma më qesharak janë njerëzit që e trajtojnë seriozisht
këtë amorfitet qeverisjeje, që vetquhet Rilindje.
Këtë të enjte Kuvendi i Shqipërisë, i drejtuar
tashmë plotësisht nga Prijësi, miratoi disa shtesa në Kodin Penal. Sipas këtyre
shtesave, disa nga ata që dënoheshin me gjoba për ‘mos marrje leje’ për të dalë
nga shtëpia, tashmë do të dënohen me burg. Ndërkohë, vet Prijësi lajmëroi se
ata që janë dënuar me gjoba apo dënime të ngjashme për shkeljet që në vijim do
të dënohen me burg, nuk do ti paguajnë ato. Prijësi ju’a ka falur fajin që nuk
morën leje te ai për të dalë nga shtëpia.
Shkurt, po më duket vetja si në kohën e komunizmit,
kur pasi mbaronte filmi ‘Mëngjese Lufte’, fillonte Revista Televizive dhe dilte
ndonjë Udhëheqës që deklaronte fitoret e ditës, në luftën kundër imperializmit
amerikan dhe social-imperializmit sovjetik dhe sigurimit të bukës në vend.
Edhe sot jemi njësoj si në filmin ‘Mëngjese Lufte’,
presim të dali dielli dhe të mbyllet ‘koprifuoko’ që të nisim jetën. Por me
ndryshimin, se ne na duhet të marrim leje te pushteti edhe pasi mbaron shtetrrethimi,
kurse te filmi mjaftonte të shkonte ora dhe kushdo mund të dilte.
Pjesa më artistike e atij filmi, mbetet biseda e një
burri me lopën e tij të pabindur, e cila donte të dilte pa filluar qarkullimi.
Ky, sigurisht me ironi, i sqaronte lopës rregullat e luftës dhe ‘koprifokos’ të
cilat duhet ti zbatonte edhe pse ishte lopë, dhe si argument i sillte gomarin e
Shazos që e kishte vrarë patrulla gjermane, se kishte bërë të njëjtin faj. Dhe
ky është ndryshimi i dytë, policia e Liderit nuk do të na vrasi si gomarin e
filmit, por thjeshtë do të na fusi në burg.
Përveç projeksionit të të kaluarës në të kaluarën,
sikurse ishte filmi ‘Mëngjese Lufte’, i cili është gjithashtu projeksioni i së
kaluarës në të sotmen, sepse përgjatë kësaj ‘koprifuokos’ së sotme ky film
transmetohet gjerësishtë nga TV të ndryshme, më ndodh edhe projeksioni i të
sotmes te e kaluara. Njësoj si në të kaluarën, kur një nga udhëheqësit dilte e
na shpjegonte fitoret tona të jashtme ndaj imperializmit dhe social-imperializmit,
dhe të brendshme në realizimin e planit të grurit me 121 %, edhe sot Lideri del
e na shpjegon sesa shumë janë infektuar dhe kanë vdekur nga koronavirusi në
vende të tjera, dhe sa pak në Shqipërinë që po ndjek planin e tij gjenial.
Për të qenë të drejtë dhe të vërtetë, Prijësi ynë
nuk bën krahasime direkte mes vendeve të botës që nuk po zbatojnë regjimin e
tij të ‘koprifuokos’ dhe atyre që po e zbatojnë me përpikmëri, sikurse i bie të
jetë vetëm Shqipëria. Këtë funksion e ka marrë media klasike dhe moderne, ndërsa
raporton përgjatë gjithë ditës statistikat e vendeve të tjera, dhe vetëm një
herë në ditë statistikat shqiptare. Edhe këtë në orën që ka vendosur pushteti,
dhe vetëm nëpërmjet gojës së tij.
Media shqiptare e sotme, pothuajse njësoj si e kohës
së komunizmit, nuk ka pyetje, ajo vetëm transmeton çfarë i thuhet të
transmetoj. Sot shqiptarët dinë me saktësi sesa qytetarë të Shba, Italisë,
Spanjës, Francës, Gjermanisë e kështu me radhë, janë prekur apo kanë ndëruar
jetë ‘në 24 orët e fundit’, por nuk dijnë akoma pse në Shqipëri bëhen kaq pak
teste? Pse në Shqipëri mjekët vetëm shërohen nga koronavirusi, por asnjëherë
nuk sëmuren prej tij? Pse pasja apo mos pasja e lejes nga pushteti për të dalë
na mbron nga koronavirusi? Apo, me cilin shtet tjetër janë të ngjashme dhe me
cilin jo, kufizimet dhe shtrëngimet që Prijësi i ka vendosur nënshtetasve të
vet?
Në fund, çështja e çështjeve, ajo për të cilën duhet
të kemi patjetër një përgjigje, sepse edhe Shazos do ja thonin pse ja vranë
gomarin, nëse do ti kishte pyetur gjermanët. Mos vallë kjo mënyra e Prijësit
tonë për menaxhimin e pandemisë do na mbaj në këtë gjendje për vite të tëra?
Nëse ne po prekemi mesatarisht nga 20 veta në ditë,
dhe në të njëjtën kohë duhet të imunizohemi në masën 60-70% të popullsisë që
virusi korona të largohet, atherë me rregull treshi i bie se na duhen edhe 100
mijë ditë. Edhe po ti heqim dy zero këtij numri, meqë shumë e kanë kaluar dhe
do ta kalojnë ‘pa e marr vesh Prijësi’, sepse nuk kanë shfaqur simptonat dhe në
këtë kuptim nuk ju është bërë testi, duhen edhe 3 vjet që virusi të shkatërohet.
Dhe kjo, ndryshe nga të tjerat, nuk është për të qeshur por për të qarë, sepse
studimet mbi burgjet tregojnë se vetëm tre vitet e para e përjeton burgun si
burg, më tej të kthehet në një stil jetese të cilin e ke të vështirë ta
ndryshoh.
TRADHËTARËT
JANË ATA! Liberale, 28. 04. 2020
Duket se marrëzia ka marrë rrugët në këtë katundin
tonë globalist. Prijësi ka shpikur një super argument për të mbrojtur
ndryshimet e thella antidemokratike që po i bën legjislacionit shqiptar. Ai po
na thotë se këto ndryshime ‘nuk janë për popullin, por për ligjëshkelësit’! Që
do të thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen fare se çfarë ligjesh bën
qeveria, sepse ligjet nuk janë për ta! Dhe ky “argument” duhet të jetë shterues
për gjithëkënd nga shoqëria, që e njeh veten si pjesë të popullit dhe jo si
ligjëshkelës. ‘Unë nuk jam ligjshkelës, pse duhet të kem frikë nga ligji që po
bën qeveria?!’ Kështu është, apo jo! Qytetari nuk ka pse të ketë frikë nga
ligji, përderisa nuk e shkel atë. Nga ana tjetër pse duhet të shqetësohemi për
ligjëshkelësit, ata e kanë vendin në burg!
Në fakt, ky është arsyetimi më qesharak që kam
dëgjuar ndonjëherë, sepse kur ligji nuk ka filluar të aplikohet nuk ekziston
asnjë diferencë midis popullit dhe ligjëshkelësit. Të dyja këto grupe përputhen,
sepse duhet të kemi më parë një ligj në veprim pa të kemi shkelës të tij. Njësoj
si puna e kufirit, apo e një vize tjetër çfarëdo në hapsirë apo në kohë, nëse
ai kufi nuk është vendosur akoma, atherë nuk mund të thuhet se dikush e ka
shkelur apo kapërcyer atë.
Ligji, përveç të tjerash është edhe njësi matëse. Ai
vetëm kur fillon e përdoret, mat sa prej individëve që përbëjnë popullin janë
shkelës të tij! Sepse, ligji në vetvete, nëpërmjet dispozitave të tij paracakton
edhe raportin potencial të shkelësve të tij, kur ai vet të hyj në veprim. Që do
të thotë, se një ligj mund të shkruhet në mënyrë që të mos gjej asnjë
ligjshkelës, por edhe të gjej se i gjithë populli është i tillë. Përshembull,
një ligj mund të thotë se ‘asnjë i vdekur nuk duhet të dali nga shtëpia për dyzet
vjet’, por mund të thotë gjithashtu se ‘asnjë i gjallë nuk mund të dali nga
shtëpia për dyzet vjet’! Skenari i parë nuk do të shqetësonte askënd, por i dyti
duhet të alarmonte gjithëkënd, sepse mjafton të ishe pjesë e popullit dhe do të
ishe ligjshkelës në të njëjtën kohë.
Edhe ligjet e Leninit, Stalinit, Hitletit, Duçes, Hoxhës,
dhe të gjithë shokëve të tyre kolektivistë, për ligjshkelësit shkruheshin, por masakruan
e mjeruan popuj të tërë. Është gjithmon kështu, sepse për kolektivizmin
unanimiteti është bazik, dhe duke qenë se populli nuk ka pse shqetësohet për
ligjet që bën qeveria, sepse ‘ligjet nuk janë për popullin por për ligjëshkelësit’,
unanimiteti kthehet në unitet ndaj Prijësit. Nëse ‘unanimiteti’ ka për
bashkëshoqëruese ‘shumicën’, që do të thotë se, kur nuk arrihet unanimiteti
mund të marrim vendime nëpërmjet shumicës kolegjiale, ‘uniteti’ nuk ka
bashkëshoqërues. Uniteti ndaj Prirësit ka vetëm antagonizëm. Kushdo e ka
dëgjuar shprehjen e famshme kolektiziste ‘o me ne ose kundër nesh, rrugë tjetër
nuk ka’.
Bile edhe antagonizmi është një term disi i butë,
sepse për Prijësin, çdonjëri që nuk shpreh unitetin ndaj tij, është ose armik,
kur identifikohet që në fillim; ose tradhtar, kur ka dalë si i tillë gjatë
rrugës. Kjo është arsyeja, që edhe Prijësi jonë cilëson si ‘tradhtar’ çdonjërin
që nuk brohoret ‘ligjet dhe rregullat’ që ai po vendos dhe po na shpëtojnë
jetën nga virusi korona. Dhe këtu vijmë te një tjetër shpikje argumentuese e
Prijësit. Që në fakt, nuk është shpikje, por rishpikje, sepse është përdorur
gjerësisht në shekullin e kaluar nga të tjerë shok të tij, socialist nacionalistë
apo internacionalistë. Dhe në këtë kuptim, nuk është një term risi për ne, por
një term i risjellë. Kishim të paktën dy dekada që nuk e dëgjonim, dhe ja e dëgjuam
tani kur gjerat kanë filluar të rikualifikohen, rivitalizohen, rishpiken, apo
Rilindin. E kishim dëgjuar të përdorej brenda partive, kur ndonjë grup shkëputej
nga trupi i partisë mëmë; por jo drejtuar popullit.
Thënë thjeshtë, brenda popullit paska tradhtarë!
Janë ata që mendojnë ndryshme nga Prijësi. Mjafton të mendosh ndryshe nga
Prijësi, pavarësisht çfarë vlere dhe impakti shoqëror kanë ato që mendon Prijësi,
dhe ti, qytetari i një Republike që ka 30 vjet në tranzicion, cilësohesh
tradhtar. Po tradhtar ndaj kujt! Tradhtar ndaj ‘kauzave’ të Prijësit që lufton
kundër popullit të tij!?
Nuk ekziston asnjë fjalë më e ndyrë se fjala
tradhtar, kur përdoret për një individ të popullit tënd. Bile, nuk ka kuptim
edhe kur përdoret për një individ të një populli tjetër me interesa të ndryshme
nga ato të popullit tënd. Unë e urrej këtë fjalë, dhe nuk mendoja se do vinte
një ditë kur do ta përdorja edhe unë, por kam frikë se erdhi. Nëse duhet të
gjejmë patjetër tradhtar brenda nesh, atherë tradhtarët janë ata. Janë Prijësi
dhe enturazhi i tij, pavarësisht se shtiren në ‘unitetit’ apo në ‘antagonizëm’
me të. Janë ata që për 30 vjet penguan demokracinë liberale dhe tregun e lirë
të punonin për shqiptarët, sikurse punuan për çdo komb tjetër që i përdori.
Provat gjenden kudo, por unë do sjell vetëm një: kush e ka fajin që qindra
mjekë shqiptar po i shërbejnë popullit të tyre nga ekranet e medias klasike apo
moderne me intervista të dhëna nga vendet më të zhvilluara të botës, dhe jo nga
spitalet e Shqipërisë?! E kam parë në sytë e tyre se ëndërojnë të jenë këtu me
ne, e kuptoj nga fjalët e tyre se diçka i pengon ta ndjekin ëndrën e tyre dhe
të vijnë.
PSE
KAQ E EGËR KJO LUFTË E PRIJËSIT TONË! Liberale, 04. 05. 2020
Tashmë është evidente për këdo se shtrëngimet që shpalli
Prijësi i shqiptarëve të shekullit të 21-të për popullin e tij, ishin më të
rreptat në planet. Ndoshta ja kalonin vetëm ato të Kinës, por kjo nuk është
ndonjë çudi për askënd që njeh mënyrën sesi organizohet dhe funksionon
marrdhënia e shoqërisë dhe shtetit në atë vend të largët aziatik, i cili ka
qënë vëllai ynë i madh për ca vite në shekullin e kaluar. Çudia është se, për
aq pak sa dijmë, ja kaluam edhe Koresë së Veriut, e cila karantinoi vetëm
Liderin Suprem por jo masën e popullsisë. Ne kemi folur për aspekte të ndryshme
të “luftës” së Prijësit tonë, por asnjëherë për çështjen më të rëndësishme: pse
kishte nevojë për një egërsi të tillë lufta e Prijësit tonë? Ndoshta sot është
rasti ta bëjmë këtë pyetje.
Ka shumë arsye kjo luftë e rreptë e Prijësit tonë.
Ato të gjitha janë racionale, pavarësisht në referencë e përfitim të kujt. Së
pari është sistemi ynë shëndetsor, i cili, pa shkuar në ato klishetë se ‘është
më i keqi në të gjithë botën’, mbetet problematik me shërbimin që i ofron
shoqërisë. Sigurisht që një njeri me pak mend në kokë, nuk mund të bëj
krahasime me gjërat që nuk i njeh, sikurse janë shërbimet shëndetsore në të
gjithë vendet e botës, bile as sesi është në tërësi shërbimi shëndetsor në
Shqipëri, por gjithësesi nuk do njohuri të zgjeruara në këtë fushë për të
kuptuar se me të është abuzuar prej tre dekadash. Sepse ky është problemi me
të. Që jemi popull i varfër, ne këtë e dijmë sikurse edhe kuptojmë se një
popull i varfër nuk mund të ketë një sistem shëndetësor të shkëlqyer. Porse, ne
kemi një sistem shëndetësor më të varfër sesa jemi vet, dhe në këtë kuptim
duhet ta shohim me përparësi për ti dhënë një zgjidhje arsyejeve pse ndodh kjo.
Së dyti, edhe ky sistem shëndetsor që kemi, ashtu si
është, nuk u përdor me efiçensë dhe për këtë ka disa çështje që duhen prekur.
Çështja e parë ka lidhje me përjashtimin e sektorit privat në përballimin e
kësaj pandemie. Nuk bën asnjë kuptim logjik, nga ajo logjikë që origjinalizon
me krijimin e njeriut, nga më e thjeshta e logjikave, ne nuk përdorëm një ‘vegël’
që e kishim në zotërim, në momentin që na duhej më tepër. Këtë gabim, për të
mos thënë faj, nuk do ta kishte bërë as njeriu i shpellës. Edhe ai, kur
konstatoi se një copë guri mund të gërryente faqen e shpellës më mirë se ajo që
kishte në dorë, do ti këmbente ato. Ndoshta nuk e kuptonte se guri i parë
kishte në përbërje metale që e bënin më të fortë se i pari, gjë që do ta dallonte
mijëvjeçarë më vonë, por gjithësesi ja njihte dhe pranonte epërsinë. Akoma më keq
se kaq, në rastin tonë nuk kishim nevojë as ti zëvendësonim ‘veglat’, na
mjaftonte ti utilizonim në mënyrë komplementare.
Çështja e dytë ka lidhje me përjashtimin e
segmenteve më të rëndësishme dhe më masive të sistemit shëndetsor publik.
Rrjeti i gjerë i mjekëve të familjes u la jashtë përballimit të kësaj pandemie,
që mbetet e rrezikshme, pikësisht dhe veçanërisht prej këtij gabimi, për të mos
thënë faji. I gjithë përballimi i kësaj pandemie ju la në shpinë një grushti
mjekësh specialist në dy spitale të vendit, dhe një grusht njerëzish të tjerë
që të përgjigjeshin në telefon nga i njëjti numër. Numrin e saktë të centralistëve
nuk e dijmë, por dijmë me siguri se nuk mund të shërbenin as nga ana sasiore
dhe as nga ana cilësore, krahasueshëm me mjekët e familjes. Do ishte absurd
vetëm ta mendonim, sepse janë mjekët e familjes të cilët në radhë të parë janë
mjek jo centralistë, dhe në radhë të dytë janë mjekët tanë dhe na njohin në çdo
problematikë shëndetësore që kemi kaluar. Nëse nuk është kështu, atherë duhet
të ndryshojmë me shpejtësi strukturën e sistemit të shëndetësisë publike. Pse
duhet të paguajmë një ushtri me mjek familjeje, kur mund të paguajmë një
sipërmarrje call-centër, e cila suksesoka edhe në kohë pandemije e jo më në
kohë normaliteti.
Arsyeja e parë që justifikon egërsinë e masave
qeverisëse, ajo që ne kemi një sistem shëndetësor më të varfër se sa jemi vet,
nuk është i gjithë “kontribut” i Prijësit tonë dhe qeverisë së tij rilindase.
Ai mban barrën më të rëndë të këtij realiteti, sepse po qeveris në shtatë vitet
e fundit, por edhe përshkak të mënyrave të gabuara, për të mos thënë të
fajshme, sesi i ka përdorur paratë publike të dedikuara për sistemin shëndetësor
publik. Por, gjithësesi nuk është dëmtuesi i vetëm, sikurse është për arsyen e
dytë. Si për përjashtimin e sektorit privat të shëndetësisë edhe për
përjashtimin e armatës së mjekëve të familjes, Prijësi jonë dhe oborri i tij mbajnë
autorësinë.
Dhe këtu vijmë te përgjigjja e shqetësimit tonë, të
paktën e njerëzve që e kuptojnë rëndësinë e lirisë që u shpërdorua shumë rëndë
nga shtrëngimet qeverisëse. “Lufta” e Prijësit tonë ishte kaq e egër, për dy
arsye racionale. Së pari, sistemi jonë i mjeruar shëndetsor nuk e kishte
takatin të përballej me një kurbë të lartë infektimesh, të paktën dy javët e
para kur njerëzit nuk ishin koshient për çfarë po ju ndodhte. Dhe kjo është në
përputhje me racionalitetin e përgjithshëm njerëzor. Por edhe arsyeja e dytë,
ajo e përjashtimeve të sektorit privat dhe rrjetit të mjekëve të familjes,
është racionale. Ndryshe nga e para, ajo është në përputhje me racionalitetin
centralist të Prijësit. Përhapja e diskursit dhe veprimit në lidhje me këtë
“luftë”, edhe në sektorin privat dhe në shtresa të gjera të sektorit publik, do
të rrezikonte karakterin centralist të kontrollit. Do të rrezikonte, gjithashtu, qendërzimin e
triumfit në këtë “luftë”. Sepse, përderisa nuk ka një njësi matëse të pranuar
gjerësisht, pavarësisht sa jetë, shëndet dhe ekonomi do të humbim, “lufta” do
të përfundoj me “fitore” dhe i gjithë
triumfi duhet ti takoj Prijësit që na udhëhoqi drejt saj.
PANDEMIA E VËRTETË ËSHTË EKONOMIA E KONSUMIT! Liberale, 22. 06. 2020
Statistikat
aktuale në lidhje me koranavirusin po vërtetojnë atë që kemi thënë dhe e kemi
përsëritur, mbyllja e popullsisë në një karantinë kaq fanatike e të dhunshme
nuk do të shërbente për asgjë. Për tre muaj me radhë ne ndenjëm para
televizorit dhe ndoqëm humbjet e jashtëzakonshme në jetë njerëzore në vendet e
tjera, ndërsa vet pësuam humbje minimale. Pa dyshim ky bilanc pozitiv i
përballjes së një shoqërie të prapambetur me një sulm global kishte si
kontributor kryesor karantinimin, por nuk ishte e vetmja pasojë e tij. Sepse në
thelb, ne bëm të vetmen gjë që dijmë të bëjmë mirë, u shtirëm ‘sikur luftuam’
kur në fakt bëmë vetëm sehir.
Bëm
‘sikur’ luftuam, bëm ‘sikur’ morrëm “pagën e luftës”, bëm edhe ‘sikur’ i bëmë
opozitë qeverisë, por në fakt ne vetëm shtymë kohën kur do të përballeshim me “armikun”.
Si rezultat i kësaj, të sëmurët dhe jetët e humbura të marsit, prillit dhe
majit do ti kemi në qershor dhe në vijim. Nëse do të ndiqnim një linjë më
liberale ndaj karantinimit, do të kishim më shumë të sëmurë në spitalet bosh dhe
më shumë jetë të humbura në kohën e “pushtimit”, por sot do të kishim
statistika më të ulta dhe mbi të gjitha do të ishim më pranë lirisë. Sepse
lufta, qoftë ajo edhe metaforike, duhet luftuar që të fitohet, ajo nuk mund të
fitohet duke ju shmangur e fshehur.
Skenderbeu,
ai prej vërteti, vërtet e mbyllte popullsinë në kështjellë kur rrethohej nga
osmanët, por sëbashku me kalorësit e tij rrinte jashtë dhe e godiste papushim
armikun dhe furnizimet e tij, derisa e dobësonte në pikën kur aihiqte rrethimin
largohej në shtëpi të vet. Ndërsa Skëndërbeu i sotëm, ky prej gjasme, mbylli
popullin nëpër kasolle, ndërsa vet dhe kalorësit e tij na dhanë shfaqje me
fitore ‘prej gjasme’, duke pritur që armiku të ikte vet! Mirëpo, ky armiku i
sotëm nuk ka shtëpi që të iki në verë dhe të kthehet në vjeshtë, kështu që
duket se do të rrij edhe për ca kohë. Por ai që nuk do iki asnjëherë, një armik
edhe më i madh dhe më vrastar se pandemia, është varfëria dhe fukaralliku. Të
gjitha institucionet ndërkombëtare, dikush më shumë e dikush akoma më shumë, e
shohin Shqipërinë e pas “luftës mbyllur
në kasolle por me sytë te frëngjia”, në rënien më të madhe ekonomike se çdo
vend tjetër në rajon. Kjo është lufta e dekadave, në mos shekujve për ne shqiptarët,
dhe për këtë nuk po gjejmë dot Skëndërbej, qoftë edhe prej gjasme.
Sigurisht
që shkaktari i parë i varfërisë së ardhshme është mënyra që zgjodhëm për të
luftuar ndaj koronavirusit, por ka edhe një arsye tjetër, më të qenësishme e më
strukturore. Ne kemi qenë të varfër, jemi të varfër dhe do të mbetemi të
varfër, edhe sikur koronavirusi të kishte prekur gjithë botën por jo
Shqipërinë, sepse kemi një model të zhvillimit ekonomik të gabuar. Ne kemi
zhvilluar një model ekonomik që mbështetet te konsumi dhe jo të prodhimi,
sikurse vendet e tjera të rajonit me të cilat bëjmë ‘sikur’ konkurojmë. Për të
kuptuar këtë mjafton të shohim bilancin e tregtisë së jashtëme të vendit, që
mbetet negative ndoshta edhe më parë se prej kohës së Mbretërisë. Rreth 60% e
rritjes ekonomike të vendit mbështetet te konsumi, i produkteve që vijnë nga
importi dhe financohet përgjithësisht nga remitancat, që gjithshtu vijnë nga
“importi”.
Shqipëria
e dy dekadave të fundit është, gjithshtu, vendi i vetëm i rajonit të Ballkanit
Perëndimor që industrinë e ndërtimit e ka të renditur si një nga tre prurësit
më të mëdhenj në ekonominë e vendit, dhe specifikisht të dytin pas bujqësisë.
Ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e mbështesin produktivitetin dhe
konkurueshmërinë ekonomike te prodhimi industrial. Është kështu veçanërisht për
Serbinë, e cila e ka prurësin e parë dhe më shumë se 20% të ekonomisë e ka të
mbështetur në prodhimin e manifakturës, por edhe për Bosnjë Hercegovinën,
Maqedoninë e Veriut. Në aspektin e prodhimit industrial na e kalon edhe Kosova,
e cila merr 13.1% të të ardhurave nga prodhimi industrial, ndërkohë që në
Shqipërinë ky tregues është vetëm 6%.
Ky
është halli më i madh i Shqipërisë së sotme, që ndërton edhe atë të nesërme.
Koronavirusi është një ‘fotografi’, ai edhe po nuk iku do të asimilohet në
modelin tonë të jetesës dhe do të harrohet. Kurse modeli ekonomik është një ‘film’
që ka filluar dekada më parë dhe duket se do të vijoj edhe për shumë të tjera,
ndërsa na pengon të kemi një produktivitet ekonomik të pranueshëm si shoqëri
apo një nivel konkurueshmërie me fqinjët. Për më tepër, është ky model ekonomik
i mbështetur te konsumi dhe jo te prodhimi, që do të na sjelli edhe rënien më
të madhe në rajon, sepse një krizë konsumi është padyshim më e rënda në një
model ekonomik konsumi.
Comments
Post a Comment